NJI PËRJETIM I MREKULLUESHËM: PJESA E GJERGJ KOLËS PËR MARTIN DHE ERIKA CAMAJN

1
1582

Falenderojmë z. Hans-Joachim Lanksch për mesazhin e shkrimin e mëposhtëm:

Mirëdita!

Më 22 korrik, në Mynih, u dha premierë vepra “Shpirti i poetit i vizatuem në sytë e grues së tij” për Martin Camajn dhe gruen e tij, Erika, nga autori shkodran me banim në Vjenë Gjergj Jozef Kola.

Ishte nji eveniment i jashtëzakonshëm. Bana nji shkrim të vogël. Ju lutem me e botue.

ju përshëndes,
Hans-Joachim Lanksch

Dje, tue u shëtitë, kalova pranë nji librarie ku në vitrinë më ra ndër sy nji titull: Ka momente ku gjithçka na del mbarë. Nji moment i tillë ka kenë mbramja pardje, konkretisht shfaqja e pjesës teatrore e Gjergj Kolës “Shpirti i poetit i vizatuem në sytë e grues së tij”.

Pjesa e Gjergj Kolës asht nji dialogim mes dy vetesh (Martin dhe Erika Camaj) me anë të letrave që i shkruejnë njeni-tjetrit. Nji letërshkëmbim mes Martinit dhe Erikës nuk ekziston resp. nuk asht i njohun. Kështu autori ynë shkruen letra që mund t’i kishin shkrue ata. Poeti Gjergj Kola e ndërthur tekstin e letrave fiktive me poezi të poetit Martin Camaj (pjesërisht në gjermanisht), mbeshtetun mbi ciklin e mrekullueshem camajan, “Koha e Lules”. Këte e ban jo vetëm me virtuozitet, por edhe me nji ndjeshmëni dhe finesë të rrallë dhe plot dashuni të thellë për poezinë dhe personin e Martinit dhe me respekt dhe simpati të madhe për gruen e tij Erika. Rezultati asht nji pjesë jashtëzakonisht e bukur, e shkrueme nga zemra dhe me zemrën e autorit.

Pjesa asht e koncipueme si lexim skenik, nji gjini teatrore që – mund të gaboj – asht nji risi në dramaturgjinë shqiptare. Realizimi i leximit skenik qe puna e regjisorës dhe aktorës Rita Ndoci dhe doli për mrekulli. Ndihej dora e saj e ndjeshme dhe kujdesshme. Pëlhura e tekstit poetik u gërshetue me muzikë romantike, e interpretueme me pasion nga pianisti shkodran me banim në Gjermani, Besar Mitku. Aktorja e mirënjohur Rita Ndoci e interpretoi rolin e mjekës së re e të dashunueme gjermane, Erika, me mjetet e aktores së sprovueme që asht.

Poeti nga Shqipnija e largët dhe e panjohun, Martini, u luejt nga autori i pjesës, Gjergj Kola. Ai nuk e aktronte rolin e Martin Camajt – ai ISHTE Martin Camaj! Edhe në mishnimin e tij skenik të poetit Martin Camaj u ndie dashunia e poetit dhe dramaturgut Gjergj për poetin e madh Martin. Kur Rita Ndoci/Erika zu me këndue “Luleborën” dhe shkodranet e shkodranët e pranishëm zunë me iu bashkue kangës, nuk ishim ma në Mynih por në Shkodër… Të gjitha këto mrekullina u rrumbullaksuen nga fotografitë artistike nga Leonora Milani.

Në sallë ishte nji atmosferë e rrallë, ndihej pëlqimi i madh i publikut. Shfaqja doli bukur dhe autentik, ndoshta edhe për shkak të pranisë së zonjës Camaj. Qe nji mbramje e paharrueshme. Shpresoj që ajo ka me u përsëritë. Në Shkodër.

………………………………………………………
Hans-Joachim Lanksch
Feilitzschstr. 13
80802 München
[email protected]
www.slowenisch-uebersetzer.de

BEEIDIGTER ÜBERSETZER FÜR SLOWENISCH
Literarische- und Fachübersetzungen:
Albanisch – Kroatisch – Serbisch

Komentet janë mbyllur.