OFSHAMAT NË LIRIKËN POETIKE

0
1130

Kritikë letrare:

Fatime Kalimashi – Hoti, ”SHTEGTIMET E SHPIRTIT“, poezi, botoi PenArt ”Dallgët e Drinit“, Rahovec 2009, faqe 60.

Poetesha, Fatime Kalimashi – Hoti, si shumë gra të tjera emigrante do të ndeshet me një ambient të ri, i cili sado i bukur që është, manifestohet si realitet i ashpër. E në këto rrethana, në këtë vetmi reale, ajo do të detyrohet të ambientohet me jetën e re, në një rreth shoqëror ndryshe karshi atij që e ka lënë në atdhe.

Sigurisht mungesa e familjarëve, e brezit do të jenë faktorë ndikues për autoren, e cila përmes vargjeve i shprehë këto përjetime, të cilat herë dalin si mall, e herë si dhembje, por vazhdimisht janë të brumuara me dashurinë për atdheun. Atdheut, që në rrethana të caktuara ua paska kthyer shpinën. Nëse motivet e poezive shikohen nga ky prizëm, duket sikur shqetësimet asaj ia kanë mbërthyer ndjenjën, ia kanë shtuar frikën nga tjetërsimi, madje sikur ia paskan errësuar horizontin për një shteg tjetër, për jetë më të mirë dhe perspektivë të re.

Natyrisht ky metabolizëm prodhon një efekt anësor tejet pozitiv, pasi autorja ndjenjat e saj i fikson në vargje, të cilat edhe në pamjen e parë kanë mallin dhe dashurin për atdheun, andaj elementi i vrazhdësisë del si refuzim, prandaj aty këtu, poetesha jo vetëm e mallkon, por edhe proteston zëshëm për realitetin e ri.

Metafora e poezisë së Fatime Kalimashit përshkohet nga një ndjenjë përjetimi që shfaqet me nota të theksuara lirike. Kjo metaforë është pjesë përbërëse e realitetit që duhet të sfidohet me sakrifica të mëdha, prandaj si sublimim i këtyre ndjenjave përjetuese, ne takohemi me mënyrën e saj të rrëfimit, të asaj çfarë ndodhë, qoftë në mesin real e cila jo pak shpërfaqet në metaforën e saj lirike, e qoftë si ndjenjë emocionale, por që lë gjurmët e një krijimi artistik s’ka dyshim. Poezia e saj është një materie në lëvizje e cila pasqyrohet me zhvillimet e ndodhive duke u materializuar si një brumë i mirë poetik.

Përmbledhja “SHTEGTIMET E SHPIRTIT“, është sistemuar në tre cikle poetike. Poezitë janë renditur mjaftë mirë, ndërsa vlera e tyre nga poezia në poezi shënon ngritje, ndonëse si libër i parë përcillet me mangësi të caktuara artistike, megjithatë përpjekja e çiltër, i bëjnë poezitë më transparente dhe të tejdukshme, fenomene këto që zakonisht ndeshen tek krijueset dhe krijuesit që debutojnë për të parën herë me krijimet e tyre poetike. Prandaj gjithmonë vetëm poezitë e librit të parë llogariten të sinqerta, të tjerat janë sforcime artistike.

Poezitë për nga koncepti tematik janë nuancime të larmishme, që pasqyrojnë përjetimin real, i cili mund të interpretohet edhe si një ofshamë e thellë që del në pah qysh në ciklin e parë “Ah sikur t’isha ajo vetvetja ime”. Ajo, pra poetesha, “kur rri bashkë me shoqe/ në një vend të bekuar”, vazhdimisht bënë përpjekje për t’u kthyer në atdhe, një lloj dashurie që përjetohet si metaforë e rëndomtë poetike prandaj ajo shprehet: “Për ty jeta ime/ Po shkruaj ca fjalë/ Në dhe të huaj e vetmuar/ Në shpirt kam një mall”, poezia “Për ty jeta ime”, faqe 7.

Edhe poezia “Vetmia”, është një ofshamë, përkatësisht një përjetim artistik: “Ah më braktisi kjo e mjera jetë/ Shtigjeve t’huaja endem pa shpresë/ Si grimca guri më hedhin nga do/ Vuaj në vetmi kur mërzia m’kaplon”. Pikërisht janë këto “ofshama përjetuese?!” pse ajo i kushton poezi lules në vendlindje, pasi “Në vend të huaj ndjehesh si jetim/ Gjithçka të duket se po të përbuzë/ Edhe fjalët e ëmbla të duken pelim”, poezia “Vetmia”, faqe 9.

Titujt e poezive që i ndeshim në këtë cikël i karakterizon pasthirrma “ah” e cila tingëllon si ofshamë që prodhon metabolizmi poetik. Prandaj, poetesha “shkruan” edhe kur “hesht”, qoftë sa për të shpjeguar ndjenjën kur “të jesh prind”, pastaj këtë metaforë e përforcon duke thënë “një fjalë”, në çdo “mëngjes” sa për të treguar se nëse “e huaj jam”, përsëri “jam shqiptar”?!

Të gjitha fjalët në thonjëza, janë tituj të poezive që kanë determinuar konceptin e një metafore të ndjeshme e mjaftë përjetuese. Me pak sforcime artistike, por ndjeshëm tingëllojnë ato ofshamat e saj, si një rimë që përmban në vetvete një muzikalitet përjetues, natyrisht këtë e ka realizuar mirë përmes pasthirrmës “AH”, ku shprehen pakënaqësitë, mërzia dhe dhembja e saj. Sidoqoftë Fatime Kalimashi, edhe kështu si është, bënë përpjekje për të mos u dorëzuar dhe tjetërsuar në këtë ambient mjaftë modern, por siç shprehet me nuancime të caktuara, i ashpër për t’u sfiduar?!

Në ciklin e dytë ”Sytë e trëndafilit“, janë përfshi 14 poezi, kryesisht me motiv social siç janë pozitë “Jeto” e sidomos ajo “Punëtori”, që përçon mesazh motivues se “Me punë që ai bën/ Fiton shumë dituri/ Gjithçka që sjell në jetë/ Puna i jep mirësi”, ndërsa diku më tej poetesha shkruan se ai “Kurrë s’kërkon lëmoshë”, pasi atij në “N’shpirt i ndrit lumturia”, dhe si përfundim i poezisë rrjedh mesazhi mbresëlënës për punëtorin që “Mbarësi e dashuri i jep jetës” pasi “Nga puna e tij rrjedh ardhmëria”, poezia “PUNËTORI”, faqe 21. Po kështu do të nxjerrim edhe një mesazh tjetër të karakterit social, sidomos tek poezia “I pasuri”, faqe 22, për të cilin poetesha Fatime Kalimashi mendon se “I pasur je kur nam e emër ke” dhe më “I pasur je kur të tjerët i gëzon”!

Natyrisht në këtë cikël ndeshim edhe një element dëshpërimi i cili ka të bëjë me një rrëfim ngjarje të caktuar, të cilës i drejtohet: “Shko rrëfim i hidhur” se “Zemrën thellë ma plagose”. Po me këtë ndjenjë, po me këtë plagosje në zemër e gjejmë edhe një motiv tjetër te poezia “Hëna”, ku një nënë e mërzitur bisedon me të, për birin e saj “Yll lirie” në një qiell plotë me yjez, por klithma e saj sikur mëshirohet me ndjesinë e hënës, duke shpërfaqur një materializim metaforik të përjetuar mirë. Po këtë përpjekje e ndeshim edhe te poezia “Dallëndyshet”, përkatësisht një alegori e porosisë së Filip Shirokes, tek poezia e tij e njohur “Shko dallëndyshe”, ndërsa një gjëmë poetike haset tek poezia “Mjaftë”, kur i thuhet barbarisë, robërisë, varfërisë vuajtjeve dhe halleve të njerëzisë, mjaftë më?!

Disa elemente me nota sentimentale i ndeshim në poezinë “Shiu”, sidomos kur kënga e saj përfundon me të mbaruar edhe zhurma e pikave të shiut. Ndërsa një urim interesant e hasim në poezinë “Viti i ri”, pasi ai që shkoi, botës ose asaj i paska sjell suksese, prandaj i thuren mirëseardhje tjetrit që po vjen. Ndërsa në poezinë “Dëshiroj”, poetesha i ka radhitur disa nga kërkesat e saj: “Dëshiroj natën plot me yje, ta gjej melodinë e këngës, se ajo, i dëshiron fushat e qiellit të saj, atje të ndjej lirinë dhe kudo në botë të ketë drejtësi”. Kjo mundësi e krijimit të një mozaiku me dëshira kuptimplote na krijon një lloj mundësie për të pasur hisen e vet secili lexues dhe qytetar i kësaj bote.

Vargjet e poezisë “Fshati im”, kanë një mesazh të fortë sepse: “Fshati im shqiptar / Është buzë Drini/ Me njerëz të lumtur/ Në rrafsh Dukagjini”, faqe 32, të cilat si vargje janë materializuar edhe në poezinë “Pranvera”, kur ka shprehur se “është kënaqësi të jesh në atdhe”. Në këtë rast, kemi një lloj materializimi të poezisë sociale me simbolikën patriotike, qoftë edhe vetëm si botëkuptim real.

Në ciklin e tretë ”Lotët e trëndafiles“, janë përfshirë 22 poezi, me motive e tematikë të ndryshme. Poezi që nxjerrin në pah, lotin e mërgimtares, kujtime e përkushtime të ndryshme që shprehin mallin e saj për fëmijërinë, për mësuesen e shkollën, për prindërit dhe familjarët. Ndërsa një bllok tjetër iu kushtohet heronjve si dhe poezitë tjera për gjëra të rëndomta, por që kthehen në një brumë poetik mirë i materializuar që shprehen përmes mënyrë artistike nëpër vargjet e saj. Këto realizime poetike janë një arritje artistike që materializojnë qëllimin e ides për të shkruar.

Nëpër shumë poezi të këtij libri, sikurse edhe në këtë cikël dallon empiria e kërkimit për një konkretizim më të sakt të ideve, në disa raste kemi një lloj altruizmi personal, por si poete që është, ky altruizëm poetik bëhet për t’i kënaqur të tjerët, pasi poezia që publikohet mbetet shumë pak për vetveten.

Vargje me përkushtim emocional janë ato që përçojnë edhe një mesazh përmbajtjesor: “Një dëshirë në shpirt ende sot e kam/ Mësuesen e bukur njëherë ta takoj/ Si dikur kur isha në klasë të parë/ Ku notat e mira m’i vinte në ditar”, poezia “Mësuesja ime”, faqe 36, ose vargjet kuptimplote me një porosi të madhe janë: “E dua babanë se më këshillon/ E dua nënën se më edukon/ E dua vëllanë se shumë më ndihmon/ E dua motrën se shumë më dëgjon”, poezia “Motër e vëlla”, faqe 44.

Poezi përkushtimi është ajo “Letër nënës”, që duket si një lloj balade e komunikimit të nënës me të birin në burg. Por edhe më përjetuese është poezia “Biri im”, ndërsa vargjet e një poezi tjetër po të kësaj natyre e bëjnë edhe lexuesin të përjetoj çastin e saj emocional kur shkruan se: “Sot te varri të erdhëm ndoshta për të parë/ Oh sa shumë në shpirt ndjeva për ty mall”, për të vazhduar tutje “Se ndjej dëshirë të shoh duke lexuar/ E si pëllumb në qiell duke fluturuar/ Mësuesi i dashur duke të përqafuar”, poezia “5 Maj”, me përkushtim Fatonit, faqe 52.

Por, ne nuk do ta quanim Fatime Kalimashin, poetesh e mirë sikur vargjet e saj të mos ktheheshin atje ku ka nisur rrugtimi i saj drejt një jetë më ndryshe. E vargjet e kësaj poeteshe, kurdoher kthehen në atdhe sepse “Unë këtu në tokën time ndjej qetësinë/ Në shpirtin tim ndjej dashurinë”, shkruan ajo, e kjo dashuri përmbyllet me vargun “Si një trëndafil i pushuar në vendin tim”, poezia “Trëndafil i pashuar”, faqe 55, për të na lënë me shpresë se shkuarjet në mërgim dhe kthimet në atdhe do të materializohen me përjetime të tjera, ndërsa në rrafshin poetik, sigurisht lexuesi do të ketë në duar edhe libra të tjerë.

St. Gallen, 06 janar 2017.
Shefqet Dibrani

SHËNIME PËR AUTOREN:

Fatime Kalimashi – Hoti, (21.11.1975). U lind në Ratkoc të Rahovecit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa gjimnazin në Rahovec. Që nga fëmijëria është marrë me shkrime letrare. Në Zvicër ka emigruar në vitin 1995. Jeton në Saint-Prex të Zvicrës në kantonin Vaud.

VEPRA TE BOTUARA:
– ”Shtegtime të shpirtit” – poezi, Rahovec 2009.
– ”Në universin e dashurisë” – poezi, Rahovec 2010.
– “Melodi e dhembjes”, poezi, Rahovec 2012.
– “Voyage”, poezi e zgjedhur, Rahovec 2012.

Me respekt!
Shefqet Dibrani