FASLLI HALITI: VIZ. HELIDON HALITI
FASLLI HALITI
A do të jetë vërtet fundi këtë radhë ?
. ese .
Pse e prita me entuziazëm operacionin «Fundi i marrëzisë» para tre vitesh?
-Sepse e kisha një arsye.
Një arsye të largët, por që befas m’u bë e afërt e afërt:
* * *
Edhe babai im kështu u gëzua atëherë, kur Pushteti i ri i sapo zbritur nga mali, gjëja e parë që bëri, goditi bixhozin apo kumarin siç i thoshin në ato vite. Goditja kundër kumaristëve apo bixhozistëve qe e menjëhershme, e ashpër pa marrë parasysh fare se ky apo ai kumarist ishte djali i këtij apo atij. Shpartallimi qe i menjëhershëm e i tmerrshëm si ai i hutinit mbi zogjtë dhe që qoka apo klloçka s’ka ç’të bëjë, por alarmohet e shpupuris puplat e përsëri nuk i shpëton dot zogjtë e saj të lemerisur. Kështu edhe prindërit në heshtje e miratonin goditjen kundër kujtdo që luante bixhoz, qoftë edhe kundër bijve të tyre. Kumaristët e lagjes sonë periferike që njiheshin e tregoheshin me gisht s’po dinin ku të fusnin kokën. Ata u goditën të parët. Më tipikët u arrestuan e fut në burg. Të tjerët u fshehën në kënetën e «Tërbufit», mes kashtës e kallamave. U ngujuan mes kallamave, kashtës, rakitës e thanëqeres, me të cilat ndiznin zjarr netëve të dhjetorit, janarit, për t’u ngrohur…
Morën lelën kumarxhinjtë e lagjes sime në periferi të qytetit të vogël, rrëzë kodrave të Darsisë. Barinjtë u çonin bukë e i mbanin me e ushqime duke u futur njëherësh mes kashtës dhe kallamave së bashku me lopët e tyre, me demat, buajt, që të mos zbuloheshin nga hazërxhevapët aq përgjues kundër kumaristëve, sidomos ata që e donin e përkrahnin më me zell pushtetin e ri të sapo zbritur nga mali. Sa më shumë kumbaristë apo bixhozistë zbuloheshin aq më shumë shpërblime jepeshin edhe pse pushteti i ri, ishte ende i varfër, edhe pse atij ende s’i kishte ikur përzhitja nga lufta, edhe pse ende binte erë barut.
Por Qamil Stani, kumaristi më i shkathët, i dhëni këmbë e kokë mbas bixhozit, nuk i shpëtoi dot pushtetit të ri që u tregua më i shkathët e më i zhdërvjellët se vetë ai. Pushteti i ri që sapo kishte zënë vend në karriget e zyrave, ku më parë ishin ulur pushtuesit gjermanë e italianë e mbërtheu të parin. Qamil Stani, shkonte çdo ditë në qytet për të shitur qypat me kos e gjalpë dhe lekët që fitonte nga shitja e bulmetit, i linte të gjithë në gropën e zezë të bixhozit.
Qamili ishte djalë i vetëm, më simpatiku, më i zhdërvjellëti ose ngjala, qefulli i lagjes tonë, siç e quanin banorët, sidomos vajzat e lagjes periferike. Edhe pse si ngjalë, si qefull, ai humbiste përherë në bixhoz, por justifikohej duke thënë përherë se ai që humbet në bixhoz, fiton në dashuri. Nuk i ecte fati në bixhoz, por i ecte në dashuri. Gjithë lekët e qypave me kos e qumësh, Qamil Stani i bënte rrush e kumbulla. Kthehej pa një kacidhe në shtëpi, në anën jugore të rrugës, gati buzë kënetës së «Tërbufit», pothuaj. Do mbetesh pa nuse, mor i zi, i thoshte gjyshja. Po Qamili s’e çante kokën. Ka pak nuse lagja. E kush s’më merr mua, i thoshte ai gjyshes. Mirë, mirë, por, po e le shtëpinë në bixhoz, nuk t’i hedh sytë as goca e Jonuz Lerës, pastaj. Por Qamilit nuk i shkitej shpirti nga bixhozi, gjer në ditën që…
* * *
I burgosuri i parë i lojërave të fatit u bë pikërisht Qamil Stani i cili edhe pse më ngjala, më qefulli që përdridhej si renjë parmende, u tregua më bufi se gjithë shokët e tij bixhozistë. Të gjithë të tjerët, pothuaj, e gjetën furrikun. U futën mes të kashtës e kallamit të kënetës së «Tërbufit», kurse Qamil Stani zuri qelinë, ra në çarkun e pushtetit të ri si të ishte një lepur, kur mbahej më dhelpra mes kumaristëve, jo vetëm të lagjes por më tutje…
Qamil Stanit iu bë një gjyq me altoparlantë në një sallë të mbushur me të rinj, të ftuar posaçërisht… Jo pa qëllim adoleshentëve dhe të rinjve i kishin ftuar me ftesa të veçanta. Ata duhet t’i shihnin kumaristët se ç’biçim ishin e të dëgjonin e të shihnin me sytë e tyre se si të kandiste bixhozi dhe t’i vinin gishtin kokës, pas kësaj. T’i viheshin punës pastaj dhe jo të luani me fatin e tyre. Gjatë gjyqit u përsërit shpesh se Qamil Stani futej në bixhoz me xhepat dëng, plot, por dilte përherë më i varfër; madje më i varfër se gjithë varfanjakët e tjerë që kërkonin të pasuroheshin tak – fak, në tavolinat e bixhozit, në ven që të shkonin në tavolinën e skajshme, të paanë të fushës; atje ku mund të pasuroheshin a të jetonin e mbijetonin vërtet me punë, me sërma djerse e jo me hilerat e tafti – baftit.
Atje në fushë të prisnin prodhimin dhe jo xhekpotin në tavolinën e fatit. Si Qamil Stani e pësuan edhe shumë kumbaristë të tjerë gjersa lojërat e fatit nuk u dukën më në faqen e dheut. Në faqen e dheut shihje tashmë njerëz që vadisnin tokën me djersën e bardhë të ballit në kërkim të një jetë modeste, dinjitoze…
* * *
Kur bixhozi u fshi nga 28 mijë metra katrorët e vendit, babai im thirri me të madhe sa dhe sot pas shtatëdhjetë vitesh, unë i dëgjoj ende vibrimet e asaj britme, asaj thirrje shpirti të qetësuar :
«Shpëtuan djemtë tanë nga kolera e zezë e bixhozit. I lumtë pushtetit të ri që na e hoqi e na shpëlau kolerën e kumarit dhe erën e qelbur të bordellos!»
* * *
Ndonëse jo me britmën e babait, por me entuziazëm të motivuar e prita dhe unë operacionin e policisë «Fundi i marrëzisë», bllokimin e lojërave të fatit, kësaj grope të zezë, ku mbyteshin çdo ditë djemtë tanë duke u kacafytur me dallgët e lojërave fatale. Ku s’ishte ditë të mos ndodhnin kacafytje, s’kishte net që të mos dëgjoje krisma pistoletash e breshëri kallashësh. I lumtë ekipit të ri të policisë që e shporri, e shpëlau kolerën e lojërave të fatit, kolerën e bordellove që infektonin me vese e imoralitet, qytetet, lagjet, fshatrat, – thirra dhe unë me të madhe, si babai im dikur.
Shpëtoi më në fund edhe shoku im që jo vetëm u varfërua duke e lënë rrogën në gropën lebroze të bixhozit, por edhe duke groposur në të çdo ditë e më shumë personalitetin e tij. Shpëtoi nga bixhozlebroza që, ashtu si lebra që bën të të bjerë mishin copa – capa, edhe bixhozlebroza po bënte që shokut tim t’i binte copa copa, jo vetëm ekonomia personale, por edhe personaliteti e begraundi i tij intelektual. Ma mori të keqen bingoja thirri shoku im, hapi krahët dhe më rroku në qafë duke ngashëryer e dënesur me të madhe duke mbytur njëherësh me lotët e tij të pendesës vesin e zi të bixhozit, të fituar si nëpër një përgjumje që i kishte ardhur tinëz nga satanaj, por që po ikte me pohe e bujë, për të mos u kthyer më kurrë tek ai. «Fundi i marrëzisë», kishte ndodhur… Shoku im të cilin unë nuk munda ta shkëpusja dot nga ajo marrëzi e sikterisur, tashmë po e fitonte çdo ditë rimëkëmbjen ekonomike njëherësh me rifitimin e personalitetit të humbur. Tashmë ai e kishte flakur marrëzinë e bixhozlebrozës me të cilën e kishin infektuar përmes viruseve të veseve njerëzore…
Ashtu si Qamil Stani i shpëtoi marrëzisë së bixhozlebrozës, pas burgut, shoku im i shpëtoi asaj në liri, me kokën lart, pas bllokimit të bixhozlebrozkave.