IDRIZ ZEQIRAJ
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, ka bërë akuza dhe konstatime për LDK-në:
1) “Deputetët e LDK-së nuk japin nënshkrimet për Komisionin Hetimor të SHIK-ut;
2) Një pjesë e LDK-së, është pjesë aktive e SHIK-ut;
3) PDK-ja janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK-së i kanë dhjetë fytyra”.
I. Nisma e Lëvizjes Vetëvendosje, për krijimin e një Komisioni Hetimor, për hetimin e SHIK-ut, mendoj se nuk është studjuar në masën e duhur. Madje, dyshohet mos është sugjërim i vet SHIK-ut, nëpërmjet anëtarëve të tij të fshehtë, që i ka të bollshëm në të gjitha partitë politike. Një Komision i tillë, përveç fjalëve lumë, nuk mund të sjell ndonjë rezultat konkret. Pse? Sepse, në ulset e Parlamentit janë, të paktën, 27 kriminelë. Kjo shifër rritet, kur dihen lidhjet ideologjke e nepotike të shumë deputetëve tjerë.
Është një projekt i Hashim presidentit, që, tashmë, është vënë në zbatim: Arrestimi i shokëve të tij, dënimi simbolik e, më pastaj, lirimin e tyre! Bazuar në një klauzolë ligjore: “Një çështje e gjykuar një herë, nuk mund të bëhet objekt hetimi përsëdyti”, i mbyllë krimet monstrume, të “komandantëve” kriminelë, që nga projektuesit, listëbërësit, urdhërdhënësit e deri tek ekzekutorët! Dhe, kjo ka trimëruar kriminelët e liruar dhe të tjerë, që janë në pritje të lirimit të parakohshëm. Sipas Kadri Veselit, themelues i SHIK-ut është Hashim Thaçi, dihet, në koordinim me Sigurimsat e Enver Hoxhës dhe, përmes tyre, edhe Serbinë me aleatë. Kjo për arsyen, tashmë, të dëshmuar, përçarjen ndërshqiptare, me synimin që shqiptarët e Kosovës të vritën në baza ideologjike, për të harruar luftën me pushtuesin, Serbinë.
Realisht, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithëherë në mbrojtje të SHIK-ut, në mbrojtje të krimit:
a) Vetëvendosje kërkoi largimin e UNMIK-ut, pastaj, edhe të EULEX-it, pa të cilët Kosova dhe qytetarët e saj do të ishin të rrezikuar edhe më shumë, nga bandat e PDK-së dhe të AAK-së;
b) Vetëvendosje votoi kundër krijimit të Gjykatës Speciale, edhe pse e dinte se kriminelët nuk ka kush t´i dënojë brenda Kosovës;
c) Vetëvendosje votoi Rezolutën për mbrojtjen e vlerav të UÇK-së, që, në fakt, ishte për lirimin dhe mbrojtjen e “komandantëve” kriminelë, tashmë, disa syrësh, të dënuar me vendim të Gjykatës;
d) Vetëvendosje votoi ligjin për pagesën e mbrojtjes të akuzuarëve nga Gjykata Speciale, që do të jenë, kryesisht SHIK-as kriminelë, vrasës të shqiptarëvve të pafajshëm. Dhe, kjo është mbrojtje zyrtare e krimit, rehabilitim i kriminelëve, rivrasje e viktimave dhe cinizëm marroq;
e) Vetëvendosje, padyshim, ka qenë dhe mbetet edhe e vetme, në mbrojtje të Republikës: denoncimin e korrupcionit galopant; edhe më e vetmuar në kërkesën për sekuestrimin, shtetëzimin e pasurive pa mbuesë të pushtetarëve, hajna zyrtarë e batakçinj dhe të kujtdo tjetër. Por, Vetëvendosje “ka heshtur si peshku”, për krimet politike vrastare, gjatë dhe pas luftës, të bandave në koordinim: të Drenicës, Dukagjinit, Llapit, të strehuara në partitë-banda të PAN-it aktual. Për të qenë krejt i saktë, pas koalicionit të tri partive-banda, përkatësisht, PDK-e, AAK-a, NISMA, të tufëzuar në PAN-in kriminal, ka pasur zëra denoncues të krimeve politike, edhe nga disa kuadro të Vetëvendosjes. Zonja Millaku, e cila, edhe pse me shumë vonesë, akuzoi shefin e SHIK-ut Kadri Veseli dhe themeluesin e tij, Hashim Thaçin, për vrasjen e komandant “Drinit”, alias Ekrem Rexha. Ishte vënie e pikës mbi -i-.
Hetimin për SHIK-un, përkatësisht, krimeve vrastare seriale politike, përgjatë luftës dhe të pasluftës në Kosovë, që kapin shifrën përtej 1.820 ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut, veprimtarëve të LDK-së dhe kuadrove të LPK-së së hershme, të cilët nuk u pajtuan me krimet e “komandantëve” të “Rognerit”, bëhet ndryshe: Mbledhja e nënshkrimeve të deputetëve të Kosovës si dhe të nënshkrimeve nga populli i Kosovës. Dosja e nënshkrimeve, së bashku me Kërkesën, për hetimin e krimeve vrastare politike, të luftës dhe të pasluftës, duke e shtrirë në kohë, që nga vrasja e gazetarit dhe të zëdhënësit të UÇK-së, Ali Ukaj, në Tiranë, më 1997, e deri ke vrasja e Arben Sejdiut, në vitin 2016, t`u dërgohen Qendrave të Vendosjes Ndërkombëtare dhe Gjykatës Speciale, me seli në Hagë.
II. Përsa i përket konstatimit të deputetes të Vetëvendosjes, Drita Millaku, se “një pjesë e LDK-së, është pjesë aktive e SHIK-ut”, është pjesërisht i saktë. Dhe, për të qenë krejt OK-ej, duhej një formulim ndryshe: “Disa anëtarë potencialë, në strukturat vendimmarrëse të LDK-së, janë pjesë aktive e SHIK-ut”. Këtë të vërtetë, në shkallën sipërore, e kanë denoncuar shumë veprimtarë e disa gazetarë nga LDK-ja dhe, në veçanti, nga LDK-ja e Mërgatës. Pas amëshimit të kryezotit Rugovë, filloi “hajka”, përndjekja, anashkalimi i kuadrit të sprovuar rugovian, për ta monopolizuar më lehtë sundimin, përmes klanit brenda Kryesisë të LDK-së.
Në Kuvendin e 7-të Zgjedhor të LDK-së, u ligjësua braktisja e zgjedhjeve demokratike. Vetë kontrabandimi i një kryetari, që, jo vetëm nuk ishte pjesë e këtij subjekti, por, edhe kundër tij, është shenjë e dukshme se SHIK-u ishte brenda strukturave vendimmarrëse të LDK-së. Emërimi i Këshillit të Përgjithshëm dhe të Kryesisë të LDK-së, pa hyrë në votim të fshehtë, ishte kthim në praktikën moniste dhe kompromentim të strukturave të LDK-së. Kryetari i partisë aktivizoi klanin e gatshëm dhe nismoi anashkalimin, linçimin, përjashtimin e kuadrit besnik rugovian. Dhe, ky ishte një dobësim i LDK-së, pakënaqësi të anëtarësisë, që është reflektuar në largime dhe abstenime në votime, të një mase të konsiderueshme të anëtarësisë të LDK-së. Dhe, pamëdyshje, ky ishte projekt i SHIK-ut, i realizuar nëpërmjet asaj “pjese aktive të SHIK-ut brenda LDK-së”, që konstaton mençurisht edhe zonja Millaku.
Oreksi i shtuar i kryetarit dhe i klanit të tij, brenda Kryesisë të LDK-së, për të qëndruar, pameritueshëm e dhunshëm, në udhëheje të LDK-së, edhe në mandatin tjetër, u manifestua, pacipshëm, në Kuvendin e 8-të “Zgjedhor” të LDK-së. U shkelën tri parimet bazë të rregullores të Këshillit të Partive Popullore të Evropës (PPE), si: moslejimi i debatit, mungesa e konkurrencës, përjashtimi i votimit demokratik, pra, mosvotimi i fshehtë!!! Rrjedhoja: E gjithë struktura vendimmarrëse e LDK-s, e dalë nga Kuvendi i 8-të “Zgjedhor”: Kryetari, Kryesia dhe Këshilli i Prgjithshëm rezulton sa e dhunshme, aq edhe e paligjshme. Të ligjshëm janë vetëm deputetët e zgjedhur të qershorit dhe kuadri drejtues i komunave, të fituara nga LDK-ja, në tetorin e vitit 2017.
SHIK-istët brenda Kryesisë të LDK-së, me një vrazhdësi, sa të turpshme, aq edhe cinike, u sulën kundër rugovistëve dhe Degëve më aktive të LDK-së në Mërgatë, siç ishin ajo e Gjermanisë dhe e Zvicrës, për të sajuar kriza dhe rrënim të partisë zëmadhe të Ibrahim Rugovës. Pa forcën e SHIK-ut brenda, strukturave vendimmmarrëse të LDK-së, nuk mund të zgjidhej president i vendit Hashim Thaçi, themelues i Organizatës kriminale e terroriste SHIK, i akuzuari i parë, për vrasjet politike, për koordinim konspirativ me Tiranën zyrtare komuniste dhe mikën e vjetër, Serbinë me aleatë.
III. Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, denigron rëndë LDK-në: “PDK-ja janë të pafytyrë, ndërsa këta të LDK-së i kanë dhjetë fytyra”. Zonja Millaku i vënë në një linjë PDK-në me LDK-në. Bën edhe një gabim logjik, se mjafton jo dhjetë fytyra, por, edhe dy fytyra, për të mos pasur njeriu apo subjekti asnjë fytyrë. Barazimi i këtyre dy subjekteve është i marrëzishëm, sepse LDK-ja nuk e ka përgjakur popullin e Kosovës, siç ka bërë PDK-ja me partitë simotra të saj. Megjithatë, ky përgjithësim, i zonjës në fjalë, është i papranueshëm, aspak i saktë.
Kur themi se PDK-ja dhe AAK-ja janë parti-banda, ne faktojmë cilësorin tonë. Sepse, të gjitha veprimet kriminale të lidërve partiakë të tyre, janë aprovuar nga Kryesia, Konventat e tyre partiake, deputetët, Degët, Nëndegët, ministrat, zyrtarët qeveritarë, pra, anëtarësia e tyre. Krejt e kundërta ka ndodhur e vazhdon të ndodhë brenda LDK-së.
Në LDK-e, pas amëshimit të liderit Ibrahim Rugova, kuadrot, veprimtarët, deputetët dhe shumësia e anëtarësisë të saj, kanë denoncuar, madje në vijimësi, veprimet e drejtuesëve partiakë, në dëm të LDK-së dhe të vet Kosovës. Këtë e kanë bërë edhe Nëndegët e mëdha të LDK-së, si: Vrella e Istogut, Zhuri i Prizrenit, Isniqi i Deçanit, Dobërçani i Gjilanit, Llausha e Skënderajt, Nëndega e Rugovës, madje, edhe Degët si ajo e Prizrenit, e Gjakovës dhe të tjera. Mërgata prijetare në frymën rugoviane, ka manifestuar hapur pakënaqësinë e saj, me karrieristët dhe servilët e tyre klanorë. Dhe, kjo anëtarësi nuk ka pasur probleme me bazën, komunat e tyre, por, me LDK-në e Qendrës. Kundërshtinë e tyre e kanë paguar me lënien e tyre jashtë Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, Qeverisë, Parlamentit e tjerë. Dhe, të gjithë këta kundërshtarë kishin vetëm një fytyrë dhe atë e ruajtën me nder.
Veprimtarja më e madhe në Evropë dhe Botë, para dhe gjatë luftës, Donikë Gërvalla, u luftua, marrëzisht, nga kryetari dhe klani i tij. Madje, u tërhoq zvarrë në hollin e sallës, ku mbahej Konventa demagogjike. Ajo deklaroi se “nëse deputetët e LDK-së e votojnë demarkimin e kufirit, poshtë Qafës së Çakorrit dhe Kullës së Zhlebit, unë nuk do të jem në LDK-e”. Dhe, e mbajti fjalën e dhënë, sepse ajo është e bija e Heroit markant, Jusuf Gërvalla dhe nuk shkelë mbi gjakun e gjyshit të vrarë, në mbrojtjen e Pazarit të Ri (sot:Novi Pazar).
Ja, pra, LDK-ja ka vetëm një fytyrë. Është e fjalës dhe e besës; është e paqes dhe e luftës; është e pendës dhe e mendjes; është parti akademike, pa të cilën, çdo qeveri në pushtet, ka qenë dhe do të jenë dështake. Për të qenë më e suksesshme dhe më e shëndetshme, në largimin e PAN-it banditesk, LDK-ja duhet menjëherë të bëjë zgjedhjet brenda partiake. Dhe, këtë për disa arsye madhore:
1) Të kthehet LDK-ja në origjinë, në frymën e themeluesit të saj, Dr. Ibrahim Rugova;
(Kryesia aktuale, më sakt, klani brenda Kryesisë, ka devijuar, qëllimshëm, frymën rugoviane, për ta zgjatur sundimin klanor. Andaj, është utopi reformimi, korrigjimi nga ajo!)
2) Të risjellë në LDK-e parimet bazë: debatin, konkurrencën zgjedhore dhe votimin e fshehtë;
(Klanorët “harruan” demokracinë! Përqafuan, sërishmi, aklamacionin komunist, në zgjedhjen e organeve drejtuese të LDK-së!)
3) T´i spastrojë strukturat vendimmarrëse të partisë, nga elementët aktivë të SHIK-ut;
(Veprimet përfide të SHIK-ut, në strukturat vendimmarrëse të partisë, e mbajnë LDK-në në opozitë!)
4) Të ligjësojë organet drejtuese e vendimmarrëse të partisë;
(Zgjedhjet aklamative moniste, kanë prodhuar kryetar, Kryesi dhe Këshill të Përgjithshëm të dhunshëm, jo legjitim!)
5) Statuti i LDK-së, i ndryshuar për qëllime klaniste, me kompetenca tipike komuniste për kryetarin, t`i kthehet origjinës rugoviste;
(Sipas statutit aktual, kryetari me fuqi më shumë se mbreti, i përdorë strukturat “vendimmarrëse” si kondomë!)
6) Zgjedhja e kryetarit të bëhet nga anëtarësia: një anëtar – një votë;
(Propozimi i anëtarëve në konkurrencë, të bëhet nga një Këshill Zgjedhor, të rekomandur nga baza dhe jo nga garnitura aktuale drejtuese!)
7) SHIK-istët, brenda strukturave vendimmarrëse të partisë, janë në ethe për ndarjen e LDK-së;
(SHIK-u don vazhdimësinë e atyre që shkelën dy amanetet e Presidentit Rugova: “Mos lejoni ngritjen e Hashimit në pushtet, sepse është i rrezikshëm për Kosovën” dhe “Demarkacioni nuk duhet të zbresë poshtë Qafës së Çakorrit, Kullës së Zhlebit …”!)
8) Baza e përgjumur partiake, të zgjohet, të këndellët. Degët e LDK-së të Prishtinës; Nëndegët e fshatrave të mëdhenj dhe emërmirë, të cilët, ndër dekada e shekuj, janë shquar për Kuvende dhe vendime të matura, ta fillojnë debatin demokratik, të munguar përtej një dekade, për të përgaditur zgjedhjet brenda-partiake, me pjesëmarrjen edhe të elektoratit të hershëm rugovian, të përjashtuar dhe të linçuar, për t`ia kthyer pushtetin dhe dinjitetin LDK-së të Ibrahim Rugovës.
Është e shumtë pritja një mujore, e lëre më ajo vjetore, siç duan klanorët, për ta gatuar, sërishmi, një çorbë të thartuar, si ajo e aklamacioneve komuniste, të Kuvendeve 7-të dhe 8-të “Zgjedhorë”. SHIK-u vazhdon të veprojë dhe shantazhojë argatët e tij, të zëshmit, për zgjedhjen e Hashimit president dhe të mbulimit të marrëveshjes konspirative, votimin e demarkacionit, në vijën fatale aktuale, dje, dhe statusquonë, sot, me qëllimin final: goditjen e sërishme të LDK-së, ndarjen e saj.