Përgatiti Zymer Mehani
Odhise Grillo ka lindur në Vuno të Himarës, në vitin 1933.
Shkollën fillore e kreu në fshat, ndërsa ciklin e lartë të shkollës shtatëvjeçare e vazhdoi në Tiranë. Po në kryeqytet mbaroi shkollën e mesme, në gjimnazin “Qemal Stafa”, dhe studimet e larta për Gjuhë – Letërsi dhe për gazetari në Fakultetin Histori-Filologji dhe në Fakultetin e Shkencave Politike Juridike. Me mbarimin e studimeve punoi për disa vjet në revistën “Hosteni” dhe më pas në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”, në redaksinë e letërsisë për fëmijë, ku punoi gjersa doli në pension.
Së fundi punoi në Shtëpinë Botuese “Toena”, si shef i redaksisë për fëmijë dhe të rinj. Grillo është redaktor i mbi 1500 librave të autorëve të ndryshëm. Përveç letërsisë është marrë edhe me publicistikë dhe ka botuar shumë shkrime në organe për të rritur dhe fëmijë si: “Drita”, “Nëntori”, “Ylli”, “Zëri i Rinisë”, “Pionieri”, “Fatosi”, “Yllkat”, “Bota e fëmijëve” etj. Ai drejtoi për më shumë se dhjetë vjet Shoqatën Mbarëkombëtare të parë drejt konsolidimi si degë e veçantë e letërsisë sonë të përgjithshme. Eci në gjurmët e disa autorëve paraardhës që i përkisnin traditës sonë të lavdishme të Rilindjes Kombëtare.
Odhise Grillo është autor i cili ka lëvruar të gjitha gjinitë, të gjitha llojet; vjershën, poemën, fabulën, tregimin, novelën, përrallën, romanin, pjesët teatrale dhe në vitet e mëvonshme është marrë edhe me një lloj letrar që te ne nuk është kultivuar, po që bota e kishte shumë të preferuar, siç është përshtatja për fëmijë e kryeveprave të letërsisë botërore dhe të letërsisë sonë.
Bëri rikrijimin për fëmijë e kryeveprave të letërsisë sonë kombëtare siç janë “Lahuta e malësisë”, e Gjergj Fishtës ose “Historia e Skënderbeut”, e Naim Frashërit etj. U hodh dhe te letërsia botërore: Don Kishoti i Mançës, Epi i Gilgameshit etj.
Ai themeloi Kolanën e botimeve: ”Legjenda shqiptare”, ku u botuan 27 libra të ilustruara të cilat përmbanin legjenda të përshtatura për fëmijët. Lexuesit e vegjël përmes tyre arrijnë të njihen me ngjarje e personazhe legjendarë e historikë.
Odhise Grillo është autori që ka botuar leksikonin e shkrimtarëve për fëmijë, që nga Kristoforidhi e deri në ditët tona, me mbi 550 autorë, për jetën e veprën e tyre.
Grilloja u shqua si poet që dha poezi dhe poema me vlerë për fëmijët. Gama e temave dhe motiveve të trajtuara nga autori është e gjerë. I kushton rëndësi temës së atdhedashurisë, ku poezitë e realizuara nga janë të shumta. E njohur është poezia “Kryefjala e fjalëve”:
“I mora A-në Atit,
në të ishte dhe nëna;
i mora T-në Tokës,
në të ishte dhe zemra;
i mora D-në Detit,
në të ishte dhe qielli;
i mora H-në Hënës,
në të ishte dhe dielli;
i mora E-në Erës,
në të ishte dhe shiu;
i mora U-në Ujit,
në të ishte dhe njeriu…
I lidha të gjitha bashkë
dhe si ylber shkëlqeu
e para kryefjalë
e fjalëve: ATDHEU!”.
Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, në fillim si nënkryetar, pastaj për disa vjet kryetar e së fundi si president i kësaj shoqate. Po kështu, ka punuar pedagog i jashtëm, i letërsisë për fëmijë në Universitetin e Tiranës dhe të Elbasanit. Odhise Grillo ka qenë anëtar i disa bordeve të revistave që dalin në Shqipëri, në Kosovë dhe në Shkup e Tetovë. Odhise Grillo mban titullin “Profesor” dhe Mjeshtër i madh”. Vjershën e parë e ka botuar në vitin 1947, ndërsa librin e parë “Shtatë ngjyrat”, në vitin 1954.
Në jetën e gjatë krijuese ai numëron qindra tituj për fëmijë, mes të cilëve, të paharrueshëm për fëmijë janë “Gabimet e Veshkaushit”, “Aventurat e maçokut”, “Pesëqind grosh”, “Një njeri bëhet majmun”, “Qau e qeshi Pallaveshi”, “Kur njerëzit kishin bisht”, “Një zog këndon e qan”, ” Vuuu gënjeshtra, gërrr paratë”, “Tradhti në sarajet Topiase”, “Hajduti me çizme”, “Dy gomarë këngëtarë”, “Mollët magjike”, etj. Një numër i madh titujsh të tij është botuar në Kosovë dhe Maqedoni, ndërkohë që shumë prej tyre janë përkthyer edhe në greqisht, maqedonisht, italisht, madje dhe arabisht.
Në kërë rast lirika patriotike për fëmijë është shumë emocionuese dhe e fuqishme; dashuria për prindërit, vendin, tokën, detin, hënën, diellin, puhizën, ylberin, lojërat, përmblidhen me një fjalë simbolike: ATDHEU. Por autori shumë bukur kërkon të përcjellë tek të vegjlit jo vetëm ndjenjën patriotike, por kërkon t’i nxisë dhe të japë informacione të mëtejshme përmes vendeve, njerëzve, ngjarjeve të ndryshme për këtë vend të shenjtë, Atdhe.
Krahas temës patriotike, autori një vend me rëndësi i kushton edhe trajtimit të temave dhe motiveve sociale.Një vlerë të veçantë në vjershat e fabulat e Odhise Grillos përbën humori që i përshkon ato. Me humor fëmija i asimilon më mirë problemet që i parashtrohen në një vepër letrare. Kësisoj, humori është një cilësi që duhet të karakterizojë çdo krijim të letërsisë për fëmijë, qoftë në vargje a në prozë duke u bërë i dashur e i pëlqyeshëm nga lexuesit e moshave të njoma. Përmendim një vjershë të hershme, të viti 1954, që më tej edhe u muzikua e u bë një nga këngët më të hershme e më të pëlqyeshme për fëmijët e mbarë vendit tonë, Macja le të lahet. Me humor ajo luftonte bestytnitë e kota:
Mjau-mjau-mjau-mjau!
Një maçok fytyrën lau,
Gjyshja ime kur e pa,
– Do të bjerë shi!- na tha.
Po këtë humor e gjejmë edhe në vjershat të tjera, si fjalabie Ergysi e maçoku:
-O maçok mustaqekashtë,
A mësojmë të dy bashkë?
……………………………………
Mjau-mjau e pis-pis-pis,
Librit faqet mos ia gris!
Po ia grise faqet
Nuk të kam më shok
Dhe t’i pres…mustaqet!
Dëgjove, maçok!?
Vetë jeta e fëmijëve është e mbushur plot me çaste humoristike e gazmore, plot skena dëfryese e zbavitëse. Kështu ndodh dhe me vjershat e ciklit të pyetjeve Pse ashtu e pse kështu. Ato ndërtohen në formë dialogu. Me naivitetin e tij fëmija pyet dhe xhaxhi poeti i përgjigjet ose anasjelltas.është një bashkëbisedim i ngrohtë e i këndshëm që të fal gaz e të lumturon. Të gjithë e dimë se pse-ja është çelësi i botës për voglushët. Këtë qëllim ka patur dhe shkrimtari, të zbulojë dalëngadalë me anë të pyetjeve të gjithë botën duke zgjeruar hotizontin e tyre, si dhe duke i argëtuar. Humori si pasojë e naiviteti fëmijëror ekspozohet zakonisht nëpërmjet dialogëve që fëmijët bëjnë mes tyre ose me objekte të tjera duke lozur (lodra është një cilësi tjetër karakteristikë e botës fëminore).
Kështu në vjershën Pyet Miri, voglushi kërkon që të dijë përse kalliri i misrit mban goxha mustaqe? Dhe autori i përgjigjet se me të bima mbrohet nga zogjtë, shpon e largon çdo zog që e çuket dhe kërkon t’i grabitë ndonjë kokërr. Poeti Grillo, është njohës i mirë i botës psikologjike të fëmijëve, merr e trajton krijime që kanë në bazë jo vetëm humorin, lojën, informacionin e pasur për botën që na rrethon, por tregohet i kujdesshëm që krijimet e tij të kenë edhe cilësi të tjera artistike, ngjyrimin e pasur, ritmin e rimën etj. Poeti është mjeshtër në thurjen e vargut. Ai varg është gjithnjë i rregullt, i matur, me rimë e me ritëm, ka muzikalitet.
Rimat poeti i zgjedh me kujdes, theksat godasin ritmikisht. Autori përdor vargun tetërrokësh, por sipas moshës së cilës i drejtohet dhe sipas temës e ngjarjes që trajton, nuk mungojnë edhe masat e tjera, nga katër deri te njëmbëdhjetërrokëshi. Madje, shpesh, për t’i dhënë dinamizëm, vargu thyhet:
Po pse sqapi brikrenar
Mjekër mban
Si shkencëtar?
Ose:
Pesë e dy sa bëjnë?
Shtatë…
Qofsh si gjyshi jetëgjatë!
Të larmishme janë edhe strofat në të cilat i organizon vargjet:
zakonisht përdoret katrena, po edhe distiku, e më rrallë tercina, pentastiku, sestina etj.
Nga folklori, Odhise Grillo më së shumti e ka shfrytëzuar gjininë e përrallës, si në vargje ashtu dhe prozë. Për këtë flasin veprat: Shtatë ngjyrat, Do thërras maçokun të të krehë flokun, Kush e ka kapuçin?.. Por, nuk janë të pakta as veprat që kryesisht janë përralla në prozë, si: Gabimet e Veshkaushit, Vëllai i Veshkaushit, Shokët e Veshkaushit, Miqtë e Veshkaush Llapushit, Të fala nga një dhelpër, Shtriga që prodhonte gomarë, Hajduti me çizme, Dy gomarë këngëtarë, Mollët magjike etj.
Këto vepra të Grillos dëshmojnë se me sa fuqi krijuese është paraqitur vlera e përgjithshme e përrallës në të gjitha aspektet e saj. Në këtë sigurisht ka ndikuar e vërteta se “fëmijët për herë të parë marrin kontakt me letërsinë nëpërmjet përrallës, prandaj edhe funksioni i saj si mjet për pasqyrimin e njohjen e realitetit, merr një vlerë të posaçme dhe të rëndësishme.
Lidhur me rëndësinë e përrallave dhe krijimeve të tjera popullore vetë shkrimtari Odhise K. Grillo thotë:“…përralla, ashtu si dhe gjëegjëzat, legjendat, këngët e ndonjë lloj tjetër, janë udhëtare. Duke kaluar gojë më gojë e duke u përkthyer, ato kalojnë sa nga një vend në tjetrin dhe i huajnë ( huazojnë ) elemente, fabula, ngjarje, fantazi etj. njëra – tjetrës.”105
Ky autor i një numri të madh përrallash për fëmijë, përveç që është marrë me artin e krijimit të përrallave, ka dhënë edhe mendime të çmuara lidhur me krijimin e përrallës. Imazhin e kësaj përvoje autori e shfaq përmbledhjen me përralla Kur kendon Guguftuja, ku përfshihen 38 përralla të zgjedhura, magjepëse e plot ndodhi të bukura, të shkruara me ndjenjë e pasion.
Krijuesi i Picimulit, maces Mjaulina, maçokut Piso e shumë e shumë personazheve të tjerë, shfaqet me aventura argëtuese e të çuditshme, që i bëjnë të mëdhenjtë e të vegjëlit të besojnë se ekziston me të vërtetë edhe një botë tjetër, ajo e ëndrrës, e fantastikes ku të gjithë mund të bëhen protagonistë.
Veshllapushi, Veshkaushi, Lulushi, gjahtari Abu-Abu, Qerosi, Xhombo-Xhumba, Guguftuja, Zhik-Zhaku etj, janë disa nga personazhet fantastikë që kanë aftësinë t’i përfshijnë fëmijët në botën e bukur të magjisë së përrallës. Përmbledhja me përralla dallohet për vlerat edukative të Odhise K. Grillo, Panoramë letrare – 3 (Nëpër faqet e letërsisë sonë për fëmijë), Botimet Toena, Tiranë, 2000, fq. 51. padiskutueshme, stil të veçantë, thjeshtësinë e të rrëfyerit, gjetjet shqipe, duke e bërë të pëlqyeshme dhe njëkohësishtë të dashur për fëmijët. Duke lexuar vëllimin Kur këndon Guguftuja ndjen imagjinatën e shkrimtarit, prek botën e tij fantastike, e cila e shpie larg në mendime dhe lexuesi e shikon veten të rrethuar nga personazhet e dashura të përrallave, futet brenda botës së kafshëve dhe ndjen kënaqësinë e mjeshtërisë së të treguarit.
Mjaft interesante është dhe përralla Katër fjalë… magjike nga përmbledhjë Shoqata “me lugë në gojë”.
Studiues i pasionuar dhe njohës i mirë i kësaj dege të letërsisë, Grillo, me të drejtë i këshillon shkrimtarët për fëmijë që në veprat e veta “edhe titujt duhet të jenë të gjetur bukur, intrigues e interesantë që ta tërheqin lexuesin e vogël”. Nëse titulli tek fëmijët nuk do të shfaqë ndjenjën e kuriozitetit atëherë ata do ta kishin të vështirë ta shfletonin.
Edukative është edhe përralla “Kush e ka kapuçin”, ku edhe lepuri si një mendjemadh, përfundon keq, bie në duart e gjuetarit Ali, por edhe gjuetari Ali, i cili pasi e gjuan lepurin, ia merr lekurën dhe nga ajo ndërton një kapuç të bukur, bëhet mendjemadh dhe vetes së tij i vë lloj – lloj nofkash e epitetesh. Largohet nga shokët dhe gjithmonë lëvdohet pa masë, saqë ata i nevrikos dhe i fillojnë ta urrejnë. Kështu edhe këtij i vjen fundi i lavdisë, kur një ditë një erë e furishme ia merr kapuçin dhe ia humb pa nam e pa nishan.
Kjo përrallë ka personazhe njerëz dhe kafshë: Porosia është se kushdo që të jetë nuk duhet të lëvdohet karshi të tjerëve që mund të jenë më të dobët, më të varfër, më të paditur.
Autori përrallën e ka lënë me fund të hapur:
“Fëmijë të dashur, shihni në mes tuaj, mos vallë e ka gjetur, kapuçin e tretur, dhe e mban në kokë ndonjë shok i juaj? (1957)”, pra mendjemëdhenjtë vazhdojnë të jenë afër nesh, mes nesh dhe në rrethin tonë më të gjerë, por përfundimin edhe do ta kenë sikurse personazhet e lartpërmendur.
Interesante paraqitet dhe cikli i përrallave me Personazh Veshkaushin. Aty përfshihen mjaft ngjarje në të cilat gdhenden personazhe të spikatur me indivialitetet e tyre, që lënë gjurmë të thella në fantazinë e fëmijëve. Këto rrëfimeve përrallore mbartin jo vetëm vlera estetike, por edhe vlera edukative, mësimore, si dhe koloritin e një gjuhe të pasur.