Xhelal Zejneli
JORGE LUIS BORGES
Jorge Luis Borges (Jorge Francisco Isidoro Luis Borges Acevedo, Buenos-Aires, 24 gusht 1899 – Gjenevë, 14 qershor 1986) është shkrimtar argjentinas, një nga autorët më të pavarur të letërsisë botërore bashkëkohore. Proza e tij ndikoi dukshëm në letërsinë botërore të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Përdori pseudonimet Alex Ander, Benjamín Beltran, Andrés Corthis, Pascual Güida, Bernardo Haedo, José Tuntar dhe bashkë me Bioy Casaresin si Honorio Bustos Domecq dhe Benito Suárez Lynch.
Babi i tij Jorge Guillermo Borges ishte avokat dhe mësues i psikologjisë. Gjyshja nga vija e babait ishte angleze. Në shtëpinë e tyre flitej spanjishtja dhe anglishtja, ndaj Jorge (Horhe) që në fëmijëri paralelisht i fliste të dyja gjuhët. E ëma Leonor Acevedo Suarez mësoi nga i shoqi anglishten dhe punoi si përkthyese. Familja e babait të Borgesit ka prejardhje spanjolle dhe portugeze, por edhe angleze. Familja e së ëmës është me prejardhje spanjolle, mbase edhe portugeze. U rrit në kuartin Palermo të kryeqytetit, në një shtëpi të madhe, me bibliotekë të pasur. Për shkak të problemeve me të parit, babai u detyrua të pensionohet. Me të tilla probleme më vonë do të ballafaqohet edhe i biri.
Në vitin 1914 familja vendoset në Gjenevë. Këtu babai iu nënshtrua kontrollit specialist të syve. Borgesi dhe e motra Norah këtu ndjekin shkollimin. Borgesi mëson frëngjishten dhe gjermanishten. Tregon interesim për simbolizmin francez, por edhe për filozofinë gjermane. Në vitin 1918 diplomon në Universitetin e Gjenevës.
Pas përfundimit të Luftë së Parë Botërore familja Borges qëndron tre vjet në Lugano, në Barcelonë, në Majorkë, në Sevilë dhe në Madrid. Në Spanjë Borgesi bëhet anëtar i avangardës letrare, pra lidhet me ultraistët. Poezia e parë e tij „Himn detit“ e botuar në revistën Grecia, është shkruar në stilin e poetit amerikan Vitmen (Walt Whitman, 1819-1892).
Shënim: Vitmeni në moshën 12-vjeçare e la shkollën. Shumë kohë para tij, edhe babai i tragjedisë moderne, Shekspiri e ndërpreu shkollimin në moshën 13-vjeçare. Kjo ndikoi që të vihet në dyshim autorësia e tij për veprat që i vishen atij. Liriku, epiku, dramaturgu, prozatori, përkthyesi, kritiku letrar dhe teoricieni Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) thotë se arti është krijim i gjeniut. I tillë ishte Shekspiri, ndaj ishte pikërisht ai që solli vdekjen në skenë.
* * *
Pas kthimit përfundimtar në Buenos-Aires më 1921, Borgesi përfshihet në qarqet intelektuale argjentinase. Shkruan poezi me frymëzim lirik e mitologjik. Njëherazi themelon edhe revista letrare. Në vitin 1923 botoi vëllimin e parë me poezi “Afshi për Buenos-Airesin”. Gjithnjë më tepër i kushton rëndësi llojit letrar që e bëri të famshëm, rrëfimit fantastiko-filozofik. Tregimet e para Borgesi i përmblodhi në përmbledhjen “Historia e përgjithshme e neverisë”.
Në vitin 1927 Borgesi u operua nga një katarakt në sy. Syri iu operua disa herë, por pa përmirësim. Kah mesi i viteve ’50 të shekullit të kaluar u verbua plotësisht që të përkujton Homerin e verbët dhe Xhojsin.
Në vitin 1930 takoi tregimtarin 17-vjeçar argjentinas Kasares (Adolfo Bioya Casaresa, 1914-1999) me të cilin e lidhi miqësia dhe bashkëpunimi i përjetshëm. Bashkërisht shkruanin dhe hartonin antologji. Përdornin pseudonimet: Honorio Bustos Domecq, B. Suarez Lynch, B. Lynch Davis.
Kasaresi ishte i martuar me poeten dhe tregimtaren argjentinase Silvina Okampo (Silvina Ocampo, 1909-1994). Që të dy i përkisnin rrethit letrar të Borgesit. Këtij qerthulli i takonin edhe filozofi dhe shkrimtari argjentinas Masedonio Fernandes (Macedonio Fernandez, 1874-1952), tregimtari dhe eseisti argjentinas, me gjak arbëreshi të Italisë Ernesto Sabato (Ernesto Ferrari Sabato, 1911-1990), poeti dhe kritiku spanjoll Gilermo de Tore (Guillermo de Torre Ballesteros, 1900-1971) etj.
Më 1928 De Tore u martua me motrën e Borgesit, piktoren Norah Borges (Leonor Fanny “Norah” Borhes, 1901-1998) e cila i takonte Grupit të Floridës. Nofkën “Norah” ia vuri i vëllai Borgesi.
Borgesi dhe Kasaresi, herë me emrat e vërtetë, herë me pseudonimet Honorio Bustos Domecq dhe B. Suarez Lynch shkruan proza satirike dhe dy skenarë filmi. Më 1981 këto krijime dolën si libër me pesëqind faqe.
Pas kthimit të familjes në atdhe nga Spanja, Borgesi sjell edhe doktrinën e ultraizmit. E fillon karrierën e vet duke shkruar poezi dhe ese që i boton nëpër revista letrare. Koleksioni i parë i tij me poezi „Afshi për Buenos-Airesin“ u botua në vitin 1923. Në këtë vit Borgesi bëhet kryeredaktor i shtojcës letrare të gazetës Kritika. Këtu botohen një pjesë e tregimeve të tij të cilat më vonë do të botohen në „Historia e përgjithshme e neverisë“. Këto vepra janë midis eseve jofiksionale dhe tregimeve të shkurtra, për arsye se Borgesi i shfrytëzon elementet e fiksionit për të rrëfyer rrëfime të vërteta, si dhe fragmente letrare për të cilat thotë se janë përkthime fragmentesh të veprave të famshme, por që rrallë janë lexuar.
Në vitet në vijim punon si bashkëpunëtor për shtëpinë botuese Emeqe Editore, duke shkruar njëherazi edhe kolumna për EL Hogar, që dilte në vitet 1936-1939.
Në vitin 1941 del koleksioni i tij i parë me tregime të shkurtra „Kopshti i shtigjeve të degëzuara“. Libri përfshin tregimin „El sur“. Këtu janë përfshirë edhe disa elemente autobiografike të autorit, si për shembull fatkeqësia që kishte pësuar. Duke qenë se për veprën e sipërthënë nuk iu dha ndonjë shpërblim apo mirënjohje, një pjesë të madhe të revistës së vet të numrit të qershorit, Okampo ia kushtoi reparacionit të Borgesit.
Në vitin 1937 Borgesi punon si ndihmës i parë në bibliotekën e Miguel Cane-s, që ishte degë e bibliotekës komunale të Buenos-Airesit. Në vitin 1938 Borgesit i vdes babai me të cilin ka qenë shumë i lidhur. Në natën e Vitit të ri të viti 1939, në një aksident Borgesi lëndon kokën. Derisa e merrte veten nga kjo fatkeqësi, fillon të shkruajë në stilin për të cilin u bë i njohur.
Në vitin 1946 vjen në pushtet Huan Peroni (Juan Peron, 1895-1974). Duke qenë kundërshtar i hapur i fashizmit, i sistemit totalitar si dhe kritikues i ashpër i populizmit, me ardhjen në pushtet të diktatorit Peron, Borgesin e largojnë nga puna. I mundësojnë të punojë si inspektor tregu, por ai nuk pranon. Ekzistencën e siguron duke mbajtur ligjërata në Argjentinë dhe në Uruguai për shkrimtarët anglo-saksonë.
Borgesi mbeti pa punë dhe duke qenë se të parit nisi t’i dobësohet, nuk kishte mundësi të ekzistonte prej shkrimeve. Tani e fillon punën e ligjëruesit. S’ka dyshim se pushtetarët, për arsye politike dhe ideologjike, e syrvejonin pandërprerë. Në saje të suksesit të arritur në lëmin krijimtarisë letrare, bëhet personalitet publik. Në vitin 1950 bëhet kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Argjentinës, detyrë kjo që e mbajti deri në vitin 1953. Njëherazi, në vitet 1950-1955 bëhet edhe profesor i letërsisë angleze dhe amerikane në Shoqatën argjentinase të kulturës angleze.
Tregimi i shkurtër i tij “Emma Zunz“ xhirohet si film me emrin Dias de odio, i përkthyer në anglisht si Days of Wrath. Filmi xhirohet në vitin 1954 nën regjinë e regjisorit argjentinas Leopold Tore Nilson (Leopoldo Torre Nilsson). Tani Borgesi fillon të shkruajë edhe skenarë filmi.
Në vitin 1955, me nismën e Okampos, qeveria e re ushtarake antiperoniste e emëron në pozitën më të lartë të Bibliotekës Kombëtare. Meqë ishte i verbët, për Borgesin argjentinasit thoshin: „Zoti i ka dhënë 800.000 libra dhe errësirë“.
Në vitet në vijim Borgesit do t’i jepet çmimi kombëtar për letërsi, ndërsa nga Universiteti Cuvo i Argjentinës u shpall për herë të parë Doctor honoris causa. Më vonë do të shpallet doktor nderi edhe nga universitete të tjera.
Në vitet 1956-1970 punoi si profesor i letërsisë në Universitetin e Buenos-Airesit. Me kohë të përkohshme ka punuar nëpër universitete të ndryshme. I verbët tërësisht, tanimë nuk mund, as të lexonte e as të shkruante, kështu që iu mbështet për ndihmë të ëmës me të cilën ishte po aq i afërt sa me të atin. Tani ajo punon si sekretare personale e tij. Homeri latinoamerikan ia diktonte mendimet, ndërsa ajo i shkruante në makinë shkrimi.
Në fillim të viteve ’60 Borgesi fiton famë ndërkombëtare. Në vitin 1961 merr çmimin “Formentor Prize” që e ndan me romancierin dhe dramaturgun irlandez të shprehjes gjuhësore kryesisht franceze, Semjuel Beket (Samuel Becket, 1906-1989, laureat i çmimit „Nobel“ më 1969). Beketi ishte tejet i njohur dhe i çmuar në zonën gjuhësore angleze, ndërsa Borgesi në atë kohë s’ishte as i njohur, as i përkthyer. Sapo iu dha çmimi i sipërthënë, bota filloi të pyesë: Kush ishte ky njeri që ndau çmim letrar me autorin e antidramës legjendare „Duke pritur Godonë“?!
Që nga viti 1962 Borgesi do të përkthehet edhe në gjuhën angleze. Në të njëjtën kohë do të mbajë ligjërata nëpër Evropë. Në vitin 1967 e nis bashkëpunimin pesëvjeçar me përkthyesin Norman Tomas di Gjovani (Norman Thomas di Giovanni). Në saje të tij bëhet i njohur në zonën gjuhësore angleze.
Borgesi u martua dy herë. Në vitin 1967 u martua me miken e vet shumëvjeçare Elsa Astete Millan (1911-2011), e cila sapo kishte mbetur vejushë. Martesa e tyre zgjati vetëm tre vjet.
Kur Huan Peroni u kthye nga internimi, duke u zgjedhur në vitin 1973 përsëri kryetar i Argjentinës, Borgesi jep dorëheqje nga detyra e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare. U detyrua të largohej nga vendi. Udhëtoi nëpër botë i shoqëruar nga shkrimtarja e re Maria Kodama (1937-1986). Kjo ish studente dhe sekretare e Borhesit, nënën e kishte gjermane, ndërsa babanë – japonez.
Në vitin 1975, pas vdekjes së të ëmës, Borgesi viziton vende të ndryshme të botës. Vizitat nëpër botë i vazhdon deri në fund të jetës.
Në vitin 1986, pak muaj para vdekjes, Borgesi dhe Maria Kodam u kurorëzuan. Vitet e fundit i kaluan bashkë. Në vitin 1986 autori i “Alefit” vdiq në Gjenevë nga kanceri në mëlçi. U varros aty në varrezat Cimetière des Roiso.
RRUGA KRIJUESE: Krijimtarinë letrare dhe eseistike Borgesi e zhvilloi në periudhën e viteve 1923-1986. Është tregimtar, poet dhe eseist. Krahas tregimeve të shkurtra për të cilat është më i njohur, ka shkruar edhe poezi, ese, skenarë filmi, kritika letrare, parathënie dhe pasthënie. Botoi një numër të madh antologjish. Përktheu në spanjisht nga anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Jetoi gjatë pjesës më të madhe të shekullit XX, kështu që u ndikua nga stili modern i të shkruarit, e në veçanti nga simbolizmi.
Mu si prozatori e poeti ruso-amerikan Nabokov (Vladimir Vladimiroviç Nabokov, San-Peterburg, 1899 – Montreux / Zvicër, 1977) dhe prozatori e poeti irlandez Xhojs (James Joyce, 1882-1941), interesin për atdheun e vet Borgesi e kombinoi me interesa më të gjerë.
Nabokovi dhe Xhojsi shkruanin në më shumë se një gjuhë. Po kështu edhe Borgesi. Që të tre, në shkrimet e tyre bënin lojë virtuoze me gjuhën. Me kalimin e kohës Nabokovi dhe Xhojsi shkruanin vepra gjithnjë më të mëdha dhe më komplekse. Borgesi ndërkaq, deri në fund mbeti miniaturist. Përpos kësaj, për dallim nga Xhojsi dhe Nabokovi, krijimtaria e Borgesit largohej nga ajo që ai e quante „barok“, ndërsa krijimtaria e këtyre dyve, sa vente i afrohej “barokut”. Krahasuar me veprat e fazës së hershme, stili i veprave të mëvonshme të Borgesit më tepër është natyralist dhe transparent.
Shënim: Bashkëkohësi i Borgesit, Nabokov, deri në vitin 1940 njihej me pseudonimin Vladimir Sirin. Në vitin 1919 familja e tij u largua nga Rusia. Shkollimin e vazhdoi në Angli ku studioi biologjinë dhe letërsinë. Një pjesë të madhe të veprave në rusisht i shkroi në vitet 1922-1937 në kohën kur jetonte në Berlin. Para se të shpërthente Lufta II Botërore, jetoi në Paris. Në vitin 1940 emigroi në ShBA dhe nisi të shkruajë në gjuhën angleze. Ishte vazhdues i lirikut dhe tregimtarit amerikan, artificialit Edgar Allan Po (Edgar Allan Poe,1809-1949), i tregimtarit e komediografit rus, groteskut Nikolaj Vasileviq Gogol (1809-1852), i romancierit francez, stilistit të përkryer Gystav Flober (Gustave Flaubert, 1821-1880) dhe i virtuozit Xhejmz Xhojs.
Nabakovi ishte paraardhës i postmodernistëve siç janë: prozatori italian Italo Kalvino (Italo Calvino, 1923-1985), teoricieni, kritiku dhe romancieri italian Umberto Eko (Umberto Eco, 1932-2016), romancieri anglez, i shkolluar në Oksford Xhon Robert Faulz (John Robert Fowles, 1926-2005) si dhe romancieri amerikan Tomas Raglz Pinçan (Thomas Ruggles Pynchon, 1937-).
* * *
Në vitin 1944 boton përmbledhjen me tregime ”Fiksione” që është një nga veprat themelore të Borgesit. Në vitin 1951 kjo vepër emblematike botohet në Francë në gjuhën frënge. Autori afirmohet në shkallë kombëtare. Në vitin 1949 boton një tjetër vepër në stilin e rrëfimit fantastiko-filozofik me titull “Alef dhe rrëfime të tjera”. Vepra ia rriti prestigjin, duke ndikuar njëherazi të zgjidhej kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Argjentinës. Duke qenë një shoqatë antiperoniste, regjimi e shpalli të paligjshme. Në vitin 1953 fillon botimi i veprave të tij në nëntë vëllime.
Me rënien e regjimit të Huan Peronit më 1956, Borgesi emërohet profesor i letërsisë angleze në Universitetin e Buenos-Airesit dhe drejtor i Bibliotekës Kombëtare. Për shkak të verbimit progresiv, i ndalohet të lexojë dhe të shkruajë. Që atëherë, për të do të shkruajnë e ëma dhe miqtë.
I kthehet poezisë ngase vargjet mund t’i mësojë përmendësh, e që pastaj t’i diktojë. Udhëton nëpër botë, mban ligjërata në ShBA, në Peru, në Izrael, në Islandë, shpesh jep intervista, kudo i japin shpërblime dhe mirënjohje. Pa lënë gjë pa lexuar dhe i mbërthyer nga kërshëria intelektuale, Borgesi njësoj e kultivonte formën e shkurtër, si në varg, ashtu edhe në prozë, si në prozën eseistike ashtu edhe në atë fiksionale, shpeshherë edhe duke i ndërthurur në veprat si: “Krijuesi”, “Ari i tigrave”.
Përjashtim bëjnë traktet e gjata që i shkroi me bashkëpunëtorët: “Ç’është budizmi?”, me A. Juardon, “Letërsitë e vjetra gjermane” me D. Ingenieros etj.
Në poezi, me tingëllimën (sonetin) dhe me vargun e lirë trajtonte përmbajtje nga më të ndryshmet, duke krijuar herë-herë glosa për shumë dukuri dhe personazhe, duke e përzier abstraksionin intelektual dhe të amësht me figurën, me mitin ose me tregimin.
Tituj kryesorë të krijimeve të tij janë: “Fletorja e San Martinit” “Të tjerët, të njëjtë” “Trëndafili i thellë”, “Monedhat”. Në të gjallë zgjodhi për botim antologjik mjaft vargje të veta.
Borgesi është mjeshtër i tregimit të shkurtër. Këtu rrjedha narrative është e ngjeshur në stilin diskursiv të trakteve filozofike, ndërsa thurima fantastike bëhet shenjë mbrojtëse. Borgesi shpesh vë në dyshim qëndrimin e tregimtarit, mistifikon theksimin e fakteve dhe ironizon forcën njohëse. Kjo vlen sidomos për “Fiksionet”. Kudo nëpër qarqe letrare lindën breza krijuesish të quajtur borgesistë.
Tituj të përmbledhjeve të tjera, përpos “Alefit” janë: “Raporti i Brodit”, “Libri i rërës”.
Esetë i janë përfshirë në përmbledhjet: “Shqyrtimi”, “Historia e amshimit”, “Kërkime të tjera”, “Nëntë trakte për Danten”, „Libri i qenieve të imagjinuara“.
Një pjesë e ligjëratave të tij janë përfshirë në përmbledhjet: „Shtatë net“ dhe “Nëntë trakte për Danten”.
Disa nga veprat e tij më të njohura merren me natyrën e stinëve, me pafundësinë, me pasqyrat (për këtë arsye një pjesë e madhe e tregimeve të tij mbjellin njëfarë frike), me labirintet, me realitetin dhe me identitetin. Në një pjese të madhe të tregimeve theksin e vë mbi një veprim fantastik, siç është biblioteka e cila i përmban të gjitha variacionet e mundshme të tekstit në librin me 410 faqe („Biblioteka e Babilonisë“), vendi ku priten të gjitha drejtimet në gjithësi („Alefi“) dhe viti në të cilin koha nuk lëviz, ndërsa i është dhënë njeriut para se ndaj tij të qëllojë njësiti i pushkatimit („Mrekullia e fshehtë“).
Në fillimet e krijimtarisë letrare, faktet reale Borgesi i përziente me fiksionin apo me jorealen. Ka pasur raste kur përzierjet e tilla teproheshin, duke hyrë kësisoj në sferën e mashtrimit dhe të gënjeshtrës letrare.
Borgesi është shkrimtar i cili i ka përfytyruar paraardhësit e vet, i cili teologjinë dhe filozofinë i konsideronte gjini të letërsisë fantastike, mjeshtër i paradokseve të sajuara dhe i tautologjive të qëllimshme, krijues i botëve spirituale që i ndërton mbi gërmadhat e traditave letrare apo të veprave të veçanta, eseist brilant dhe egzeget shpirtëror. Toposin e botës sikur librat dhe librat sikur botën, ai i shndërroi në konstantë të krijimtarisë së vet.
VEPRAT: Afshi për Buenos-Airesin (Fervor de Buenos Aires, 1923 ), Hëna e ballafaqimit (Luna de enfrente, 1925), Fletoret e San Martínit (Cuadernos de San Martín, 1929 ), Evaristo Carriego, 1930, Shqyrtimi (Discusión, 1932), Historia e përgjithshme e neverisë (Historia universal de la infamia, 1935 ), “Historia e amshimit” (Historia de la eternidad, 1936), Fiksione (Ficciones, 1944 ), Alefi (El Aleph, 1949), Kërkime të tjera (Otras inquisiciones, 1952), Krijuesi (El hacedor, 1960 , Tjetër, njëjtë (El otro, el mismo, 1964), Për gjashtë tela (Para seis cuerdas, 1965), Lëvdimi i hijes (Elogio de la sombra, 1969 ), Raporti i Brodit (El informe de Brodie, 1970 ), Ari i tigrave (El oro de los tigres, 1972 ), Libër nga rëra (El libro de arena, 1975), “Trëndafili i thellë” (La rosa profonda, 1975), “Monedhat” La moneda de hierro, 1976), „Shtatë net“ (Siete noches), “Nëntë trakte për Danten” (Nueve ensayos dantescos, 1982),.
Në vitin 1961 Borgesi mori çmimin “The Formentor Prize”, kurse në vitin 1979, çmimin spanjoll për letërsi »Cervantes«.