“ODISEA” LLESHAJ! HABEMUS MINISTRUM! (III)

0
463

(vijon nga pjesa 2)

AV. XHABIR ZEJNUNI

PËRMBAJTJA.
1. Hyrje.
2. Pak kronikë (ç)dekretuese!
3. Nxjerrja në lirim e Lleshajt nga Nishani.
4. Çështa Lleshaj, e trajtuar në raport me Vendimin Nr. 3, datë 30.01.2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
5. Shkëmbim epistolar i niveleve të “larta”!
– 5.1. Letra e Metës për Xhaçkën.
– 5.2. Letra e Lleshajt për Metën.
– 5.3. Letra e Ramës për Metën.
6. Nxjerrja në lirim dhe dekretimi i Lleshajt brenda të njëjtës ditë nga Meta.
7. A mund të ndiqej mënyra kushtetuese e emërimit të Lleshajt?
8. A mund të evitonte Meta shkeljen e Kushtetutes?
9. Nxjerrje në lirim, apo degradim?
10. Përfundim.

6. Nxjerrja në lirim dhe dekretimi i Lleshajt brenda të njëjtës dite nga Meta.
Me datën 16 nëntor, me dekretin Nr. 19055, në mbështetje të nenit 93, të Kushtetutës, të nenit 9, pika 3, shkronja “g” (jo shkronja “g” – që mungon -, por shkronja “c”, XH. Z.), të ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të nenit 26 pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes nr. 8210/1 prot., datë 15.11.2018, Meta nxjerr në lirim Lleshajn.

Neni 1
Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshaj, nxirret në lirim.

Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Kurse në mbrëmjen e të njëjtës ditë, në orën 20.45, Meta dekretoi Lleshajn si Ministër të Brendshëm me anë të dekretit Nr. 10957.

Neni 1
Zotin Sandër Lleshaj, emërohet Ministër i Brendshëm.

Neni 2
Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Në pamje të parë, çdo gjë duket se është në rregull e në respektim të ligjeve dhe Kushtetutës. Por, jo çdo gjë është ashtu siç duket. Si rrjedhojë, lindin edhe disa probleme.

Problemi 1.
Nishani me dekretin Nr. 8189, datë 21.05.2013, e nxjerr Lleshajn në lirim duke bërë edhe arsyetimin përkatës.

Neni 1 i këtij dekreti, disponon se “Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, lirohet nga detyra e Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe del në lirim”.
Meta me dekretin Nr. 10955, datë 15.11.2018, e nxjerr në Lirim Lleshajn, por nuk e arsyeton këtë lirim.

Neni 1 i këtij dekreti, disponon se “Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshaj, nxirret në lirim”.
Në rastin e dekretit Nishani, kuptohet shumë qartë se Lleshaj lirohej nga detyra e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pra, kuptohet shumë qartë se para se të lirohej Lleshaj, ai ushtronte një funksion dhe mbarimi i periudhës së ushtrimit të këtij funksioni në bazë të ligjit, solli lirimin e tij me dekret presidencial.

Në rastin e dekretit Meta, shkruhet vetëm se Lleshaj nxirrej në lirim, por Meta nuk na qartëson se nga çfarë funksioni nxirret në lirim Lleshaj!

Shtrohen disa pyetje.
Mund të nxirret dy herë në lirim i njëjti person, pa u shfuqizuar më parë dekreti i nxjerrjes së parë të tij në lirim dhe pa u bërë më pas ridekretimi i tij në detyrën e mëparshme (ose të ngjashme)?

Mund të nxirret në lirim një person, pa sqaruar më parë se nga çfarë funksioni nxirret në lirim ai? Aq më tepër kur Ligji Nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, tek neni 9, par. 3, germa c), disponon se “Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ushtron këto kompetenca: c) emëron dhe shkarkon, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, komandantët e forcave tokësore, detare dhe ajrore”. Tani, që Lleshaj është ushtarak i forcave tokësore, e dimë të gjithë. Por, akoma nuk dimë se çfarë force tokësore komandonte ai në momentin e lirimit nga Meta!

Lleshaj duke qenë se në bazë të të nenit 26, par 1, germa “ç”, të Ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, paraqiti kërkesën për të dalë në lirim nga shërbimi aktiv, a e dinte se çfarë detyre ushtronte ai në momentin e kërkesës?

Problem 2.
Nëse liron nga detyra një Gjeneral Brigade, do thotë se detyra e tij përputhet me gradën përkatëse. Që do thotë se Lleshaj në momentin e lirimit nga Meta ishte funksionar i lartë ushtarak. Shtrohet pyetja: “Cfarë funksioni të lartë ushtarak ushtronte Lleshaj në momentin që ai u lirua nga Meta”! Të thuash se ai u lirua nga posti i këshilltarit të Ramës me dekret presidencial, nuk pranohet nga ana kushtetuese. Por, edhe logjike. Nga ana tjetër, këtij funksioni nuk i përkon grada e lartë e Gjeneral Brigadës, pasi këshilltarin e Kryeministrit mund ta bësh edhe me grada më të ulta.

Problem 3.
Nuk nxirret në lirim një Gjeneral Brigade, por funksioni që ai ushtron. Një ushtarak, mund të zbritet në gradë nëse ai kryen shkelje të rënda disiplinore gjatë kryerjes së detyrës së tij. Por, ai nxirret në lirim kur mbaron afati i përcaktuar me ligj.

Problem 4.
Çfarë kuptimi dhe efekti ka dekretimi i lirimit të Lleshajt nga Meta, kur vetë Lleshaj e deklaron në letrën e tij se nuk mban më statusin e ushtarakut aktiv, pasi ai u nxor në lirim që nga viti 2013 me dekretin Nr. 8189 nga Nishani?!

Problemi 5.
Kushtetuta tek neni 93, parashikon se “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”.

Kushtetuta në nenin 98, par 1 disponon se “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve” dhe shton në par. 2 se “Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.

Duke qenë se çdo dekret presidencial, i kalon Kuvendit për shqyrtim që më pas ta votojë, sjell që edhe dekreti i Metës që nxori në lirim Lleshajn, duhej të kalonte më parë në Kuvend për t’u shqyrtuar dhe votuar. Dhe pastaj duhej që Rama të rikërkonte ridekretimin e Lleshajt për herë të dytë (përveç kërkesës për dekretim herën e parë!).

Këtu dalin dy probleme.
1. Dekreti i nxjerrjes në lirim të Lleshajt, nuk u shqyrtua dhe nuk u votua nga Kuvendi, në mënyrë që t’i hapte pastaj atij rrugën e dekretimit si Ministër i Brendshëm.
2. Në këto kushte, dekretimi i Lleshajt nga Meta për Ministër të Brendshëm, është antikushtetues, duke qenë se kur u bë rikërkesa për ridekretim nga Rama me datën 9 nëntor, ai ishte akoma ushtarak aktiv, ose në kushtet e nenit 103, par, 2 të Kushtetutës, i cili disponon se “Ministri nuk mund të ushtrojë asnjë veprimtari tjetër shtetërore dhe as të jetë drejtues ose anëtar i organeve të shoqërive fitimprurëse”. Duke qenë se Gjykata Kushtetuese nuk ekziston për ta investuar atë mbi këtë problem, sjell që Lleshaj të vazhdojë i qetë misionin e tij.

7. A mund të ndiqej mënyra kushtetuese e emërimit të Lleshajt?
Sigurisht që mund të ndiqej mënyra kushtetuese, nëse Lleshaj do emërohej që herën e parë nga Meta. Por, nëse ky emërim nuk u bë dhe u zgjodh rruga antikushtetuese e këtij emërimi, arsyen më mirë duhet ta shpjegojë Rama dhe Meta.

Kur bëri rikërkesën për ridekretim Rama, edhe ai vetë e dinte shumë mirë se Meta nuk do pranonte që të dekretonte Lleshajn. Por, kjo rikërkesë për ridekretim u bë në mënyrë që të gjindej një rrugë tjetër më pak “traumatike” për Ramën dhe Metën (pas bidedës së tyre prej 90 minutash në Parlament!) për të mundësuar ridekretimin e Lleshajt. Pastaj, u gjet “vullneti” i mirë, i cili frymëzoi dyshen Rama-Meta me oficerin Lleshaj në mes për të zgjidhur në mënyrë “institucionale” ngërçin e krijuar(….)!

Sidoqoftë, duhet shtuar se nëse herën e parë Meta kishte arsye që të dekretonte Lleshajn, herën e dytë kjo arsye (ose disa arsye) atij i mungonte! Ky përfundim, nxirret pas leximit të shkëmbimit epistolar mes tre protagonistëve në fjalë.

8. A mund të evitonte Meta shkeljen e Kushtetutes?
PO.
Të mos merrte fare në kondideratë letrat e Lleshajt dhe të Ramës. Por, të shqyrtonte vetëm “materialet sqaruese dhe shteruese” që do i vinin nga Ministria e Mbrojtjes, në përgjigje të 14 pyetjeve të tija.

Dhe nëse prej këtyre “materialeve sqaruese dhe shteruese”, Meta do krijonte bindjen se Lleshaj nuk ishte më ushtarak aktiv, atëherë duhej ta dekretonte menjëherë atë.
Por, nëse Lleshaj do rezultonte ushtarak aktiv, atëherë Meta duhej ta nxirrte më parë në lirim me dekret atë. Dhe vetëm pasi ky dekret të shqyrtohej në Kuvend dhe të miratohej, atëherë Rama duhej të bënte rikërkesë ridekretimi tjetër, dhe pastaj Meta të ridekretonte Lleshajn si Ministër të Brendshëm. Nga kjo rrjedh se dekreti i Metës për të emëruar Lleshajn Ministër të Brendshëm, është antikushtetues, duke qenë se mungon rikërkesa për ridekretim nga ana e Ramës, duke shkelu kështu nenet 98 dhe 103 të Kushtetutës.

Është për t’u habitur shumë nga fakti se edhe politika ndërkombëtare u ngut shumë për këtë ridekretim, kur e dinte shumë mirë se në këtë mënyrë po shkelej Kushtetuta e Shqipërisë. Mos vallë Kushtetuta e Shqipërisë vlen më pak se kushtetutat e shteteve të këtyre politikanëve? Pasi në asnjë vend tjetër të botës nuk do ndodhte ajo që ndodhi në Shqipëri. Në këtë rast, përgjegjësia kryesore për shkeljen e Kushtetutës, e ka Meta, duke qenë se ai është “filtri” i fundit kushtetues.

9. Nxjerrje në lirim, apo degradim?
Këto ditë (dhe netë!) dëgjuam shpesh frazat si “nxjerrje në lirim të Gjeneral Brigade”, “çdekretim të Gjeneral Brigade”, “nxjerrje në lirim të ushtarakut aktiv”, apo “çdekretim të ushtarakut aktiv”, etj. Njehsoheshin pa përgjegjësi mes tyre këto fraza (Gjeneral Brigade dhe ushtarak aktiv), të cilat janë të kundërta për nga kuptimi i tyre, edhe pse janë në funksion të njëra tjetrës.

Të degradosh një ushtarak, do thotë që atij t’i ulësh gradën(at) që ka. Pra, në rastin konkret, nga Gjeneral Brigade, Lleshajn mund ta degradoje në kolonel, apo edhe më poshtë. Ose nga oficer MADHOR, mund ta degradosh në oficer të LARTË. Por, që të bëhej ky degradim, duhej që më parë kërkesa të vinte nga organi epror (Ministria e Mbrojtjes) me arsyetimin përkatës, ku me pak fjalë të theksoheshin shkeljet e rënda disiplinore që ka kryer Gjeneral Brigade. Pastaj, është Presidenti si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ai që VENDOS. Degradimi për një ushtarak, është një TURP shumë i madh për të. Dhe me turpin nuk ka asnjë negocim!

Kurse lirimi nga një detyrë, ka të bëjë me lirimin nga funksioni që ushtron një ushtarak në përshtatje të gradës që ai mban.
Për shembull.
Një kapter, nuk mund të bëjë Zëvendës Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, por mund të bëjë fare lehtë Presidentin dhe njëkohësisht Komandantin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura!

Kursë Zëvendës Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, mund ta bëjë vetëm ai ushtarak madhor, i cili mban gradën Gjeneral Brigade.
Prandaj që dekreti i Presidentit Meta, është shumë evaziv në këtë rast.

10. Përfundim.
Loja e radhës e shahut, përfundoi. Por, ka opinione të ndryshme rreth rezultatit. Dikush thotë se fitoi Rama, dikush thotë se fitoi Meta dhe dikush tjetër thotë se ndeshja u nda remi. Ndërsa për Lleshajn, askush nuk e konsideron fitues atë! Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Rama ishte i kufizuar në lëvizjet e tij shahistike, duke qene se ai luajti me mbretin dhe me oficerin, i cili lëviz vetëm diagonalisht. Ndërsa Meta luajti me mbretin dhe me mbretëreshën.

Për hir të së vërtetës, Meta i kufizoi me qëllim lëvizjet e tij me mbretëreshën, ku në respekt edhe të kundërshtarit të tij, ai lëvizi mbretëreshën vetëm në diagonale dhe jo para-prapa e majtas-djathtas. Dhe gjithmonë pa çizme!
Ithtarët e shahut, tani pyesin: “Do këtë ndeshje të tjera shahu mes dy “mjeshtrave të mëdhenj” të shahut shqiptar”?

Përgjigja është shumë e vështirë që të jepet.

HABEMUS MINISTRUM?!