Fejton
Shkruar më 2 qershor të vitit 2017…
Nuk hoqa asnjë fjalë, nuk ndryshova asnjë pikë, asnjë presje, pikë pyetëse, pikë çuditëse…
Qarjet vazhdojnë…
Në çdo qytet, në çdo fshat, an’ e mbanë Shqipërisë…
Madje, madje, kanë kaluar edhe kufirin shqiptaro-shqiptar…
Vjedhje, blerje, manipulim, masakër e paparë…
Vijojnë me fjalë e me gjeste…
duke lotue, duke qarë…
A. Ashiku, Athinë, 2 qershor 2021
Po, po.
Një shesh për të vajtue, për të qarë, për të lotue…
I duhet patjetër Tiranës.
Nuk është bidat.
E kanë edhe të tjerët.
E ka edhe fqinji jonë më i afërt, Greqia.
Është në qendër të Athinës, në krah të djathtë të rrugës “Stadhiu”, një stacion trolej dhe autobusi përpara sheshit “Sintagma”.
Ndër dhjetëra vjeçar (1903), sa herë mbaronin zgjedhjet dhe ndërroheshin “kuajt” në “karrocën e pushtetit”, deputetë dhe nëpunës të piramidës shtetërore, humbës të karrigeve, mblidheshin tok dhe… qanin.
Qanin përpara ministrisë së brendshme dhe asaj të ekonomisë sa mbushnin grushtet me lot.
Qanin për privilegjet e humbura, për xhepat që tash e tutje duhet ti nxirrnin në astarë varur jashtë si gjuhë viçi…
Për…
Kështu ndodhte…
Kështu ndodhi derisa u vendos që administrata, kushdo që të ngjitej në pushtet, nuk do të lëvizte nga karriget.
Dhe ndodhi që votat në zgjedhjet kuvendare e vendore ti numëronte një dorë, ministria e brendshme (?!)
Sheshit i mbeti emri. Emër zyrtar në të gjitha adresat zyrtare, “Sheshi Klafthmonas”.
Jo si (fjala vjen) “21 Dhjetori”, ai kryqëzim i madh me rrugës së zhurmshme Kinostudio-Kombinat dhe unazës së Tiranës.
Të gjithë e përmendin.
Edhe pushtetarët kur mbajnë fjalime e kur përurojnë ndonjë “kënd lojërash” për fëmijë.
Më plaçin mua në se ia dinë historinë.
Një klikim në google mbi fjalët “21 dhjetori” dhe të vjen sqarimi shkruar e zeza në të bardhë…
“21 Dhjetori quhet lagjja në njësinë administrative “Tirana 7” në Bashkinë e Tiranës. Emri vjen për shkak të ditëlindjes së Stalinit, për nder të të cilit gjatë periudhës komuniste ju vu emri. Sot ajo quhet sheshi Atatürk në nder të presidentit turk Mustafa Kemal Atatürk por ende në popull vazhdon të përdoret 21 dhjetori.”
!!!???
Heroi i madh turk me origjinë shqiptare (thuhet se të parët e tij kanë pas themele të trojeve në Steblevë të Dibrës) Mustafa Kemal Atatürk, emrin e të cilit zyrtarisht mban sheshi, nuk ka arritur të hyjë në fjalorin e Ramës, Berishës, Nanos, Bashës…
Rëndom përmendet “21 Dhjetori”…
Ata e quajnë dhe vazhdojnë ta quajnë në fjalime e ceremoni zyrtare “Sheshi 21 dhjetori”
Dola nga tema.
Me kast.
Pa thonjëza…
Në median e printuar dhe atë pamore në Shqipëri, lajm e pa lajm, po mbijnë si hithra farëshpërndarë nga era, qarjet e mëdha të njerëzve të lidhur si “kocka me mishin” me karrigen e pushtetit, karrigen në pozitë dhe në opozitë.
Basha shpalli listën për kandidatët për kuvendarë në kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë.
Qarjet u ngjitën në shkallën më të lartë të pentagramit…
Qan Jozefina, qan Patosi, Bregu…kryetari i Shkodrës, kryetari i Beratit…
Qarje edhe në kor, me pankarta të mëdha të Jozefinës në Shkodër, qarje që ia prishën qejfin Bashës…
Por ata që qanë me kuje, që lypën, që u shtrinë përtokë… ishin aleatët: Mediu, Shehi, Duka, Ndoka, Dule…
Qanë e qanë derisa një kockë ua vuri Basha përpara për ta lëpirë…
Qau edhe Kreshniku, spahiu i aradhëz K&Z.
Qau edhe televizisht në emisionin Arianit sa ua kaloi edhe qarësve më të mëdhenj…
Vazhdojnë qarjet. Vazhdojnë dezertimet nga listat. Kandidatët e ndjejnë veten se lista “Basha” i harron…
Në Shqipëri duhet zyrtarisht të emërtohet një shesh me emrin e përveçëm “Sheshi i qarjeve”, “Sheshi i vajit”, “Sheshi i lotëve”.
Nuk bëhet bidat.
Në Shqipëri ka shumë toponime që lidhen me lotët, madje janë bërë edhe romane me tituj të mëdhenj për lotët e derdhur në kohë dhe për motive prekëse të lidhura me historinë…
”Shkëmbi i vajës”…”Lëndina e lotëve”…
Vendi?
Atje ku nisi historia e “Lotëve të listave”, përpara SHQUP-it, me hapësirë bukur të madhe.
Për tani, por edhe për vajtimet e 26 qershorit…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 2 qershor 2017