NJË VËSHTRIM PËR PËRMBLEDHJEN “XIXËLLONJAT E VOGLA” TË SHKRIMTARIT, QAMIL GURANJAKU

0
10729
Qamil Guranjaku - Xixëllonjat e vogla

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Edhe në të kaluarën, por edhe sot, nëpër shkolla ka mjaft mësimdhënës që merren edhe me krijimtari letrare dhe natyrisht jetën e tyre e kanë të lidhur me fëmijët dhe shkollën. Një mësues dhe krijues letrar i këtillë ka qenë edhe shkrimtari i mirënjohur Qamil Guranjaku, një dashamirës i flaktë i fëmijëve.

Qamil Guranjaku në moshën 20-vjeçare botoi librin e tij të parë e të fundit, “Lulet e mia”. Më vonë, për arsye të ndryshme, nuk mundi të botojë vepra të tjera, por shkrimet nuk i ndërpreu. Ai shkroi vjersha, këngë, tregime, skica dhe skeçe kushtuar fëmijëve. Mirëpo, këto nuk mundi t’i përmbledhë në vëllime të veçanta, sepse vdiq i ri, në moshën 35-vjeçare. Ndërsa më vonë tregimet e tij janë botuar në vëllimin “Tetë ditë pa bukë”, të cilat janë të larmishme dhe shumë interesante.

Tregimet flasin për jetën e fëmijëve në shkollë, por edhe për ngjarje heroike të LNÇ. Poezitë e Qamil Guranjakut janë botuar në përmbledhjen “Xixëllonjat e vogla”, ku janë përfshirë krijimet më të mira poetike të tij për të vegjlit. Me dashuri të madhe ai i këndoi atdheut, pastaj u këndoi prindërve, shkollës, mësuesit:

“Ku gjenden zanat?
Ku gjenden trimat?
Ku gjenden nanat
Si n’vendin tim?”

Poeti di t’u këndojë po kështu edhe prindërve dhe thotë

“Se veç tjerash, kam mësue
babë e nanë që të nderoj.”

Ndërsa për vëllezër e motra po me këtë zjarr dashurie thur vargje:

“Lum kush i ka,
Të luajë me to;
Motër e vëlla
Lum kush i do.”

Me pak vargje por me mjeshtëri, poeti paraqet një fëmijë duke i kërkuar bukë së ëmës:

“Mirëpo beu dhe zotnia
Ku e dijshin ç’asht uria?”:
“At’herë turm’ e vegjëlisë
Lshoi kushtrimin e lirisë:
-Gjersa uku mbetet uk,
Ai do plumb e jo pambuk!”

Mbase mu profesioni i mësuesit ka bërë që poeti t’i përjetojë krijimet e tij që trajtojnë shkollën, mësuesin, nxënësin e gjithashtu edhe dashurinë për mësimin, për edukatën.

Në vëllimin “Xixëllonjat e vogla” si cikël më vete janë botuar edhe disa vjersha të ndryshme, të cilat bëjnë fjalë për kukullën, për kalin, për dëshirat e kafshëve, për qengjin e vogël, për macen e miun, për lejlekun, për bletën, për xixëllonjën etj. Ndërsa më pas janë botuar krijimet poetike që kanë të bëjnë me djalin e gredhin, me pendën e parmendën dhe me skilen e gjelin. Vjersha shumë të bukura janë ato për natyrën.

Poeti posaçërisht këndon për pranverën, për verën e për vjeshtën, por edhe për dimrin e borën që bie “suklla, suklla”. Ai këndon edhe për diellin, hënën dhe yjtë.

Vëllimi “Xixëllonjat e vogla” i shkrimtarit Qamil Guranjaku lexohet me ëndje. Secili varg i këtij shkrimtari ngërthen domethënie të caktuar me plot porosi. Vjershat të zgjojnë dashuri të veçantë ndaj atdheut, ndaj shkollës e ndaj mësuesit. Ky libër është një burim i pasur për dashamirët e artit letrar që t’i përjetojnë vlerat e njëmendta poetike. Thjeshtësia e vargut poetik dhe e mendimit të sinqertë e përshkojnë tërë përmbledhjen.

Ngrohtësia që krijon ky vëllim dhe afërsia që të imponohet nga këto vargje, të lënë me një mbresë që të mbetet shumë gjatë në kujtesë. Prandaj, ju lexues të vegjël, mos hezitoni por gjejeni dhe lexojeni këtë perlë të vërtetë të letërsisë shqipe për fëmijë dhe të rinj!