Novelat e Kasëm Trebeshinës

0
1745
Kasëm Trebeshina (b. 1926), Albanian writer

Pëgatiti Zymer Mehani

Stina e stinëve“, 82 është vepra më përfaqësuese (e atyre që janë botuar deri më sot) e Kasëm Trebeshinës, në të cilën janë përfshirë tri novela: “Stina e stinëve”, e cila ka dhe një titull të dytë “Këngë fëmijërie”, “Odin Mondvalsen” me titull të dytë

Një histori dashurie” dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” apo “Kapriçio shqiptare“.

Ndërsa novela e parë (Stina e stinëve) dhe e tretë (Fshati mbi shtatë kodra) kanë për objekt fëmijërinë në një rrëfim jashtë tabuve që zakonisht identifikohen me këtë moshë dhe me ngarkesa historiko-filozofike që e tejkalojnë fëmijërinë, novela tjetër, “Odin Mondvalsen” përbën një cilësi të veçantë si përsa i përket objektit të pasqyrimit, ashtu edhe për nga teknikat e rrëfimit.

Vlerat më të spikatura të prozës i shquaj në novelat: “Nata e reptilëve të mëdhenj” dhe “Ura e Nemur” të cilat janë më cilësore se të tjerat, por edhe ndër të mirat e letësisë sonë të absurdit. Në novelën “Nata e reptilëve të mëdhenj” elementet e absurdit, të surealizmit dhe realizmit magjik janë pasuruar edhe me mjete figurative si: simboli, metafora, grotesku, tropet ku në nënshtresat e tekstit fshihen ide, mendime e mesazhe sa të larmishme aq dhe të rëndësishme, prej të cilave do të vlerësoja si më potente mesazhet dhe sentencat filozofike të shprehura artistikisht.

Ndërsa te “Ura e Nemur ” elementet e përrallës dhe të ëndrrës janë pasuruar me elemenete të fantasikes, ireales dhe absurdit ku mesazhet janë herë të turbullta e absurde, por herë-herë edhe të qarta e universale. Fantazia e shfrenuar dhe e pasur e autorit te novela “Nata e reptilëve të mëdhenj” ka krijuar një surealitet artistik të absurdit të frikshëm e makabër, me netë e mjedise të errta, me reptilë të mëdhenj e reptilë të vegjël që hanë mish njeriu të pjekur në hell.

Ngjarjet nisin me skicimin nga Skulptori të trupores së Kryetarit , e cila do të vendoset në ballë të Sallës së Madhe, ndërsa poshtë në formë dy gjysmërrethi, në të dy anët, do të rradhiten bustet e anëtarëve të Këshillit të Lartë. Sapo Skulptori mbaron skicimin e dorës së fundit të vizatuar me karbon në një karton dhe e vendos në vendin më të dukshëm, nga sytë e trupores së Kryetarit shpërthen një dritë e kuqe, verbuese, e zhurmshme, e frikëshme dhe e tmerrshme. Skulptori kaq shumë tronditet sa ia mbath, ikën, pa ditur se ku. Duke vrapuar si i çmendur kalon rrugë, monopate e shtigje dhe futet në një pyll të dendur me llojë-lojë drurësh të lartë dhe shkurresh. Thellë pyllit sheh një zjarr të madh rreth të cilit ca reptilë të vegjël piqnin mish njeriu. Llahtariset. Fshihet nëpër kaçube.

Dëgjon biseda reptilësh që thoshin se do ta piqnin edhe Skulptorin në hell. Njeri prej tyre tha që të mos nxitoheshin, pjekja do të bëhet kur t’i vijë rradha. I tmerruar Skulptori kthehet mbrapsht dhe me një frymë arrin te Salla e Madhe. Aty bëhej kuvend. Fliste Kryetari: “Unë për vëllezërit tanë Miladëngun dhe Dushmugushën, jam gati të ther dhe të pjek në zjarr tre të katërtat e fshatit.”. Miladëngu miraton: “Ashtu të lumtë! Edhe të gjithë fshatin mund ta piqni, por kur të vijë dita, momenti!…

Me radhë dhe me rregull. Duke i hedhur në fillim kundër njeri-tjetrit ! Kur të kenë arritur punët sa të mos e njoh as qeni të zonë, piqni të majmit, më pas piqni dhe ata që janë më të dobët se gjithkush ka shijen e tij”. … (Gjithkush që njeh historinë dhe di të lexojë përtej të dukshmes nuk e ka të vështirë të heq paralele midis ngjarjeve dhe personazheve të novelës me realitetin historik të LANÇ.

Personazhet Miladëngu dhe Dushmugusha të kujtojnë të dërguarit e Titos, gjoja për të ndihmuar Kryetarin. Në fakt Ata drejtonin. Kjo jepet me realizëm, në mënyrë tropologjike, brenda rrafshit të aburdit. Kryetari, truporja e të cilit do të vendosej në ballë të sallës së madhe, të kujton Kryetarin e komunistëve shqiptarë, e kjo, të mundëson t’i jepet kuptimësi absurdit: reptilët e mëdhenj ishin Ata të dy, pastaj vinte Kryertari-reptil i kuq, më pastaj reptilët e vegjël, një sistem reptilësh që më i madhi hante më të voglin, – një filozofi e cila ishte thelbi i sistemit totalitarist enverist që hëngri kundërshtarët politikë dhe shokët e vet gjatë mbretërimit tiranik të tij prej katër dekadash e ca….

“Nata e reptilëve të medhenj” përmban shumë ide, mendimet e senteca të fuqishme e të larmishe, të cilat janë më shumë të autorit se të personazheve, ato janë të jashtëzakonshme ashtu siç janë edhe ngjarjet e situatat sureale, magjike, tronditëse dhe të llahtarëshme; por konstatoj se mjeshtëria artistike nuk është në nivelin e fantazisë pjellore të ideve dhe mesazheve. Siç përceptohet nga teksti autori nuk i ka kushtuar vëmendjen e duhur edhe depërtimit në botën e trazuar të personazheve e në psikologjinë e tyre, çka do të kërkonte që rrëfimi psikanalitik të zinte vend më të madh e të merituar në raport me përshkrimet dhe rrëfimin racional. Do të veçoja aplikimin e simbolit, alegorisë dhe të mertaforave të cilat përshkojnë novelën duke rrokur gjithë shkallën e sistemit të vlerave nga minimalja gjer tek ajo e epërmja.

Nata e reptilëve është nata e bëmave dhe gjëmave të realitetit diktatorial të egër komunist. Kjo natë e gjatë xhungle është trajtuar në mënyrë të tillë sa ka dimension gjithëkohorë.

Reptilët e mëdhenj do të shfaqen në forma të ndryshme, me lëkurë të ndryshme dhe ngjyra të ndryshme në realitet tiranike, totalitariste dhe neodiktatoriale, çka i flet edhe kohës sonë me demokraci të brishtë. Ky është mesazhi universal i novelës.

Mirëpo mbyllja e saj duke kumtuar se po vjen agimi dhe nata e reptilëve të mëdhenj mbeti pas, nuk buron nga teksti i absurdit, autori del prej tij, vjen në realitet nën ndikimn e sloganit rutinor “fundi i lumtur” dhe të socrealizmit, sipas të cilit ka shkruar edhe Trebeshina në fillimet e krijimtarisë së tij.

E jashtëzakonshme është fantazia e Trebeshinës edhe te novela “Ura e Nemur” ku përrallat dhe ëndrrat e frikshme, mistike e të përbindshme janë ngjizur me absurdin. Rrëfimtari kish dëgjuar shumë gjëra për Urën e Nemur dhe Djallin. Një ditë prej ditësh merr guximin dhe shkon t’i verifikojë. Te njera këmbë e urës sheh: një vorbul uji të zi, kufoma njerëzish, ca skelete të vdekurish, ca njerëz të gjallë që zgërdhiheshin dhe kërcënonin në një mënyrë që do të tmerronin edhe më trimin e trimave.

Rrëfimtarin si hije e ndiqte nga pas Njeriu i Panjohur i pushtuar nga Djalli i cili shfaqej befasisht herë në të majtë, herë në të djathtë, herë prapa, herë matanë urës… Rrëfimtari e pikasi.

Dyshimi dhe fobia e bënë më të kujdeshëm. Kjo bëri që të shpëtojë veten nga hedhja në vorbulën e ujit të zi prej Njeriut të Panjohur. Në këtë ndjekje të fshehtë, në një moment befas takohen. Pas një debati për të zhbiruar njeri-tjetrin, Njeriu i Panjohur e bind të shkonin në shtëpi të tij . Atje duke ngrënë mish të pjekur dreri dhe duke pirë verë i rrëfen historinë dramatike, tragjike dhe absurde të tij.

Mjeshtëria artistike te “Ura e Nemur” është më cilësore se te ”Nata e reptilëve të mëdhenj”. Shquhet për dialog të shkathët, dinamik, të mprehtë, me nëntekste shumështresore çka dëshmon aftësinë dramaturgjike të autorit, një vlerë e shtuar dhe specifike e prozës së tij, ashtu siç është edhe strukturimi në tërësi i kësaj novele, me skena e ngjarje të llahtarëshme, bashkë me mendimet, idetë dhe mesazhet e shumta.

“Fshati mbi shtatë kodrina“, një prej novelave më të njohura të Trebeshinës, sikurse është në stilin e tij, mban nëntitullin “Kapricio shqiptare”. Sipas shënimit në fund të veprës, autori pohon se është shkruar në vitet 1964-1965. E nisur si një ekskursion në historinë e një fshati në viset jugore të Shqipërisë, ka të ngjarë në vendlindjen e autorit, novela kthehet në parodizim të pamëshirshëm të lavdisë së trimave dhe kapedanëve të saj. Ashtu si Roma e vjetër, edhe fshati i lavdishëm i Rrapo Hardhisë, që është personazhi qendror i veprës, është ngritur mbi shtatë kodra.

Përqeshja me të shkuarën e monumentalizuar në rrëfimet e marifetçinjve, gjysmë-rapsodë, gjysmë-magjistarë, del në pah qysh në faqet e para, kur të gjithë personazhet, duke mos pasur asgjë të shkruar për historinë e fshatit, nxisin dhe lusin Rrapo Hardhinë të rrëfejë çudirat e tij të pafundme, të cilat, në fakt, nuk kanë aq të bëjnë me lavdinë dhe heroizmin e të parëve, por thjesht me përsëritjen e shpërblimit për heroin mbi heronjtë, heroin e dollisë Rrapo Hardhinë.

Përfundimi
Trebeshina është Trebeshinë në prozën e tij të absurdit me vlerat dhe jovlerat artistike, estetike dhe mesazhore; është ai që është, – vetvetja. Shkrimtar i përvetshëm, i guximshëm, origjinal, i krisur, i turbullt dhe i qartë, me fantazi të arsyeshme dhe të paarsyeshme, sipas gjendjes së tij psikike në momentet e krijimtarisë. Do ta mbyll këtë optikë kritike me fjalët e vyera të Ernest Koliqit: “Arti i shkrimit, atij që e ushtron me ndërgjegje i jep kënaqje të veçantë, por edhe i shkakton trazime e idhnime të mëdhaja”.

Kasëm Trebeshina u njoh si shkrimtar në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit . Ky fakt lidhet fillimisht me rebelimin e tij të hapur politik, e më pas me disidencën letrare. Pjesëmarrës aktiv në Luftën Nacionalçlirimtare që në moshë fare të re, ai nuk u pajtua me politikën moniste të numrit një të partisë ku bënte pjesë; e kundërshtoi atë në mënyrë të drejtpërdrejtë, veçanërisht, për orientimin që po i jepte letërsisë dhe arteve.

Prozator, dramaturg dhe poet, Kasëm Trebeshina e kundërshtoi që në nismë metodën e realizmit socialist dëmet e së cilës ishin brenda parashikimeve të tij.

Që në vitet `50 ai filloi të shkruajë ndryshe nga veprat që botoheshin aso kohe.
Thellësia filozofike e veprave të tij dhe prekja e temave tabu lidhen me talentin e shkrimtarit që shkruan si i thotë shpirti pa pyetur për pasojat. Dhe ndonëse persekutimet e herëpashershme e bënë atë të vuajë fizikisht, vepra e Trebeshinës , ndonëse nuk u botua, si ajo vera e vjetër, e shfaqi vlerën e saj pas disa dekadash (në vitet `90).

Sipas kritikës serioze vepra e Trebeshinës qëndron ndërmjet traditës kuteliane dhe surealizmit.

LITERATURA:
Gjoka, Behar: Trebeshina, ajsbergu i letrave shqipe, Tiranë, 2005; Kosumi, Bajram: Letërsia nga burgu- kapitull më vete në letërsinë shqipe, Botimet Toena, Tiranë, 2006; Buzhala, Prend: Odeoni i fjalës, Gazeta Rilindja, Prishtinë,2003; Rrahmani, Zejnullah: Teoria e letërsisë për shkolla të mesme, Libri shkollor, Prishtinë, 2002; Rrahmani, Zejnullah, Teoria e letërsisë, Faik Konica, Prishtinë, 2006; Trebeshina, Kasëm: Stina e Stinëve, Buzuku, Prishtinë, 1991; Trebeshina, Kasëm: Fshati mbi shtatë kodrina, Buzuku, Prishtinë, 1991; Trebeshina, Kasëm: Nata e reptilëve të mëdhenj, Tiranë1996; Trebeshina, Kasëm: Hijet e shekujve, Tiranë, 1996.