Në Kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skendërbe
Nga Frank Shkreli
Ky vit është shpallur viti i Gjergj Kastriotit — Skendërbe për të shënuar 550-vjetorin e vdekjes Heroit Kombëtar të Shqiptarëve. Në fillim të këtij viti kam botuar një shkrim për të sjellur në kujtesë se si diaspora shqiptare kishte shënuar — 50-vjetë më parë jashtë Atdheut — 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, një përvjetor ky i cili në vitin 1968 pat mbledhur në Romë dhe në Vatikan, shqiptarë pa dallim feje e krahine. Nga mbarë diaspora shqiptare e atëhershme, u bashkuan në frymën më kastriotiane për të kujtuar Heroin tonë, Kryetrimin e Kombit dhe të veprimtarisë së tij epike –Gjergj Kastriotin-Skenderbe.
Me atë rast, në Romë kishin shkuar edhe një grup i madh, përfaqësuesish të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Federata Pan-shqiptare Vatra, të udhëhequr nga Peter Chicos dhe Anthony Athanas. Ishin këto takime 3-4 ditëshe në Romë dhe në Vatikan, ku mërgimtarët e ri shqiptarë të arratisur nga murtaja e komunizmit e shekullit 20, u bashkuan me arbëreshët e Italisë të cilët ishin detyruar gjithashtu të largoheshin nga trojet e tyre prej otomanëve, pesë shekuj më parë. U bashkuan të gjithë në Romë dhe në Vatikan për një takim vëllazërimi, rreth Heroit Kombëtar, pa dallim feje e krahine — ashtu si ishte dikur dhe si duhet të jetë edhe sot — të bashkuar – pikërisht ashtu siç i do shqiptarët Gjergj Kastrioti – Skenderbe.
Në vitin 1968 edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qenë organizuar ceremoni me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar të Shqiptarëve në shenjë respekti për Gjergj Kastriotin – Skenderbe, por edhe në shenjë bashkimi midis shqiptarëve. Një ndër këto përkujtime ishte organizuar nga Kisha Katolike Shqiptare në Nju Jork, “Zoja e Këshillit të Mirë” që në atë kohë drejtohej nga i Përndershmi Monsinjor Zef Oroshi. Revista e asaj kishe, “Jeta Katolike Shqiptare” e Vitit III, Nr. 4 (12) Tetor-Dhetor -1968) e cila vazhdon të botohet edhe sot pas më shumë se 50-vjetësh, ka shënuar hollësi mbi ceremonitë me atë rast si dhe fjalimin kryesor të Monsinjor Zef Oroshit në 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit Skenderbe, fjalim i cili, për nga mesazhet që mbartë, është aktual edhe sot 50-vjetë më vonë — mesazhe për bashkimin e shqiptarëve – si trashëgimia kryesore e Heroit Kombëtar, lënë pasardhësve të tij. Monsinjor Oroshi ka mbajtur fjalimin kushtuar Gjergj Kastritotit në meshën perkujtimore të 500-vjetorit të vdekjes së Skendërbut, fjalim i cili ishte botuar gjithashtu në revistën “Jeta Katolike Shqiptare”.
Duke iu drejtuar popullit, pjesëmarrësve dhe përfaqsuesve të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe udhëheqësve të tjerë politikë të diasporës së asaj kohe që ishin të pranishëm në një shfaqje bashkimi megjithë dallimet e tyre politike, në “Kishën Zoja e Këshillit të Mirë”, Monsinjor Zef Oroshi ka thënë se lufta e Gjergj Kastriotit – Skenderbe, këtij strategu të madh që habiti botën e atëhershme me fitoret e tij kundër fuqisë më të madhe ushtarake të kohës, ka hyrë në analet e historisë botërore, luftëra të cilat janë përshkruar dhe stolisur në mbi 400 vepra historike dhe artistike. Kleriku i lartë shqiptar ka thënë se në shumë prej këtyre veprave historike, Heroi Kombëtar i Shqiptarëve, me të drejtë është krahasuar me figura ushtarake historike të botës, siç janë Hanibali i Kartagenës, Jul Cezari i Romës dhe Napoleon Bonaparti i Francës, por me një ndryshim të konsiderueshëm, sipas Monsinjor Oroshit. Gjergj Kastrioti Skenderbeu – luftoi për mbrojtjen dhe bashkimin e Atdheut të vet, ndërsa këta tjerët shkelën dhe pushtuan vende e popuj, shpesh për interesa personale dhe për t’i bërë nam vedit.
Mësimi që na duhet të nxjerrim nga jeta dhe karakteri i tíj i palodhëshëm, ka thënë në fjalimin e tij përkujtimor me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skenderbeut, Monsinjor Oroshi, është merita e aftësisë së Gjergj Kastriotit – Skenderbe për të bashkuar shqiptarët e asaj kohe — përballë sfidave me të cilat përballeshin shqiptarët — megjithë tradhëtitë që luheshin kundër tij, madje edhe nga bashkpuntorët e tij më të ngushtë.
Dr. Zef Oroshi
Por megjithë problemet me të cilat përballej Skendërbeu, Monsinjor Zef Oroshi ka theksuar se Prijësi i Kombit Shqiptar, “Dijti me qenë i durueshëm me parí që ia merzitëshin shpiritin tue kërkue të drejta e privilegje të pameritueme. Skendërbeu e kuptoi se pa nji bashkim nuk kishte shpëtim për Shqipní. Me virtytet e burrënisë e të fés që shkelqejshin në fytyrën e dênjë, dilte pa pritesë në log të kuvendit, si me parí si me vegjëli, secilit tue i ndigjue hallet, e secilin tue e ndezë n’atdhedashuni, secilit tue i naltue flijimet e trimnínë për Atdhe, gati me u flijue ai vetë i pari. Në këtë mënyrë ai ia doli me bashkue e shkri në nji parí, vegjëlinë e të gjitha krahinave të Shqipënisë”.
Në vazhdim e sipër, ai është shprehur se, “Madhënia e karakterit dhe e vetmohimit të Gjergj Kastriotit, si prijës ushtarak, si diplomat i përkryer dhe si personalitet që përvetësonte filozofinë themelore të burrit Shqiptàr të Malevet, mbështetun në trimní të papërkulshme, besë të pathyeshme deri në vdekje dhe për fisnikí e zemërgjanësí të pa kufî për popullin që udhëhiqte…Nen binomin fé e Atdhé, Skendërbeu brumosi Popullin Shqiptar që të përballonte ato lufta aq të tmerrëshme e aq të gjata. Ishte koha e luftave fetare atëherë. Vetë Sulltanët, jo vetem që luftuen per fé, në mos tjetër ashtu e mobilizojshin popullin, por edhe me shpatë e me zjarm imponojshin fénë e tyne”, është shprehur Dr. Zef Oroshi.
Disa kritikëve të sotëm që pretendojnë se gjoja Gjergj Kastrioti-Skenderbeu luftoi për fe dhe jo për Atdhe, Monsinjor Oroshi do u përgjigjej se, “Asgjamangu, Skendërbeu fésë i dha vendin e vet e Atdheut e interesave të tij, vendin e vet. Nuk ka nji dokument ma të voglin ku Skendërbeu të ketë flijue interesat e Atdheut për interesat e fésë; përkundrazi ai e përdori fénë për t’i shërbye Atdheut, gjithsa mujti. Këtë na e difton fakti, që megjithse Venediku ishte shtet katolik dhe gjymsë aleati e shumë herë edhe aleat i Skendërbeut, kur zaptoi Danjen (Dêjen e sotshme), Skenderbegu i dërmoi venedikasit tue vrà në luftë të vjetit 1448, 2500 burra dhe tue xanë rob 1000 vendedikasë të tjerë, dhe do ta kishte çlirue Shkodrën nga pushtimi venedikas, po t’ishte puna që Turqit, në marrëveshje të mësheftë me Venedikun, mos të kishin fillue sulmin kundra Stefi Gradit në kufij të Shqipnisë e të Maqedonisë, kështu që Skendërbeu nuk mujti me e shfrytëzue fitoren ashtu si dëshronte pse qe kapë në mes dy zjarmeve”, është shprehur Dom Zef Oroshi në fjalimin e tij, me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968.
Nji mësim tjetër me rëndësi të vlefshme për Shqiptarët edhe sot 550-vjetë pas vdekjes së Heroit Kombëtar, sipas Monsinjor Oroshit, është fakti se Skendërbeu, përballë kërcënimeve, përçarjeve dhe vështirësive të tjera me të cilat përballej toka arbërore në kohën e tij, ai e kishte të plotë dhe të theksuar në mendje dhe në zemër, ‘Idénë e nji Kombi’. Ai menjiherë mbledhë princat në Lezhë për besëlidhje të pergjithtë kundra anmikut të Kombit.” Monsinjor Oroshi ka theksuar se, “Po ta kishin pasë udhëheqsit Shqiptarë para sysh këtë madhni t’idésë së (një Kombi) që Skendërbeu zbatoi pesë shekuj mâ parë, ndryshe do t’ishin zhvillue ngjarjet e 1939-tës, ndryshe ato të vjeshtës së 1943 e ndryshe ato të nandorit të 1944, sidomos ngjarjet e vitit 1944 të cilat vetëm i krijoi injoranca mbi komunizmin ndërkombëtar, perçamja e korrupcioni dhe apatia mâ e shëmtueme (në radhët e shqiptarëve). Mjerisht, të gjithë bartim në kurrizë konsekuencat tash nji të katërt të shekullit. Shumë me vend prandej e thonte Ciceroni, oratori i përmendun i Romës klasike, se historia âsht mësuesja e jetës. Kjo vlen për të gjithë popujt, kjo duhet të vlejë dhe për né Shqiptarët”, ka thënë Dr. Zef Oroshi në vitin 1968.
Në fjalimin e tij, Mons Oroshi, na sjellë nder mend një tjetër konsideratë historike, arsyen se pse shqiptarët brez pas brezi adhurojnë Heroin e tyre Kombëtar të gjitha kohërave, si asnjë tjetër hero të tyre. “Na mburremi, e ndoshta me vend, që shumë Shqiptarë, qysh nga koha Ilire banë karrjera me famë botënore ndër oborre mbretnore të huaja — sikur afër 20 e sa Perandorë në tronin e Perandorisë Romane, ndër të cilët Diokleciani e Konstantini i Madh, tridhetë e sa Vezira, Ministra të mbrendshëm e të Jashtëm, Pashallarë e Gjenerala të Perandorisë Otomane, për mos të permendë Perandorinë Bizantine para sish, sikur Justiniani. Por, kurrë njënit prej këytne njerëzëve të mëdhej nuk i rà ndërmend me prishë pozitën që kishte dhe me krijue nji Perandori Ilirjane në kohnat e vjetra, as mâ vonë me krijue nji Shqipnì të lirë e të madhe, tue ia dedikue jetën e tyne krejtë çeshtjes së popullit që i lindi, ashtu sikurse bâni Gjergj Kastrioti-Skendërbeu, deri në çastin kur vdekja e rrëmbeu tragjikisht nga zemra e Popullit të vet”, ka deklaruar Dr. Zef Oroshi.
Monsinjor Dr. Zef Oroshi ka përfunduar fjalimin e tij me rastin e shënimit në Nju Jork të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skendërbeut, në vitin 1968,
duke thënë se këthimi i Gjergj Kastriotit-Skenderbe në tokën e Arbërit për ta çliruar nga pushtuesit otoman ishte, “Pa asnji dyshim arsyeja për të cilën Gjergj Kastrioti u bâ simboli i lumnísë dhe i bashkimit të Kombit, pesë shekuj mâ parë. Po ajo arsye âshtë edhe sot që e bân Skendërbeun njeriun universal në historí dhe në të njajtën kohë një fuqí morale qendërore t’ideologjive të përçàme të Kombit Shiptàr, mbrenda e jashtë Shqipnie. Edhe sot, mbas pesë shekujsh nga vdekja e tí, (Gjergj Kastrioti-Skenderbe) âsht endé simbol i gjallë bashkimi mes nesh, i atíj bashkimi, pa të cilin s’ka gjallënim Kombi Shqiptàr”, është shpehur Monsinjor Dr. Zef Oroshi.
Në këtë vit të shpallur si Viti i Gjergj Kastriotit – Skenderbe – Kombi Shqiptar po përballet përsëri me sulme dhe me lakmitë e vjetra qindra vjeçare ndaj trojeve shqiptare prej armiqëve të tij shekullorë, të cilët — për llogari të interesave të huaja, kryesisht, sllavo-otomane — synojnë çkombatirizimin, me qëllim për të zhveshur brezat e rinjë të shqiptarëve nga identiteti dhe nga çdo veti e traditë kombëtare, nepërmjet shtrembërimeve historike, pohimeve dhe premtimeve fatzeza ekonomike dhe ideologjike të momentit. Mbetet për tu pa nëse udhëheqsit e sotëm të shqiptarëve janë të aftë të parandalojnë këtë proces shkatërrues dhe të mos u nënshtrohen verbërisht interesave dhe përpjekjeve të tilla çkombëtarizuese nga të huajt, përballë kataklizmave të reja, të cilat siç duket, fatkeqsisht, për shqiptarët nuk po marrin fund kurrë.
Problemet e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet t’i zgjidhin të huajt. Problemet me të cilat përballej Gjergj Kastrioti – Skenderbe, ai i zgjodhi me bashkim. Bërja e shtetit sot, nuk kërkon asgjë më pak as më shumë se bashkim rreth “Idesë së një Kombi” dhe interesave të përbashkëta të tij. 550-vjetori i Gjergj Kastriotit- Skenderbe bën thirrje për t’u dhënë fund defekteve historike dhe hovit të influencave për llogari të huajve, me shpresë që më në fund, të fillojë një epokë e re për shqiptarët e lodhur, të ligështuar dhe të dërrmuar shpirtërisht gjatë gjithë historisë.
Shpresojmë që jo vetëm në këtë 550-vjetor të vdekjes së Heroit Kombëtar, shqiptarët kudo dhe pa dallim, të jenë të bashkuar rreth idesë si shtet dhe si Komb, ashtu si dikur me Gjergj Kastriotin-Skendërbeun, pa të cilin, nuk ka bashkim as gjallërim të Kombit Shqiptar — as sot — as në të ardhmen!