Oliver Schmitt: Europa nuk duhet ta tolerojë retorikën e Erdoanit në Ballkan

0
1841

Profesori i historisë në Universitetin e Vjenës, Oliver Jens Schmitt, shkruan në një artikull për gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» se fantazma osmane e kryetarit turk nuk duhet të tolerohet.

Se Rexhep Taip Erdoani është i fiksuar pas historisë osmane, këtë e tregojnë shumë shembuj. Më 29 maj 2016 ai me plot statistë në kostume jeniçerësh festoi 563-vjetorin e pushtimit të Konstantinopojës, ndërsa dy vite më parë, siç shkruan historiani Oliver Jens Schmitt në numrin e së premtes të gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung», Erdoan foli para komunitetit turk në Vjenë, me ç’rast e quajti veten «nip të Sulltan Sulejmanit» dhe «nip të Kara Mustafës», pra si pasardhës i komandantëve osmanë të rrethimit të Vjenës në vitet 1529 dhe 1683.

«Kësisoj historia osmane, më saktë historia e sulmeve osmane kundër kryeqyteteve të perandorive të mëdha kristiane po instrumentalizohet zyrtarisht për qëllimet e veta nga (partia e Erdoanit) AKP», shkruan Schmitt.

Schmitt përkujton se në vitin 2013 gjatë vizitës në Kosovë Erdoan tha se Kosova është Turqi dhe Turqia Kosovë. Po atë vit ndërsa po kthehej nga një udhëtim në Afrikën Veriore Erdoan nga aeroporti i Stambollit përshëndeti Sarajevën, Mekën dhe Medinën. «Politikanë të Ballkanit si ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, të cilët e mbajnë të hapur opsionin turk, kanë përvetësuar këtë retorikë dhe kanë folur, për shembull, për lidhjet e gjakut të shqiptarëve me turqit», shkruan Schmitt.

Sipas tij në Europë tepër gjatë nuk është marrë seriozisht retorika e Ankarasë dhe jehona e saj në Ballkanin postosman. Ka munguar vetëdija mbi atë se sa i bindur është kryetari turk me misionin e tij historik dhe kanë munguar po ashtu edhe parakushtet për një qasje kritike ndaj retorikës neoimperiale, e cila e ka shoqëruar politikën neoimperiale të Erdoanit në territoret e përmendura nga Erdoani. Schmitt thekson se viteve të fundit është shtuar ndikimi i Turqisë në Ballkan dhe ajo është bërë një kundërlojatare e BE-së në rajon. «Tepër gjatë politika e historisë e Erdoanit është toleruar nga elita europiane, kujtesa kulturore e së cilës nuk është shumë e thellë», kritikon Schmitt.

Schmitt kritikon jo vetëm politikanët, por edhe shkencëtarët që merren me osmanistikë dhe të cilët kryesisht preferojnë të heshtin përballë retorikës neoosmane të Erdoanit. «Vitet 1529 dhe 1683 paraqesin kthesa të rëndësishme në historinë osmane. Para Vjenës më 1529 mori fund fushata në dukje e pandalshme ngadhënjimtare e ushtrisë osmane. Më 1683 dështoi sulmi i madh dhe i motivuar edhe nga feja kundër Perandorisë së Shenjtë Romake. Deri në vitin 1699 Perandoria e Habsburgut rimori ultësirën e Panonisë dhe u shkaktoi osmanëve humbjen deri atëherë më të madhe territoriale. A dëshironte Erdoan të imponojë një kulturë të re përkujtimi, kujtimin në dy prej humbjeve më të mëdha osmane? A dëshironte ai – ngjashëm me mitin serb të Kosovës – të krijojë një legjendë të re osmane mbi triumfin dhe disfatën?», shkruan Schmitt, i cili së shpejti do të editojë librin «The Ottoman Conquest of the Balkans. Interpretations and Research Debates» (botues: Verlag der Österreichischen Akademie der Wissenschaften).

Në tekstin e tij Schmitt kërkon që në Europë të debatohet hapur mbi retorikën e qeverisë turke, e cila përkrah hulumtues të cilët në kontekstin osman viktima i shohin vetëm myslimanët. Kush merret me rrethanat e pushtimit osman, me legjitimitetin apo refuzimin e sundimit osman nga popullsia shumicë kristiane, me kontributin integrues të perandorisë apo me trashëgiminë e saj, ai hyn në terren delikat politik, thekson Schmitt. (-lli)