NJË SQARIM MODEST PËR MONIKA KRYEMADHIN

0
4888

AV. XHABIR ZEJNUNI

Mbrëmë, tek emisioni Tonight, Monika Kryemadhi theksoi se “Kushtetuta u shkruajt nga vetë ndërkombëtarët dhe u votua me 140 vota si asnjëherë tjetër” dhe se “Ligji (Nr. 97/2016) e ka të shkruar se Kryeprokurori zgjidhet me 84 vota. Nuk e ka të shkruar që zgjidhet me 71 vota, apo me 36 vota”. Dhe ky ligj “Përmbush kriteret e Kreut IV të Seksionit I të këtij ligji, ku Kyeprokurori zgjidhet me 84 vota”.

Dy gazetarët dhe drejtuesja e emisionit, ndenjën si të shushatur në studio dhe nuk i kërkuan regjisë të tregonte Kreun dhe Seksionin në fjalë, për të verifikuar nëse bëhej fjalë për kuorum votues, apo për kritere zgjedhjeje.
Atëherë, po bëj unë disa krahasime me këtë rast. Pasi ja vlen.

Ligji Nr. 97, datë 06.10.2106 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i votuar me 86 vota: PS+LSI, përfshirë edhe votën e Monika Kryemadhit me numër skede 102), tek Kreu IX me titull “Dispozita kalimtare dhe të fundit”, parashikon në nenin 109, par. 2 se “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbush kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”.

Në rastin në fjale, ku po bëhet kaq “zhurmë”, mandati i Llallës ka mbaruar në kohë, por para krijimit të KLP-së. KLP-ja do jetë organi që do zgjedhë kandidatët për Kryeprokurorë që t’ja propozojë pastaj Kuvendit për të zgjedhur kandidatin më të aftë. Por, duke qenë se akoma nuk është formuar KLP-ja(!), i cili sipas nenit 149/a, par. 1, gërma c) të Kushtetutës (së ndryshuar!), “I propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm, sipas ligjit”, atëherë është e domosdoshme që të zgjidhet një Kryeprokuror i Përkohshëm.

Kjo normë është kalimtare, që do thotë se mund të përdoret vetëm nëse nuk është krijuar akoma KLP-ja. Legjislatori ka parashikuar që në rast se nuk është krijuar akoma KLP-ja, kandidati për Kryeprokuror të “Përmbushë kushtet dhe kriteret e kreut IV, seksioni I, të këtij ligji”.

Kreu IV, me titull “Kryeprokurori i Përgjithshëm”, Seksioni I me titull “Kushtet dhe kriteret për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përgjithshëm” (nenet 22-27), bën fjalë për kushtet për emërimin, kriteret profesionale dhe morale për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve. Dhe askund nuk bën fjalë për kuorumin për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Përkohshëm (apo atë me mandat 7 vjeçar).

Duhet parë edhe arsyeja se përse legjislatori (i diktuar nga ndërkombëtarët!) ka shkruar nenin 109 në këtë formë (e cila po shfrytëzohet qëllimisht apo “pa vetëdije” nga politika për të disinformuar publikun, me qëllim që vetë ajo të marrë përfitimet maksimale). Duke qenë se stabiliteti politik është i paqëndrueshëm në Shqipëri dhe duke parashikuar se KLP-ja mund të mos krijohej në kohë si rezultat i mosmarrëveshjeve mes partive politike, atëherë është parashikuar që vetëm në rast se KLP-ja nuk është krijuar akoma, të krijohej mundësia e zgjedhjes së një Kryeprokurori të Përkohshëm me shumicë të thjeshtë. Në këtë rast, merret parasysh fakti se shumica parlamentare është (minimumi) gjysma e deputetëve plus një (70+1).

Pasi nëse do ekzistonte një shumicë më e gjerë (84 vota ose më shumë, pavarësisht ngjyrave politike!), atëherë kjo shumicë nuk do e kishte pasur problem që të krijonte sa më parë KLP-në dhe më pas të zgjidhte Kryeprokurorin me mandat 7 vjeçar. Nëse nuk do ishte krijuar kjo normë kalimtare, atëherë problemet që do krijoheshin, nuk do ishin zgjidhur dhe ngërçi politik do kishte qenë i pakapërcyeshëm. Sepse Kryeprokurorit aktual i kishte mbaruar mandati, por nga ana tjetër, Kryeprokuror tjetër nuk do mund të zgjidhej.

Është për të ardhur shumë keq që në studiot televizive ftohen vetëm gazetarë që përfaqësojnë ngjyrat politike dhe asnjëherë gazetarë të pavarur dhe profesionistë të vërtetë.
Po ashtu, vlen edhe për juristët e ftuar në studio, të cilët janë të orientuar politikisht dhe jo profesionalisht. Ose duke mos qenë profesionistë, ata preferojnë që të argumentojnë politikisht!

Do ja vlente shumë nëse në studio do ftoheshin gazetarë me të vërtetë të pavarur dhe vetëm juristë doktrine.

Korrupsioni nuk ka ngjyrë: blu, te kuqe, apo mavi.
Korrupsioni ka vetëm ngjyrë të zezë dhe si i tillë duhet trajtuar: i zi.
Por, një person i orientuar politikisht, nuk do e dallojë kurrë për fat të keq (jo tijin!) ngjyrën e ZEZË të korrupsionit (…)!