Nga Revista Drini – 16 Janar 2019
Pål Refsdal, gazetari norvegjez i luftërave botërore. Pål është plagosur edhe në Kosovë në vitin 1998, ku ka qëndruar në spitalet e improvizuara të UCK-së katër muaj. Përshkrimet e asaj lufte i kemi në librin e Pål, “Geriljareporteren”.
Së bashku me mikun tim Esat Bardhoshi, një luftëtar i njohur i UCK-së, sot ishim ta takonim në Oslo gazetarin norvegjez me famë botërore, Pål Refsdal; një gazetar, fotograf, regjisor e krijues filmash i përmasës botërore. Vitin e kaluar une e pata intervistuar Pål Refsdal-in për Revista Drini, ku patëm biseduar hollësisht për përmbajtjen e librit të tij Geriljareporteren, veçanërisht për dy kapitujt e atij libri të madh, që ia kushton luftës së Kosovës, ku ka qenë i plagosur dhe i shtrirë në spitalet e improvizuara të UÇK-së katër muaj dhe, në fund, fatkeqësisht, disa rrugaçë, që thirreshin në emër të UÇK-së, pas shpifjeve të një pseudogazetari, edhe e kishin arrerstuar shkurtimisht!
Esat Bardhoshi është një ndër personazhet e librit të Pål Refsdal, “Geriljareporteren”. Eshtë për t’u befasuar se me ç’farë admirimi flet Pål për luftën e UÇK-së dhe se si i komenton shpifjet, siç i quan, të Carla Del Ponte-s për atë luftë. Veçanërisht për ndjeshmërinë e tij për veteranët e vërtetë të UÇK-së. Pål Refsdal-it i ka shkuar jeta në luftë dhe e ka një përvojë të jashtëzakonshme nëpër luftëra gjithandej rruzullit. Pål, që nga mosha 20 vjeçare e mori rrugën e ëmbël, por edhe shumë të hidhur, të profesionit të gazetarit, që endet nëpër vatrat më të rrezikshme të luftërave nëpër botë; që nga Afganistani, Lindja e Largët, Kosova, Çeçenia, Iraku, Siria etj.
Së fundi, Pål Refsdal e ka botuar librin Martyrene, ku e përshkruan infiltrimin e vet profesional në mesin e luftëtarëve të Al-Kaedas dhe mundohet ta përshkruaj rrjedhën e asaj lufte, shikuar së brendshmi.
Në një përshkrim për librin Martyrene të Pål Refsdal, thuhet që autori shkruan nga atje ku digjet më së shumëti, nga Siria, ku ai ka arritur të kycet brenda xhihadistëve më të tmerrshëm, që luftojnë ndaj regjimit të Bashar Al Asad. Viteve të fundit Pål Refsdal si gazetari i vetëm perëndimor, ka banuar e jetuar me dy grupe të ndryshme, të kycura tek Al-Kaeda në Sirinë verilindore. Këtu ai lidhet ngushtë jo vetëm me ngjarjet dhe personat në një libër, që e ka ndërthurur bukur e artistikisht reportazhin e luftës me portrete të atyre që janë të gatshëm ta japin jetën për religjionin dhe revolucionin. Takimet që Refsdal i ka me luftëtarët dhe sulmuesit vetvrasës, të ashtuquajturit martirë, janë prekëse. Jo për atë që “ata i vërtetojnë paragjykimet tona për xhihadistin e keq, por për atë që ata këtu paraqiten në gjithë njerëzishmërinë e tyre”.
Ky libër, “Njëherit, është një histori për luftën qytetare në Siri, për rivalitetin mes grupeve kryengritëse dhe për ndërrimin e vazhdueshëm të aleancave.” Njerëzit që i takon Refsdal, e për të cilët flet në libër, thuhet në shënimin për librin, shpesh hyjnë në luftë të papritur me grupet e njëri-tjetrit. Pål Salahadin Refsdal (i lindur më 1963) është një gazetar me përvojë dhe krijues filmash, që ka raportuar nga lëvizjet kryengritëse që nga viti 1984, në mes tjerash në Afganistan, Kosovë dhe Çeçeni. Më 2010 e pati botuar librin Geriljareporteren, një vit pasi që e kishin mbajtur si të kidnapuar Talebanët në Afganistan. Po atë vit, Refsdal e bëri filmin dokumentar “Taliban Behind the Mask”, që u shfaq në një varg vendesh. Mjaft vëmendje zgjoi filmi i fundit i Refsdal, Dugma – The Button nga viti 2016, që e përcjellë një grup sulmuesisht vetvrasësh në Siri.
Sot isha i nderuar, që gazetari i famshëm në takimin që pati me Esat Bardhoshin dhe me mua, të më dhurojë librin e tij të ri, Martyrene (“Martirët”) , të cilin do ta lexoj me ëndje, si çdo vepër tjetër të tij.
Duke e lexuar atë që e shkruan Pål Refsdal, shpesh më shkon mendja tek “gazetarët grindavecë” të Gashullit Ilirik, (Ballkanit), dhe sidomos tek fodullëku e marrëzia e disa gazetarëve “të famshëm” shqiptarë, për të cilët është zor me kallxue, se cilat kritere profesionale i bëjnë ata, që të quhen gazetarë.
Gjergj-Bajram Kabashi
Oslo, më 16.01.2019.