NJIHUNI ME NUMRIN E PARË TË GAZETËS SË RE, “DRINI”…

0
1493
Prof. Murat Gecaj, 4 tetor 2017

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Sot, që është dita e fundit e muajit korrik 2016, dëshiroj t’u njoh, shkurtimisht, me përmbajtjen e numrit të parë të gazetës së re, me emrin simbolik e domethënës, “Drini”. Nuk e quaj të arsyeshme të hamendësoj, pra të shprehem në se ky emërtim është i zgjedhur ose jo. Po kështu, e kuptoj mirë që, për mjaft lexues, ky shkrim informativ nuk paraqet ndonjë interes të veçantë, pasi e kanë marrë vetë në duar, këtë gazetë të re.

Gazeta në fjalë është botim i Drejtorisë së Bujqësisë, Pyjeve dhe Zhvillimit Rural, në Bashkinë e Lezhës. Në redaksi bëjnë pjesë: Gjovalin Gjeloshi-drejtor dhe Ermir Gjokhilaj-redaktor përgjegjës(me nr.cel: 069 364 81 54). Domethënëse janë fjalët r shkruara në krye të gazetës “Drini”: “Varfëria në botë nuk është për shkak, se nuk mundemi t’i ushqejmë të varfërit, por për shkak, se nuk mundemi t’i ngopim të pasurit!?”

Ndërsa mendoj se ia vlen që t’i informojmë lexuesit, më poshtë, për qëllimin e botimit të kësaj gazete, gjë që e sqaron më së miri editoriali: “Pse del “Drini””? Ja, çfarë thuhet aty, në radhët e para: “Të nderuar lexues!Duke filluar nga ky muaj(dmth korriku,-shënimi im, M.G.), do të përpiqemi që të botojmë, periodikisht, një gazetë-buletin, që të ketë si platformë bashkëbisedimin tone, me të gjithë fermerët ose edhe më gjerë, me të gjithë njerëzit, që dëshirojnë të njihen me problemet që kanë bujqësia,pyjet dhe zhvillimi i zonave rurale të Bashkisë së Lezhës, të cilat përbëjnë pjesën dërmuese, të territorit po se po, por edhe të arealit, ku jeton shumica e popullsisë së Bashkisë sonë…”. Stafi i kësaj gazete, po për këtë qëllim sqarues, në faqen 9, ka publikuar shkrimin, ““Drini” dhe “Drinat” e tjerë” dhe Viktor Gjikolaj shënimin e tij, ““Drini” i trojeve tona” (fq.15).

Gjëja e parë, që më shkoi në mend, kur ma postoi këtë gazete, kolegu e miku Gjovalin Gjeloshi, ishte: Ju lumtë nismëtarëve të botimit të kësaj gazete! Tashmë, tregu mediatik është stërmbushur me gazeta e revista, radio e TV, të cilët na “trullosin” çdo ditë, me lajme e shkrime politike, me informacione për aksidente e arrstime të shumëllojshme etj. Por, pak ose aspak, flitet aty për nevojat jetësore të njerëzve të thjeshtë, pra për bujqësinë e blegtorinë, nga ushehemi ne dhe, në përgjithësi, për prodhimet e ndryshme bujqësore e blegtorale os e industriale, qofshin.

2.
Pa e zgjatur më tej këtë arsyetim, po e shfletojmë bashkë numrin e parë të kësaj gazete, e cila botohet në qytetin e Lezhës. Titulli kryesor i faqes së parë është: “Bujqësia:”E lumja unë çka dëgjoj, e mjera çka shoh!” Shkrimin përkatës e ka shkruar Gjovalin Gjeloshi e ndodhet në faqen 5 të kësaj gazete. Në faqen e dytë ka zenë vend shkrimi nga specialisti Paulin Kokaj,

“Hallkë e rëndësishme e agroteknikës”(Kalendari i mbrojtjes së bimëve, për muajin korrik 2016). Në faqen e tretë është publikuar shkrimi “Shënim për veprimtrinë e Agjencisë së Pyjeve”, me autor Kreshnik Alcanin. Me interes është dhe shkrimi i ing.Artan Palushit, “Shërbimi pyjor, pas Reformës Territorialo-Administrative”.Aty janë edhe këto radhë, si vjershë: “Puna jonë do të udhëhiqet nga një piskamë e madhe e vetë pyllit: Për të mirat e dynjasë,/ që unë ty t’ dhuroj pa masë,/s’dua plaçka as thesare,/po tri dëshira t’vogla fare/ dhe do marr lirisht firomë: Mbromë, Mbromë, vetëm Mbromë!”

Në faqen 7, ku do të flitet herë pas here nnë këtë gazetë për bimët e ndryshme, që kanë vlera të çmuara mjekësore, botohet artikulli: “Hithra, mbretëresha e bimëve mjekësore-Thesar, që e shkelim çdo ditë me këmbë!” Në vazhdim, është botuar shkrimi i drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Bujqesisë-Lezhë, Ndoc Lleshi, me titullin “Shumë nuse, mbetet buljera pa ujë!”. Aty nënvizohet se: “Detyra kryesore e DRB është edukimi i fermerëve me të rejat e shkencës dhe teknologjisë, orientimi, konsultimi, kostot, standardet, tregjet, çmimet, siguria ushqimore, mjedisi etj.”

Ndoshta, me pak humor, por dhe me domethënie, është titulli i shkrimit të faqes 10, nga Hilë Hila: “Kush don mjaltë, duhet të durojë thumbin e bletës!”, shoqëruar dhe me disa këshilla për bletërritësit. Në faqen 12 lexuesi gjen shkrimin “Kullimi bëhet në verë, ujitja në dimër-Ah, veç në mos ardhtë vera!”

Një rubrikë e kësaj gazete do të jetë edhe “Nga veprimtaria e Drejtorisë së Bujqësisë”. Shkrimi problemor, “Statistikat e shtrembëruara të bujqësisë”, ka autor Ermir Gjokhilajn. Ndërsa janë botuar edhe shkrimet: “Filloi pastrimi i kanaleve kulluese-Shfaqen problemet e para”(nga Jurgen Ndoçi) e “Të paralajmërojmë zjarret apo zjarrvëniet?” Dy shkrime të faqes 15 janë: “Udhë të mbarë e zemër të bardhë!” (nga Gjergj Shyti) dhe “E shkuara mbetet…”(nga Frano Kulli).

Në mbyllje të këtyre pak radhëve informuese, e përgëzojmë redaksinë për numrin e parë të gazetës së re “Drini” e i urojmë udhëtim të mbarë! Gjithashtu, e falënderojmë Kompaninë “Amarilto sh.p.k.”, e cila mundësoi botimin e saj!

Tiranë, 31 korrik 2016