AV. XHABIR ZEJNUNI
PËRMBAJTJA.
1. Hyrje.
2. Pak kronikë (ç)dekretuese!
3. Nxjerrja në lirim e Lleshajt nga Nishani.
4. Çështa Lleshaj, e trajtuar në raport me Vendimin Nr. 3, datë 30.01.2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
5. Shkëmbim epistolar i niveleve të “larta”!
– 5.1. Letra e Metës për Xhaçkën.
– 5.2. Letra e Lleshajt për Metën.
– 5.3. Letra e Ramës për Metën.
6. Nxjerrja në lirim dhe dekretimi i Lleshajt brenda të njëjtës ditë nga Meta.
7. A mund të ndiqej mënyra kushtetuese e emërimit të Lleshajt?
8. A mund të evitonte Meta shkeljen e Kushtetutes?
9. Nxjerrje në lirim, apo degradim?
10. Përfundim.
1. Hyrje.
Në orën 20.45 të datës 16 nëntor, nga oxhaku i Presidencës Meta, doli tym. Kjo ishte shenja se Presidenti Meta dekretoi Lleshajn si Ministër të Brendshëm. Të gjithë të pranishmit në sheshin para Presidencës, që prisnin me ankth prej disa ditësh (dhe netësh!), u përqafuan me njëri tjetrin dhe thirrën të gëzuar: “HABEMUS MINISTRUM”! Edhe “ankthit” të politikës shqiptare, i erdhi fundi më në fund. Disa vëzhguesve të vëmendshëm, ju ra në sy se tymi që doli nga oxhaku, nuk ishte i bardhë siç e kërkon zakoni në ceremoni të tilla, por GRI! Edhe ky fakt, e ka shpjegimin e tij(….)! Nëse çështja Lleshaj u zgjidh nga ana politike, duhet pohuar se nga ana juridike kjo çështje sapo është hapur(….)!
2. Pak kronikë (ç)dekretuese!
Me datën 26 tetor, Rama i kërkoi Metës që të dekretonte Lleshajn si Ministër të Brendshëm. Sipas Kushtetutës, afati i dekretimit 7 ditor (shumë i diskutueshëm!) mbaronte me datën 2 nëntor në orën 24. Gjatë këtyre 7 ditëve (dhe netëve!), Meta heshti si eremit. Por, kur ai e hapi gojën të shtunën në mbrëmje me 2 nëntor tek emisioni Syri.Net, deklaroi se “Nuk ishte i bindur për të dekretuar Lleshajn”, por pa dhënë arsyet e kësaj mos bindjeje. Në këtë rast, shumica e analistëve, politikanëve dhe njerëzve të thjeshtë, e përgjegjësuan Metën për mos respektim të Kushtetutës. Ky skepticizëm, erdhi më shumë pasi gjatë javës që kishte në dispozicion, Meta u tregua shumë “hermetik” në lidhje me (mos)dekretimin e Lleshajt. Me datën 4 nëntor, me kërkesë të Ramës u takuan në Presidencë Rama me Metën. Por, vizita përfundoi pa asnjë rezultat. Ose ashtu u duk!
Të hënën me 5 nëntor, Rama shprehu nga Kuvendi hidhërimin e tij të thellë për situatën e krijuar dhe ftoi Metën që të lozin tani shah haptazi. Dhe Meta e pranoi me kënaqësi presidenciale sfidën kryeministrore! Nga njëra anë, Rama preferoi që të lozë në sulm me oficerin. Kurse Meta, preferoi që të mbrohej me mbretëreshën. Me datën 9 nëntor, Rama përsëriti kërkesën e tij ndaj Metës për të ridekretuar Lleshajn. Me datën 12 nëntor, Meta (nga Franca ku ndodhej për vizitë!) me anë të një letre prej 14 pyetjesh drejtuar Ministres së Mbrojtjes Zonjës Olta Xhaçka, kërkonte “Informacione shteruese për pozitën e ushtarakut Sandër Lleshi (Lleshaj)”. Nga ana e tij, oficeri Lleshaj në mënyrë të rrufeshme i shkroi një letër Metës, ku parashtroi arsyet e tija për t’u ridekretuar si ministër.
Është rasti i parë në botë që një kandidat për ministër i dërgon letër Presidentit për ta dekretuar atë! Më pas, Rama nga ana e tij shkroi një letër në mbështetje të arsyeve të tij për të ridekretuar Lleshajn. Duke parë këtë lojë të hapur shahu, opinioni publik filloi të reflektojë dhe të anojë më shumë nga ana e Metës, i cili dha përshtypjen se po lozte më mirë shah. Dikush guxoi të deklaronte se Meta dinte të luante shumë mirë shah, sidomos kur përdorte(rej) mbretëreshën pa çizme! Më në fund, në orën 20-45 të datës 16 nëntor, Meta dekretoi Lleshajn si Ministër të Brendshëm.
Si u arrit në këtë ditë kaq të shënuar për demokracinë, rendin publik dhe popullin shqiptar?
3. Nxjerrja në lirim e Lleshajt nga Nishani.
Në vitin 2010, Sandër Lleshaj me propozim të Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar nga ish Presidenti i Republikës Bamir Topi, Zëvendës Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Me datën 21.05.2013, me dekretin Nr. 8189, Lleshaj është nxjerrë në lirim nga Presidenti Nishani. Neni 1 i këtij dekreti, disponon se “Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, lirohet nga detyra e Zëvendës shef të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe del në lirim”. Arsyeja se përse Nishani e nxori në lirim Lleshajn, gjendet në Ligjin Nr. 59, datë 12.06.2014, ku neni 14 me titull “Mosha maksimale e qëndrimit në shërbimin aktiv”, disponon në par. 2, germa a) se “Oficeri me gradë madhore, pavarësisht nga mosplotësimi i moshës së përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, dhe i kritereve të përcaktuara në nenet 25 dhe 26, të këtij ligji, nxirret në rezervë apo lirim, kur plotëson njërin nga këto kritere: a) kur pas kalimit të kohës së qëndrimit në një gradë sipas pikës 1, të nenit 13, të këtij ligji, nuk ka marrë gradën e radhës”. Neni 13, me titull “Koha e qëndrimit në gradë”, në par. 1, germa k) disponon se “Koha minimale e qëndrimit në një gradë për fitimin e gradës së radhës është: k) Gjeneral brigade, Kundëradmiral 3 vjet”.
Në këto rrethana, duke qenë se Lleshaj nuk kishte fituar gradën më të lartë (Gjeneral Major) nga ajo që kishte (Gjeneral Brigade), ai nuk mund të vazhdonte detyrën e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe si rrjedhojë u nxor në lirim nga Nishani. Gradat, sipas nenit 12 me titull “Gradat ushtarake”, par. 1, gërma a), për oficerët aktivë, janë: “i) Gradë madhore Gjeneral lejtnant, Admiral; ii) Gradë madhore, Gjeneral major, Nënadmiral; iii) Gradë madhore Gjeneral brigade, Kundëradmiral”. Kështu, rezulton se për nga hierarkia e ushtarakut madhor, Lleshaj në kohën e nxjerrjes së tij në lirim nga Nishani, ishte i treti në radhë, duke mos qenë promovuar më lart ai.
Dekreti i Nishanit, është kundërshtuar nga Lleshaj pranë Gjykatës Administrative Tiranë. Gjykata Administrative e Apelit Tiranë me anë të vendimit Nr. 5137, datë 07.12.2017, ka vendosur ndryshimin e vendimit Nr. 2265, datë 23.05.2017 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë si vijon:
• Pranimin e padisë;
• Shfuqizimin e aktit administrativ të dekretit të Presidentit të Republikës Nr. 8189, datë 21.05.2013;
• Shfuqizimin e aktit administrativ, urdhër Nr. 1093, datë 27.05.2013 të Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë;
• Kthimin e paditësit Sandër Lleshi në detyrën e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban;
• Detyrimin e palës së paditur, Ministria e Mbrojtjes, t’i paguajë paditësit Sandër Lleshaj pagën nga data 29.05.2013 deri në datën e sistemimit të paditësit në detyrën e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, apo në një detyrë tjetër në përputhje me gradën që mban.
Duket shumë qesharak, por edhe preokupues vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, kur ajo konsideron dhe trajton dekretin e Presidentit si një akt të thjeshtë administrativ dhe kërkon të kthejë pas 4 vitesh Lleshajn në detyrën e mëparshme, kur tashmë atë detyrë e mban tjetër kush!
Ndaj këtij vendimi, ka bërë ankimim pranë Gjykatës së Lartë, Ministria e Mbrojtjes me datën 28.03.2018. Gjykata e Lartë, nuk është shprehur akoma në lidhje me këtë çështje, pasi për momentin ajo nuk ekziston!
Disa faktë bien në sy këtu.
1. Dekretet e Presidentit, kanë karakter kushtetues dhe si të tillë duhet të ankimohen vetëm pranë Gjykatës Kushtetuese dhe jo pranë Gjykatës administrative në cilësinë e akteve administrative. Mund të supozohet se ankimuesi nuk ju drejtua Gjykatës Kushtetuese atë kohë duke parashikuar edhe se mund të humbiste çështjen për arsye se kjo gjykatë atë kohë ishte akoma nën ndikimin e PD-së. Ose mundet që kjo kjo mënyrë ankimimi t’i jetë sugjeruar atij prej avokatit mbrojtës! Për këtë arsye, u zgjodh rruga më e lehtë, por antikushtetuese dhe antiligjore e ankimimit pranë Gjykatës Administrative, sipas shkallëve përkatëse të gjykimit.
2. Përderisa vendimi i Gjykatës së Apelit nuk ka kaluar në ekzekutim, duke qenë se ai është ankimuar nga Ministria e Mbrojtjes, sjell që është akoma në fuqi dekreti Nr. 8189 i Nishanit, i cili ka nxjerrë në lirim Lleshajn.
3. Duke u gjendur Lleshaj në cilësinë e ushtarakut në lirim, ka sjellë që atë ta emërojë Rama si këshilltar të tij për sigurinë me datë 23.08.2013.
4. Nga ana tjetër, nuk bën aspak çudi fakti që Ministria e Mbrojtjes ka ankimuar vendimin pranë Gjykatës së Lartë, me qëllim që Lleshaj të vonohej sa më shumë në rimarrjen e statusit të ushtarakut aktiv në ushtri! Në rastin e pendencës së gjykimit në Gjykatën e Lartë, mundësohej kështu vazhdimësia e qenies në lirim të Lleshajt dhe hapja e rrugës së tij drejtë postit të Ministrit të Brendshëm. Që do thotë se Lleshaj nuk u kandidua në momentin e fundit nga Rama si Ministër i Brendshëm, por ishte projektuar me kohë në atë post! Pritej vetëm “dorëheqja” e Xhafajt dhe zëvendësimi i tij me Lleshajn (rastësi e çuditshme edhe mbaresa e të dy mbiemrave me AJ!).
5. Edhe pse u lirua nga detyra, Lleshaj mbante akoma gradën e Gjeneral Brigade, pasi grada nuk ulet kur lirohet ushtaraku.
6. Çështa Lleshaj, e trajtuar në raport me Vendimin Nr. 3, datë 30.01.2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Ja vlen si fillim që të analizohet “Çështja Lleshaj” nën dritën e Vendimit Nr. 3, datë 30.01.2003 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
Ky vendim, trajton problemin nëse një dekret i Presidentit të Republikës, mund të ankimohet pranë Gjykatës si akt administrativ.
Bëhet fjalë për vendimin Nr. 97, datë 18.09.2002 të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila vendosi “Shfuqizimin e dekretit Nr. 3037, datë 01.06.2001 të Presidentit të Republikës “Për transferim dhe lirim prokurori”.
Ky vendim, u kundërshtua me të drejtë nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë.
Kjo çështje gjyqësore, për nga rëndësia dhe delikatesa e trajtimit të saj, ju kalua për gjykim Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.
U shtruan disa pyetje (probleme) për zgjidhje, si:
1. Cila është natyra juridike e dekreteve të Presidentit të Republikës?;
2. A mund të konsiderohen këto dekrete akte administrative?;
3. Cila është natyra e marrëdhënies juridike që lind, ndryshon apo shuhet në rastin e emërimit, transferimit, ngritjes në detyrë apo shkarkimit nga detyra të prokurorit?;
4. A legjitimohet prokurori të kundërshtojë në gjykatë dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin, transferimin, ngritjen në detyrë apo shkarkimin e tij nga detyra?;
5. Në rast të legjitimimit të prokurorit si paditës, cili subjekt legjitimohet si i paditur: Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm, apo prokurori i prokurorisë pranë gjykatës përkatëse ku është prokurori paditës?
6. Në rastin e pranimit të juridiksionit gjyqësor për shqyrtimin e ligjshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës, cilët janë kufijtë e shqyrtimit gjyqësor: Do të shqyrtohet ligjshmëria e dekretit si i tillë, apo do të zgjidhen vetëm pasojat që rrjedhin nga dëmtimi i interesave ekonomiko-financiare të prokurorit përkatës të transferuar apo larguar nga detyra?
Gjatë shqyrtimit të çështjes, Kolegjet e Bashkuara nxorën disa parime të rëndësishme juridike, si në vijim.
1. Gjersa vendim marrja për raste të tilla, i takon Presidentit të Republikes, në vështrim edhe të nenit 94 të Kushtetutës, dhe duke pasur parasysh se, sipas nenit 93 të Kushtetutes, aktet që nxjerr Presidenti kanë formë juridike të dekretit, atëherë edhe ngritjet në detyrë apo transferimet e prokurorëve bëhen me dekrete të karakterit individual.
2. Dekretet e Presidentit të Republikës, janë akte të natyrës juridiko- kushtetuese dhe jo akte administrative, të përcaktuara si të tilla nga neni 106 i Kodit të Procedurave Administrative. Sipas kësaj dispozite, “Për qëllimet e këtij ligji, do të konsiderohen akte administrative të gjitha vendimet [lexo: urdhërimet] e organeve të administratës publike, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale”.
3. Dekretet e Presidentit të Republikës, NUK mund të përfshihen në të njëjtën kategori me aktet e organeve të administratës publike. Ato janë akte të pushtetit të lartë ekzekutiv (të Kryetarit të Shtetit) me të cilat vendosen emërimet, shkarkimet, ngritjet në përgjegjësi, transferimet, gradimet, etj. të një kategorie funksionarësh të rëndësishëm të Shtetit. Marrëdhëniet e këtyre personave me Shtetin për kryerjen e detyrave të caktuara, bazohen jo në një kontratë të thjeshtë pune, por në një kontratë të veçantë të shërbimit publik, nëpërmjet të cilës ata marrin përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e interesave të larta publike, në të cilat mishërohet vetë sovraniteti i Shtetit.
4. Dekretet e Presidentit, bazohen jo vetëm në profesionalizmin, por edhe në një shkallë të lartë besimi dhe besnikërie ndaj Shtetit. Është kjo arsyeja që lidhja, ndryshimi apo mbarimi i kësaj kontrate shërbimi publik, nuk formalizohet me një akt të zakonshëm të një organi të administratës publike (akt administrativ), por me dekret të Presidentit të Republikës.
5. Është në diskrecionin e Shtetit, të mishëruar në dekretin e Presidentit jo vetëm krijimi, por edhe ndryshimi apo shuarja e marrëdhënieve të shërbimit publik të një karakteri të tillë. Në raste të tilla të largimeve nga puna apo transferimeve në kushte të disfavorshme, Shteti merr përsipër vetëm që kësaj kategorie funksionarësh publikë t`ju kompensojë një pjesë të humbjeve që ju rezultojnë prej uljes së pagave, si dhe ju garanton pensionet.
6. Dekretet e Presidentit të Republikës, të nxjerra në bazë të kompetencave të tija kushtetuese, nuk i nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor, sepse vetë Kushtetuta e ka përjashtuar një mundësi të tillë.
7. Prokurori nuk legjitimohet të kundërshtojë në Gjykatë dekretin e Presidentit të Republikës për emërimin, transferimin, apo shkarkimin e tij, jo për arsye se kjo nuk është parashikuar në mënyrë eksplicite në ligj, por për arsye se për dekretet e Presidentit për shkak të natyrës së tyre juridike të përcaktuar nga Kushtetuta dhe për shkak të karakterit të posaçëm të kontratës së shërbimit publik për një kategori të caktuar funksionarësh të rëndësishëm të Shtetit, siç janë edhe prokuroret, juridiksioni gjyqësor është përjashtuar.
8. Në aspektin procedural, prokurori nuk legjitimohet si padites për të kundërshtuar në Gjykatë dhe për të kërkuar shfuqizimin e dekretit të Presidentit të Republikës. Nga ana tjetër, edhe Presidenti nuk legjitimohet si i paditur.
Nga sa kanë theksuar Kolegjet e Bashkuara më lart në detaje, ja vlen që të sqarohet se edhe Lleshaj për gradën dhe funksionin përkatës që mbulonte, ishte në rangun e zyrtarit të lartë publik dhe si i tillë, nxjerrja e tij në lirim ishte kompetencë vetëm e Presidentit të Republikës. Në këtë pikë, duhet të jetë dakord edhe vetë Lleshaj. Por, kur Lleshaj pasi nxirret në lirim me dekret presidencial dhe e kundështon këtë dekret në Gjykatën Administrative si akt administrativ, ai vë në diskutim rolin kushtetues dhe detyrat në pajtim me Kushtetutën të vetë Presidentit të Republikës. Duke qenë Presidenti një organ kushtetues, sjell që dekreti i nxjerrjes në lirim të Lleshajt, mund të kundërshtohej vetëm pranë Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa në Gjykatën Administrative, Lleshaj mund të ankohej vetëm nëse pas nxjerrjes së tij në lirim, pagesa e tij do ishte më e ulët se sa pagesa në përputhje me gradën dhe funksionin përkatës.
Komentet janë mbyllur.