MEXHIT PRENÇI
RIVLERËSIMI SI SFIDË
Poezisë së Faslli Halitit edhe nëse nuk i vihet emri, lexuesi i kujdesshëm e dallon menjëherë dhe e personalizon. Kjo padyshim është vlerë e origjinalitetit dhe individualitetit poetik të spikatur, çka do te jetë objekt i këtij vështrimi kritik. Poeti Haliti është i pakrahasueshëm me personale artistike të veçantë. Në këto përfundime kam arritur nga analiza e tekstit poetik të poezisë së përzgjedhur të tij, pas një procesi hulumtues, perceptues e studiues dhe vlerësues e rivlerësues. Kjo lloj kritike përjashton faktorët jashtëletrarë, fjalomaninë, të shkruarit apo të folurit në përgjithësi e sipas qejfit
2
Katër dekada e më shumë boton poezi Faslli Haliti që nga koha e diktaturës komuniste, në dy dekadat e demokracisë dhe në vazhdim. Poezia e tij është e shqetësuar dhe e angazhuar. Shqetësimi është i dyfishtë i qytetarit dhe i krijuesit. Kjo përbën një unitetit në raportin art-jetë. Duke mos u ndaluar te kjo çështje në rrafshin teorik, por në atë konkret, theksoj se poeti Haliti është i lidhur pazgjidhshmërisht me vendlindjen, vatrën, me tokën, natyrën, fushën, malin e fshatin. Me jetën në tërësi. Me shoqërinë dhe njerëzit, gëzimet dhe hidhërimet e tyre; me dramat e tragjeditë; Me lirinë dhe kufizimet e saj, – të cilat i ka përjetuar si qytetar dhe i ka vështruar si piktor e poet.
Realitetin artistik e rikrijon prej atij jetësor me poezi të freskët, me detaje, imazhe, situata, subjekte, ngjarje, tipa e karaktere njerëzish, të cilat janë të veçanta e të jashtëzakonshme, të rikrijuar si personazhe. Syri i piktorit (poeti është edhe piktor) ka qenë syri i vëzhguesit të hollë që dallon edhe të padukshmen, ku njeriu i zakonshëm nuk e sheh dot. Ky sy vëzhgues njësh me syrin e brendshëm të poetit, kanë krijuar mekanizmin krijues të veçantë, origjinal, të ndryshëm të poezisë së tij të shqetësuar e të angazhuar si në kohën pa liri të socializmit, ashtu edhe në kohën me liri të demokracisë.
3
Poezia e angazhuar e socrealizmit kish objekt njeriun dhe realitetin e ideologjizuar e të alibiuar dhe transmetonte mesazhe të tilla. Ndërsa poezia e angazhuar në dy dekadat e demokracisë ka në fokus njeriun natyral, shoqërinë, anën sociale dhe humane; jetën reale e komplekse, me të mirat e të këqijat e saj. Qëndrimi kritik poetik ndaj dukurive negative dhe regresive, sidomos të dhunës së të drejtave e lirive të njeriut në sistemin totalitarist duke kërkuar ndryshim brenda sistemit, ka qenë i dyzuar me një paqartësi të dukshme. Po nga një optikë tjetër herë të qartë e herë të turbulltë në dy dekadat e demokracisë është i shqetësuar dhe angazhuar, herë sheh dritë, herë mjegullnajë, herë dhunë herë demokraci dhe liri me tepricë të cilat i shpreh lirshëm, pa kujtuar nenin 55. Poeti i shquar, i përveçëm, Xhevahir Spahiu duke vlerësuar poezinë e Halitit, do të thoshte: ” Dhuna e burgos lirinë, Faslli Haliti e zhburgos lirinë”. Një ndër mjetet më të rëndësishme të poezisë së tij është aplikimi i ironikes, satirës dhe groteskut..
4
Liria krijuese në mbretërimin e socrealizmit ka qenë e kufizuar nga vijave të bardha ideologjike. Mbi kokat e krijuesve si shpatë e Demokleut qëndronte Neni 55. Këtë autori e dinte dhe e mbante vëth në vesh. Por ja që pasioni i vrullshëm e tradhton. Nga dufi për të kritikuar burokratizmin shkruan poemën “Dielli dhe rrëkerat”. Nuk i vë fre fantazisë. Kalon muret ideologjike dhe godet ashpër poetikisht “rrëkerat” burokratike që bëjnë të pikojë çatia e shtëpisë së heroit dramatiko-lirik të poemës, çatia e njeriut të thjeshtë, fshatarit, punëtorit dhe nëpunësit të vogël. Por kjo është dukja në sipërfaqe. Prapa saj shikoj një simbolikë shumëdimensionale. Burokracia është futur thellë në shtëpinë e madhe të piramidës së pushtetit që ndërtoi Enveri me Partinë. Ajo pikon pikë-pikë. Semantika e togfjalëshit “më pikon çatia” e çon mendjen e lexuesit elitar, gjer te çatia e shtëpisë së madhe, e cila është ndërtuar keq! Burokratizmi po e shkatërron ashtu si ajo pika e çatisë “Pi- / kë, pi- / kë!…”, siç thotë vargu i tij i ndarë në rrokje, i thyer, sfidues i rregullave strikte.
5
Në këto momente të procesit krijues, si një engjëll mbrojtës i vjen në ndihmë autocensura e bukur, paçka se kishte lindur nga dhuna e tmerrshme e sistemit piramidal të censurës vrasëse të lirisë krijuese. Poetit i duhej të shpikte metaforën aliazh të diellit “Enver-Parti” si simbol të dritës!… Që t’i jepte të kuptonte Diktatorit të Madh që të tjerët e kanë fajin që pikon çatia. Të tjerët e kanë fajin që burokratizmi po gërryen piramidën e shtetit socialist, paçka se unë flas për shtëpinë time qaramane e sentimentale. Dhe i drejtohet Enverit e Partisë, familjarisht me gruan dhe fëmijët: “ Mos rrini fare të menduar! / Ne për ju flemë nën ujë, / Ne për ju flemë në dyshekë akujsh, / Ne për ju flemë edhe në çarçaf borërash mbuluar!”. Në nënshtresat semantike të tekstit poetik lexoj se, bashkë me autorin kështu ligjëron edhe një pjesë e familjes së madhe shqiptare. Dhe vazhdon më poshtë me fjalën “Ne”, përtej familjes.
Është zëri i atyre që vuanin burokratizmin e korrupsionin, një zë ironik: ”Ne për shokun Lili na vjen keq / (Shefin e strehimit) / Ne për shokun Koli na vjen keq / (Kryetarin e Këshillit) Në pallatin e ri që sapo mbaroi / Nuk na caktoi ne / Nuk caktoi traktoristin Qazim Gjoni, / Nuk caktoi elektriçistin Met Myzeqari / Nuk caktoi arkitektin Koço Mina, / Por soj – / e, / soro-llopin e tij… / Që lanë shtëpitë në fshat / Dhe ikën në qytet / Të parët morën hyrje në pallat!”. Prapa fjalëve e togfjalëve poetike, në shtresat polisemantike ironia dhe satira godet. Censorët ngrenë veshët e mprehin armët. Marifetet artistike dhe veglat e artit të kohës eterne, që është kohë e letërsisë natyrore, nuk pinë ujë kësaj here, kur në raste të tjera nuk ishin vënë re në ca poezi liberale të tij që kishin kaluar vijat e bardha. Poema “Dielli dhe rrëkerat” u burgos. Autori u dënua të punonte me kooperativistët e Myzeqesë, të “zinte mend”, si thotë me shpoti Urtaku.
6
Nga polisemantike tropologjike e tekstit poetik shquaj pa lente se autori shfaqet edhe i ndërgjegjshëm edhe i pandërgjegjshëm. Besonte se Enveri me Partinë ishin “mjekët” që mund ta shëronin këtë sëmundje të rrezikshme. Mirëpo poeti liberal Faslli sfidon poetin e ideologjizuar Faslli. Prapa të dukshmes, perceptoj dhe ndjej ironinë dhe satirën pikërisht ndaj Enverit dhe Partisë. Ishin ato që krijuan burokratizmin, ishte shteti i tyre “demokratik” i burokratizuar, ishte çatia e shtëpisë së poetit dhe çatia e shtëpisë së Shqipërisë që pikonte: “Dy re në qiell / Ajo vu lotët, / Dy re në qiell / Ajo vu me të madhe”… Nga sytë e tavanit tim, ( të tavanit të shtëpisë së Nënës Shqipëri, M.P.) / rrjedhin lot gjerbësh vu, vu, / Vu, vu, / Rrjedhin natë e ditë, / Rrjedhin me të madhe / Rrjedhin / Pi- / kë, / pi- / kë! “.
7
Kjo poemë edhe me subjekt edhe sintetike, është ndër më të fuqishmet e poemave të tij, më të guximshmet që përcjell mesazhe tronditëse, super-realiste që sfidonin “realitetin e shndritshëm socialist”, pseudodrejtësinë, pseudobarazinë dhe pseudodemokracinë. Poeti pasi e paraqet lakuriq, me detaje të vërtetën, me vargje dramatike, retorike e sarkastike, ironizon edhe s i m b o l i n “Parti-Enver”. Ja disa vargje: “Urdhër! / Me grushtin e klasës punëtore / Thyejani dhëmbët burokracisë! / Thyejani dhëmbët shokut Koli / Shokut Lili!” Dhe vë në gojën e klasës vargjet: “Po ua thyejmë, / por / Na duhen gurë, / Makinat në gurore u vonuan.” Ironia nuk të bën për të qeshur. Poeti e ndjen riskun.
Autocensura lëviz brenda vetes dhe vë në gojën e klasës vargje të tjerë: ”Po i murosim dhëmbët tuaj”,- u drejtohet burokratëve. “Ne s’mund ta lemë me duar nën gjerbë / Enverin / Partinë / Ne i kemi piketa duart e tyre, / piketa ku duhet të hapim themele / Piketa ku duhet të ngremë çatira. / Partia, / Enveri / zgjuar rrijnë?! / Dhe vënë dorën aty ku pikon, / Dhe s’ka gjerbë që s’e dijnë ?!” Vini re vargun e fundit: me ekuivokë, dykuptimore, me trope. Po ndryshe e kupton Diktatori. Ndryshe e kuptojnë censorët. Kompromisi i heshtur ndodh. Poeti i shpëton burgut të tmerrshëm të Burrelit. Por jo baltave të Myzeqesë. Poeti e ka bërë kompromisin më përpara, kompromisin artistik midis qëndrimit kritik të autorit me ideologjinë enveriste, një bashkëjetesë ku sapo godet në rrënjë të keqen, ndryshimin e shikon brenda sistemit, e kërkon pikërisht nga ata që e ngritën ngrehinën e burokratizmit.. Megjithatë poema e tronditi Diktatorin e Madh dhe regjimin e tij diktatorial.
8
U ndala gjatë te analiza e kësaj poeme, për të dhënë më të plotë kompleksitetin e raportit të poetit me realitetin, një raport i frikshëm nën diktataturë që shfaqet edhe në shumë poezi të tjera në tema, motive e variacione të ndryshme e të larmishme, siç janë edhe poezitë: “N j e r i u me k o b u re”, 1972, Nëntori. “T r e m b j e” (ose Njeriu i zi, M.P.) 1972, Drita. “L a k u r i q i ” 1987, Drita etj.. Ndërsa nga poezitë e shkruara në kohën e demokracisë raporti i poetit me realilitetin ka një qasje kritike tjetër, në sensin e zhvillimit dhe të progresit. Krahas këtij vizioni të qartë, nuk mungojnë edhe poezitë e turbullta e të errëta, në çaste dëshpërimi e hutimi. Edhe në këtë periudhë të krijimtarisë së tij poeti është i dyzuar. Brenda tij jeton jo më frika, as mungesa e lirisë. Liria është e garantuar dhe me tepri. Në subkoshiencë, dyluftimi me veten krijuese, zhvillohet midis ëndrrës për demokraci më të përsosur dhe shpresës së mjegulluar.
Poeti është i ndjeshëm. ngazëllen për dukuritë pozitive, por trishtohet, zemërohet, humbet edhe toruan kur e shikon zi realitetin për shkak të mospastrimit të ndërgjegjes nga koha e mbretërimit të socrealizmit (Duhet kohë për të gjithë, të bëhet i plotë katarsësi) Në ndonjë moment humbet dritën, nuk sheh as në fundin e tunelit, është krejt i hutuar, i mjegulluar, pa shpresë: “Sot / Dashuria / S’më shpëton dot / S’më shpëton trimëria / S’më shpëton dot as vëllai / Nëna / Babai / Fëmija…/ Më shpëton vetëm vdekja …/ Vdekja / Shpëtimi im në çaste shah-mati / Guri i zi i vdekjes, i lëvizur me guxim / Lëvizja e zezë e gurit të zi, shpëtimi im!”, poezia “S h p ë t i m i “ 1995, Aks. Ndërsa në poezinë “Çast kllapie” 1992, Zëri i Rinisë, lëvizjet e reja i sheh kaotike, me pak, fare pak dritë, megjithatë në këtë “tymnajë” ai sheh të dashurën e tij, çka tregon se autori nuk shikon vetëm errësirë, kur sapo kish ndodhur ndryshimi i madh. Kurse në poezinë “Greva” 1994, autori ka futur në grevë, njerëzit, nuset, të vdekurit dhe bletët: “Lulishtet pa lule / Sektori i blerimit pa blerim”… Poezia mbyllet me vargjet kumt: ”Lulet i duam / Të lulishteve shqiptare / S’duam lule të dërguara / Si ndihma humanitare…” etj. Siç shihet raporti i poetit me jetën është i veçantë, kompleks, origjinal. Njeriu me kulturë me dije e shije siç do të thoshte Konica, nuk mund t’i thotë poetit pse shkruan kështu apo ashtu.. I tillë është ai, kompleks, vetvetja, me profil poetik të spikatur.
9
Poezia e tij është sa e veçantë e konkrete, aq e larmishme dhe e begatë në motive, tema, mendime, ide filozofike dhe në mesazhe, një pjesë e të cilave çlirojnë energji pozitive dhe japin kënaqësi estetike të ndryshme. Në një varg poetik thuhet “dashuroj dashurinë, urrej urrejtjen”. Është kredoja e tij poetike, thelbi i heroit liriko-dramatik. Shpërfaqet vizioni dhe koncepti i tij për të bukurën, duke fshikulluar të shëmtuarën. Poezia e Faslliut është thirrje për më shumë demokraci, më shumë drejtësi, më shumë përkushtim që njeriu të jetojë më mirë dhe të jetë më i gëzuar. Këtë e gjen në poezitë e tij më cilësore.
Profili i veçantë i poetit shfaqet që në preferencën e v a r g u t të l i r ë. Nuk ishte zgjedhje për modë siç bënë shumë poetë në gjysmën e dytë të viteve gjashtëdhjetë dhe fillimviti shtatëdhjetë. Strukturimi i poezive me varg të lirë nga Faslliu, ishte jashtë rutinës,stereotipisë; ishte nevojë e brendshme për t’u shprehur lirshëm poetikisht, si në shestim ashtu edhe në formësim të poezisë. Vargu ndërtohet pa ndonjë rregull të caktuar: me shumë fjalë, me një tog fjalësh, me një fjalë, me një fjalë të ndarë në rrokje, me një zanore; me vargje të thyer, të lirë, të rregullta, me rrimë e pa rrimë, me një ritëm të brendshëm të dukshëm e të padukshëm. Kjo formë poetike përmban struktura të larmishme. Ky shestim dhe formësim poetik jo për ekstravagancë, manierë, as për të çuditur të tjerët, por për të theksuar emocionin dhe mendimin, tonalitetin, tingëllimin dhe kolorin gjuhësor, është ndër element e veçantë të formës çka poeti Haliti nuk ngjet me askënd. Poeti Moikom Zeqo do të thoshte: “Faslli Haliti paraqitet me atributet e origjinalitetit të tij të patjetërsueshëm”.
Edhe nëse ka ndonjë ndikim në konceptim po edhe në strukturë nga poezia e Janis Ricos, kjo ka ardhur e natyrshme, sa është bërë pjesë e ndërgjegjes krijuese të tij, sidomos në poezinë me subjekt dhe në atë me personazhe që ia ka sugjeruar vetë realiteti shqiptar, i cili ka qenë objekt i vështrimit të tij poetik kritik. Kjo mënyrë të shprehuri poetike, shpirtëzon personazhet dhe bëmat e tyre, tipat e karakteret, ngjarjet dhe situatat. Struktura e poezisë së Halitit mundëson krijimin e poezive me një thjeshtësi të çuditshme, me konkretësi, racionalitet dhe emocinalitet. Burimi është fusha e formave të jetës dhe natyrës, me të cilën poeti ka një marrëdhënie specifike për shkak të njohjes së thellë të realitetit të ditës, të shqetësimeve, gëzimeve, hidhërimeve, dhimbjeve e vuajtjeve të njerëzve ku mprehet qëndrimi kritik i autorit, begatohet poezia me elemente të satirës, ironisë, groteskut; me veçoritë e bëmat e çdo personazhi, me detajet që janë specifike për secilin, siç i ka zbuluar dhe shprehur poetikisht autori ku spikat origjinaliteti dhe personalja poetike e tij.
10
Shumë autorë vetëproklamohen se janë vetvetja, janë të veçantë. E thonë me fjalë të p ë r g j i t h s h m e. Madje edhe ata që kanë folur ose shkruar për ta, gjykojnë me amatorizëm, pa arritur të përcaktojnë se cilat janë elementet e veçantë të poezisë së tij, origjinaliteti dhe un-i krijues etj. Një akademik në një intervistë për poetin e shquar Ali Asllani pyetjes së gazetares se cila është e veçanta e poetit, iu përgjigj: ”E veçanta e tij është se këndonte me zemër”( ! ). Kjo nuk është përgjigje akademiku, të gjithë poetët këndojnë me zemër.
Edhe Faslli Haliti këndon me zemër e me mendje, e veçanta tek ai shfaqet që në përzgjedhjen e temës dhe në shprehjen artistike të saj, sipas pikëvështrimit të tij poetik të lirë, të shestimit të poezisë ndryshe nga të tjerët, ndryshe edhe nga formësimi artistik që te struktura, vargu, ritmi, te aplikimi i mjeteve shprehëse figurative sipas natyrës së poezisë lirike apo dramatike, liriko-dramatike, dramatiko satirike. Faslliu si vëzhgues i mprehtë i dukurive dhe njohës i njeriut në rrethana e marrëdhënie të ndryshme, duke qenë i prirur kah konkretja, nga ajo që është e prekshme, e dallueshme dhe e veçantë te çdo njeri, dukuri, ngjarje, subjekt, episod, personazh, mendim apo ide, nuk e ka të vështirë këtë ta përkthejë me gjuhën poetike sipas personales artistike të tij.
11
Si qytetar dhe poet Haliti respekton lirinë brenda dyzimit të vetvetes, ndërsa në strukturimin e poezive respekton lirinë krijuese çliruar nga kufizimet e ndryshme metrike. Poezinë e formëson ashtu si e kërkon vetë tema, motivi apo frymëzimi, ai shkruan poezi me struktura të ndryshme, klasike, realiste, lirike e romantike, epiko- groteske, jo krejtësisht si struktura të pastra, port edhe të përziera. Një vend të veçantë zë poezia me subjekt dhe me personazhe; poezia e ideve dhe mendimeve, e situatave dhe ngjarjeve, gërshetuar me elemente realiste, fantaziste, me metafora e simbole, por edhe me detaje dhe trope. Siç shihet tipologjia e poezisë së Halitit është e larmishme dhe shumëdimensionale.
Do të ndalem te stili, si një ndër përbërësit më përcaktues të origjinalitetit të spikatur të tij, i cili është i larmishëm, i thjeshtë, i shtruar dhe i përmbajtur, po herë-herë edhe dinamik e shpërthyes në situata e ngjarje të ndryshme. Përgjithësisht stili poetik i autorit shfaqen në të gjitha dimensionet e tij, jo vetëm me një pastërti e thjeshtësi njëdimensionale. Brenda të njëjtës poezi apo poemë, kemi variacione stilesh të autorit, alternime të ritmit, temporitmit, shpërthimeve dramatike poetike dhe të momenteve të qeta, ku stili është i tillë. Nuk e kërkon stilin autori, ai vjen vetvetiu. Nuk e kërkon as figurën, as formën, as metaforën, simbolin apo mjete të tjera shprehëse, gjithçka vjen nga marrëdhënia e përfytyrimit me realitetin që do ta quaja refleksibilitet poetik, që është i veçantë te poezia e Faslli Halitit. Kjo sfidon stilin retorik, estetizant dhe të fryrë.
Kjo vlerë gjendet në poezinë më të arritura të tij, e cila është minorancë. Krahas vlerave në disa poezi të tjera që edhe mund të mos ishin përfshirë në botime, shfaqen edhe dukuri të stilit me vlera të kufizuara, retorik, i zakonshëm, prozaik dhe i thjeshtëzuar etj,. Kjo jovlerë nuk zbeh vlerat e stilit të tij në poezitë më me vlera në 18 librat poetik. Vlera e një poeti përcaktohet nga poezitë më cilësore, edhe nëse janë të pakta. Mund të shkruash shumë libra, edhe tetëdhjetë siç kanë deklaruar ca poetucë belulistë dhe, që e fusin veten në poetët elitarë, kur është e diskutueshme janë apo nuk janë poetë. Poeti Haliti duke pasur parasysh poezinë më të mirë të tij,- është zë i veçantë në poezinë shqipe.
12
Ja disa prej poezive më me vlera. ( Duhej të këndoja i pari, e di) : “E kam hekurudhën te dera e shtëpisë / Duhej të këndoja i pari, e di. / Nuk këndova, / Isha i mpirë, i hutuar, / Isha si dhëndëri në dasmën e tij / Si dhëndëri që pret e përcjell, / Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë, / Ai në qoshe, i lumtur rri. / Duhej të këndoja i pari, e di”. P o e z i a (Retë) “Retë / Si kope buajsh / Ikin në Veri, / Ikin në Jug, / Duke pëllitur me zë bubullimash. / Vjeshta, si bareshë bionde, / I fishkëllen me shkopinj vetëtimash”. Ndërsa nga poezia (Nëna) veçojmë: … “Po ti, ike moj nënë, / Ç’pate për të thënë i the të gjitha…/ Kam dhe unë diçka për të thënë: / Nëse njeriu s’u ngopka me jetë / Fëmija nuk ngopet me nënë”.
Një poezi tjetër brilante: “Ai pret të fryjë era / Jo që të zhvishen pemët, / Jo që të shkunden gjethet e verdha, / por që të zhvesh xhaketën, / T’i duket pas brezit, koburja. / Ai pret të vijë pranvera, / Jo që të mbjell e të korrë, / Por që të zhvesh xhaketën, / Ti duket pas brezit / Koburja”. (Njeriu me kobure). Nga poema (Thellësi) do shkëpus disa vargje: “Dikush i fyen ditët tona…. / Urrejtjes / S’i jap as gishtin / Dashurisë i fus krahun, / Puthem me dashuri me dashurinë, / Shëtis gjithë dashuri me dashurinë, / Hahem dhëmbë për dhëmbë me hakmarrjen, / Me urrejtjen / Me mërinë…”. Ndërsa poezinë (Lisi) ia kushton Kadaresë. “ Me / T’u bërë, / Lis, / Qindra, / Mijëra gozhdë/ Tentuan të të thanin. / T’i ua kalbe gozhdët më në fund…”. Një poezi tjetër sipas Linkolnit: “Sa s’dua / Të jem / Skllav, / Aq s’dua të jem bos, / Miliarder, sheik, zotëri. / Kështu të kuptoj unë Ty, D e m o k r a c i”.
Janë të shumta e të larmishme poezitë që mund të përzgjidhen si më përfaqësuese të vlerave të poetit Haliti. Përzgjedhja e përgatitur nga Zeqo ka vlera, por nuk e përfaqëson tërë poezinë më të mirë të tij. Ka ca poezi të tjera me vlera më të larta se një pjesë që janë përfshirë në këtë përmbledhje. Poeti Ndoc Gjetja thoshte se kam botuar shtatë libra me poezi, gjykomëni vetëm nga poezitë e zgjedhura në librin e fundit. Sipas kësaj kuptimësie dhe thënies së Konicës se kritika është gjykimi i vlerave të librit, poezinë e Faslli Halitit e kam gjykuar nga poezia më cilësore e tij, më përfaqësuese e vlerave të librave poetikë.
13
Si konkluzë: Faslli Haliti është poet me një profil artistik të veçantë që ngjet vetëm me vetveten. Ai këndon me zërin e tij, vështron realitetin me syrin e piktorit dhe të poetit, i shpreh emocionet, mendimet dhe idetë si reflektim i realitetit aktual të ditës dhe i formëson poezitë i çliruar nga trysnitë, duke i strukturuar me origjinalitet. Nuk është mjeshtër i madh, në kuptimin e përsosjes së poezisë, por është mjeshtër i të qenët origjinal, vetvetja. Lasgushi thoshte: “Nuk ka poet të madh apo poet të vogël, është apo nuk është poet?!”. Faslli Haliti është poet. Poet i veçantë, origjinal, vetvetja. Këndon me zërin e tij.