Norvegjezi Pål Refsdal, një ndër gazetarët më të njohur të luftërave guerile në botë; i plagosur nga ushtria serbe në Kosovë…

0
1364

Ka mbetur në oqean mëse dy orë, i kidnapuar në Afganistan dhe pjesëmarrës në shumë luftëra të tjera…

Intervistoi: Gjergj Kabashi

Pål (Pol) Refsdal padyshim sot është ndër gazetarët më të njohur të luftërave guerile në botë. Gazetaria e tij nuk është një mori fjalësh të grumbulluara për ta shkruar një artikull, apo për të treguar kush çka thotë e çka flet, por është gazetari nga vendi i ngjarjes, aty ku zhvillohet jeta-lufta ndërmjet të fortit e të dobëtit; ku gazetari, fotografi, regjisori dhe krijuesi i filmave dokumentar është gjithnjë në krahun e atij, që është më i dobët.

Si të rinj flisnim për luftën e afganistanasve ndaj forcave pushtuese të ish-Bashkimit sovjetik“, më tregonte, dhe, “natyrisht që ne ishim në krahun e afganasve“. Por, për mua, më thoshte atë ditë të dhjetorit 2017 kur e takova në një qendër fitnesi, ishte absurde që të isha me fjalë për ta, e të mos isha me vepër, që të mos isha atje për t’i ndihmuar! Andaj, pothuaj fshehtas familjes sime, që ma kishte marrë pasaporten, u nisa duke e nxjerrë shpejt pasaportën tjetër. Pa i mbushur 21 vjeç isha në Pakistan, pastaj në Afganistan tek muxhahedinët, në krah të të cilëve edhe kishte kuftuar për një periudhë kohore ndaj forcave pushtuese sovjetike. Jeta e tij është bredhje e pafund profesionale, duke përcjellë luftë-paslufte; sa tek UCK në Kosovë, ku edhe është plagosur në Pashtrik, sa tek tigrat tamil, sa tek maoistët në Peru, tek çeçenët, sa në Irak, sërish në Afganistan, në luftën civile e Sirisë, e ku jo tjetër.

I arrestuar nga UÇK (!) në Kosovë në verën e vitit 1999, për shkak të intrigave të një jogazetari shqiptar, pastaj i kidnapuar më 2009 nga talebanët në Afganistan, Pål Refsdal, përkundër të gjithave, nuk është ndalur nga rruga e ëmbël por edhe shumë e hidhur e gazetarisë. Në librin e tij “Geriljareporteren” (Reporteri i Guerilës), Pål Refsdal jep një kronologji të paimagjinueshme ngjarjesh nga rruga e tij tepër e rrezikshme si reporter luftërash, duke i përshkruar ngjarjet reale me detaje si dhe skenat luftarake me imagjinatë aq të bujshme, që të bën të kridhesh në një botë të padrejtë, ku trimat luftojnë e nuk jipen para forcave pushtuese. Përveçse autor i librit “Geriljareporteren”, reporteri i njohur Pål Refsdal, është edhe autor i filmit dokmentar “Knappen – The Dugma”, ku e pasqyron luftën e “martirëve të Allahut” nga brendia e tyre, duke qenë pjesë e rrugës së dy të rinjve, që duan të vetvriten me kamionin e mbushur me tonelata material shpërthyes, me të cilin synojnë që të vrasin sa më shumë ushtarë të Bashar-Al Assad-it etj.

Para një viti, Refsdal ka qenë sërish në Kosovë, ku ka marrë pjesë në “Dokufest” në Prizren. Instancave përkatëse në Prishtinë me atë rast ua ka dhuruar edhe mbi një mijë foto të tij, që i ka ba nga lufta në vitin 1998 dhe 1999. “U takova me disa shokë të mij nga ajo kohë, të cilët kisha kohë që nuk i kisha parë”, më tha, në studio, atë ditë dhe shtoj që ndjente pikëllim se veteranët e vërtetë të luftës së UCK jetojnë në gjendje të mjerueshme.

Pål Refsdal, foto e Lindës, UÇK, me snajper. Me kësi luftëtaresh, si të mos fitonte Kosova?

Pål Refsdal, foto e Agim Çekut, UÇK. Pas ardhjes së Agimit në krye të UÇK-së, lufta nisi të merrte karakter më profesional, theksoi Refsdal, reporteri i njohur i luftës së vitit 1998/1999

E takova edhe “Lulin”, më tha…”. “Kadri Veseli tashmë kishte filluar të thinjet…” Qeshte…

Pål Refsdal flet me nostalgji për Mujë Krasniqi i njohur si Komandant Kapuçi, i cili ishte një njeri shumë i mirë dhe njihej për kënget e traditës që i këndonte”, më thoshte Pål ndërsa kur e pyeta për Prokuroren Karla Del Ponte dhe akuzat e saja për “këmbim organesh” tek e ashtuquajtura “Shtëpia e Verdhë”, ai më tha: “Ajo është idiote !“. A mund ta shkruaj këtë që e thua, e pyeta e ai ma ktheu: “Po, madje me shkronja të mëdha: IDIOTE !”. Unë kam qenë mbi tre muaj i plagosur dhe jam endur me banorët e ushtarët e tjerë të plagosur andej-këndej nëpër Drenicë dhe e dij mjaft mirë se UÇK nuk ka pasur kurrnjë mjeksi të zhvillueme në atë kohe. Kan pasur probleme t’ua qepnin të plagosurve plaget për shkak se u mungonin penjtë, se lëre më të bënte dikush adoptim organesh. Këto janë akuza të tmerrshme, të paimagjinueshme. “Sigurisht në zyrën e saj ka pasur serbë, që e kanë nxitur të bënte akuza të tilla!”, më tha në vazhdim.

Me Pål Refsdal ndejta pothuaj një orë të plotë aty, duke diskutuar për detaje të tjera, që nuk i kishim përfshirë në intervistën me të. Pas gjithë asaj që kishte përjetuar në jetë, pas të gjitha atyne pësimeve si reporter nëpër lufta të ndryshme, pas plagosjes në Kosovë, – pasojat e së cilës i ndjen edhe sot ; pas kidnapimeve, arrestimeve, mbetjes mbi një orë e gjysmë i pashpresë në oqean, Pål Refsdal, ky burrë pothuaj 1 metër e 90 centimetra i gjatë, megjithëse në moshën 55 vjeçare, ushtronte pandërprerë aso ushtrimesh të denja për njësitë speciale policore e ushtarake gjithandej.

*Pål Refdal, si filloj rruga yte e gjatë si gazetar ; ishte kjo një rastësi apo një “ëndërr” që të jeshë në anën e të dobëtit, kur ishte për herë të parë në Afganistan që në atë kohë ishte në luftë me forcat okupuese të ish-Bashkimit Sovjetik? A mund ta përshkruash atë rrugë dhe qëndrimin tënd në mes të talebanëve ? Sa qëndrove atje dhe kur u ktheve në Norvegji ?

*Pål Refsdal: (Talebanët nuk kan ekzistue kur une fillova të shkoja në luftë, në atë kohë kryengritësit në Afganistan quheshin vetëm muxhahedin)

Ndoshta une e kam justifikimin më të vogël në botë për të filluar si gazetar në vitin 1984 në Afganistanin e okupuar nga Bashkimi Sovjetik. Unë isha vërtetë i angazhuar politikisht dhe dëshiroja të bëja diçka për afganistanasit, kështu që bisedova me një zonjë nga komiteti solidarizues për Afganistanin në Norvegji. Ajo më tha që mund të udhëtoja atje si personel medicinal dhe kryesisht mund të bëja amputime. Ose une do të mundja të shkoja atje si gazetar dhe të bëja fotografi të lëvizjes së rezistencës. Kështu, une e bleva një kamerë, një biletë avioni për në Pakistan dhe shkova atja me qëllim të shkoja në Afganistan, megjithëse e kisha një përgatitje ushtarake ne atë kohë, isha vetëm 20 vjeç i vjetër. Për këtë kjo ishte një goditje kulturore të shtegtoje në mes të Muhaxhedinëve. Por unë përfundimisht mësova dhe i kalova rreth tre muaj, duke udhëtuar nëpër Afganistan me grupe të ndryshme.

* Gati 30 vite me rradhë, ti i ke përcjellë dhe ke raportuar nga grupet e ndryshme të gueriljas nga e gjithë bota. Në librin tënd “Geriljareporteren”, (Reporteri i Gueriles), ti e përshkruan në mënyrë të hollësishme një pjesë të madhe të angazhimeve tuaja si gazetar me grupe të ndryshme të guerile ; tek muhaxhedinët në Afganistan, tek tigrat tamil, në Indinë jugore më 1986, tek maoistët në Peru më 1992, tek UÇK në Kosovë, ku ti u plagose në vitin 1998 në Pashtrik dhe shkove sërish në vitin 1999; në luftën në Irak dhe sërish në Afganistan në vitin 2009, kur të kidnapuan ? Ç’ka të kujtohet më shumë nga këto luftëra ?

Pål Refsdal: Jeta në mes të kryengritësve është mjaft e vështirë, me marshime të gjata, me pak ushqime dhe një armik që gjithmonë ka më shumë armë dhe më shumë ushtarë. Njëherit ti ke një unitet në grupe të tilla, që nuk i gjen në vende të tjera në shoqëri dhe që ti nuk gjen qetësi. Për këtë është lehtë të ndihesh i fascinuar nga shoqëria e krijuar. Njëherit ka ndodhur rrallë të kthehesha në të njëjtin vend pas një udhëtimi, aq më shumë kur nuk e dija si ishte gjendje e ushtarëve me të cilët isha i njohur. Njerëzit që më shumë më kan bërë përshtypje ishin çeçenët, ata janë të guximshëm, të ashpër. Njëherit modestë dhe fetarë të mëdhenj.

* Si reporter i plagosur më 1998, ti ke qenë në mesin e civilëve dhe ushtarëve të plagosur të UÇK në disa vende në Drenicë. Në librin tënd haset një kredhje e gjerë në luftën e Kosovës, posaçërisht për situatën e rëndë e të pashpresë gjatë rrethimit të Kosovës, veçanërisht Drenicës nga Ushtria e Serbisë. Ndër udhëheqësit e ndryshëm të UÇK, ti e ke takuar “Lulin” dhe “Gjarpërin”. A e dije në atë kohë se kush ishin ata ?

Pål Refsdal: Une i kam takuar shpesh “Lulin” dhe “Gjarpërin” gjat luftës në Drenicë dhe e kam kuptuar që ata ishin të rëndësishëm, por nga një apo arsye tjetër mendoja gjithë kohën që ishte një lider që kishte rang më të lartë sesa ata në UÇK. Luli ishte gjithmonë i veshur në rroba të mira civile. Kur une e pashë atë në uniformë, e kuptova që situata ishte serioze. Një nga gjërat që i kujtoj nga “Gjarpëri” ishte që ai e mbante një pushkë të vjetër automatike zviceriane. Kur komandantët e tjerë silleshin shpesh rrotull me revole moderne “si stoli”, ai shkonte me pushkë të madhe e të rëndë automatike.

Gjergj Kabashi – Pål Refsdal

* Ti ishe edhe në Rambuje në Francë, ku u zhvilluan biseda ndërkombëtare diplomatike për ardhmërinë e Kosovës. Ç’ka mund të thuash për qëndrimin tënd atje ? A është diçka që të kujtohet më shumë ?

Pål Refsdal: Une banoja në hotel së bashku me këshilltarët e delegacionit shqiptar të Kosovës dhe në mbrëmje i lexoja pjesët e marrëveshjeve që ata i kishin diskutuar gjatë ditës. Mua më dukej një marrëveshje jo e mirë për Kosovën, por tash doli që ishte me vend që të nënshkruhej nga delegacioni i shqiptarëve të Kosovës.

* Pak para çlirimit të vendit më 1999, ti erdhe edhe një herë që të raportoje për luftën në Kosovë. Në krahasim me herën e parë, duket që në vitin 1999 ishe më i entuziazmuar me situatën, pasi e gjithë popullata në një apo mënyrë tjetër, ishte në luftë me Ushtrinë e Serbisë. Por, sërish ti ishe i pafat, pasi nuk munde të shkoje në Drenicë, meqenëse u pengove në punën tënde profesioanle. Në librin tënd, ti e përmend Rrustem Berishën, një komandant të njohur të UÇK, që tash është Ministër i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Në bazë të asaj që e thua në libër, ti ishe i mendimit që ai ishte manipuluar nga gazetari Milaim Zeka, që nuk paskësh pasur dëshirë të kishte konkurrent, siç thua në libër: “…Milaim prøver å kvitte seg med absolutt alle konkurrenter…” ! (“Milaimi provonte që absolutisht t’i heqte qafe gjithë konkurrentët…”).

Pål Refsdal në palester

Përse mendoje në këtë mënyrë?

Pål Refsdal: Për mua ishte e qartë që Milaim Zeka ishte mjaft i preokupuar për para. Eshtë në rregull që të gjithë gazetarët të paguhen, por unë konsideroj që ai i përziente rolet. Ai sillej rrotull me beretën e UÇK-së, përderisa i shiste filmat e tij për kanalet televizive. Une kishte kohë që e kisha një dyshim që Milaimi provonte të më largonte nga rajoni përmes ndihmës së mikut të tij Nasimit, që ishte njëfarë komandanti më i vogël aty. Kur u arrestova nga UÇK, isha i tmerruar. Unë isha plagosur në Pashtrik para një viti dhe i kisha kaluar tre muaj e gjysmë në Drenicë me UÇK-në. Dhe, kështu, unë isha i arrestuar meqenëse një komandant kishte dëgjuar që une “isha një gazetar i dobët”!

* Pavarësisht të gjithave, ti nuk u dorëzove dhe zgjodhe një rrugë tjetër për të ardhur në brendinë e Kosovës, në Drenicë, nga ana e Maqedonisë…

Pas një kohe, Kosova u çlirua nga NATO dhe UÇK, dhe përfundimisht ti ishe një dëshmitar i madh i atij çlirimi. Ti ke thënë se kishe një raport special me UÇK, krahasuar me zona të tjera lufte në botë. Kjo ka ndodhur për shkak të kontakteve tuaja të mira me “Lulin” dhe “Gjarpërin”, apo ? A mund të na japësh një përshkrim të atyre ditëve të lirisë së Kosovës ?

Pål Refsdal në palester

Pål Refdsal: Unë kurrë më herët nuk kisha qenë tek ata që e fituan një luftë, kështu që ky ishte një përjetim i veçantë. Ishte një kohë me shumë gëzime e shumë pikëllim. Ushtarët e UÇK-së, që zbritën poshtë nga pylli. Të shpërngulurit që ktheheshin. Takimet mes miqësh që nuk e kishin parë njëri-tjetrin, qëkur kishte filluar lufta. Njëherit shkonin njerëzit rreth me lopata, duke i kërkuar të afërmit e vet.

* Në pasthënien e librit “Geriljareporteren” për rrugën tënde të gazetarit, shkruhet:
ÇDO GAZETAR, që punon në zona lufte e që nuk është prej guri, herët apo më vonë do ta pyesë vetvetën se në të vërtetë a ia vlen?” Ia vlen apo nuk ia vlen, ti e vazhdove rrugën tënde të vështirë e të guximshme profesionale si gazetar, duke shkuar në zona të tjera lufte…

Pål Refsdal: Eshtë gjë e rrallë që një gazetar arrin të ndryshojë shumë, ma së shumëti kjo që e bëjmë ne është vetëm një pikë uji në detin e madh. Njëherit, njeriu ndjen vetën në një mënyrë pak të turpëruar nëse nuk vazhdon, pak të turpëruar nëse është një luftë e rëndësishme në të cilën nuk shkon.

* Si gazetar me përvojë nga shumë zona lufte nga e gjithë bota, të kanë quajtur si “Reporteri më trim i Norvegjisë“, që ke pasur dhe ke burime të shumëta për guerilen gjithandej, të dhëna për luftën nga Kosova apo bota. A mund t’i përshkuash situatat më të vështira në jetën tënde si reporter i luftës ?

Pål Refsdal në palester

Pål Refdal: Une nuk e quaj vetvetën kurrë shumë trim, unë nuk i dëshiroj përshkrimet e tilla. Ndoshta mund të duket e çuditshme, por më e rënda në këtë profesion është ndoshta kur kthehesh në shtëpi dhe e zbulon që gazetat dhe stacionet televizive shpesh nuk janë të interesuar për fotot dhe filmat tuaj. Ndoshta ata i kanë pasur gazetarët, që e kanë mbuluar luftën nga një dhomë hoteli, larg nga fronti, ndoshta reportazhet tuaja nuk përputhen me pikëpamjet e tyre për luftën, ndoshta ata nuk janë të interesuar. Vetkuptohet që është e rrezikshme të punosh, siç punoj unë. Unë e kam përjetuar një granatë artilerike, që ka qëlluar disa metra tutje në det dhe që jam përmbysur në mes të detit, në mes të Indisë e Sri Lankës, jam plagosur në Pashtrik dhe kidnapuar në Afganistan.

* Pasi e lexova librin tënd “Geriljareporteren”, unë kisha përshtypjen që ti e ke konsideruar vetën më të përshtatur në Çeçeni, në mes të temloj (temloj=ushtarë çeçenë). Ç’ka ishte ndryshe me ta, ishin më të guximshëm se ushtarët e grupimeve të tjera të guerile, që i ke përcjellë nëpër botë, apo? Çeçenët, krahasuar me grupimet e tjera guerile nëpër botë, e kishin një superfuqi si Rusia që luftonte kundër tyre, e ata nuk dorëzoheshin…

Kjo ishte arsyeja që ti ishe i ngazëllyer me ta, apo aty e ke gjetur “luftën”, çfarë e doje ti ?

Pål Refdal: Çeçenët janë njerëz të veçantë. Ata e thonë vetë, që janë miqtë më të mirë dhe armiqët më të këqinj. Ata janë pabesueshëm trima, por njëherit të vetpërmbajtur dhe modestë. Ata vdesin pa hezituar. Ajo që e kujtoj ma së miri nga Çeçenia ishte një ditë kur une isha i vetëm në një fshat, kur rusët filluan të granatonin. Une nuk e njihja askend dhe nuk e shihja një njeri kund. Befasisht u paraqit një person dhe ma bante me dorë, që të hyja në oborrin e tij. Aty ishin një grup burrash. Burri dëshironte që une të shkoja në dhomën mbrojtëse, atje ku i kishin dërguar gratë e fëmijët e tyre. Burrat me qëndrue në oborr, por mua, që ata nuk më njihnin, donin të më mbronin, në të njejtën mënyrë si më të dashurit e vet, familjet e tyre.

Pål Refsdal në palester

* Pål Refsdal ti ishe në Afganistan si gazetar i lirë dhe regjisor, që ta bëje filmin dokumentar «Den andre siden», (Ana tjetër), kur u kidnapove. Megjithëse është një çështje krejt private, a mund tu pyes për përkatësinë tënde religjioze ; kur ti u kidnapove ishe i detyruar të konvertoheshe në Islam, apo Islamin e pranove vullnetarisht, si mysliman i moderuar ?

Pål Refdal: Pas Çeçenisë, seriozisht e vlerësoja konvertimin në Islam.

Këtë ua kisha rrëfyer edhe Talebanve para kidnapimit tim. Une besoj që kidnapuesi im ndoshta shikonte në këtë si një rrugëdalje duke më bërë presion për tu konvertuar, një rrugëdalje për të më liruar mua pa e humbur fytyrën. Vetkuptohet, konsideroj kjo ishte një mënyrë përulëse për mua të bëhesha mysliman. Njëherit unë ia kam dhënë premtimin Allahut dhe unë jam tash, tetë vite pas, ende mysliman praktikues.

* Në filmin Dugma – The Button ti si regjisor e jep një pamje tjetër nga brendia e kryengritësve islamikë, duke i përcjellë në aksionet e paramendueme dy persona nga e ashtuquajtura “lista e martirëve”, të cilërt rrëfejnë për vetvetën, familjen e vet, gruan e vet, fëmiun që do t’i lindë dhe “ëndërrat” për të shkuar tek All’ahu. Filmi i përcjellë dy karaktere nga Fronti Al Nusra, që është një degë e Al-Kaedas. Al-Nusra është e regjistruar si organizatë terroriste. Çfarë lloj kuptimi ka kjo për ty, apo pasi kanë si qëllim ushtarët e Al-Asad-it dhe jo civilët, ti nuk kishe ndonjë dilemë e brengë etike?

Pål Refsdal: Jam krejt indiferent nëse një grup është i regjistruar si organizatë terroriste apo jo Vula terroriste është vetëm një përshkrim politik. Ti duhet ta keshë mbajtur në mend që në fillim të luftës në Kosovë SHBA gjithashtu e quante UÇK si terroristë. Më e rëndësishmja për mua është me pa se si lufton një grupacion, a ka mbështetje prej popullit, apo i respektojnë ligjet dhe rregullat e luftës. Al Nusra, sipas Syrian Network për Human Rights, i ka vrarë pak mbi 400 civilë qëkur filloj lufta në Siri. Në të njejtën periudhë diktatori i Sirisë Bashar al Assad i ka vrarë mbi 190.000 civilë. Nëse ne i lëmë anash pikëpamjet tona perëndimore për botën një çast, do ta shohim që qeveria e Sirisë ka vrarë gati 500 herë ma shumë civilë se Al Kaeda. Gjëra të tilla – mendoj une është me rëndësi të mbahen në mend.

Pål Refsdal në palester

* Në fillim të viteve të ’90 të shekullit të kaluar ti ishe po ashtu në Bosnjë si një zëdhënës për forcat ushtarake norvegjeze atje. Në një mënyrë si një djal i ri ishe dëshmitar i asaj lufte të tmerrshme dhe je i njohur me paqen e padrejtë pas Marrëveshjes së Dejtonit, kur serbët e morën si “dhuratë” gjysmën e Bosnjes, duke e krijuar Republika Srpska si një pjesë formale të kësaj Bosnjes dhe Hercegovinës. Si një gazetar me përvojë një paqe e padrejtë është një paqe për ardhmërinë, apo një hap drejt një lufte të re?

Pål Refstad: Për fat të keq kjo është ajo pilula e hidhur, që shumë njerëz duhet ta përpijnë kur arrihet një marrëveshje paqësore. Kriminelë të luftës që ecin lirshëm, kriminelë të luftës që janë bërë të pasur gjatë luftës. Une nuk besoj që populli e do një luftë tjetër, megjithëse kemi një paqe të padrejtë, populli është i lodhur nga luftërat. Ajo që më irriton mua është “paqja me çdo kusht” që e parapëlqen bashkësia ndërkombëtare, megjithëse ata shpesh e kanë fuqinë për të bërë kërkesa ma të rrepta tek pala sulmuese, si Serbia në Bosnjë e Kosovë.

* Si gazetar i Kosovës une e ndjej vetën krenar me punën tënde profesionale dhe jo vetëm profesionale atje gjatë luftës. Për mua je ma shumë se një gazetar në atë kohë historike në Kosovë. A je ti veteran i Kosovas Liberation Army. A je Veteran i Ushtrisë Clirimtare të Kosovës?

Pål Refsdal: Të faleminderit. Por une vazhdoj të jem vetëm gazetar, megjithëse jam plagosur dhe kam kaluar shumë kohë me UÇK se sa ndonjë gazetar tjetër ndërkombëtar. Kur isha vjet në Kosovë ishin disa miqë që më thanë se une mund të kërkoja pensionin atje, si veteran i UÇK. Me duhej vetëm të qeshja. Janë veteranët e vërtetë të UÇK, që u duhen ato para, më shumë se mua. Vjet i takova shumë miq. Bali Berishën dhe gruan e tij që e njihja nga spitali. Naser Gashi, Naim Bardiqi, motrën medicinale Mevlude Hoxha, që u kujdes aq mirë për mua kur isha i plagosur. E takova edhe Lulin, që tash quhet Kadri Veseli.

Janë shumë gjëra që më brengosin me situatën e sotshme në Kosovë. Vetkuptohet që Serbia është një nga problemet, por një problem i madh që ju duhet ta çrrënjosni nëse ju do të jeni një vend sovran dhe i respektueshëm, gja që e kam më pranë zemres është trajtimi që veteranët e vërtetë e patën pas luftës. Diskriminimi nga UNMIK dhe akuzat për krime të luftës janë një gjë. Diçka tjetër është që Kosova ka shumë veteranë që jetojnë në varfëri dhe janë të nënvlerësuar nga shoqëria. Ky është një turp i madh për vendin që viktimat dhe heronjtë e lirisë, tashti pothuaj janë të harruar.

*Gjergj-Bajram Kabashi, ish gazetar i Gazetës Rilidnja dhe udhëheqës i Revista Drini

PS!
Këtu është linku i filmit dokumentar për sulmuesit vetvrasës në Siri, i autorit Pål Refsdal: Knappen – The Dugma.