Nuk na janë tharë degët, është kalbur trungu

0
1022
Mentor Kikia

– Nga MENTOR KIKIA, voal.ch | 6 janar 2016

Pamjet e kamerave të fshehta që transmetuan kolegët tanë të “TV Klan” në emisionin e ri investigativ “Stop”, ishin vërtet të rënda. “Ekspertë” të mjedisit, duke numëruar paratë e ryshfetit për të lëshuar lejen mjedisore për bizneset. Është një histori që nuk na emocionon më kjo, pasi kamerat e emisioneve investigative kanë treguar vazhdimisht zyrtarë, nëpunës, drejtorë e gjykatës duke numëruar paratë e korrupsionit si të ishin në treg. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte jo korrupsioni dhe forma bastarde e zhvatjes, as degradimi i administratës, por mosha e re e nëpunësve të korruptuar. Ishin djem fare të rinj ata nëpunësit që numëronin paratë në lokal, pa asnjë drojë.

Është fatale të mendosh që këta janë brezi, tek i cili shumë njerëz shpresojnë se do të sjellë një mentalitet tjetër të të bërit shtet apo administratë. Korrupsioni nuk është produkt i një njeriu të pandershëm, por është një mekanizëm gjigant që funksionon si një shtet më vete. Një nëpunës që numëron paratë dhe sqaron se një pjesë e merr X drejtor, një pjesë Y drejtor, një pjesë një tjetër zyrtar… Korrupsioni nuk është thjesht një e keqe. Në kohën kur nuk ka një rrezik real nga fqinjët apo më tej, korrupsioni është rreziku më i madh edhe kombëtar.

Kam dëgjuar e lexuar shumë shqiptarë të thonë: Mjaft me këtë klasë politike, të vjetër e të korruptuar, duhen të rinj. A nuk mundet një gjeneratë e re ta marrë në dorë këtë vend? Vërtet, a mund të prodhojë një klasë të re politike shoqëria jonë? D.m.th. të re në moshë, të re në mentalitet, në ide, në dëshirë për të punuar dhe, mbi të gjitha, të pakorruptuar? Unë personalisht kam dyshuar gjithmonë që të rinjtë mund të jenë më të mirë se baballarët (biologjikë dhe politikë), e korruptuar dhe bastardë. Kjo për faktin se ata të tillë janë formuar e rritur, brenda atyre shkollave politike ku lënda më e rëndësishme që mësohet është “Doing corruption”. Por edhe sepse kam njohur boll nga ky soj të rinjsh, që sapo u është lënë në dorë një detyrë apo përgjegjësi, janë sulur më të babëzitur se të vjetrit. Me sa duket, nxitojnë për të fituar kohën e “humbur” prej moshës së re.

Këtë mendova edhe sapo pashë të rinjtë në videon e fshehtë që bënin pazaret e numëronin paratë.

Ky është fatalitet!

Shumë më e rëndë se vetë korruptimi i shtetit brinjë më brinjë, është korruptimi i shoqërisë në tërësi dhe veçanërisht të rinjve. Çdokush që mund të ketë në dorë, do të zhvasë. Madje është shndërruar në frymë, të rinj që në bankat e shkollës mendojnë t’i futen politikës si mënyra më e mirë për të gjetur punë e për t’u pasuruar shpejt. Është një situatë për të cilën është punuar gjatë të arrihet deri këtu. Janë të rinj që kanë blerë diplomat me para(por jo vetëm ata), që kanë mbërritur në zyrat e shtetit përmes forumeve rinore partiake dhe gjëja që dinë më mirë, apo kanë mësuar më mirë të bëjnë, është të zhvasin. Në rastin më të mirë ata janë sekserët e shefave të tyre. Por ama janë ingranazhe të një makinerie zhvatëse e shkatërruese.

Kjo situatë ka prodhuar tërë pezmin e madh që ka përfshirë shoqërinë, një shoqëri që është në startin e arratisë masive nga vendi i saj. Shqipëria nuk është në kushtet kur ka një administratë apo shtet të korruptuar e të inkriminuar, por është në kushtet e ekzistencializmit të saj. Studimet e BB-së flasin se deri në fund të këtij shekulli, pak më shumë se 80 vjet, vendi do të ketë humbur mbi 40% të popullsisë. Por ritmet tona të largimit dhe reduktimi i shtimit natyral të popullsisë mund ta përshpejtojnë këtë parashikim.

Kur sëmundja të prek një gjymtyrë apo një organ, edhe mund të shërohesh. Por kur të prek tërë organizmin, çdo qelizë të trupit, atëherë nuk ka shpëtim.
Kur një peme i janë tharë disa degë, ato priten që të lulëzojnë të tjerat. Por kur i janë kalbur rrënjët dhe trungu, atëherë krasitjet nuk sjellin efekt.

Mund të duken fataliste këto që po shkruaj, por nuk gjej fjalë tjetër për të përshkruar ndjesinë që më dhanë skenat kur shihja ata të rinj që numëronin paratë. Ata që duhet të përfaqësojnë energjinë më pozitive të një shoqërie.