Krenari shqiptare
Ndue Lazri
Sa më shumë që interesohemi për integrimin e emigrantëve shqiptarë në realitetin ekonomik e shoqëror të shtetit italian, aq më tepër fakte të bukura, domethënëse e entuziazmuese mësojmë. Këtë radhë na takon të zbresim aty ku mbaron Italia qendrore dhe fillon jugu i saj, në rajonin e Abruzzos. Dhe bëhet fjalë për një mik e aktivist tonin të palodhur në Federatën e shoqatave shqiptare FNAI, sipërmarrësin Luan Hallulli.
Luani është propozuar nga një listë qytetare e komunës ku ai banon, si kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme administrative. Me thjeshtësinë që e karakterizon, ai nuk na e kishte bërë të ditur këtë fakt. E mësova nga gazetat e zonës, të cilat shkruanin fjalët më të mira për Luanin jo vetëm si sipërmarrës i ndershëm me aktivitetin e tij, por edhe si një qytetar shembullor, që bie në sy për mirë me gjithë familjen e tij në zonë.
Dhe Luani është vërtet i tillë. Ka 20 vjet që jeton e punon në Prato Peligna në provincën e Aquilas. Që në fillim, ai me bashkëshorten e tij, Rovena, ranë në sy të qytetarëve italianë si emigrantë me dëshirën e mirë për të punuar e jetuar ndershmërisht dhe për t’u bërë pjesë intregrative e jetës italiane. Vitet kalonin. Luani filloi aktivitetin e tij si sipërmarrës, ku punësoi disa emigrantë të tjerë shqiptarë dhe punonin gjithnjë në respektim të ligjeve, rregullave dhe ambientit. Rritej figura e tij si sipërmarrës, por edhe si qytetar (ai tani ka edhe shtetësinë italiane). Rritej edhe familja e tij. Lindën njëri pas tjetrit Lorena, Jessica dhe Murati. Një familje që e shikon gjithnjë të bashkuar, gjithnjë në harmoni e që gëzon respektin dhe simpatinë e banorëve të zonës.
Luani është natyrë shumë e gjallë dhe aktive. Pasi krijoi shoqatën italo-shqiptare me qendër në Abbruzzo, me të cilën mbron dhe propagandon vlerat historike, kulturore e gjuhësore të vendit tonë, ai filloi të aktivizohej edhe me federatën, ku është zgjedhur nga asamblea në këshillin drejtues të saj. Por jo vetëm kaq. Ai është shumë aktiv dhe i interesuar edhe për realitetin ekonomik e shoqëror të zonës ku jeton. Gjithnjë i pranishëm në aktivitetet dhe evenimentet që organizon komuna, madje jo si një pjesëmarrës pasiv apo thjeshtë spektator, por edhe duke dhënë mendime e duke ngritur probleme që kanë të bejnë me respektimin e rregullave në zonë dhe përmirësimin e nivelit të jetesës. Mendimet e sugjerimet e tij të pjekura binin në sy të qyterarëve italianë, që thonin shpesh herë midis tyre: “Luan ha raggione” (Luani ka të drejtë).
Ishin pikërisht këto cilësi njerëzore të tijat që nxitën një grup qytetarësh italianë të kërkonin disponibilitetin e tij për të vënë kandidaturën për kryetar bashkie në zgjedhjet e ardhshme administrative. Luani e dha disponibilitetin. Lista qytetare që mbështet emrin e tij, i kërkoi një projekt-program për të vënë në jetë gjatë legjislaturës së ardhshme. Paraqitën projekt-programe edhe kandidatë të tjerë, por shumica miratoi programine paraqitur nga Luani, si program më realist, me vizion konkret mbi problemet aktuale dhe të ardhmen e zonës etj. Kësisoj kandidatura e tij për kryetar bashkie u bë zyrtare.
Luani nuk është njeri i bujshëm dhe nuk sillet si politikanët me premtime e fjalë të mëdha. Ai flet me fjalë të thjeshta me qytetarët, të cilët e ndalin edhe në rrugë, apo e ftojnë për një kafe. Për pikat e programit, nuk u thotë që duhet t’i bëni ju, por ejani e t’i bëjmë sëbashku. Sepse ai e konsideron veten gjithnjë si njëri nga ata, një qytetar të thjeshtë që kërkon të bëjë më të mirën e mundshme për komunën ku jeton. Është kjo mënyrë komunikimi që e ka bërë të fitojë simpatinë e besimin dhe të hyjë në zemrat e njerëzve.
Ne shqiptarët ndihemi krenarë me figura të tilla. Por nuk mjafton të ndihemi krenarë. Duhet që në fushatën elektorale të bashkohemi dhe ta mbështesim fuqimisht kandidaturën e Luanit. Jo vetëm me fjalë e propagandë, por para së gjithash duke marrë pjesë masive në votime (ata që kanë të drejtën e votës) dhe duke votuar për Luanin. Kështu japim edhe një sinjal bashkimi e qytetarie të lartë jo vetëm përpara komunitetit shqiptar, por edhe përpata qytetarëve italianë. Pjesëmarrja jonë e lartë në votime, krijon më shumë shanse për Luanin, sepse dihet pjesëmarrja e ulët e italianëve në nomente të tilla e sidomos në zgjedhjet administrative.
Suksese bashkëatdhetarit tonë, Luan Hallulli. Le të behmi të gjithë sëbashku pjesë e suksesit të tij.
Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar