AKTUALE
NGA: BEQIR SINA, NEW YORK MË: 5 MARS 2020 NË BOTASOT.INFO
“Si një diplomat, Richard Grenelli nuk është se është shquar ndonjëherë për diplomaci. I përballur me refuzimin për një vend pune në një bankë, disa vjet më parë, ai u përgjigj me një seri emailash paralajmërues. I pakënaqur si zëdhënës për Politikë të Jashtme të ekipit zgjedhor të Mitt Romneyt, ai doli me një breshëri kritikash. Qasja e tij pro-konfrontimit madje kishte bërë që një prej zyrtareve më të larta të administratës Obama, Susan E. Rice, ta quante ‘njërin prej njerëzve më të papërshtatshëm, të pasinqertë që kam takuar ndonjëherë’, teksa disa politikanë gjermanë kërkuan që ai të tërhiqej nga posti i tij si ambasador i SHBA-së në Berlin. Karriera e tij ishte ndërtuar mbi raportet me mediat, por kritikat që po ua bën gazetarëve përmes “Twitter-it” e kanë bërë të veten”.
Kështu e përmbledh gazeta “New York Times” portretin e Richard Grenellit, të dërguarit Trump-it për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Grenelli rishtazi është emëruar prej Trump-it ushtrues detyre i Drejtorit të inteligjencës amerikane, derisa në të njëjtën kohë është ambasador i SHBA-së në Gjermani.
Emërimi i tij në krye të shërbimeve amerikane të inteligjencës kishte ngjallur kritika në SHBA, teksa shumë politikanë i janë referuar mungesës së përvojës së tij në këtë drejtim.
“New York Times” përmes një shkrimi për të, publikuar të enjten, përmend faktet kryesore të biografisë së Grenellit. Ai ishte rritur në një familje të krishterësh evangjelikë. Më 2001, ai i ishte bashkuar misionit të SHBA-së në OKB, si zëdhënës.
“Në OKB, Grenelli kishte punuar për katër ambasadorë amerikanë gjatë administratës Bush, përfshirë për John R. Boltonin, që më pas do të bëhej këshilltar i Trump-it për Siguri Kombëtare. Grenelli ishte shpesh i pranishëm gjatë debateve politike dhe u zhyt në çështjet e lidhura me sigurinë amerikane, të cilat e preokuponin administratën e asokohshme, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të 2001-tës”, shkruan gazeta.
“New York Times” përmend edhe faktin se gjatë vitit 2016, Grenelli e kishte kritikuar Trump-in përmes “Twitter”-it, por pasi që Trumpi e kishte siguruar nominimin “ai ndërroi anë”.
“Ai vuri në përdorim aleatët republikanë dhe donatorët, për t’ia siguruar një vend pune në administratë, duke u bërë më në fund njeriu i Trump-it në Berlin”.
Në një intervistë për “Breitbart News” më 2018, në rezidencën e tij në Berlin, ai kishte thënë: “Absolutisht dua që të fuqizoj konservatorët tjerë nëpër Evropë, liderët tjerë”.
“Grenelli, që nuk e flet gjermanishten, po ashtu kishte ndërmarrë një ofensivë sharmi në Berlin, posaçërisht midis medieve që mund të konsideroheshin miqësore, përfshirë një revistë gjermane e quajtur ‘Dogs’, revistë kjo për adhuruesit e qejve. Ai ftoi gazetarët për drekë, ua shprehu atyre adhurimin që ka për veturat gjermane dhe shpërndau një video të vitit të parë të qenit të tij në Berlin”, shkruan “New York Times”.
Ai e ka nxitur Gjermaninë që ta rrisë buxhetin, për t’i përmbushur standardet e NATO-s si dhe për ta përjashtuar “Huawei”-n, gjigantin kinez të telekomit nga ndërtimi i rrjetit 5G në shtetin gjerman.
“Ta kujtojmë se fjala gjermane për udhëheqës është ‘fuehrer’, e përafërt me fjalën që e kishin përdorur për Hitlerin”, kishte thënë ai në një intervistë të kohëmëparshme për “Blaze TV”. “E kështu, shumë herë, të flasësh për të qenit lider ngjall stereotipe negative. Mundohu të bëhesh ambasador amerikan në Gjermani, duke ua kërkuar gjermanëve të bëjnë më shumë pa e përdorur fjalën ‘udhëheqës’”, kishte thënë ai, deklarata këto që ishin pritur pozitivisht nga përkrahës të Trump-it.
Grennelli eshte perfaqesues i STATE DEPARTMENT…
CASE CLOSED.
Komentet janë mbyllur.