Një burrë ishte duke vëzhguar një fëmijë, që ishte vetëm në sallonin e pritjes të një aeroporti, duke pritur lajmin e nisjes së fluturimit. Kur filloi hipja në avion, fëmija qe drejtuar nga shoqëruesja e udhëtimit në vendin e tij, dhe u ul afër dritares. Rastësisht, njeriu që po e vëzhgonte, kishte vendin e tij afër fëmijës. Gjatë fluturimit vogëlushi kishte qenë shumë i rregullt dhe fliste plot gjallëri; në njëfarë pike djaloshi nxori nga çanta një libër me disa lapsa ngjyrash dhe filloi të ngjyrosë. Vuri në pah kështu se nuk kishte ankth as shqetësime për faktin se po udhëtonte në një avion.
Befasisht, avioni hyri në një stuhi, në një turbullirë, dhe të gjithë udhëtarët u trembën shumë. Por fëmija dukej sikur ishte në një botë tjetër, akoma i përqendruar mbi vizatimet e tij sikur të ishte i ulur me kthjelltësi në sallonin e shtëpisë së vet.
Një zonjë, shumë e rraskapitur nga kjo situatë dhe pothuajse pa zë, e pyeti fëmijën: A nuk ke frikë?! Me një zë plot kthjelltësi, dhe duke ngritur shikimin nga libri i tij, u përgjigj menjëherë: Jo, nuk kam frikë. Babai im është piloti i këtij avioni!
Ka momente gjatë jetës sonë kur ngjarjet na shkundin pak dhe gjendemi në mesin e stuhisë. Nuk shohim një terren të fortë dhe këmbët tona nuk shkelin në një vend të sigurtë. Ne nuk kemi ku të kapemi, dhe nuk ndihemi të sigurtë. Por kujtohuni se, Ati ynë qiellor tejet i dashur, është piloti ynë! Pavarësisht rrethanave, jetët tona janë në duart e Krijuesit të qiellit e të tokës. Dhe, një herë tjetër që do të paraqitet një stuhi në jetën tuaj, ose nëse në këtë moment jeni duke e kaluar, kini besim dhe thoni vetes suaj: Ati im është Piloti!
Në fakt, vetë Jezusi na fton me dashamirësi: “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvuajtur. Kështu do të gjeni pushim për shpirtrat tuaj, sepse, vërtet, zgjedha ime është e ëmbël e barra ime e lehtë.” (Mt. 11, 28˗30).
Të dashur vëllezër e motra, që po lexoni këtë meditim! Kam vetëm një pyetje? Kë keni pilot të jetës suaj? Përreth kësaj pyetjeje sillet çështja e zgjidhjes apo jo e të gjitha problemeve tona, suksesi apo mossuksesi i jetëve tona.
Prandaj, zgjidh Pilotin! Zgjidh Jetën! Tani!
Përgatiti: Nikolin Sh. Lëmezhi