NJERIU KA NEVOJË PËR POEZI SIÇ FEMRA KA NEVOJË PËR DASHURI

0
288
Dashuri e bekuar - Mariana Grigore - Isak Ahmeti

Baki Ymeri

Poezia është testamenti i jetës, ndërsa bota kuptohet më së miri përmes shpirtit të poetit. Poezia është dimensioni më i pastër që e posedon qenja njerëzore. Vëllimi respektiv është një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeti të talentuar të botës shqiptare. Isak Ahmeti, poet, përkthyes letrar, politikan, kaherë e ka krijuar profilin e tij të veçantë letrar. Njeriu ka nevojë permanente për poezi, siç qielli ka nevojë për yje, siç dielli ka nevojë për zjarr, siç pyjet kanë nevojë për pemë, siç bimët kanë nevojë për ujë, siç trupi ka nevojë për ushqim, siç femra ka nevojë për dashuri, siç mushkëritë kanë nevojë për ajër dhe siç syri ka nevojë për dritë.

Ribotimi i një vëllimi të vjetër me vargje briliante, përfaqëson një festë të shpirtit për lexuesit e poezisë. Libri “Uratë zbulimi” për herë të parë e ka parë dritën e botimit në vitin 1976, dhe ja tani, ribotohet si edicion bilingv në Bukureshtin e rilindësve tanë, duke patur për autor poeteshën e talentuar rumune Mariana Grigore. Lekturimi i një vëllimi të këtillë shndërrohet në një përjetim të thellë estetik që manifeston sentimentin e lindur në mënyrë të natyrshme, një ndjenjë e bekuar që bashkon trokitjet e dy zemrave të gërshetuara me fërgëllimën e zjarrit romantik, autori dhe lektori duke realizuar një binom komplementar, i pari duke ofruar, ndërsa i dyti duke receptuar intenzitetin e ndjenjave, thellësinë e përjetimeve, kuptimin e temave dhe sfondin ideatik që fshihen në zemrën e çdo poezie.

Nga vargjet e Zt. Isak Ahmetit, ish koleg i studimeve në Universitetin e Kosovës, njohës i disa gjuhëve të huaja, kuptojmë se ekzistojnë shumë botë: bota e ndjenjës atdhetare, bota e meditimit psikologjik dhe filozofik, bota e sentimentit erotik. Lirikës së tij i mungon banaliteti dhe pornografia. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Vargjet e tij janë materializuar sipas dëshirave tona, sepse në to reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik. Në vargjet e Isakut shkëlqen drita e dashurisë, magjia e saj dhe bota e e kuptimit realist.

Poezia është lëngu i jetës dhe mjalta e fjalëve. Libri „Uratë zbulimi” u lind nga një impuls fisnik, duke qenë i menduar si një befasi e re letrare dhe sentimentale. Veprat e këtilla e pasurojnë botën tënë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të mëdha etike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë antike dhe aktuale të sentimentalizmit shqiptar. Ky është misioni i krijimtarisë letrare në rradhë të parë, dhe të botës së bekuar të arteve në përgjithësi.

Poezia është një arti i pakufishëm. Fjalët e Isak Ahmetit nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Fjalët e vërteta e ledhatojnë dhimbjen dhe errësirën brenda nesh. Buka është fjalë, drita është fjalë, urrejtja dhe errësira janë fjalë. Fjalë që shërohen dhe fjalë që vrasin, fjalë që ndriçojnë dhe fjalë që errësohen. Nevoja për të folur është një nga nevojat më të nxehta dhe më të domosdoshme të njeriut, së bashku me nevojën për ushqim, për veshje, për dashuri, për vërtetësi dhe për drejtësi. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autori vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ai i përdor me kujdes fjalët që e ndihmojnë të shprehet, gjithmonë duke pasur diçka për të thënë.

Për poeteshën Mariana Grigore kanë shkruar me respekt disa krijues nga Shqipëria, nga Kosova Lindore dhe nga Rumania. Për Isak Ahmetin vlen të potencojmë faktin se është ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ai është një poet i lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe edhe një pretekst për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Vepra e shkrimtarit tonë që vjen nga bota magjike e Kosovës poetike, përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të dashurisë dhe atdhedashurisë. (Bukuresht, Janar 2021)