Ose duart e Monikës, ose të policisë

0
225
Ilir Meta

Mero Baze Nga Mero Baze, TemA

Një zyrtar i LSI në Pukë, është kapur me mbi pesë milionë lekë dhe një listë me 28 emra shoqëruar me një fletë votimi demonstrative për të votuar LSI.

Të gjitha detajet tregojnë për blerës klasik votash, me një shumë 200 mijë lekësh për çdo person një votë, që zakonisht është një kryefamiljar sipas traditës së LSI.

Blerësi është pjesëtar i familjes politike të presidentit Ilir Meta, i cili ka premtuar se do t’i presë dorën gjithkujt që tenton të blejë vota.

LSI ka ma marrë përsipër të identifikojë si të vetët personat e ndaluar, por thotë që ata po trajnojnë votuesit se si të mos marrin lekët.

Tani Ilir Meta ose duhet t’i presë duart policisë, që nuk lë LSI-në të “edukojë” votuesit, si të mos pranojnë 5 milionë lekë, ose t’i presë duart Monikes që ka filluar shpërndarjen e lekëve dy javë para zgjedhjeve.

Në rastin konkret, prokuroria duhet të zhvillojë hetime të thelluara për sasinë e lekëve të gjetura, dhe ofruesin e tyre.

Gjetja e listës me emra personash bashkangjitur lekëve, tregon se ata janë destinacioni i atyre lekëve.

Të gjithë ata duhet të merren në pyetje një për një. Hetimi duhet të prekë gjithë stukturën e LSI në atë zonë dhe deputetin përkatës që pretendon të fitojë në atë zonë.

Kjo ka shumë rëndësi jo për të identifikuar se kujt do t’i presë dorën Ilir Meta, por se si duhet bërë shembull blerja e votës dy javë para 25 prillit, me kusht që të tremben jo vetëm ata që blejnë, por dhe ata që shesin.

Nga ana tjetër, Monika Kryemadhi duhet të futet nën hetim, si kryetarja e LSI që mbron këtë akt të pastër blerjeje. Justifikimi i LSI se njerëzit me lekë dhe lista votuesish në duar po trajnojnë votuesit, duhet po ashtu të verifikohet deri në fund.

Kjo nuk është një histori që duhet të përfundojë si rast aksidental. LSI është partia më e specializuar në Shqipëri për blerje votash, është parti që punon natën derë me derë me zarfe dhe është përgjegjëse për krijimin e një shtrese votuesish që shesin votën për shkak të ofertës së tyre.

Meqë Ilir Meta do të qëndrojë në Vlorë deri më 26 prill, ku ka frikë se mos i blejnë kandidatin e LSI, dënimi shembullor i rastit të LSI në Pukë, mund të ndihmojë dhe Ilir Metën që të mos ja blejnë kandidatin e Vlorës, pasi do të tremben.

Dhe shembulli më i mirë është kur për hir të “revolucionit”, lideri i madh sakrifikon dhe gruan e tij. Ilir Meta duhet t’i presë duart Monikës, nëse do të shpëtojë Luan Ramën nga blerja e kandidatit të LSI në Vlorë.

Mao Ce Duni i pat toleruar skandalet e gruas së tij Çan Çini, duke lënë fatin e revolucionit kulturor në dorë të saj dhe ajo i shpejtoi vdekjen, me shpresë që t’i zinte vendin. Dhe Meta nuk bën ta lërë fatin e “Revolucionit” në dorë të Monikës.