Zymer Mehani
SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” dhe LSHK, dega në Podujevë mbajtën orë letrare për nder të 17 Shkurtit – Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës
Sot, më 14 shkurt 2020, në sallën e SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” në Podujevë, u mbajt një orë letrare festive për nder të Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Këtë manifestim e organizoi Drejtoria e SHFMU ”Dr. Ibrahim Rugova” e Podujevës dhe LSHK-dega në Podujevë. Në emër të Shkollës, të pranishmit i përshëndeti drejtori Hasan Lepaja, i cili e hapi këtë manifestim duke u uruar të gjithëve festën e 17 Shkurtit. Me një fjalë pëshëndetëse u paraqit edhe drejtori i DKA në Podujevë, Agim Blakçori dhe kryetari i LSHK, Dr. Shyqri Galica, të cilët nxënësit, mësimdhënësit dhe poetët pjesëmarrës i uruan për festën.
Kjo orë letrare festive ishte e organizuar mjaft mirë. Salla ishte e mbushur përplot me mësues e nxënës, të cilët kishin ardhur të festojnë dhe njëkohësisht të përkujtojnë të gjithë ata që kontribuan për Lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës.
Veç nxënësve të SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” të Podujevës, të cilët u paraqitën me ca pika muzikore dhe me vargje të bukura, me poezi të ndryshme u paraqitën edhe shkrimtarët: Dr. Shyqri Galica, Abdullah Troshupa, Xheladin Mjeku, Behram Hoti, Nijazi Kastrati, Rrahim M. Sadiku, Minire Rukovci, Drita Kosumi, Shaban Pllana, Rexhep Halimi, Bajram Bashota, Zymer Mehani.
Pas programit, kryetari i LSHK-dega në Podujevë, prof. Ramë Oraca, i dhuroi drejtorit të SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” të Podujevës, z. Hasan Lepaja disa libra të autorëve llapjanë për bibliotekën e shkollës, ndërsa Dr. Shyqri Ggalica, kryetar i LSHK-së, për të ptanishmit shpërndau dy numrat e fundit të revistës “Metafora”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Krejt në fund, drejtori dhe arsimtarët e SHFMU “Dr. Ibrahim Rugova” të Podujevës për mysafirët kishin përgatitur një koktej enkas për këtë manifestim kulturor.