IDRIZ ZEQIRAJ
Paslufta ka qenë po aq e praptë, sa edhe gjatë-lufta. Përgjatë luftës u infiltruan hafijet shqipfolës. UDB-a ishte përkujdesur për dërgimin e agjentëve të saj, në mesin e mërgatës shqiptare. Ata sabotuan nismat për organizimin politik dhe financiar të mërgimtarëve shqiptarë.
Njëjtë vepruan edhe gjatë luftës, duke sabotuar suksesshëm atë, madje, qysh në nismë të saj, siç është pengimi i unifikimit, bashkimit të faktorit ushtarak. Mjerisht, sabotimit të luftës i shërbyen edhe disa personalitete, bile, ca syrësh u shpallën edhe “heronj” nga bashkëmendimtarët e tyre!? Në qendër të së keqes të Kosovës, ka qenë LPK-ja, e majta ekstreme enveriste-staliniste, e konvertuar në PAN-in e sotëm të inkriminuar.
Ironikisht dhe cinikisht, këta argatë të Serbisë, të mbështetur fort nga sigurimet sekrete të shteteve armike të Kosovës dhe UNMIK-u, i cili, qëllimshëm, mbylli sytë para krimit vrastar të kundërshtarëve politikë dhe të korrupsionit galopant. Logjistikë e kësaj bande, dikur komisarë politikë në mërgatën shqiptare, gjatë luftës “komandantë” fiktivë, të rrejshëm, pa ushtarë faktik, ishte dhe mbetet Tirana zyrtare neo-komuniste.
Me ndërhyrjen e drejtëpërdrejtë të Presidentit Bush (junior), në shkurt 2008, u shpallë Pavarësia e Kosovës. Me angazhimin amerikan dhe aleatëve të tij, pavarësia e Kosovës u njohë, në start, nga dhjetra shtete. Me këtë rast, ndërkombëtarët dorëzuan shumë nga kompetencat “komandantëve” kriminelë e korruptivë të Kosovës. Megjithatë, BE-ja dhe bota demokratike përgjonte, nga afër e larg, administrimin e shtetit më të ri.
Por, “komandantët” e babëzitur, të trimëruar nga dështimet e UNMIK-ut dhe të Tribunalit të Hagës, në bërjen e drejtësisë, vazhduan, shpengueshëm, me krimin vrastar të dëshmitarëve; privatizimet me përfitimet milionshe; tenderimet paushalle korruptive; haraçin e dhunshëm; emërtimet në institucionet vitale të pjesëtarëve të bandave të “komandantëve”; uzurpimet e pronave shtetërore, shoqërore dhe private, përfshi edhe ato të minoriteteve.
Këtë e dëshmon edhe ambasadori anglez, Luari 0`Conor, mik i shqiptarëve: “Gjyshërit serbë të bashkëshortës sime, u vranë nga pjesëtarët e UÇK-së, për t`ua marrë banesën!” Veprimet e ngjashme dhe të tjera kriminale, trupi diplomatik ua ka përcjellur dhe ua përcjellin, në vijimësi, shteteve të tyre. Një praktikë e tillë informacioni, e shohim edhe nga dokumentacioni i ruajtur, në arkivat botërore, në raportimet e diplomatëve, në shekujtë e shkuar, kryesisht, ambasadorët dhe konsujtë, drejtuar shteteve të tyre.
Përfaqësues të shteteve, në veçanti, të Quintit, të institucioneve përkatëse, evropiane e botërore, kanë apeluar që shtetarët e pushtetarët e Kosovës, ta luftojnë krimin dhe korrupsionin. Por, zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit partiakë të Kosovës, en bloc, me mospërfillje, deri në idiotësi dhe rrugaçëri, kanë reaguar, cinikisht dhe poshtërsisht, se “ndërkombëtarët, Evropa po na diskrediton, se ne i kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për liberalizimin e vizave” dhe broçkulla tjera, tërësisht, falsifikuese, të rrejshme. Sollëm këtë fakt, sepse liberalizimi i vizave, ishte barometër edhe i njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Ndërkohë që gjykatat e Kosovës kanë stivuar e arkivuar 720 mijë dosje me lëndë gjyqësore të pazgjidhura. Prej tyre 320 mijë janë cilësuar për zgjidhje parësore. Por, kamuflonin e mashtronin, duke i zvarritur proceset nga viti në vit, për ta pritur parashkrimin e tyre, pra mbylljen e dosjeve kriminale gjithëfarëshe. Edhe pse krimit nuk i skadon afati.
Njohjet dhe vizat pengohen për fajet e pushtetarëve
1) Me gjithë reagimin, deri në largim të ambasadorëve të shteteve të Quintit nga monitorimi i Bordit, për emërimin e Naser Shalës, në krye të një institucioni relevant, Hashim presidenti, me horrat e tij, reagoi me mospërfillje, duke mbrojtur njeriun me dosjen e hapur kriminale.
2) Gjyqi për klanin “Pronto”, u zgjat me vite dhe përfundoi me pafajësi, me arsyetimin se “nuk ka dëshmi të mjaftueshme për dënim!?” Nërkohë që, për rastin në fjalë, dëshmitarë potencialë ishin të gjithë shqiptarët e kudondodhur, si dhe bota tjetër, ngaqë bisedat penalizuese janë transmetuar në media digjitale e vizive me dhjetra herë. Dhe, megjithatë, banda mafioze “Pronto” u pafajësua!?”
3) Ish-kuadri i SHIK-ut dhe kryetari i komunës të Lipjanit, Shukri Buja, i cili, gjatë luftës, e kërcënonte kuadrin e LDK-së, Adem Salihaj, se “ose bëj çfarë të them unë, ose unë të vrasë”, nga 7 (shtatë) akuza që kishte, 5 (pesë) syrësh janë parashkruar, pa u gjykuar fare! Dy akuzat tjera janë shqyrtuar nga Gjykata Themelore dhe e ka dënuar me tre vjetë burg. Ka pasuar ankesa në Gjykatën e Apelit. Dhe, deri në përgjigjen e qëllimshme burokratike, do të parashkruhen edhe dy akuzat e mbetura!
4) Emërimet politike dhe nepotike që “komandantët” pushtetarë kanë bërë dhe bëjnë, janë arsye shtesë të degradimit të shtetit të brishtë të Kosovës. Që këtej, ka ngecje në fushën e njohjeve. SHIK-u kishte intriguar për zgjedhjen e Marjan Demaj në krye të Partisë Demokristiane Shqiptare, me qëllim të shuarjes të partisë, dikur krenare të Akademik Mark Krasniqit. Hashim Thaçi organizoi puçin e shkarkimit të rektorit dinjitoz, Profesor Ramadan Zejnullahut. Sepse ai nismoi verifikimin e diplomave fallco të “pedagogëve” SHIK-as në Universitet. Në vend të tij emëroi rektor Marjan Demaj, duke e shpërblyer për rrënimin e Partisë Demokristiane, tradicionalisht, aleate besnike e LDK-së.
5) Njëjtë mendon ta shpërblejë Akademik Nexhat Dacin, të cilin, Hashimi e ka propozuar për president të Kosovës, për ndarjen e LDK-së, rrjedhimisht, lënien e saj në opozitë, bisht të PDK-së, për 14 vjetë radhazi. Megjithatë, ka trutharë, ahmakë të LDK-së, të cilët, turpërisht, mburrën se “të larguarit nga LDK-ja, nuk i kanë bërë as shenjë LDK-së!” Logjikë marroçe!
Për ngecjen dhe tërheqjen e njohjeve, fajtore është kasta drejtuese pushtetare. Për dy dekada krime e hajni zyrtare. Dhe, megjithatë, krimi dhe kriminelët mbetën në kupolë të shtetit dhe të pushtetit! Kosova një banana-shtet! Edhe populli nuk mund të shfajësohet, sepse është pajtuar të jetojë me krimin dhe kriminelët. “Siç është mbreti, është mileti!”
Maskarada e dosjeve, denoncimeve, akuzave, për krime faktike dhe lirimeve pa ndëshkime, vazhdon për 20 vjet radhazi. Dëshmi janë varret e shtatorët e vrasjeve politike, të atdhetarëve të devotshëm, me qëllim të marrjes dhe të mbajtjes të pushtetit me dhunë. Megjithatë, krimi dhe kriminelët mbrohen, cinikisht e pacipërisht, madje, kolektivisht! Një degradim skajor i një popullil, që pranon skllavërinë politike në shekullin digjital! Tmerr e turp!
Domosdoshmëri spastrimi i skenës politike të inkriminuar
Shpresat që qeveria aktuale të dalë nga ngujimi mohues i njohjeve, janë të vagëta, të pakëta. BE-ja është e qartë në kërkesat e saja, për plotësimin e dy kushteve bazike, si: luftimi i krimit të organizuar, përfshi edhe qindra vrasje të kundërshtarëve politikë dhe korrupsionit masiv. Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk ka shtet ligjor. Dhe, me një shtet të tillë rrumpallë, hallakamë, nuk ka interes për bashkëpunim e njohje nga bota.
LDK-ja, si kryesuese e qeverisë, duke hyrë në koalicion me partitë e PAN-it, të cilat “në fondamentin e tyre kanë krimin dhe korrupsionin”, është jashtë çdo logjike të plotësojë dy kushtet në fjalë, kur partnerët e saj janë bartësit e krimit dhe hajnisë zyrtare, për dy dekada radhazi. Këtë pamundësi LDK-ja e pranoi, kur hoqi 6 (gjashtë) pikat kryesore, të programuara për qeverinë e koalicionit me LVV. Sepse do të ishte iluzive që kriminelët ta ndëshkojnë vetëvetën.
Këtë fakt, edhe pse nuk e përmend deputeti dhe kuadri i lartë i Kancelarës Merkel, ai shfaqë ndjesinë e mirëkuptimit për qeverinë Hoti. Dhe, lënë të hapur dhurimin mëshirues të liberalizimit të vizave, për Këshëndella, në prag të ndërrimit të moteve. Përndryshe, qeveritë horrake të Republikës të Kosovës, kanë refuzuar, në surdinë ose heshtje të qëllimshme, të përmbushin dy kushtet bazike: Luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, thënë troç, hajninë zyrtare. Arsyet janë të njohura: Në qeverisjen e vendit, janë bartësit e krimit dhe të korrupsionit.
Për ndryshim nga qeveria paraprake Kurti, që kishte programuar luftën e pakompromis kundër krimit dhe të hajnisë zyrtare, duke mos e ndjerë nevojën e mëshirës, punonte për plotësimin e kushteve të BE-së. Nisma e shkarkimeve të bordeve partiake e nepotike, më vonë edhe lirimin e terminaleve, ishte tregues faktik se ndryshimi po bëhej dhe njohjet e shtetit të Kosovës do të pasonin.
Por, LDK-ja, më sakt, klani brenda Kryesisë Qendrore, u ndodh para shantazhit të PDK-së, me dosjet e SHIK-ut të saj dhe frikës të humbjes të bizneseve, nga reformat e ngutshme, që filloi qeveria Kurti. Për rrjedhojë, shantazhi dhe frika që kishte klani në fjalë, përshpejtoi rënien e qeverisë Kurti. Të gjitha tjerat janë broçkulla.
Aktualisht, shpresë e thyerjes të bllokadës të njohjeve është Amerika mike, e cila është e paparashikueshme në angazhimet e saj, për ta kthyer të pamundurën, në mundësi. Lë të shpresojmë për më të mirën për Kosovën tonë!