Nji dashuni, si ajo e librave me përralla

0
685

Kapitulli i tretë.

Në Shkodren e viteve 30 kishte ma shumë dashuni të fshehta se ckishte pasë në 400 vjet errësinë turke së bashku. Këto dashuni ishin si xixillojat që mbushnin natën e qytetit. Si xixilloja gjallonin në mënyra të ndryshme, disa vetem ne fillim të mramjes, disa deri në mesnatë dhe pak prej tyne deri në nadje heret.

Pra këto dashuni të fshehta ishin të trillojshme:
E para ishte dashunia e pa fjalë, me sy, me premtime të përditshme që shkonte si nji klithëm pulëbardhe mbi liqenin përbri e mbytej diku përgjithmonë, nji dashuni andërr që zgjohej nga dora e ashpër e realitetit. Nga këto dashuni lindin njerëz të dobët, me zemer te thyeme.
Mandej e dyta ishte nji dashuni ku këto premtime shkonin deri në prekje të shpirtave me anë të fjalëve, të letrave, bisedave nën hanë, ala Romeo e Julia dhe këtu mbeteshin nji jetë të tanë. Nga këto dashuni lindin poezitë dhe kangët ma të bukura të qytetit.

E treta ishte nji dashuni që i kishte të gjitha, ajo niste me shikimet e zjarrta ku zemrat njiteshin me njena tjetrën ma fort se yjet e ri në nji sistem universi. Ato i premtoheshin njeni tjetrit me letra, me puthje të fshehta dhe në fund kunorzoheshin me fejesën dhe martesën. Këto dashuni zgjatshin nji jetë të tanë, problemi ishte se qielli nuk ishte aspak dorëlëshuem me to.

Në këto vite, nji dashuni pa fejesën, kët njohje zyrtare të opinionit, nuk mund të realizohej kurrë.
Dashunia e mezzosopranos se re, gjimnazistes Mariela me kadetin vjenez Marin lindi në katedralen e qytetit aty ku cdo të djelë naltohej nji meshë festive e me cdo 18 gusht të cdo viti tash 300 vjet me rradhë luhej nji meshë requiem për perandorin e Habsburgëve, si shenjë mirnjohjet për ndërtimin e kishave dhe mbrojtjen e katolikëve me dekret perandorak, të rinovuem mbas cdo fitores që austriakët arrinin ndaj turqve.

Ky takim sysh dhe duersh ishte kaq i fuqishëm saqë të gjithëve aty ju ra në sy nji tërhekje e tillë, si dy drita projektorësh. Ata kënduan të dy bashkë të djelën në katerdale, meshën Requiem të Mozartit dhe për herë të parë në kët katedrale, ata guxuen ta këndojnë në shqip „dies iraen“ e famshme:

Ditë zemënimit, ditë lotësh!
A po kthehet bota në shkrumb e hi,
Si na kanë mësue Sibylle e David?

E tanë katedralja u cue në kambë në atë verë të vitit 1937 dhe duert e dy të rijve u shtërnguen fort, zemrat u prekën lehtë si në nji premtim të përjetshëm dashuniet.

Mbas meshes të dy kishin pasë dëshirën e zjermtë me dalë bashkë dorë për dore nëpër qytet, porse në dalje të derës se katedrales varzat e korit priteshin nga prindja, dhe ashtu bashkë me familjen drejtoheshin sejcila në shpinë e vet.

Nji vajzë dhe nji djalë të panjoftun me dalë bashkë rrugës pa u fejue, nuk kishte ndodhë ndonjiherë dhe ajo që bani Marini i kapërceu te tana ligjet ushtarake dhe kodet patriarkale që dashunia kishte njoftë ndonjiherë.

Ai ju afrua Marieles dhe i kërkoi me e shoqnue deri në shpi.
Ajo ja hodhi sytë prindjes e meqë shpijat ishin krejt afër, në rrugicat degëzuese të Gjuhadolit, ata pohuen me krye.
„Ama të ecim afër njeni tjetrit.“ ishte porosia.

Rrugës Marini që me zor i kontrollonte ndjenjat, kaq i fuqishme ishte shpirti tërhjekës i vajzës i tha se në shtator do nisej për në Vjenë, se kishte ardhë vetëm për pushime dhe vera në Vjenë asht njilloj e nxehte si ne Shkoder e shume të tjera të cilat ajo i dinte me kohë e nuk ishin aspak rilevante.

„Javën tjetër shkoj me familje për dy javë në bjeshkë, në Razëm dhe të ftoj me gjithë dëshirë ty e familjen e tande në vilën tonë.“,po e fton ai.
Meqë nuk kishte ndodhë asnjiherë ma parë në kët qytet që nji djalë 20 vjec me thirrë familjen e nji vajzës, se kjo ishte detyrë e prindjes, sadoqë ai vinte prej Vjenës, i ati e kundërshtoi menjiherë.

„Le të vijnë i nderuemi zotni Babë me e ftue“.
Kështu mbas këtyne formaliteteve të nevojshme të nji shoqnije që po zbulohej ngadalë si gjethi në pranverë, familja e Marieles ju shtue disa familjeve të tjera të pasanikëve shkodranë të G´juhadolit që kalonin pushimet në Razëm.
Aty kaluen dy javë të paharrueshme, në të cilat Marini kërkonte përhere e ma shumë me e njoftë e me e dijtë natyrën e Marieles dhe ajo si nji zog i lirë cicëronte gjithë ditën sa në nji dege në tjetrën, nën vështrimin si skifter të prindjes së sajë.

Delnin e shëtisnin në mramje vonë e ngjiteshin në pistën përballë plot me gjelbërim e lule, porse vetëm nuk ishin asnjiherë. Mariela merrte vëllanë e saj të vogël dhe binjakët ishin gjithnji të pandamë. Ajo ngjitej si ketrushe në bredhat e rij veshë me pantallona të shkurta dhe i tërbonte binjakët me shalët e saj të bardha e te shtrime si kolona mermerit te Afërditës.

Prej në mes të bredhave i hidhej herë njenit e herë tjetrit në qafë, nji si lloj gare qëllimi i së cilës ishte që ajo të mos rrëzohej përdhe.
Tanë rinia e tyne e gëzueme, mbushë me freskinë e pyjeve dhe të ndjenjave të reja shkonte tue lanë gjurmë nëpër bjeshkë. Kulmi i këtyne lojnave rinore arrihej kur shkonin në kishën alpine të fshatit malor dhe ajo këndonte nji kangë të vrullshme që këndohej gjithandej në atë kohë:
Ajo e këndonte në standartin shtetnuer të vitit 1937 që normalisht ishte gegnishtja.

Kur më vjen burri nga stani
Kur më vjen
fërr fërr fërr ma ban fustani
Fërr fërr fërr
Dhe pika kulmore e kangës mbrrinte te fjalët:
Kur më vjen burri prej kishës
Kur më vjen
Fërr fërr ja baj këmishës
Fërr fërr fërr

Për dy javë ajo i magjepsi jo vetëm binjokët porse edhe zogjte, lulet dhe pemet qe gjallonin në freskinë e bjeshkës.
„ A don me u fejue me Marielën“, e pyeti Floriani, vëllanë binjok nji natë dhe mbeti gojëhaptë nga përgjigja e të vëllait:
„ A je cmendë? Si mund të fejohem me dikë që sapo e kam njoftë!“

Floriani tue kenë ndryshe, mendonte ndryshe dhe i tha të vëllait se njeriu kur e ndesh dashuninë nuk ka pse me mendue gjatë e dy herë, porse njashtu si burimi që zbulon, nuk ngurron ma, porse i vendos buzët dhe pinë deri në fund ujin.

„Ah për ju poetët asht e vërtetë kjo, për ne ushtarakët jo, për mue dashunia dhe fejesa janë nji akt i nji strategjie të mendueme shumë hollë“.
Floriani ju afrue në fund të dy javëve Marinelës dhe e gjeti në darkë mbështet në dritaren e dhomës dhe nji hanë e madhe, sic nuk kishte kenë ndonjiherë e ndriconte barin jeshil si dorë piktorit.

Ju dukë sikur po e mbante tanë hanën mbi shpindë kur i tha se kishte shkrue nji poezi-portret për të, dicka që i kishte ardhë nga zemra, si dhuratë pra e nuk kërkonte asnji përgjigje.

Vajza që dashunonte ma fort vedin për bukurinë e saj rrezatuese, për të cilën krenohej krejt natyrshëm, nuk i bani dhe aq përshtypje interesi i nji të riut, i vellait tjetër binjok, i cili i zgjoi ma fort interes me e njoftë si njeri se sa si adhurues.

Tue u dridhë, pak prej peshës së hanës e pak prej peshës së syve të saj, mbushë nga emocione të dlira dhe të zjermta njiherësh, studenti poet vazhdoi:

Mariela… Portret:
N`mes tanë zogjve që të ka këndue ajri
N`mes tanë ngjyrave që të ka shtrue toka
N`mes tanë yjeve që të ka mbulue qielli
Poezia jeme asht vetëm nji varkë prej drunit
Dicka mes Noas dhe peshkatarit të përditshëm
Se ti je aty ajo nimfa, përjetsisht e gdhendun
e lundron mbi ujnat e tana ditëve të mija….

Ndërsa ai lexonte, zani i dridhun, ritmi i poezisë lirike dhe heshtja e natës jë mbushën asaj zemrën aq thellë saqe u zhyt per pak caste, apo ndoshta përjetsisht shumë, në nji hipnoze dashunijet. Gjethet fërrfërrinin dhe fladi i freskët i mbramjeve në bjeshkë, përzie me erën e plotë të mandave te tokës, të pjekuna e plot lang e mbërtheu në fyt dhe e la pa frymë. Deshti me i hapë sytë, porse nji forcë ma e madhe se ajo nuk e la. Ndërkohe Florianit i mbaruen fjalët dhe ai që ishte kujdesë, që poezia të ishte sa ma e shkurtë, tash papritmas kur e pa fuqinë magjepse të fjalës, vazhdoi të improvizonte, sic ban uji i burimit që derdhet nëpër gurët e bardhë te zallit.

Mariela vazhdonte tue u perpjekë me andrrën e plotfuqishme, që nuk e lëshote gjallë, ndërsa ndjente se si nji erë e lehte, përvëluese ja hapte nji nga nji petalet e zemrës dhe i derdhej në qendër te saj. Ishte shndërrue në nji lule të madhe nga hipnoza e dashunisë dhe nji pasqyrë e mrendshme i reflektonte vedin.

Kur hapi sytë e pa Florianin që e shifte me dy sy të mëdhej, që nji cast ma parë ishin nxanë në faj e tash ishin tanë lotë e i ndriconin në natë si yjet mbi qiell. E shtriu dorën dhe ja mori lehtë gishtat e tij në rë sajin.

Ma shumë se me dorë nuk mund ta donte e ai nuk kërkonte ma, ndaj ndejën asht dorështërngue tue ndi zhurmen e pemëve, tue thithë aromën e mandave të tokës e tue numërue të panumëruemin cast dashunijet.

„O zemër e cmendun vajze që guxon me rrahë për dy vetë njiherësh“, i tha ajo vedit kur e kapi gjumi nadje heret pa dali mirë dielli.
Rrugës, të nesërmen, kur po ktheheshin për në Shkoder i jati i Marielës e pyeti para të gjithëve Marinin nëse do fejohej me vajzën e tij dhe Marini ja ktheu se nëse ai nuk rrin në Vjenë, dhe kthehet ne Shkodër nji ditë edhe mund ta shpalli nji gja të tillë, ngaqë atij nuk i ka pshtue fakti që ajo asht vajza ma e lakmueshme në qytet.

I jati i binjokëve ishte i mendimit se mbi kët gja ishte shumë herët me folë, së pari të mbarojnë shkollat djemtë, akademinë ushtarake në Vjenë njeni dhe tjetri studimet për letërsi në Romë e mandej mund të flitej për lidhje, fejesa e martesa për fëmijët e tij.

„Jetojmë kohë të turbullta e cka ta bjen casti nuk ta bjen ora e Shkodra ka qenë gjatë tana kohëve syni i ciklonit“, e mbylli ai.
Floriani, binjaku poet nuk bëzante, vetëm se dridhej në heshtjen e zbrazët që fati kishte hapë në mes tij dhe botës.

Mariela ishte mbledhë në vedi. Dashunisë i ishte dashtë vetëm nji cast i vetëm, sa i mjafton nji poezie me u shkrue, që lulja e zemrës së saj me marrë drite e me mbushë tanë ngjyrë. I dukej se kishte pasë nji sekret thellë zemres e tash po ja shofin te tanë.

„Nuk e di si me u marrë me nji zemër që dashuron dy njerëz, njiherësh“, grihej e copëtohej me vedin e saj tanë rrugën.
Kishte nji si uri, njashtu sic kanë gratë kur mbesin shtatzanë dhe nuk e dijnë, uri me hangër gjithcka dhe gjithkend.
„Binjakët me kanë hi në zemër me anë të ngjashmënisë së tyne dhe kanë nxanë vend aty të dy me anë të ndryshmënisë së tyne. „ i thotë vedit.
Prindja e dy palëve nuk flitshin vetëm se ishin të gëzuem në patriakalizmin e tyne qytetar, se fëmija po i respektonin vendimet e tyne, megjithse te fëmijët e tyne shpërthenin mendime dhe ndjenja krejt të tjera.

Binjokët para se të ndaheshin në shtator e të shkonin në shkollat e tyne në perëndim e hapen krejt shkurt temën e Marielës. Ajo tashma ishte si nji diell rreth të cilit ata silleshin, sejcili në trajektoren e vet e skishte nevojë për shumë fjalë.
Pyetjes së Florianit se cka mendonte për Marielen dhe për fejesën e mundshme Marini ju përgjigj:

„Mariela asht nji bukuri e mahnitshme, e gati e rrezikshme, që nuk e kam ndeshë askund, as edhe në Vjenë e për me e mbajtë atë afër nji jetë te tanë të duhet nji garnizon i rregullt ushtarak“.

Te binjokët forca tërheqëse ndaj njeni tjetrit asht ma e fuqishme se ndër vllazën apo motra të tjerë e sikur të ishin planete ato do ishin përplasë me kohe tue shkaktue crregullime në sistemin diellor të nji universit.
Në shtator Mariela nisi vitin e fundit të gjimnazit, binjakët ikën jashtë, njeni në Itali e tjetri në Austri dhe dashunisë dukej se i mbeti tanë ajo intermezzo me pregatitë aktin tjetër.

Porse kësaj rradhe dashunia nuk pat ma asnji hapësinë paqet që i duhet me u shtri për shtatë palë qejfe, sepse vitin që erdhi në 1938 Gjermania naziste aneksoi Austrinë dhe vitin pasardhes 1939 Italia fashiste pushtoi Shqipninë.
Përfaqetëzezë të këtyne dy shteteve diktatoriale, që ja kryqëzuen e ja bane lamsh dashunise së Marielës rrugën që edhe kështu kishte kenë mjaft e komplikueme.

Gjergj Jozef Kola
Vjenë 18