Shkruan Prof. Zymer Mehani
O njeri, po të them pa dyshim: Je vëllai im! Nuk të pyes çka je dhe kush je, por a punon, trurin tënd a e arsimon, dhe nëse më thua PO, jo me fjalë, por me vepër, atëherë urdhëro, eja këtu tek unë!
Njeriun njëherë e mëson jeta, pastaj shkolla. Ashtu siç kemi në shkollë banka, karriga dhe orendi tjera, edhe në jetë kemi gurë, kodra, male, furtuna, stuhi, dhe ajo është shkollë për secilin. Shkolla e jetës është më e madhe se kjo e jona. Ku të kanë hudhë stuhitë e saj?
Më përpara si keni jetuar? Çfarë ke mësuar deri tani? Këto janë tri çështje, që e pasurojnë dhe e vlerësojnë jetën. Jeta është një histori e tërë. Në faqet e saj gjeta thesare të çmuara, por edhe padrejtësi, skamje, skena me papunësi, njerëz që kërkojnë mëshirë dhe njerëz që nuk dinë çfarë të bëjnë me pasurinë. E kjo është jeta: disa dalin mendsh prej pasurisë dhe të hollave.
Xhindosen nëpër lokale, pijnë, thyejnë e shkatërrojnë. Në anën tjetër sheh fytyra të zbeta në çdo rrugë dhe rrugicë duke shtrirë duart për lëmoshë, për një mëshirë, një ekzistencë të thjeshtë, për mbijetesë. Një vullnet të pathyeshëm, një moral të plotfuqishëm, sikur nga shpirti i tyre të dilte fjala: Dua të jetoj! a durohet kjo gjendje? Jo. nuk durohet.
Çfarë duhet bërë?! Gjendja ndryshohet me dituri dhe me shkollim, prandaj mendjen ta arsimojmë me vlera të larta. Ta pasurojmë atë. Është koha kur duhet të punojmë shumë. Kohë kur ideal i vetëm është arsimi. Për mua ideali i vetëm ka qenë ta shoh popullin tim të lirë, në truallin e tij të dëlirë. Gjithçka mirë do të ishte, sikur më tepër të punojmë dh egoizma të mos kishte. Ta shfrytëzojmë kohën me punë të mëdha.
Armik numër një te ne është korrupsioni, që e pengon zhvillimin e shoqërisë sonë dhe të shtetit. Ky është fenomen i shëmtuar dhe i egër. Është rrezik i madh që sa vjen e shtohet dhe mandej është shumë vështirë të shërohet. Çdo gjë mirë do të bëhet, nëse punojmë dhe mësojmë natë e ditë. Të mos harrojmë se për kohën tonë vetëm një alternativë ekziston: mësim, punë, mësim. Drita jonë është shkolla.
Librin, vetëm librin: liria e çdokujt gjendet në faqet e arta të librave. Ushqimi i shpirtit për çdokë është libri. Prehje e ëmbël, këngë e vuajtjeve, jehonë e jetës vetëm libri është, Lexoni, vetëm lexoni! Atje e gjeni frymën e pavdekshme të kohës; e gjeni idenë e bukur dhe kuptimin e jetës, plasaritjet e shekujve dhe kumtesën e së vërtetës.