“Nuk kisha lekë të blija ‘Dimrin e madh’ të Kadaresë dhe fshehurazi grisa dyshekun, e mora aty…”/ Dëshmia e rrallë e poetit që u arratis në ’90-ën në SHBA: Në familjen tonë flinim pa bukë…

0
148
Gjekë Marinaj

Dashnor Kaloçi, Memorie.al dhe Panorama.com.al

Publikohet historia e panjohur e Gjek Nik Marinaj me origjinë nga fshati Brrut i Bajzës së Kastratit në Malësinë e Madhe, fëmija i shtatë i një prej familjeve më të varfra të asaj krahine, e cila jetonte në një varfëri të tejskajshme, aq sa shpesh herë ata flinin pa ngrënë bukë.

Nga pasioni i madh që Gjeka kishte për librat dhe poezinë, në vitin 1981 kur doli botimi i tretë i “Dimri i vetmisë madhe” i Kadaresë, ai u detyrua dhe fshehurazi prindërve, grisi dyshekun e leshin që nxori prej aty, e shiti në pazar dhe me lekët e fituara, bleu romanin e shkrimtarit të njohur që ai e kishte idhull. Dëshmitë e rralla të Gjek Marinajt për mjerimin e madh ku jetonte asokohe familja e tij si dhe pasionin e madh që ai kishte për poezinë, aq sa në vitin 1990, me ndihmën e miqve të tij, poetëve e shkrimtarëve të njohur, Zija Çela dhe Rudolf Marku, si dhe dashamirësinë e Ndoc Gjetjes, ai arriti që të botonte një cikël me poezi në gazetën “Drita”.

Si e kujton sot pas 31 vitesh, Rudlof Marku, njohjen dhe miqësinë me djaloshin e ri tepër të talentuar nga Malësia e Madhe, poezia e të cilit e titulluar “Kuajt”, bëri bujë të madhe dhe pati një jehonë të jashtëzakonshme, aq sa i gjithë tirazhi i asaj gazete, u shit menjëherë në të gjitha qytetet e vendit dhe njerëzit e mbanin atë në xhep, sikur të ishte një trakt me përmbajtje antikomuniste, duke i’a lexuar njëri tjetrit fshehurazi, edhe pse ajo ishte botuar në gazetë! Dëshmia e shkrimtari Nasi Lera, për botimin e asaj poezie që tronditi jo vetëm Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, por shkaktoi pështjellim deri në Komitetin e Partisë së Tiranës, nga ku e telefonuan duke i kërkuar llogari, sepse ishte botuar një poezi e tillë! Zhurma që shkaktoi në rrethin e Shkodrës botimi i asaj poezie, aq sa Gjeka u njoftua të paraqitej në Degën e Punëve të Brendshme, gjë e cila e detyroi atë që të arratisej nga Shqipëria për në Jugosllavi dhe më pas në SHBA-ve, ku jeton prej 31 vitesh…!

Gjekë Marinaj - ditën kur u botuan kuajtGjekë Marinaj – ditën kur u botuan kuajt – një malësor i varfër, por krenar!

Ishte e diela e fundit e muajit gusht të vitit 1990-të, kur në një cep të gazetës letrare “Drita”, ishte botuar një poezi e shkurtër e titulluar “Kuajt”, e cila tërhoqi vëmendjen e lexuesve të shumë dhe bëri një bujë, aq sa tirazhi i madh i gazetës së njohur u shit brenda ditës. Po ç’ishte ajo poezi, kush ishte autori i saj e çfarë thuhej aty në ato pak rreshta që njerëzit e shumtë filluan ta kopjojnë e ta shpërndajnë fshehurazi me njeri-tjetrin nëpër copa letrash, ndonëse ajo ishte e botuar në shtypin zyrtar?

Gjek Nik Marinaj, i vendosur në Richardson të Texas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jeton që nga viti 1990, kur u arratis nga Shqipëria pas botimit të poezisë së famshme, rrëfen për Memorie.al, gjithçka nga ajo ngjarje e largët e 31 viteve të shkuara, kur ato pak vargje vunë në pështjellim deri majën e piramidës së shtetit komunist të asaj kohe, për të ndëshkuar redaksinë e gazetës “Drita” dhe vetë atë, autorin rebel, që guxonte të shkruante: “Po, ishim dhe mbetëm kuaj para njeriut”.

Gjek Marinaj: Në familjen tonë ne flinim pa bukë…!

Ai jetonte së bashku me familjen e tij në një fshat të thellë të Malësisë Madhe, të quajtur Brrut, i cili i përkiste lokalitetit të Bajzës së Kastratit. Nuk i dihet edhe sa do të qëndronte në atë fshat të humbur mes shkrepave të maleve me ato pak shtëpi, sikur në gushtin e vitit 1990, të mos i ishte botuar ajo poezi, që i ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës. Familja e Gjekës si shumë familje të tjera asokohe, jetonte në një varfëri të thellë, madje të tejskajshme. Lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej asokohe, Gjeka kujton: “Babai dhe nëna ime, për vetë kushtet që kishin me një arsim minimal, ishin të detyruar që t’i përvisheshin punës fizike, për të na rritur ne shtatë fëmijëve, që ishim njeri pas tjetrit.

Shtëpia jonë ashtu si të gjitha shtëpitë e Brrutit, ishte krejt e vjetër dhe nga që ishim shumë fëmijë, babai kishte filluar që të ndërtonte një shtëpi të re, për të na e ndryshuar sadopak jetesën. Por kjo gjë ishte shumë e vështirë për të, pasi jo vetëm që nuk kishim para, por në fshatin tonë nuk gjendeshin fare materiale ndërtuese. Kështu babai, kur kthehej nga Hoti, ku punonte në Ndërmarrjen e Bonifikimit, sillte gjithmonë me vete një thes me rërë, që e mbante në kurriz gjithë rrugën. Pasi e linte thesin, para se të flinte, shkonte e punonte edhe dy orë të tjera, duke thyer gurë, që na duheshin për shtëpinë e re.

Po kështu, nëna nga ana tjetër, robtohej akoma më shumë. Ajo zgjohej që me natë dhe pasi gatuante diçka për ne dhe për babain, shkonte në punë në kooperativë, nga ku kthehej vetëm në darkë, me një barrë dru në shpinë. Ajo kurrë nuk kishte kohë për të pushuar, punonte në atë pak kopsht personal që kishim dhe ndihmonte babain në ndërtimin e shtëpisë së re. Megjithëse ata bënin gjithë ato punë sfilitëse dhe mbytëse, ne shpesh herë na mungonin lekët për të blerë bukën. Kështu mbaj mend, që njeriu i cili sillte bukën për fshatin tonë (të ngarkuar në kosha mbi mushka e gomerë), sa herë thërriste me të madhe: “Oooo Nik Marinaj! Nëse i ke lekët, hajde e merre bukën, ndryshe, ika…”.

Ai zë shpesh herë më tingëllonte i keq, sepse jo rrallë na mungonin lekët dhe ato mushka të ngarkuara, prisnin më kot nga ne, shtatë fëmijët, që flinim pa ngrënë darkë. Prindërit, në vazhdim të përpjekjeve të tyre për të na e rregulluar disi jetesën, vendosën dhe u shpërngulën për në fshatin Bajzë. Po ashtu dhe aty ku shkuam, jetesa jonë nuk pati asnjë ndryshim nga Brruti ku jetonim më parë”, përfundon Gjeka përshkrimin e tij, për gjendjen ekonomike tepër të vështirë, madje të mjeruar, në të cilën ndodhej asokohe familja e tyre në ato fshatra të Malsisë së Shkodrës.

I dhënë pas poezisë…!

Ndonëse jetonte në një gjendje të mjeruar, Gjeka kishte si pasion librat e lexonte shumë, si letërsinë shqiptare dhe atë të huaj. Lidhur me këtë, ai kujton: “Shumë më parë se të filloja të shkruaja poezi, kam filluar të lexoj letërsi, e kryesisht poezi. Nga leximi i letërsisë dhe i poezisë në veçanti, më lindi dëshira për t’a kultivuar në gjininë e poezisë. Jo vetëm për të shkruar poezi, por dhe për t’a lexuar atë, shpesh herë jam ndëshkuar si nga prindërit, ashtu dhe nga shoqëria. Më kujtohet, kur në vitin 1981, dali botimi i tretë i romanit të Ismail Kadaresë “Dimri i vetmisë madhe” dhe unë i kërkoja lekë nënës që ta blija atë.

Tamam në atë kohë, im at ishte shtruar në spital dhe ime më nuk kishte lekë që të më ndihmonte ta blija atë libër. Unë si i marrosur që isha pas Ismail Kadaresë dhe i vendosur për t’a blerë atë libër, bëra një plan, i cili do të më krijonte mundësinë ta mbyllja atë problem. Kështu fshehurazi nënës, hapa dyshekun në të cilin flija dhe nxora leshin e deleve të shprishur që ishte aty dhe në vend të leshit, futa aty disa rroba të vjetra të vëllezërve e motrave të mija. Pas kësaj, shkova në dyqanin e fshatit e shita leshin dhe me ato para që fitova, munda që ta blej librin e Kadaresë. Të nesërmen gjithë ditën unë e lexova librin në këmbë, pasi nuk mund të ulesha në karrige nga vragat e thuprës që më kishte “rehatuar” nëna, pasi e kishte pikasur paudhësinë time. Njëherë tjetër, kur nuk isha më shumë se 11 vjeç, kishte dalë në librari libri i Ndoc Paplekës, “Njatjeta Diell”.

Gjekë Marinaj – disa minuta para arratisjes – nuk ta merr mendja sa shpejt e merr vendimin për të ikur, me disa libra në trastë!

Në atë kohë ika nga shkolla dhe shkova tek një fshatar, për t’i kërkuar një litër raki, se gjoja më kishte dërguar mësuesi i Matematikës. Pasi e mora rakinë, me pretekstin se nëna ime kishte nevojë për disa lekë, e shita tek një fshatar tjetër dhe kështu munda që të siguroj lekët për librin. Për mua, poezia është gjinia më superiore e artit. Vetëm në poezi mund të gjesh një përbërje të përbashkët gjeniale të arteve, në një trup e shpirt të vetëm poetik, si: muzikalitetin imagjinues të një kompozitori, imazhin mediativ të një piktori, prozën e kondesuar të një romancieri, dramën vibruese të një dramaturgu, e medikamentin shpirtëror të një lexuesi. Në një farë mënyre unë jetoj për të lexuar e krijuar poezi”

Shkrimtari Nasi Lera: Ja si i botuam “Kuajt” të Marinajt

Me një tufë poezish në xhep, Gjek Marinaj shpesh vinte në Tiranë e takohej me dy miq të tij, shkrimtarët e poetët, Zija Çela dhe Rudolf Marku, të cilët duke parë talentin që kishte, mundoheshin që t’i botonin ndonjë poezi apo dhe cikël poetik. Po si arriti që të botohej ajo poezi në faqet e “Dritës” ku asokohe dhe shumë poetë të tjerë, e kishin ëndërr një gjë të tillë? Lidhur me këtë, shkrimtari i njohur Nasi Lera, kujton: “Gjekën e kam njohur aty nga pranvera e vitit 1990-të, kur vinte tek redaksia e gazetës “Drita” për të botuar ndonjë poezi.

Ai ishte një djalë mjaft i edukuar dhe tepër i talentuar. Kur po pinim një kafe tek klubi i Lidhjes Shkrimtarëve, Gjeka më dha një cikël me poezi që t`ja shikoja. Pas pak, na erdhi në tavolinë dhe Ndoc Gjetja, të cilin pasi e prezantova me Gjekën, i thashë që t’i botonte një cikël, duke i bërë dhe një paraqitje të shkurtër, meqenëse ishte autor i ri e botonte për herë të parë. Ashtu siç biseduam, Ndoci i botoi Gjekës, një nga ato poezi që atij i kishte pëlqyer më shumë e cila titullohej “Kuajt”.

Nuk e mbaj mënd mirë të hënën apo të martën sapo shkova në zyrë, më morën në telefon nga Komiteti i Partisë i Tiranës dhe më thanë se: çfarë ishte ajo poezi që kishim botuar në gazetë dhe kush ishte autori i saj. Unë ju përgjigja se: ai ishte një djalë i ri nga Kopliku dhe shumë i talentuar, e meqenëse punonte në fshat me kuaj, ishte shumë i dashuruar pas tyre dhe ju kishte kushtuar një poezi. Nga ana tjetër e telefonit, më thanë se, nuk ishte ashtu siç po u’a shpjegoja unë, sepse nga Shkodra, ku ishte bërë problem i madh, ishte interpretuar ndryshe. Ata kishin telefonuar dhe ju kishin thënë se: ai (Gjeka) me kuajt personifikonte turmat e njerëzve. Unë ju përgjigja, se për atë poezi, ai ishte mendimi im dhe nuk kisha tjetër gjë për t’ju thënë. Nuk e di se çfarë ndodhi më pas me Gjekën, por mora vesh se ai kishte pasur probleme në Shkodër, ku ajo poezi kishte bërë bujë të madhe dhe pas kësaj, ai ishte arratisur”.

Gjeka: Ja pse u arratisa pasi u botua “Kuajt”

Botimi i poezisë “Kuajt”, pati një jehonë mjaft të madhe, sepse aty aludohej hapur kundër sistemit totalitar të regjimit komunist në Shqipëri. Lidhur me këtë, Gjeka kujton: “Disa ditë pas botimit të poezisë, më 11 shtator 1990, më erdhi një letër nga Dega e Punëve e Brendshme e Shkodrës, ku njoftohesha të paraqitesha aty, të nesërmen më datë 12, në ora 8.00. E kisha krejt të qartë se pse më kërkonin në Degë dhe vendosa që të arratisesha nga Shqipëria, duke ja mbathur kufirit për në Jugosllavi, e më pas drejt Amerikës.

Mendimin për t’u arratisur, unë e kisha pasur që përpara, (aty nga viti 1989 dhe për ‘tu përgatitur, zbrisja çdo ditë në Shkodër, duke bërë stërvitje me ekipin e atletikës “Vllaznia”), por ajo letër e Degës së Brendshme, ma shpejtoi atë. Për vendimin që mora, bisedova vetëm me kushëririn tim, Tonin Marinaj, (prej vitesh dhe aktualisht, Kryetar i Bashkisë së Koplikut), që më shumë se kushëri, e kisha shok të ngushtë, ngaqë ishte djalë tepër besnik dhe me të bisedoja gjithçka. Kështu natën e 12 shtatorit të vitit 1990, u nisa në drejtim të Rrapshit të Hotit, në një lugine ku jo shumë kohë më pare, rojet e kufirit kishin vrarë tre shokë të mi, që kishin tentuar të arratiseshin.

Gazeta “Drita”, ku u botuan poezitë e Gjekë Marinajt, ndër to edhe poezia “Kuajt”
– kliko për t’i zmadhuar

Atë ditë me vete kam marrë vetëm një çantë, ku kisha disa libra me poezi dhe një batanije, që do t’a hidhja mbi telat e klonit. Si i ri që isha dhe i marrosur pas poezisë, atë natë kur u nisa në drejtim të kufirit, mendova se po të vritesha, të nesërmen do takoja Migjenin, Mjedën, e ndoshta Pablo Neruda! Po të më kapnin, do të thoshte, se do të gjendesha në Degën e Brendshme të Shkodrës, pak para orës 8.00 të mëngjesit të 12 shtatorit, që më kishin caktuar ata. Kur kapërceva telat e klonit dhe u largova disa hapa, kam dëgjuar breshëri të shumta armësh të ushtarëve të kufirit, që si duket kishin parë batanijen time mbi telat e klonit.

Në Titograd, më mbajtën 15 ditë në burg, për shkelje kufiri dhe më pas më dërguan në Beograd, ku kishte shumë shqiptarë të tjerë dhe midis tyre shumë intelektualë që ishin arratisur nga Shqipëria dhe prisnin aty për të marrë azilin politik drejt Perëndimit. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kam mbërritur më 16 shtator të 1991-it. Përpara nisjes, në Beograd, kur mora statusin e azilantit politik, ambasadori amerikan më pyeti: “A ke prova që je kundër komunizmit”? Në çast, përkthyesi i lexoi poezinë time “Kuajt”. Pas asaj, fjalët e para dhe të fundit që ambasadori amerikan nxori nga goja, ishin: “Paç fat në Amerikë, bir”.

Rudolf Marku: Atë poezi do ta dëshironte kushdo nga ne poetët

Një nga njerëzit që e pati afruar Gjekën për talentin e tij, është dhe shkrimtari, poeti dhe publicisti i njohur, Rudolf Marku i cili prej vitesh jeton e punon në Londër. Në lidhje me poezinë e famshme “Kuajt” dhe vetë Gjekën, ai shprehet: “Fati e desh që Gjek Marinaj, të bëhej i njohur vetëm me atë poezi të botuar në një cep të gazetës “Drita”, shumë e shumë më tepër nga autorët voluminozë, të cilët kishin vite që botonin e lavdëroheshin, pa i lexuar kush. Ishte viti 1989 a ndoshta 1990. Ishte viti kur njerëzit përjetonin një atmosferë mbytëse, absurde, fyese, groteske. Në Shkodër trupat e të vrarëve në kufi, i tërhiqnin zvarrë përpara syve të shqyer të njerëzve. Turmat rrinin në radhë me shpresë se mund të blihej një shishe qumësht. Nëpër trena, gjatë udhëtimit, njerëzit shkulnin dërrasat e dyshemesë, e ndiznin zjarre. Çdo gjë dukej se ishte kundër letërsisë e poezisë.

Të zënë me preokupimet më banale të jetës, dukej se kujtimi i poezisë, i fantazisë, i ndjenjave, i fyente njerëzit. Çuditërisht, në këtë atmosferë aq të kobtë, njerëzit thërrisnin në ndihmë poezinë! E vetmja radhë që nuk i fyente njerëzit, ishte pritja për të blerë gazetën e shkrimtarëve, “Drita”. Dhe po në atë gazetë, në një cep të saj, lexuesit e vëmendshëm, vunë re një poezi të titulluar “Kuajt” dhe emri, i autorit që quhej Gjek Marinaj. Poezia pati një jehonë të jashtëzakonshme. Nëpër trenat e djegur, ku kishin mbetur vetëm skeletet metalike, njerëzit nxirrnin nga xhepi një letër të zhubrosur ku ishte kopjuar poezia “Kuajt” dhe si për paradoks, edhe pse ajo ishte botuar në gazetë, njerëzit ja lexonin fshehurazi njeri tjetrit. Ajo ishte një poezi e shkruar në mënyrën më naïve, me një shkujdesje ritmike dhe e paorganizuar deri në fund.

E megjithatë, fatin e saj do ta kishin dëshiruar edhe poezitë më të qëndrueshme antologjike. Poezia “Kuajt” i krijoi telashe të papritura autorit njëzetvjeçar. Dikush më tha se Gjekën e arrestuan…! Më pas mora vesh arratisjen e Gjekës, ku në kalvarin e saj kishte pasur me vete dhe dy libra poetikë”.

Shkëlqimi i Gjekës në SHBA-ve, si poet, shkrimtar, përkthyes dhe pedagog, si dhe fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në Letërsi!

Që prej vitit 1991, kur Gjek Marinaj arriti në SHBA-ve si azilant politik, ai ka punuar fillimisht shitës në një dyqan e më pas filloi studimet, duke u diplomuar në disa universitete.

Shkrimtar, poet e përkthyes, pedagog në ‘Richland College’ në Dallas, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare në letërsi, librat e tij janë përkthyera në disa vende të botës dhe emri i tij është përfshirë edhe në 4 antologji poetike amerikane: “A Moment in Time” (1995), “A Muse to Follow” (1996), “Best Poems of the ’90-s” (1999) dhe “Echoes From the Silence” (2003).

Në vitin 1994, ai përfundoi studimet në Institutin Mjekësor ASPT në Arlington.

Katër vjet më vonë, u diplomua në Shkencat e Përgjithshme të Kolegjit ‘Brookhaven’ në Dallas. Shkollën e Lartë të Arteve dhe Humanizmit e përfundoi në Universitetin e Dallasit, në Texsas.

Ai është autor i disa librave me poezi, prozë dhe përkthime, si dhe i një libri intervistash me individualitete e personalitete të zgjedhura. Marinaj është gjithashtu botues dhe redaktor aktual i revistës “Pena”, revistë letrare e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.

Ka kryer studimet specializuese pasuniversitare dhe është diplomuar në Degën e Letërsisë Botërore në UTD. Shumë shkrime me karakter akademiko-letrar, i janë botuar në disa gazeta dhe revista letrare amerikane.

Emri i tij është përfshirë edhe në 4 antologji poetike amerikane: “A Moment in Time” (1995), “A Muse to Follow” (1996), “Best Poems of the ’90-s” (1999) dhe “Echoes From the Silence” (2003).

Po kështu, në vitin 2003, dy poezitë e tij u përfshinë në antologjinë “Un alfabet al poezie albaneze” në Rumani, përkthyer dhe botuar në rumanisht nga shkrimtari Ardian Kyçyku.

Shkrimtari, poeti e përkthyesi Marinaj, gjithashtu deri tani ka fituar disa çmime letrare, ku ndër të tjera mund të përmendim çmimin e parë në poezi (13 tetor, 2006), dhënë nga revista letrare “Sojourn” me rastin e 18-vjetorit të botimit të saj.

Disa nga librat që ka botuar, janë: “Mos më ik larg”, 1995 (poezi). “Infinit”, 2000 (poezi) “Ana tjetër e pasqyrës”, 2003 (intervista) “Ora e paqes”, 2005, (përkthim dhe poezi nga Rainer Schulte) “Në shpellën e Platonit”, 2006 (përkthim dhe poezi nga Frederick Turner) “Poezia Bashkëkohore Amerikane,” 2006 (Antologji e poezisë bashkëkohore Amerikane-përkthim).

Prej gati 20 vitesh, Marinaj jep mësim lëndët English & Communications si dhe Letërsinë Botërore në Richland College, në Dallas të Teksas-it, ku jeton me bashkëshorten e tij, Dusita.

Kështu e fillon Ndoc Gjetja faqen nr.10 të gazetës “Drita” të datës 19 Gusht 1990 tek rubrika “Autorë të rinj”, duke botuar me poshtë katër poezi të Gjekë Marinaj, përkatësisht ato me tituj : “Mos më ik larg, poezi”, “Vonesa e motrës”, “Të paktën në ëndërr…” dhe poezia e fundit e botuar atë dite vere, ishte ajo me titull “Kuajt”. /Memorie.al

Poezia ‘KUAJT, e autorit Gjek Marinaj

Tërë jetën duke vrapuar rrimë
Shohim veç përpara
Ç’bëhet prapa s’duam t’ia dimë.
Ne nuk kemi emër
Të gjithëve kuaj na thonë.
Nuk qajmë,
Nuk qeshim;
Heshtim,
Dëgjojmë;

Hamë atë ç’na japin,
Ecim nga na thonë,

Asnjë nga ne s’është mendje hollë.
Kush qe kalë mbreti,
Posti qe i lartë
Kush qe kalë princeshe
I bënë shalë të artë
Kush qe kalë fshatari
Pat samarë me kashtë
Kush qe kalë i egër
Tërë jetën fjeti jashtë.

Po qemë dhe mbetem kuaj, para njeriut…!

Gazeta “Drita”, Tiranë, 19 gusht 1990