N’VEND TË VELLOS IA VË PLISIN

0
3383
Sheremet Prokshi

Sheremet Prokshi

( Poemë )

Ç’farë këndojnë zogjët këtë ditë
Kënaqësi i dhurojnë malit,
Gjyshi plak qeleshe bardhë
E marton vajzën e djalit.
Pa nis atin i afrohet
N’vend të vellos ia vë plisin,
Shko i thot, bija e gjyshit
Strehë të mbrojtjes e ke lisin!
I ke lugjet, i ke brigjet
E ke dheun e tokës mëmë,
I ke kodrat, i ke shkrepat
Me burrë pritë ke për të zënë.
Shko moj Shotë moj bukuroshe
Se ka dalë trimi në vrri,
Por kujdes për plis të kokës
Do ta ruash si njërin sy.
E si tjetrin ta ruash nderin
Zogzë e gjyshit si selvi,
Ti prej tash je e Azemit
Ai të do si sytë e tij.
Niset Shota pëllumbeshë
Takon trimin atdhetar,
Dhjetra burra një nga një
I urojnë fatin e mbarë.
Marrin hapin rrezë një mali
S’kishin kohë as të pushojnë,
Ai vit lufte ashpërsohej
Duhej nusen ta ushtrojnë.
E veshur me tirq të zi
Me këmishë e xhamadan,
Gjuaj, i thot një mjeshtër arme
Ja ku vëra një filxhan.
Qeshin burrat me një zë
Sa drejtonte armën Shota,
Me një plumb, o veç një plumb
E theu kupën copa-copa.
Hoqen plisat n’shenj rrespekti
E disa varën mustaqet,
Kur e panë këtë sokoleshë
Si vetimë qëllonte caçet.
Dy – tre tjerë mbetën të shtangur
Pyesnin veten, çfarë po ngjet?
Është perri apo zanë mali
As nga ati nuk po zbret?!.
Njëri tha çfarë pashë unë sot
As në ëndërr s’kam pa kurrë,
Athua zbret diku nga qielli
Kjo hyjneshë veshur si burrë.
Qoftë me fat o Azem Bejta
Nusja juaj me plis të ri,
I ka dhënë forcë çetës sonë
E ka ndrit sot këtë malësi.
Vazhdojnë rrugën me trok kali
Jo fort larg nga Qyqavica,
I pritnin me petlla rrugës
Bashkëfshatarët nga Galica.
Ndihej krisma rramb e bumb
Nga tupanat dridhej votra,
Të parët thirrën fëmijët:
“Po vjen Shota, po vjen Shota”!…
Dhe pas krismës këngë për nuse
S’ka të ndalur asnjëherë,
Pritnin burrat rend e rend
Ndërsa gratë hudhnin sheqer.
Veç të shihnit si zbret Shota
Duke vënë gërshetin prapa,
Bashkë me burrin me ngadalë
Nisin vallen hapa-hapa.
Lule moj-këndonin vajzat,
-Në fshat tonë mirë se ke ardhë!
Të ka hije xhamadani
E mbi kokë plisi i bardhë.
Të ka hije,n’gisht unaza
Ta ka blerë Azem Galica,
Fytyrë hëne, sy drenushe
Zanë e malit nga Drenica.
Sa mirë t’rrijnë tirqit në trup
Teleisur me gajtana,
A je djalë, o zot,çfarë je?!
Shotë moj shotë ty të pastë nana!…
Dhe kështu sa zgjaste dasma
Këndonin nuse e vajza,
Kenduan burrat n’tel lahute
Krer të zgjedhur për grykë pushke.

* * *

Zbehej terri në dritë hëne
Nis të zbardhë ag i mëngjesit,
Bijnë të flijnë dhëndrri e nusja
Po s’ka gjumë Shotë e Azemit.
Flet e pyet për atdhetarë
Për Hasanin, për Ahmetin,
Për Isanë e Mic Sokolin,
Dedë Gjo Lulin, Idriz Seferin.
Fli moj flij, i thot Azemi
Mbylli pakëz këta sy!
Se më duhen muaj e vite
Ti tregoj k’to histori.
Rreze dielli ndriçuan heshtur
Pak më ndryshe se çdo ditë,
E nga rojet erdhi lajmi
Armiku thanë ka zënë pritë.
Qohuni- ndihej të thirrte
Me zë t’lartë zoti shtëpisë,
Kanë rrethu fshatin katilat
Duan Azemit ti vëjnë pritë.
Sa dëgjoj Shota kreshnike
Mbi kokë vëri plis të bardhë,
Mori armë dhe nxori atin
Shikoj shtigjet kah kanë ardhë.
Veç të shihje këtë hyri
Si shaloj atin – Vetimë,
Si vështronte sokolesha
Këndej shpati në kodrinë.
Dhe sa doli nga oborri
Nisën krismat në breg fshati,
Sytë e saj si sy shqiponje
Marrin n’thumb një kokë xhelati.
Bisht nën këmbë bajlozat tjerë
Ikin malit të shpërndarë,
Ndërsa Shota fytyrë qeshur
Po kthehej me faqe t’bardhë.
Rrahë tupani, kërcasin pushkët
Fillon dasma përseri,
Bëjn’ një rreth burra e gra
Në mes hyn çifti i ri.
Si çdoherë vajzat në valle
Në këngë fjalët i rendisin,
Sikur rreze horizo
Trimërinë në qiell e ngrisin.

Gusht 2016, Drenas

Për nder të FESTËS SË PLISIT organizuar nga Poeteka Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi”, me krijime poezi / poemë, poet dhe poete nga të gjitha viset e Atdheut si dhe nga Diaspora, bazuar në konkursin me titull ” PLISI I VARGUT TIM”, në një ambient fushor të Dajtit jo fort larg Tiranës, juria e përbërë nga :

Kryetar: ….. ….Z. Hamit Aliaj
Sekretare :….. Znj. Xhane Imeraj
Anëtar: …. ……Z. Ibrahim Berjashi
Anëtar: ………. Z. Fejzulla Gjabri, ndau tri çmime për poezi dhe tri për poema.


→ Çmimet për poema:
Çmimi i parë: “PLISI I KËNGËS SIME ” – me autor NAMIK SELMANI
Çmimi i dytë: ” PLISI SHQIPTAR ” – me autore ZYRA AHMETAJ
Çmimi i tretë: ” N’VEND TË VELLOS IA VË PLISIN ” – me autor SHEREMET PROKSHI

Dërgoi për publikim, Ismet Tahiraj, poet