Aqif Isaku
Pikëpamje mbi gjuhën e një poezie
“Heshtur flet e imja zemër
Sepse ti ashtu po e mëson
Dhe ia jep të vetmin emër
Për atë ajo dhe belbëzon”.
Sot jemi të vetëdijshëm se poezia është një gjuhë që di të bëjë edhe pikturim sipas hapësirës që e fokuson poeti apo ndjenja e tij, siç është rasti edhe me poezinë e poetit Mark Kuzhnini, i cili në librin e tij “Lot kujtimesh”/”Këngë memece”, për ta bërë me të prekshme jetën dhe aktin më të lartë të saj dashurinë, ecën drejtë shtigjeve të jetës ku përplasen mes vete stuhitë, që herë-herrë edhe dinë të kafshojnë atë që njeriu e kërkon mes ngjyrave që e pikturojnë dashurinë.
Kështu që, mes nesh, poeti në fjalë, do që të dëshmojë se edhe mes koloritit të jetës dashuria është e tillë, përplot ngjyra, ku para syve na dalin, si:
● Dashuria,
● Dhembja,
● Bamirësia,
● Mëkatet,
● Urtësia,
● Hajnia,
● Injoranca,
● Ndëshkimi etj.
Ndaj, mendimin mbi idetë për poezitë e Markut, jo rastësisht i paraqesim ashtu, dhe kjo lehtë do të konstatohet poqë se i lexojmë poezitë sipas rrjedhave të saja, edhe pse herë-herë ato na duken me një disiplinë të vargut, e herë–herë na vijnë si të derdhura, për të marrë formë të një mjeshtërie tjetër fare, që më së shumti flet për gjuhë poetike, që i lejon lexuesit ta thotë fjalën e tij edhe brenda dy apo tre rreshtave.
Asnjëherë s`arritëm t`i cakërronim gotat
Së bashku…
S’premtoi koha, sa të zënë që ishim…
E nga trazimi i verës të trazohen sytë
Sikur zemrat që u trazuan pa dashje
Nuk dhuroi koha… këso çastesh…
Të pinim verë e të mos dehemi
Sepse të dehurit… nuk dehen
Të dehur ishim me dashurinë…
Ja pra, këto rreshta sikur na e dëshmojnë atë që deshëm ta themi më lart, dhe nga këto pamje si dhe pamje të tjera, që kur ta shikosh librin në tërësi, sikur të dëshmojnë se leximi ecën mes dy stileve:
Poezi me rimë dhe,
Poezi e derdhur.
Ka edhe shumë elemente tjera që i gjen vetë gjuha poetike e poetit Mark Kuzhnini brenda këtij libri, e, që në ecje sikur na detyrojnë ta themi edhe këtë mendim, se: lidhja e jashtme për tre nga përfaqësuesit kryesorë të poezisë duken edhe sikur një zgjim i ndjenjës që dallohet nga poezia në poezi, por lidhja e brendshme, formale, ku format e tyre të mëdha, në pamje të parë, të ndryshme nga njëra-tjetra, përcaktohen nga ideja, e cila si zakonisht bartet prej kohësh dhe poetëve, ku vargu mbështet gjerësisht në ambiciet e mëdha për të lindur një vepër poetike. Madje, stilistikisht, dallimet dhe të përbashkëtat e tyre mund të analizohen duke parë sesi përzihet arti i të shkruarit klasik me artin e të shkruarit bashkëkohor:
Në qytetin e serenatave
Dashurova një tingull,
Nëpër netët e zymta
Pashë dritën me sy
Të kërkova ty…
Në çdo vend
Mes heshtjes e zhurmës
Mes muzgut e agut
Nuk e di përse ashtu…
Je shprehur
Po si heshtja e pakrehur!?
Ose:
Një tmerr më merr e larg më çon
Në ferr për t`nisur, por s’hapet porta
Një kujtim jeta prapë më ofron
Ditën, që për ty kisha ndjenja t`forta.
Një plagë kur mbyllet, hapet tjetra
Një dhimbje kur ndalet, fillon loti
Si pasojë e kujtimeve të vjetra
Detyrohem të them se jam i joti.
E gjithë kjo na flet se poeti Mark Kuzhnini me librin “Lot kujtimesh”/”Këngë memece”, na ofron një nga zërat më autoritarë për vizionet bashkëkohore të paradigmës së historisë poetike dhe asaj të sotmes. Ai na çon në zemrën e problemit, duke hedhur në tryezë disa prej çelësave të pazëvendësueshëm, që nuk mund të anashkalohen në përpjekjen për të ngritur në këmbë sistemin letrar shqiptar, siç janë:
– Ideja,
– Aftësia,
– Dashuria etj.
Pra, gjuha poetike e poetit Mark Kuzhninit, si poezi në vetvete, me potencialet e saj shprehëse, na dëshmon se dashuria brenda poezisë mund të shkruhet edhe ndryshe nga ajo që na e shohin sytë nëpër shumë libra poetik.
Së fundmi, mendoj që poeti në fjalë dhe libri i tij, “Lot kujtimesh”/”Këngë memece”, janë një prurje e re poetike mes lexuesit shqiptar.
Aqif Isaku