Arben Çokaj
Vëllimi i ri me poezi “Ode për Shkodrën” i Kolec Traboinit më erdhi në dorë sot nga Sokol Pepushaj, i cili ishte në promovimin e librit, në ambientet e Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër. Do kisha marrë pjesë me kënaqësi në këtë promovim, pasi Kolën e kam mik të vjetër, por nuk e dija këtë gjë në fakt, derisa më erdhi libri në dorë nga Sokoli. I hodha një sy librit të ri të Kolës, dhe mendoj se Kola ka fuqi poetike dhe di të shkruajë bukur. Dhe më vjen mirë, që është vlerësuar me disa çmime gjatë jetës e karrierës së tij. Dhe i fundit është edhe titulli “Mjeshtër i Madh” i akorduar nga Presidenti i Republikës në vitin 2017. Kola e meriton plotësisht këtë titull, padyshim, se i tillë është, Mjeshtër i Madh.
Në librin e tij me poezi “Ode për Shkodrën“, Kola përmbledh poezi për vendlindjen e tij, e cila ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjën e poetit tashmë të mirënjohur. Fëmijëria e Kolës ka qenë disi tragjike dhe mjaft e trishtueshme, dhe kjo ka ndikuar padyshim edhe në formimin e tij si artist e si njeri. I ati, patrioti e mësuesi, Palok Traboini i vdes kur Kola ishte vetëm 5 vjeç. Kur ishte rreth 16 vjeç, Kolës i vdes edhe Dada Katrinë, e shoqja e të atit, e cila ishte kujdesur për Kolën, sikur ta kishte djalë, pas vdekjes së të atit.
Katrina Skanjeti ishte e bija e motrës Tone, motra e Kolë Idromenos, e pikturuar në pikturën e famshme, që konsiderohet edhe si Monaliza shqiptare. Ajo nuk pati asnjë fëmijë me Palokën, e kështu, i dha të drejtë atij të martohet me një grua tjetër, nga ku lindi edhe Kola. Por me vdekjen e Palokës, Katrina u kujdes për Kolecin, dhe e donte aq shumë, sa kur për shkak të komplikacioneve nga një operacion në spital, tregon Koleci në shënimet e tij në fund të librit, POETIKA E FËMINISË, ajo nuk donte aspak ta shqetësonte Kolecin në shkollën pedagogjike Tiranë, me problemet e saj, dhe vdiq. Dy vdekje kaq të rëndësishme në një kohë të shkurtër nga njëra – tjetra ishin shkatëruese për Kolecin e vogël, aq më tepër kur dy njerëzit më të dashur të tij, nuk i lanë asgjë, as edhe një kujtim… Kur Kola u kthye nga Tirana, mori vesh se Dada Katrinë kishte vdekur dhe ishte varrosur në varrezart e Rrmajit, aty bashkë me të atin e tij.
Gjatë jetës së tij, Koleci eci nëpër rrugë të vështira, por u shqua për talentin e tij prej artisti në disa fusha, në prozë e poezi, por edhe në kinematografi, sidomos atë si skenarist i filmave dokumentarë. Dhe nuk e harroi kurrë Shkodrën, as Malësinë e Madhe, Hotin e Grudën, nga ku e kishte origjinën i ati i tij Paloka, trimi i Ded Gjo’ Lulit, në luftërat e malësorëve, për të mbrojtur trojet e Malësisë. Kola është një patriot shqiptar, bir patrioti, por edhe një artist e poet i ndjeshëm, dhe intolerant kundrejt padrejtësive. Prandaj e ndesh Kolën shpesh në konflikt me secilën qeveri, që e drejton vendin, gjithmonë në opozitë, ngjashëm edhe me Sokolin. Kjo u jep kosto atyre, padyshim, dhe kokëdhimbje gjithashtu! Por Kola e Sokoli si malësorë, janë të dy polemista të pandreqshëm!
Libri me poezi “Ode për Shkodrën” është një përkushtim tjetër, që Kola i bën vendlindjes së vet. Po përfshij këtu edhe një poezi, me titull pikërisht titullin e librit, duke menduar se libri ka dalë në librari në Shkodër e Tiranë, ku edhe mund të blihet për 500 lekë.
PËR FUND, NJË SQARIM I PANEVOJSHËM:
(por që mendoj se i duhet atyre që na njohin, për të kuptuar marrëdhëniet tona)
Kolën e Sokolin i kam miq të dy, por nuk i kam miq në FB, sepse merren me diskutime të përhershme kundër Ramës e qeverisë, e unë në fakt, jam djegur e pjekur nga qeverisja e PD-së, dhe nuk më duket e arsyeshme të kapem edhe me Ramën e qeverinë e sotme, kur nuk kam arsye pse ta bëj këtë. Pasi unë mendoj se qeveria Rama, pavarësisht problemeve që ka qeverisja e Shqipëria, po punon më mirë se qeveritë e tjera, prandaj edhe uroj që punët të ecin kështu dhe më mirë se kaq, prandaj nuk kam arsye të sulmoj qeverinë, me idenë që të vijnë në pushtet disa tjerë, që prishin në vend që të ndërtojnë, që mund të punojnë më keq se Rama e qeveria e tij, se ashtu kanë treguar se dinë të punojnë, mbrapsht…
Pra, si sqarim publik me këtë rast, unë jam një person me bindje politike të djathta, Trumpist, deri diku konservative, por që në Shqipëri, kjo e djathtë, si thotë edhe këngëtari i njohur shkodran, Frederik Ndoci, nuk ka lindur ende, nuk ka ardhur. Kështu që jam faktikisht i zhgënjyer më shumë nga PD, se kemi pritur një performancë më të mirë të saj, se nga PS. Prandaj edhe në diskutimet e mia publike kohët e fundit, kam mbajtur një qëndrim pro-qeverisë shqiptare dhe pro kryeministrit Rama.
Kjo nuk dmth. se unë nuk i kritikoj ato veprime, që nuk i shërbejnë interesave të vendit, kur bëhen edhe nga qeveria Rama. Pra, nuk jam një militant politik apo partiak, por një analist politik racional, që mendoj se vendin tonë duhet ta bëjmë ne shqiptarët, si të tjerët që kanë bërë vendet e shtetet e tyre, dhe faktet tregojnë se e majta shqiptare ka bërë për vendin më shumë se e djathta shqiptare, e cila ka 30 vjet, që na kujton se ata kështu paskan qenë gjithmonë – njerëz të shitur e vasalë të pushtuesve të huaj, të turkut, grekut apo italianit, pa ndjenjat e nevojshme të nacionalizmit shqiptar, që normalisht duhet ta ketë e djathta e një vendi. Ne jemi fatkeqësisht një popull pa të djathtë, që t’i shërbejë vendit, e kjo na bën të shkojmë keq!
E djathta jonë shqiptare i pret zgjidhjet gjithmonë – ndër ta edhe Koli e Kola, nga të huajt, nga ndërkombëtarët, jo nga vetvetja, e jo nga shqiptarët. E kjo, edhe pse ka arsyet e veta, prapë se prapë është një fatalizëm i padobishëm, për të mos thënë i dëmshëm për vendin… Këtu dalloj unë me këta miqtë e mi në pikëpamje politike. Duke u përpjekur të shmangë diskutime të kota me Kolën e Sokolin, të cilat mund të na çojnë deri edhe të prishim miqësinë me njëri-tjetrin, unë kam zgjedhur të mos i kem miq në FB ata, në mënyrë që t’i kem miq në jetë! :p