Xhelal Zejneli
Dasmat në hapësirat shqiptare bëhen kryesisht në muajt korrik dhe gusht. Në këta dy muaj kthehen në vendlindje ata që punojnë apo që jetojnë në vendet e Perëndimit.
Karakteristikë e dasmave shqiptare kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë krismat. Kriset me revole, me pushkë, me pushkë automatike.
Krismat nuk kanë qenë vetëm karakteristikë e dasmave shqiptare. Nëpër dasma kanë krisur edhe popujt e tjerë të Ballkanit – malazeztë, boshnjakët, serbët, sllavo-maqedonasit… Krismat nëpër dasmat shqiptare si dhe në ato të popujve të tjerë të gadishullit, datojnë qysh nga e kaluara. Dukuria e krismave nëpër dasma, te popujt e tjerë të rajonit është reduktuar në minimum, ndërsa te shqiptarët, vazhdon edhe sot.
Krisma nëpër dasma kemi në të gjitha hapësirat shqiptare, ku më shumë e ku më pak. Krisin sidomos në Kosovë, krisin shqiptarët në Maqedoni, krisin shqiptarët në Mal të Zi. Krisma dëgjohen edhe në ca vise të veriut të Shqipërisë.
Në të kaluarën jo të largët, shqiptari ka krisur me pushkë edhe kur i ka lindur djalë, sidomos djalë pas shumë vajzave. Krisma mbi këtë bazë sot ndodhin rrallë.
Krismat në botën shqiptare, gjatë ceremonive martesore praktikohen sot e kësaj dite. Shqiptari kris me alltie në çastin kur dasmorët nisen për ta marrë nusen. Ndodh të krisin edhe në çastin kur tanimë e kanë marrë nusen. Krismat dëgjohen sidomos kur nusja dhe krushqit mbërrijnë në shtëpinë e dhëndrit.
Krisma ka edhe në dasmat e synetit.
Kush janë ata që qesin pushkë në dasma? Ky mund të jetë daja i dhëndrit, xhaxhai i dhëndrit, shoku apo shokët e ngushtë të dhëndrit. Ndodh të krisë edhe vëllai i dhëndrit apo edhe babai i tij. Shpesh ndodh të shtie me allti edhe ndonjë person, i cili nuk i takon rrethit të afërt të dhëndrit.
Organizimi i ceremonisë së dasmës nëpër sallone dasmash, i bën të pamundura krismat. Nuk mund të krisësh në tavanin e sallonit. Por, nuk përjashtohet mundësia e krisjes në hapësirat përreth tij.
Një pjesë e dasmës bëhet në shtëpinë e dhëndrit ku të krisurit krisin sa të duan, e për fat të keq – edhe si të duan. Pas kësaj, shkojnë në sallon ku krismat ndalen apo pushojnë.
Krisma ka, si në dasmat e qytetit, ashtu edhe në ato të fshatit. Për shkak të rrethanave më të volitshme, krismat nëpër dasmat e fshatit, sidomos nëpër ato të malësisë, janë një dukuri e shpeshtë. Qyteti është zonë urbane, ndaj krismat janë më të rralla. Megjithëkëtë, krisma ka.
Ç’domethënie kanë krismat? Në një familje, në një fis apo në një “shoqëri” ku kriset, ata që krisin pandehin se demonstrojnë forcë, epërsi, burrëri dhe trimëri. Ndaj kujt ky demonstrim force, burrërie, epërsie dhe trimërie?! Mos ndoshta ndaj fqinjit, ndaj lagjes, ndaj fshatit?! Apo ndaj ligjit dhe kundër tij?!
Krismat nëpër dasma ndodhin dhe praktikohen te popujt me shkallë të ulët të kulturës, d.m.th. të qytetërimit. Popujt që krisin nëpër dasma, më parë se forcë, tregojnë nivel të ulët të emancipimit dhe të arsimimit. S’ka dyshim se individët që krisin nuk mund të identifikohen me tërë një popull. Shoqëritë ku kriset, më parë se trimëri, tregojnë prapambeturi dhe ngecje në zhvillim. Individët që krisin, më parë se burrëri, manifestojnë injorancë, prapambeturi dhe primitivizëm.
Shoqëritë në të cilat kriset janë shoqëri tradicionale, konservatore dhe patriarkale. Në shoqëritë e tilla mbizotëron mendësia provinciale dhe fshatarake. Shoqëritë në të cilat kriset, funksionojnë me mikrovlera dhe me mikrosisteme. Ato veprojnë në mikroplan.
Ne tregojmë forcë, burrëri dhe trimëri në oborrin e shtëpisë, para bashkëfshatarëve të lagjes apo të katundit, ndërsa popujt dhe shtetet që funksionojnë me makrovlera dhe me makrosisteme, e që veprojnë në makroplan, i pajisin ushtritë e veta me armatime bashkëkohore.
Shqiptarët janë të rrethuar me armiq, e atyre nuk do të mund t’u bëjnë ballë me alltie dasmash. Atëherë, përse krisma?! Kujt i duhen ato?! Shqiptarët synojnë integrimin në NATO dhe në BE. Vallë, në Evropë do të shkohet duke krisur me allti nëpër ceremoni gazmore?
Krisin të rinj e të moshuar, të pashkolluar dhe me shkollë. Ose më saktë, me gjysmë shkolle. Krisin ata të cilët s’kanë ku ta tregojnë veten me punë dhe me vepra që kanë vlerë dhe peshë. Ata që qesin pushkë nëpër dasma janë njerëz të frustruar. Nëpërmjet krismave dëshirojnë t’i shmangin frustracionet e veta dhe t’i shërojnë komplekset, sidomos komplekset e inferioritetit. Krisma në dasmë është e vetmja mënyrë që kjo kategori e njerëzve të vihet, qoftë edhe për pak sekonda, në qendër të vëmendjes të rrethit ku graviton. Krisin të krisurit.
Gjatë krismave nëpër dasma ka ndodhur të kenë rënë viktimë edhe gratë. Ka ndodhur që predha të jetë përplasur në beton ose në metal, të jetë kthyer dhe ta ketë goditur për vdekje gruan që ka qëlluar aty pranë. Kryerësi i krimit, në vend se në burg, pas disa vitesh kishte vajtur në haxhillëk.
* * *
Studenti i varfër por dorëdhënë, Rodion Romanoviç Raskollnikov i romanit “Krim dhe ndëshkim” të realistit rus Fjodor Mihajloviç Dostojevski (1821-1881), për të dalë nga varfëria vrau me sëpatë dhe me paramendim plakën Alona Ivanovna, e cila jepte para me fajde. Sakaq, vrau edhe motrën e saj Lizaveta Ivanovna, por tani jo me paramendim. Askush s’e pa. Filloi lufta e tmerrshme e tij me ndërgjegjen e vet. Tri ditë nuk diti për veten.
Krimin e bërë ia tregoi vetëm 18-vjeçares Sofja (Sonja) Marmeladova, të cilën varfëria e kishte shpënë në rrugët e prostitucionit. “Kam vrarë veten dhe jo plakën” – i tha asaj Raskollnikovi. E tmerruar, ajo i sugjeroi që sa më parë t’i dorëzohet policisë. “Pranoje krimin dhe vuaje dënimin që të shkarkohesh sadopak nga barra e rëndë, që ke në ndërgjegje”. Pas një gjykimi pesëmuajsh, u dënua dhe u dërgua në Siberi.
Paraqitjen në organet e rendit dhe pranimin e veprës së kryer, trimat e dasmave tona pothuajse kurrë s’e kanë bërë. Për vrasjen e ndërgjegjes apo të gjumit të pafajshëm makbethian le të mendojnë vetë.
Të krisësh në dasmë në shekullin XXI në një shtet evropian si Maqedonia është absurde. Të kriset në dasma në një qytet me universitete, është diçka që njeriu normal s’mund ta marrë me mend. Të krisësh në ceremoni gazmore dhe të thuash synojmë BE-në, është sa tragjike, aq edhe komike. Është tragjikomike. O tempora, o mores!
Një familje, më parë se gjashtëshe, revole dhe pushkë, duhet të ketë në shtëpi bibliotekë, libra dhe lektyra shkollore për fëmijët që ndjekin shkollimin. Armët dhe armatimet i ka shteti, i ka ushtria, i kanë forcat e armatosura të shtetit. Armë e fortë e një populli është shteti ligjor, sistemi demokratik si dhe ekonomia e zhvilluar. Armë e fuqishme e një populli është arsimimi cilësor. S’ka armë më të fuqishme se arsimimi cilësor.
Arsimi i mirëfilltë të sjellë edhe zhvillimin ekonomik. Forca e një shoqërie është, jo krisma me alltie nëpër dasma, por krijimi i kushteve për ndaljen e emigrimit të të rinjve. Në ka pakënaqësi për raportet ndëretnike, atëherë duhet ditur se çështjet e tilla nuk zgjidhen me alltinë e atij, që e ruan në dollapin e shtëpisë. Sot është koha kur veprohet me mjete politike dhe demokratike.
Krismat nëpër dasmat e verës mund të përfundojnë me plagosje të rëndë, por edhe me humbje jete. Bie viktimë i pafajshmi. Pëson tronditje shpirtërore, jo vetëm një familje, por një varg familjesh që janë të afërm të të plagosurit. Përjetojnë tmerr bashkëshortja, prindërit, sidomos nënat e të lënduarit rëndë. Ankthi i pushton sidomos fëmijët e viktimës. Nën ankth ndodhen edhe të afërmit e tij.
Pësojnë, nga kush? Nga ata që krisin e që janë, sa megalomanë, arrogantë dhe mendjemëdhenj, po aq edhe mendjelehtë, primitivë dhe injorantë. Midis tyre ka edhe të tillë që janë paranojakë, egocentrikë dhe ekscentrikë. Një ditë, plagët mbase edhe mjekohen, por kush i shëron pasojat, tronditjet shpirtërore, tmerrin, stresin, ankthin dhe makthin. Plaga në shpirtit mbetet përjetë. Ndodh që i plagosuri të mbetet pa sy. I goditur në shtyllën kurrizore, mund të mbetet tërë jetën invalid. Përse?! Për marrëzinë dhe çmendurinë e ndonjë të pamaturi.
Ka pasur raste kur zoti i dasmës, me të dëgjuar krismat e para, ka reaguar përnjëherë: “Dihet ku mund të përdoren armët. Ato janë për luftë dhe jo për dasmë. Në vitin 2001, krisi kush krisi. Koha e krismave mbaroi. Le ta shijomë jehonën e këngës së bukur shqipe”.
Dasmori që i tha këto fjalë, nuk kishte shumë shkollë, por ishte racional. I ri për nga mosha, ishte prej fshatit Poroj, nga Poroji i Mujdin Aliut, heroit të Koshares, i cili ra në altarin e lirisë, për çlirimin e tokës arbërore nga pushtuesit serbë.
Organizmat e shoqërisë civile me veprimtaritë e veta mund të kontribuojnë në ndërgjegjësimin e shoqërisë për t’u dhënë fund krismave nëpër ceremonitë gazmore. Kush ka të drejtë ta prishë ahengun e një dasmori, i cili me vite e ka pritur atë ditë?!
Pushtetarët, sidomos ata të nivelit qendror, para këtyre ngjarjeve tragjike, groteske dhe bizare, duket sikur i mbyllin sytë. Po të veprojnë në frymën e ligjit, këtë praktikë apo dukuri anakronike, që i kthen shqiptarët në të shkuarën, shpejt mund ta ndalin. Krismat ndodhin, jo në juglindje të këtij vendi, por kryesisht në veriperëndim të tij, aty janë shqiptarët.