Nuk ecet pa konsensus

1
939
Veton Surroi

Veton Surroi, 11 Gusht 2016Koha.net

Problemi nuk është te padituria e destruktiviteti i Hashim Thaçit, problemi është te procesi politik që ia ka lejuar vendimmarrjen një individi (apo një partie, apo organizate të kriminalizuar – kushdo si ta quajë) për çështjet që janë të natyrës së interesit shtetëror, çështje që pra kanë nevojë për mendimin e pakicës, që nuk është në pushtet.

1.
Qeveria e Kosovës ka vendosur që ta dërgojë në shqyrtim në Kuvend Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi dhe me këtë të demonstrojë në formën më eksplicite të mundshme kundërshtimin e njërit prej parimeve themelore që e ka karakterizuar pjesën më produktive të politikës së shqiptarëve të Kosovës prej shembjes së Murit të Berlinit deri në shpallje të Pavarësisë – parimin e konsensusit.

Politika e shqiptarëve të Kosovës – e në një pjesë të rëndësishme të krijimit të tyre kam marrë pjesë edhe personalisht – ka qenë më produktivja kur është mbështetur në një proces të ndërtimit të konsensusit të brendshëm. Që nga viti 1990, me Këshillin koordinues të partive politike shqiptare të Kosovës (e pastaj edhe në nivel të Jugosllavisë) qe bërë përpjekja që të dakordohen qëndrimet e subjekteve të ndryshme politike për çështjet madhore, d.m.th. çështjet që janë jetike për nivel kombëtar. Si fryt i këtij parimi u ndërtua një lëvizje politike, që në masë të madhe ishte kohezive, dhe si e tillë e ruajti edhe kohezionin kombëtar në vitet kritike dhe ekzistencialisht sfiduese të viteve nëntëdhjetë.

Kohezioni, ndonëse me vështirësi shumë të madhe, u ruajt edhe në Konferencën e Rambouillet-së. Elementi themelor i këtij kohezioni qe pranimi nga ana e shumicës (që në atë kohë ishte LDK-ja), që pa pëlqimin e pakicës (që në atë kohë ishte UÇK-ja dhe përkrahësit e saj politikë) nuk mund të ketë nënshkrim të delegacionit të Kosovës.

2.
Ky parim i konsensusit, të cilin e propozova dhe u aprovua në Rambouillet, u tregua si i domosdoshëm në Marrëveshjen e Ohrit, në të cilin proces po ashtu dhashë ndihmën time. Të dy liderët, Arben Xhaferi, si prijës i shumicës civile, dhe Ali Ahmeti, si prijës i pakicës ushtarake u pajtuan që nuk ka marrëveshje të palës shqiptare pa dakordim të tyre të ndërsjellë. Një gjë të tillë edhe nënshkruan në Prizren, së bashku me kryetarin e atëhershëm të PPD, dr. Ymer Ymeri.

Më vonë, konsensusi qe një rrjedhë normale në procesin negociator të Vjenës, ku shumica në pushtet (LDK dhe AAK) pranuan që në negociata vendimet të merren së bashku me opozitën në pakicë (PDK dhe ORA).

Sot mund të kritikohen Marrëveshja e Rambouillet-së, ajo e Ohrit dhe Paketa e Ahtisaarit, por këto qenë përpjekje të suksesshme, brenda kushteve të dhëna, të shtetndërtimit të shqiptarëve, me përkrahje vendimtare ndërkombëtare.

3.
Mungesa e konsensusit si vendim i përcaktuar politik është parë që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Pushteti i dominuar nga Partia Demokratike e Kosovës (dhe këtu nuk po flasim për veprimet kriminale apo të nëntokës nga prijësit e saj, por vetëm për procesin negociator që ka të bëjë me shtetësinë) vendosi që nuk do të kërkonte konsensusin në çështjet jetike, që fillonin që në ditët e para pas Pavarësisë me Gjashtë pikat e Ban-Ki Moonit e që vazhdonin me Procesin e Brukselit. Në tetë vjetët e kaluar, modeli i krijuar nga pushteti i PDK-së, i prijësit të saj Thaçi, qe i personalizimit të këtij procesi.

Si rezultat i këtij personalizimi, një formë diametralisht e kundërt me konsensusin, sovraniteti dhe funksionaliteti i shtetit janë dobësuar deri në ndjenjën, të bazuar në realitet, se procesi po i dëmton themelet e shtetit. Kjo ndjenjë ka shtyrë opozitën politike dhe qytetarët e brengosur në një valë kundërshtimi, që për një vit e ka penguar pushtetin që të zbatojë detyrimet e premtuara në Bruksel. Kauza e opozitës u tregua e drejtë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ky vendim hodhi poshtë tërë propagandën e pushtetit të Kosovës (LDK e PDK), se me Marrëveshjen e Brukselit, Kosova vetëm po fitonte, e nuk po humbte gjë. Dhe ky vendim hodhi poshtë besueshmërinë e pushtetit: pse duhet t’i besojë qytetari pushtetit se me demarkacion Kosova nuk humb gjë, kur Gjykata Kushtetuese vërtetoi se ky pushtet qe i gatshëm të dëmtonte themelet kushtetuese të vendit?

4.
Faji për këtë gjendje mund të identifikohet lehtë. Mund të thuhet, jo pa argumente, se çdo gjë që ka negociuar Hashim Thaçi (me vartësit e tij në LDK apo me ministren për Dialog) është e gabueshme. Ç’prej Gjashtë pikave të Ban-Ki Moonit e deri më sot, Hashim Thaçi është konsistent në mungesën e tij të njohurive për shtetësi, politikë të jashtme dhe çdo gjë tjetër, që nuk është pjesë e aktivitetit të tij “Pronto”.

Por, kjo nuk është gjë e re. Hashim Thaçi ishte po aq i padijshëm e destruktiv edhe në Rambouillet, dhe ishte injorant në procesin e Vjenës. E megjithatë, gjërat lëvizën tutje, sepse në konsensus edhe padituria e edhe destruktiviteti në një moment hekurosen dhe nuk dalin në publik. Del vetëm një vendim që vullneti i shumicës absolute e detyron edhe atë individ destruktiv si Thaçi të pajtohet me të gjithë të tjerët.

Problemi nuk është te padituria e destruktiviteti i Hashim Thaçit, problemi është te procesi politik që ia ka lejuar vendimmarrjen një individi (apo një partie, apo organizate të kriminalizuar – kushdo si ta quajë) për çështjet që janë të natyrës së interesit shtetëror, çështje që pra kanë nevojë për mendimin e pakicës që nuk është në pushtet.

5.
Qeveria e Kosovës, që i ka të trashëguara shumicën e problemeve nga Hashim Thaçi, bën hapa të gabueshëm, duke e ndjekur shembullin e tij. Arroganca dhe fyerjet ndaj kritikuesve të Marrëveshjes së demarkacionit nuk i ndihmojnë Qeverisë së Kosovës të krijojë ambient përkrahjeje për veprimet e veta.

Për më tepër, insistimi me vetëbesim se një çështje e këtillë sikur Demarkacioni do të kalojë me shumicë votash në Kuvend nuk është shenjë e fuqisë. Përkundrazi, është shenjë e dobësisë. Në të, në dobësi, një Qeveri si kjo e Kosovës shpreson se do të fitojë shantazhi i thjeshtë ndaj deputetëve: ose votoni, ose shkojmë në zgjedhje të parakohshme, e nuk dihet se a do të jeni prapë në ato lista zgjedhore. Kështu, një çështje e cila perceptohet si jetike prej një numri të madh qytetarësh, barazohet me interesin e një deputeti që të vazhdojë ta marrë rrogën dhe beneficionet e tjera. Sa larg konsensusit shoqëror!

Gabimet, si ky i Qeverisë së Kosovës, zakonisht ndëshkohen.

1 KOMENT

  1. Veton Al Surroi,

    Prindi i juaj nenvitin 1961 te ka pagezuar me emrin e bukur shqip Veton, ndersa ti i nderuari musliman i killavt, femiun tend te trete e emerove ne vitin 2014 ne gjuhe te huaj (arabe) Nuri!!!,!,!,!,!,!,!,!,

    Marrre te koft …ti me kujtohet kur thojshe ne vitin 2008, pasi qe AMERIKA E RREGULLOI PAVARESINE… Se ti don te behesh negociatori kryesor ne negociatat qe Kosova te antarsohet ne Konferencen e Vendeve Islamike…!,!,!,!,!,! Dhe se ti e meriton kete post sepse ke lobuar 9 muaj qe Kosova te pranohet ne kete organizate …ne te cilen Kosova nuk e ka vendin, sepse ne Kosove jane 28-30 mije musliman praktikues… sepse aq ka ne faltoret e juaja muslimane. Edhe BIK ka deklaruar se nuk ka me shum se 15-17 mije antar qe paguaj antaresi e muslimane.

    Veton Ti je muuuuut islamik.

Komentet janë mbyllur.