O Shpirt Shenjtë

0
737

O Shpirt Shenjt,
që mbushje me dritë Profetët
dhe ndizje fjalë zjarri mbi gojën e tyre,
kthehu e na fol me thekse shprese!
Copëto mburojën
që na ka mësuar të përshtatemi me mërgimin!
Zgjo ndër zemra nostalgji për çdo atdhe të humbur!
Largoji frikat tona! Na shkund nga bashkëpunimi me krimin!
Na liro nga trishtimi i mosdijes për t’u zemëruar
për sa herë shkelim mbi të drejtat e të varfërve!
Dhe na liro nga tragjedia që na bën të njohim
se fabrikat e para të dhunës e të padrejtësisë
banojnë në zemrat tona!

Na jep gëzimin që të kuptojmë se Ti nuk flet
vetëm nga mikrofonat e Kishave tona!
Që askush nuk mund të ketë krenarinë se të zotëron.
Dhe që, nëse farat e Fjalës
janë të përhapura në të gjitha lulishtet,
është edhe e vërtetë se rënkimet e tua
shprehen në lotët
e muhamedanëve dhe në të vërtetën e budistëve,
në dashuritë e induistëve dhe në buzëqeshjen e idhujtarëve,
në fjalët e bukura të paganëve
dhe në ndershmërinë e ateistëve.

+ Don Tonino Bello

Përktheu: Nikolin Sh. Lëmezhi