DIKOTOMIA SHQIPTARE 8
Arben Çokaj
Një grua e vjetër katolike, e rritur në vitet e partisë, është “homo comunistus”, punon si shakë, gjithë ditën shet fruta e perime… Nisur nga fakti se e ëma ka shitore, një djalë simpatik në Shkodër, ia merr asaj vajzën për nuse…
Por e bija e rritur në vitet e demokracisë në tranzicion, është “homo religius” ose “spurdhjakus” – rri gjithë ditën, kafe më kafe, në drekë e në darkë, pi mojito e ha pizza… Jetë, a je ma?! Në profilin e saj në FB ajo shkruan moton: “Ka kush punon për mua…” E ndryshon shpesh me thënien: “Paradite pushim, pasdite pa punë…”
E ëma e saj i ndihmon me ushqime e para…
Pasi ra komunizmi më 1990, sofistët fetarë hapën lajmin, komunizmi ra, se mohoi Zotin…
Po mirë, pse ra komunizmi edhe në vendet ku feja nuk ishte ndaluar?! Nuk ka përgjigje për këtë Giorgo, si për shumë gjëra të tjera. Rëndësi ka me i hedhë disa sofizma në treg, që të kapen nga ata që nuk dinë. Dhe pas 1990-s, shoqëria shqiptare e izoluar për 45 vjet, ishte e etur të kapte gjithçka, e duke mos patur kontroll, dominoi e keqja… dominoi edhe feja!
Tani pas 30 vjet demokraci tranzitore po shihet se komunizmi vuri rregull, por e shtërngoi shtetin aq fort, sa ia bllokoi edhe lëvizjen e gjakut… Kurse demokracia tranzitore po vazhdon ende me anarki e kaos. Se sa herë dikush përpiqet me zbatua ligjin, dëgjohen piskamat e këtyre që kanë kulturë neurotike, “a po don me na sjellë komunizmin a?!” Se shtet të vetin shqiptarët vetëm atëherë kishin, dhe sot kënaqen të gjithë duke e sharë.
Tani Giorgo është “homo religius” për vete. Ai i ka parë të dy sistemet si unë, e ndonëse ndajmë mendimin se komunizmi ishte i keq, nuk pajtohemi në disa koncepte. Unë them se islami është edhe më i keq se komunizmi, por Giorgo e pranon islamin në heshtje (edhe pse rrin duke e sharë, sa herë ka rarst, për të nxjerrë mirë fenë e tij, që për 10 shekuj mbajti Europën në mesjetë), e për komunizmin shfaq neveri dhe synon të gjitha fajet me ia lënë komunizmit.
Ndërsa unë them se “njeriu i ri” ishte ajo gruaja, që punon si shakë dhe ndihmon edhe të bijën, edhe pse e ka martuar, kurse Giorgo thotë: “njeriu i ri” është kjo vajza, që shëtit me paratë e mamit nga kafja në kafe dhe beson edhe në fe. E sipas Giorgos, neverhoxha e ka fajin edhe për këtë, që u lind dhe u rrit në vitet e kaosit. Halli është me gjetë fajtorin…