Pasuri enigmatike nën sqetulla politike.
Dita, 17 mars 2018
Nga Erion Habilaj
Artan Broci është një emër i njohur në strukturat e drejtësisë shqiptare. Nuk është bërë i tillë nga vlerat e veçanta në fushën e jurisprundencës apo nga studimet e thelluara që mund të mendohet se ka bërë. E vërtetë, ka qenë për pak kohë, fill pas përfundimit të studimeve universitare si pedagog i jashtëm, por edhe aty nuk ka lënë ndonjë gjurmë, të cilës edhe mund t’i referohesh. Bile, pak vetë mund ta dinë se ai ka qenë dikur një mësimdhënës, e ndoshta, edhe ai vetë e ka harruar këtë fakt.
Ai është bërë i njohur pasi, fill pas përfundimit të studimeve, në vitin 1996, do të emërohet gjykatës pranë Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, ku do të qëndrojë për 14 vite radhazi.
I vendosur politikisht aty, si një shpërblim për të kaluarën e familjes së tij dhe i ndodhur në atë pozicion edhe gjatë periudhës së qeverisjes socialiste, ai do të marrë hov në postet e tij, pak vite pasi në pushtet do të rivijë Partia Demokratike, që në fakt është ajo që e ka vendosur gjithëherë në shkallët e epërme të pushtetit gjyqësor, deri sa ka arritur në pjesë të piramidës së saj.
Periudha e vegjetimit si gjykatës i zakonshëm merr fund me ardhjen në pushtet të PD-së. Emërohet menjëherë gjykatës i Apelit, në vitet 2010-2013. Hapi i parë. Hapa të tjerë do e presin.
Në vitin 2012, 14 dhjetor, ai do të emërohet anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku, sëbashku me Gjin Gjonin, më vonë, do të përbëjnë një dyshe tejet të përfolur, si pjesë e rritjes financiare të tyre, por edhe si kundërshtarët e vendosur të reformës në Drejtësi. Ky do të jetë njëri ndër shkaqet që më pas, ambasada e Shteteve të Bashkuara e vendos atë në një “listë të zezë” të atyre funksionarëve që u ishte refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara, por nuk ishte e vetmja arsye.
Sikur të mos ishte e mjaftueshme kjo ngjitje pak para se Partia Demokratike të largohej nga pushteti, kur ishte e ditur se do të humbiste thellësisht, më 26.04.2013, Broci do të emërohej anëtar i Gjykatës së Lartë.
Nuk ka humbur asgjë as tani. Përmes lojës dinake të opozitës ia doli të jetë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, KED, varianti i ri i Këshillit të lartë të Drejtësisë.
Askush nuk ka pasur kaq shumë poste në strukturat e drejtësisë, për më tepër duke mos shkëlqyer asnjëherë në fushën e tij.
Do të jetë njëri ndër shembujt më të theksuar të njëanshmërisë së përcaktimit të një gjyqtari në këtë post të lartë, pasi ai do të zgjidhej pa votat e opozitës, që kishte bojkotuar shqyrtimin dhe miratimin e kësaj kandidature. Do të zgjidhej shpejt e shpejt vetëm me 71 votat e shumicës qeverisëse. Asaj kohe, për emërimin e tij të ri, tani të dyfishtë, nuk u kërkua as konsensus e as marrëveshje. U emërua dhe pikë. Presidenti i kohës, Nishani, e nënshkroi pa hapur as sytë.
Përse PD-ja ka mbajtur këtë qëndrim ndaj një juristi, me nivel nën mesataren, që më pas do të bëhej i njohur për kundërshtimin e një Reforme jetësore dhe do të ishte objekt i refuzimit të vizës amerikane?
Nuk ka pasur asgjë të veçantë në personin e tij. Tepër i zakonshëm, ku në vend të dijes do të shtojë në peshë dhe ku vendin e një apartamenti të thjeshtë, në pak vite, do e zërë një pasuri enigmatike.
Ai është vëllai i një figure të njohur të PD-së. Më saktë, të Lëvizjes Studentore të vitit 1990, që do të bëhej më pas njëra ndër figurat më të njohura të PD-së në qytetin e Shkodrës, si përfaqësues i një brezi idealist.
Arben Broci do të vritej në 2 prill 1991, sëbashku me tre pjesëtarë të tjerë të opozitës së kohës. Ishte i pari që do të vritej dhe ishte deri diku e paralajmëruar, edhe nga vetë ai, vrasja e tij. Të katërt janë shpallur heronj të Demokracisë dhe e meritojnë këtë.
Askush nuk e di se si ka ndodhur vrasja e tyre. Sidomos e Arbenit. Një enigmë që nuk do të zgjidhet, megjithëse vitet po shkojnë. Në atë kohë, me nismën e PD-së, ende në opozitë, u ngrit një komision i posaçëm parlamentar, i drejtuar nga një deputet i njohur i saj, Emin Musliu. Rezultatet e nxjerra nga ky komision do të ishin tronditëse, sidomos përcaktimi se vrasja e Arben Brocit nuk është bërë nga një armë që disponon policia e shtetit.
Megjithëse pak muaj më pas, PD do të vinte në pushtet, ajo nuk e zgjidhi enigmën e 2 prillit, përkundrazi e pështjelloi edhe më shumë, deri sa e futi në harresën e politikës.
Interesant është fakti se sa herë që ngrihet çështja e 2 prillit, për të cilën nga vetë PD-ja është akuzuar me emër e mbiemër Azem Hajdari, aq herë ngrihet në një shkallë më të lartë të gjyqësorit Artan Broci.
E, po aq herë që pyetet ai për ngjarjen, mban të njëjtin qëndrim, të njëjtin fjalor dhe perifrazim, si të ishte një funksionar i lartë i Partisë Demokratike.
Si njeri i ligjit, në se nuk do të vishej me kaq pushtet në strukturat e drejtësisë, do të mund t’i shkonte mendja se kjo duhej hetuar, të paktën për të qetësuar shpirtin e tij.
PD-ja e kishte gjithnjë kujdes të mbante heshtjen në këtë enigmë. Ajo joshi heshtjen me një të ardhme të qetë, të pasur dhe, megjithëse herë-herë të harruar, të forcuar financiarisht. Në ditët e para të qeverisjes pluraliste, kur në Shkodër drejtonte PD-ja me Ali Spahiun, një familje e vjetër veteranësh, nga të parët në këtë rreth, u hoq nga shtëpia ku jetonin dhe në vend të tyre u dërgua familja e Brocit. Këtë shtëpi – vilë, e kanë edhe sot e kësaj dite. Ky ishte shpërblimi i parë.
Në kohën kur Artan Broci, vëllai i Heroit të Demokracisë, mbaroi studimet juridike, ishte vetëm 22 vjeçar. Pak muaj më pas, në vitin 1996, do të emërohet gjyqtar në Tiranë. Tepër i ri, pa asnjë përvojë, por tejet i besuar. Politikisht i angazhuar, gjë që vazhdon edhe tani. Të njëjtin fjalor që kishte në vitet studendeske, kur bashkë me diplomën duhej edhe alibia politike, të njëjtën përdor edhe tani.
“Kjo mazhorancë ka ushtruar presion që nga dita e parë… Kërkoja shefit tënd, kryeministër, atë … Banditët janë në parlament. Deputetë të akuzuar për vrasje janë në parlament dhe përmes tyre po hidhen poshtë ligjet…”.
Disa citime nga fjalori i tij në mbledhjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
I mbështetur fort tek kahja politike që e ka ngritur deri këtu, ai nuk e ka ndjerë kurrë as përgjegjësinë dhe as drojën se po shkel mbi ligjet e shtetit shqiptar.
Rasti më tipik i tij, krahas të tjerave, do të jetë gjykimi i ish komandantit të gardës së republikës, i akuzuar për vrasjet e 21 janarit, që ishin të vërtetuara si të tilla.
Salla ku po gjykohej ish komandanti i ngjante një stalle partiake, militare dhe tejet e skajshme. Gardistë që bënin presion, që çirreshin, ligje që nuk thirreshin në ndihmë dhe, në fund, gjykatësi Broci e dërgon në Shtëpi Ndrea Prendin, duke hedhur poshtë raportin e dërguar nga FBI.
Dhe në gjyqe të tjera qëndrimi i tij ka qenë politik.
Këto e kanë ndihmuar të ngrihet në karrierën e tij, por njëkohësisht të ketë ngritje edhe gjendja e tij financiare.
Artan Broci, krahas Gjin Gjonit, është njëri ndër gjykatësit më të pasur aktualisht. Në pronësi të tij janë shtëpi banimi me sipërfaqe të mëdha, objekte të dhëna me qira, depozita të mëdha dhe të vogla, plot dhjetë të tilla, gjendje marramendëse në banka, ku vetëm nga njëra prej tyre rezultojnë mbi 205 mijë euro në një llogari bankare të gruas së tij notere.
Vetëm nga anëtarësimi në Komitetin Disiplinor të Dhomës së Avokatisë si përfaqësues i KLD-së ai merr sa paga vjetore e një punëtori të zakonshëm dhe ku është shpërblimi më i vogël i tij. Rreth 320 mijë lekë të rinj për të mos bërë asgjë. Të ardhurat nga dhënia me qira e një lokali janë 10.800 euro, por nuk ka asnjë shpjegim se si është blerë ky lokal; të ardhura nga qiraja e zyrave 840 mijë lekë të rinj, por askush nuk e di se si janë blerë zyrat.
Dy apartamente në pronësi, njëri rreth 144 metra katror dhe tjetri rreth 152 metra katror. Edhe Brocit i kanë bërë dhuratë një apartament me rreth 67 metra katror. Gjendja e llogarisë bankare të familjes së tij i kalon 15 milion lekë të rinj, ndërsa në Euro 207 mijë.
Nëse bëhet llogaria e fitimeve të tyre në vite nuk mund të realizohej as një e katërta e kësaj pasurie, pavarësisht pagës së lartë neto të bashkëshortes së tij notere, me rreth 5 milion lekë të reja në vit.
Artan Broci e ka dhënë provën e tij në shumë çështje të nxehta që kanë pasur lidhje me politikën. Ai vazhdon të jetë nën sqetullat e saj.
Më poshtë, disa nga vendimet që kanë shenjuar karrierën e tij:
1- Një nga 28 gjyqtarët që preket nga Vettingu, në listën e verifikimit të orendive
Rreth 28, nga 68 prokurorët dhe gjyqtarët e parë, të cilët po i nënshtrohen procesit të Vettingut, nuk e kalojnë testin e justifikimit të pasurive me dokumentacion ligjor. Dosjet e verifikimit të ligjshmërisë së pasurive të 68 prokurorëve dhe gjyqtarëve janë marrë në dorëzim nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, njëri nga tre organet e Vettingut. Një prej emrave të listës është edhe gjyqtari Artan Broci. Mësohet se gjyqtari 46-vjeçar është edhe në listën e personave të drejtësisë që do u verifikohet pasuria e patundshme në terren. Ai ndodhet në numrin 52 të listës për gjyqtarët që do u verifikohen orenditë shtepiake, sendet me vlerë në flori dhe argjend, konfeksionet e shtrenjta, makinat luksoze, trojet dhe pasuri të tjera të patundshme.
2- I kthen pasuritë Fazlliçit, i akuzuar për pastrim parash
Emri i Artan Brocit do të bëhej i njohur në vitin 2009, në një prej dosjeve më të nxehta të asaj kohe. Prokuroria e Tiranës kishte nisur prej vjeshtës së vitit 2008 një hetim për pastrim parash ndaj biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, i njohur ndryshe si miku i ngushtë familjar i ish-kryeministrit Sali Berisha, djalit dhe vajzës së tij dhe kreut aktual të opozitës, Lulzim Basha. Prokuroria i sekuestroi të gjitha pasuritë biznesmenit, i cili humbi betejën e parë. Çështja që mbante numrin 1419, me paditës shoqërinë “Crown Acquisition” të Fazlliç, për një pasuri të dyshuar me mbi 1,7 mln euro të qarkulluara në Qipro, ndodhej në dorën e prokurorit Dritan Rreshka, sot kryeprokuror i Tiranës. Avokati e dërgoi dosjen në Gjykatë, aty ku me short u caktua gjyqtar relator pikërisht Artan Broci. Prokuroria kishte elementë të pastrimit të parave, por Broci më 30 prill 2009 vendosi lirimin e pasurive nga sekuestro dhe rikthimin e tyre te Fazlliç.
3- Liroi nga burgu vrasësit e 4 protestuesve më 21 janar
Më 8 shkurt 2012 ka qenë edhe prova më e vështirë e gjyqtarit Artan Broci në karrierën e tij. Dhe duket se ai vendosi të qëndronte në anën e pushtetit dhe jo drejtësisë. Me një vendim të befasishëm, Artan Broci liron nga burgu ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi, duke dhënë vetëm “arrest shtëpie”. Pikërisht një vit pas masakrës së 21 janarit 2011, kur në bulevardin para Kryeministrisë, Garda vrau me gjakftohtësi 4 protestues. Prendi u gjet i dyshuar për një nga vrasjet me armën pistoletë, duke i dëmtuar edhe gjilpërën armës që të mos kapej nga ekspertiza balistike. Kjo ishte goditja më e madhe që iu dha dosjes së “21 Janarit” në atë kohë dhe ajo u bë nga vëllai gjyqtar i një dëshmori të demokracisë. Pas këtij vendimi u emërua në Gjykatën e Lartë dhe KLD.
4- Në mbrojtje të gjyqtarëve me shkelje, voton kundër në KLD
Më 30 maj 2014, u bë një nga debatet më të ashpra në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Artan Broci spikat si një nga anëtarët e KLD-së që del kundër kërkesës së ish-ministrit të Drejtësisë, për masat e propozuara për shkarkim ndaj 4 gjyqtareve me shkelje. Broci në atë kohë i quajti publikisht propozimet e ministrit si “Propozime antikushtetuese”.
5- Pastron universitetin “Kristal” nga skandali “Bossi”
Më 30 shtator 2012, Artan Broci del në mbrojtje të universitetit “Kristal”, për diplomën false të djalit të “Lega Nord”, Umberto Bossi. Ministria e Arsimit kërkonte masa ndëshkuese për universitetin dhe hetime. Por gjyqtari Broci që kryesonte çështjen në Apel, e pushoi këtë hetim dhe i kthehu universitetit të drejtën për të nisur regjistrimet e studentëve të rinj.
6- Kundër Ligjit të Dekriminalizimit në mbledhjen e KLD
Anëtari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Artan Broci, e ka konsideruar Ligjin për Dekriminalizmin si “një tentavitë të maxhorancës për të kapur pushtetin gjyqësor në vend”. Kjo deklaratë e fortë, është bërë në mbledhjen e KLD-së, më 11 prill 2016. Gjatë kësaj mbledhjeje, Artan Broci ka debatuar me anëtaren e zgjedhur nga kuvendi, Albana Shtylla. Broci ka deklaruar se “ligji në fjalë është i papajtueshëm me Kushtetutën dhe se cenon ndarjen e pushteteve”. Në vijim ka qenë edhe një nga kundërshtarët më të fortë të Reformës në Drejtësi.
7- Pyetet në gjyqin e koleges Andrea, e akuzuar për korrupsion
Gjyqtarja e Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea, u gjykua me proces normal, së bashku me bashkëshortin e saj dhe 4 të pandehurit e tjerë, në dosjen e korrupsionit me 50 mijë euro për një trashëgimi trualli prej 4 ha në Butrint. Ajo u hetua dhe u gjykua në gjendje të lirë dhe më pas u dënua së bashku me të tjerët. Ngjarja u bë e bujshme në verën e vitit 2016. Gjatë procesit të zhvilluar u zbulua se vendimi në favor të një familjeje nga Saranda u dha nga Andrea dhe dy kolegët e saj, Artan Broci dhe Admir Thanza. Emri i Artan Brocit ridel edhe në këtë dosje, por ai u thirr si dëshmitar, duke thënë se nuk kishte dijeni për ryshfetin. Pak muaj më pas e mori në mbrojtje në KLD gjyqtaren Andrea, duke votuar kundër shkarkimit të saj.
8- Në listën e zezë të SHBA-ve për vizat
Tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe katër gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, pjesë e sistemit të drejtësisë, u janë hequr vizat nga Ambasada Amerikane pak ditë më parë. Ata janë gjyqtarët kushtetues Vitore Tusha, Besnik Imeraj dhe Gani Dizdari. Dy të fundit në fakt janë emra të njohur së fundmi, pasi dolën në pakicë në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke u shprehur kundër ligjit të Vettingut. Ndërkohë, nga Gjykata e Lartë janë të refuzuar për vizën amerikane gjyqtarja e dorëhequr Mirela Fana dhe gjyqtari Artan Broci. Lista ka rrjedhur në media, por Ambasada asnjëherë nuk e ka konfirmuar zyrtarisht.
9– Në hallkat e reja të sistemit
Kur emri i tij është në listën e Komisionit të Vettingut për shkak të pasurisë së pajustifikueshme, Artan Broci është zgjedhur me short si anëtar dhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, një nga hallkat e reja të sistemit. Ky short është hedhur më 7 dhjetor 2017. Së fundmi ai ka thirrur mbledhjet më 19 dhe 20 mars të këtij viti, pra të hënën e ardhshme.
10– Në Parlament me 71 votat e PD-LSI
Dekreti i Presidentit Bujar Nishani, i datës 26 prill 2013, i cili propozoi Artan Brocin për anëtar të Gjykatës së Lartë, kaloi në Parlament me 71 vota. PS nuk mori pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e kësaj kandidature në komisionin e Ligjeve si dhe në Parlament. Ndërsa më 14 dhjetor 2012, katër muaj para, ai ishte zgjedhur edhe anëtar i KLD-së, që vinte nga Konferenca Gjyqësore.
Gjyqtarë apo biznesmenë? Rasti Broci dhe të tjerët
Në verifikimet e fundit të njerëzve të drejtësisë për deklaratën e pasurisë, Artan Broci mund të konsiderohet një nga gjyqtarët më të kamur. Pasuria justifikohet vetëm me punën që kryen ai dhe bashkëshortja. Nga krahasimi vihet re se ka ndryshime të dukshme të deklaratave të pasurive veçanërisht mes tre viteve të fundit. Në listën e Vettingut me 68 emra, ai është një ndër 28 njerëzit e drejtësisë që nuk justifikon dot këtë pasuri. Emri i tij gjendet në listën e personave që do u verifikohet imtësisht çdo pasuri, nga veshjet, orenditë dhe bizhuteritë, deri tek pronat.
Pasuria e Brocit
Të ardhurat e Artan Brocit deklarohet se vijnë nga një sërë burimesh, nga puna si gjyqtar, si anëtar i KLD-së, i Bordit të Shkollës së Magjistraturës, nga qiratë, nga dhuratat etj. Ndërkaq bashkëshortja e tij rezulton e gjithanshme, si me mbi 10 llogari kursimesh ndër vite. Përgjatë vitit 2012, të ardhurat e Brocit kanë qenë vetëm nga paga si gjyqtar, nga qiratë e tre subjekteve dhe nga paga e bashkëshortes, ndërkohë nga viti në vit, pasuria e tij është shtuar.
Ndërsa në vitin 2013 janë rritur të ardhurat e tij dhe bashkëshortes, për të arritur kulmin në vitin 2014, ku figuron një apartament dhuratë dhe bashkëshortja rezulton me dhjetë llogari bankare.
Në vitin 2015 figurojnë të shtuara edhe pesë llogari të reja bankare, ndërsa Broci dhe bashkëshortja e tij kanë edhe 7 llogari të tjera bankare.
Më poshtë po sjellim deklaratat e pasurisë së gjyqtari Artan Broci, referuar formularëve në ILDKPKI.
Në vitin 2012, Broci ka deklaruar, pagën si Gjyqtar i Gjykatës së Apelit 1 497 921 lekë, qira lokali 600 000 lekë, qira nga subjekti “Rexha-Gold” shpk 3600 euro, qira zyre 840 000 lekë, si dhe pagën e bashkëshortes si notere në shumën 2 272 797 lekë.
Në vitin 2013 ai ka deklaruar pagë si Gjyqtar i Gjykatës së Apelit, 398 500 lekë, pagën si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, 1 123 516 lekë, honorare si Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, 117 000 lekë, interesa bankare 17 840 lekë nga depozita plus në bankë të nivelit të dytë, qira nga subjekti “Rexha-Gold shpk”, 10 800 euro, si dhe qira zyre 840 000 lekë.
Ndërsa bashkëshortja Irma Broci, ka deklaruar pagën si notere 4 208 890 lekë, arkëtime nga shitja e autoveturës tip “Benz”, 500 000 lekë, interesa bankare 160 373 lekë nga llogari në bankë të nivelit të dytë, interesa bankare 5 964 lekë nga llogari në bankë të nivelit të dytë, interesa bankare 7 019 lekë, nga llogari në bankë të nivelit të dytë, si dhe blerje autoveture tip “Benz”, me kursime personale në vlerën 1 000 000 lekë.
Përgjatë vitit 2014, Broci ka deklaruar të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës së Lartë, 1595 860 lekë, të ardhura si anëtar i KLD-së, 112 200 lekë, të ardhura nga interesa bankare, 12 657 lekë, të ardhura nga qiraja e një lokali dhënë shoqërisë Rexha-gold shpk, 10 800 euro, të ardhura nga qiraja e një zyre, 840 000 lekë, bashkëpronar i një apartamenti me sipërfaqe 65.76 m2, dhuratë, gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, 735 188 lekë, 17 329 lekë, si dhe 1 651 036 lekë.
Ndërsa bashkëshortja, ka deklaruar të ardhura nga puna si notere në Tiranë, 4 644 223 lekë,të ardhura nga interesat bankare, 88 257 lekë,të ardhurat nga interesat bankare, 72 510 lekë, gjendja e llogarisë depozitë në një bankë të nivelit të dytë, 5 079 431 lekë, 34 342 lekë, 1 296 euro, gjendja e llogarisë depozitë “Fëmija im”, në një bankë të nivelit të dytë, 361 951 lekë, gjendja e llogarisë depozitë “Fëmija im”, 413 201 lekë, si dhe një tjetër në shumën 290 108 lekë.
Gjithashtu bashkëshortja, ka deklaruar gjendjen e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, (Llogari e cilësuar për klientët e pasuritë e paluajtshme, sipas udhëzimit të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave), 170 300 euro, si dhe dy llogari të tjera në shumat 3 740 000 lekë dhe 4 euro.
Në vitin 2015, Broci ka deklaruar pagën si anëtar i gjykatës së lartë 1 573 316 lekë, honorare si Anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë 102 000 lekë, të ardhura nga qiradhënia e një lokali një shoqërie tregtare 10 800 euro, të ardhura qiradhënie e një zyre 840 000 lekë.
Bashkëshortja Irma Broci, të ardhura fitim neto nga ushtrimi i detyrës si Notere 5 201 118 (pesë milion e dyqind e një mijë e njëqind e tetëmbëdhjetë) lekë.
Djali Arlind Broci paga si specialist në sektorin e asistencës ligjore Drejtoria Juridike pranë Shoqërisë Albbcontrol SHA, në vlerë 207 250 lekë.
Broci ka deklaruar dhe shtimin e llogarive rrjedhëse.
Shtuar llogaria rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë me 127 214 lekë.
Shtuar një llogari rrjedhëse me 99 816 lekë.
Shtuar një llogari lidhur me depozitën me 59 855 lekë.
Shtuar interesa nga depozita në vlerën 10 375 lekë.
Investime në obligacione vlera 5 000 000 (pesëmilionë) lekë.
Pakësuar llogaria depozitë e bashkëshortit dhe shtuar llogaria depozitë e bashkëshortes e sëbashku në vlerën 10 000 000 (dhjetë milion) lekë, janë blerë obligacione 2 vjeçare nga bashkëshortja.
Shuar interesa nga llogaria e depozitës vlera 27 351 lekë.
Llogari rrjedhëse e bashkëshortes 207 718 lekë.
Llogari rrjedhëse e zotit Broci ku paguhen qiratë vlera 2 985 euro.
Shtuar interesa në llogari depozite personale e bashkëshortes me 331 133 lekë.
Depozitë e llojit Fëmija Im 514 754 lekë si dhe një tjetër në shumën 526 226 lekë.
Llogari e bashkëshortes si person fizik 716 312 lekë.
Llogari e bashkëshortes si Person Fizik e specifikuar si llogari, noteri për Klient për pasuri të paluajtshme 300 euro dhe 3 400 000 lekë.
Llogari e bashkëshortes si Person Fizik, e specifikuar si llogari Noteri për Klient, për pasuri të paluajtshme 795 795 euro.
Në vitin 2016 ai ka deklaruar, të ardhura nga paga si anëtar i Gjykatës së Lartë, 1 566 462 lekë, të ardhura si honorare dhe dieta si anëtar i Gjykatës së Lartë, 102 000 lekë + 34 008 lekë, të ardhura nga anëtarësimi në Komitetin Disiplinor të Dhomës së Avokatisë si përfaqësues i KLD-së, 306 000 lekë, të ardhura nga obligacionet 4-vjeçare për vitin 2016 në një bankë të nivelit të dytë, 283 982.64 lekë.
Ndërsa bashkëshortja, zonja Irma Broci, ka deklaruar të ardhura nga obligacionet 2-vjeçare në një bankë të nivelit të dytë, 170 600 lekë, të ardhura nga interesat e llogarisë bankare depozitë plus në emër të fëmijës së mitur në një bankë të nivelit të dytë, 9 707.37 lekë, të ardhura nga interesat e llogarisë bankare depozitë plus, në një bankë të nivelit të dytë, 465.26 lekë, të ardhura nga interesat e llogarisë depozitë plus e fëmijës së mitur, 9 903.08 lekë, të ardhura nga qiraja e një lokali, 10 800 euro, të ardhura nga qiraja e zyrave, 840 000 lekë, të ardhura nga puna si notere, 5 273 388 lekë fitimi neto.
Djali, Arlind Broci, të ardhura nga paga pranë Albcontroll Tiranë, 994 053 lekë.
Broci ka deklaruar se ka fituar pronësinë e një apartamenti me sipërfaqe 143.81 m2, (bashkim i apartamentit ekzistues me sipërfaqe 78.11 m2 + shtesës anësore të katit të parë me sip. 65.7 m.
Pronar me 50 % (pjesë e regjimit martesor, 50 % me 50 % me bashkëshorten) i një apartamenti me sipërfaqe 157.99 m2 (bashkim i apartamentit ekzistues me sipërfaqe 92.29 m2 + një shtesë anësore me sip. 65.7 m2 në katin e dytë, shkëmbyer pa shpërblim me një shtetas.
Bashkë investitor në një kontratë sipërmarrje me dt. 17.04.2016 për ndërtimin e karabinës së një banese private në Shkodër, sipas lejes së ndërtimit, 1 500 000 lekë.
Fond pensioni vullnetar në një bankë të nivelit të dytë, krijuar në dt. 17.05.2016 me të ardhura nga paga, periodikisht 10 000 lekë në muaj, 91 409.94 lekë + 1 409.49 lekë interesa.
Gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, llogari page, 160 913.77 lekë.
Gjendja e llogarisë bankare, Karta Viza Clasik, 198 597.13 lekë.
Gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, Depozita Plus, 460 320.80 lekë.
Djali, Arlind Broci, gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, si person fizik, 46 891.60 lekë.
Bashkëshortja, Irma Broci, gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, ‘Llogari Noteri e cilësuar për klientët pasuritë e paluajtshme’ sipas udhëzimit nr. 6915/2 dt.30.01.2012, të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, 207 250 euro.
Bashkëshortja, Irma Broci, gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, ‘Llogari Noteri e cilësuar për klientët pasuritë e paluajtshme’ sipas udhëzimit nr. 6915/2 dt.30.01.2012, të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, 7 500 000 lekë.
Djali, Arlind Broci, gjendja e llogarisë bankare individuale në një bankë të nivelit të dytë, 134 036.48 lekë.
Bashkëshortja, Irma Broci, gjendja e llogarisë rrjedhëse në një bankë të nivelit të dytë, 417 778.07 lekë.
Llogari rrjedhëse, të ardhura nga qiratë, 252 550 lekë.
Bashkëshortja, zonja Irma Broci, gjendja e llogarisë bankare në një bankë të nivelit të dytë, 895 469.13 lekë.
Djali, zoti Arlind Broci, certifikatë regjistrimi në QKB me llogari si person fizik pranë një banke të nivelit të dytë, 46 891.60 lekë.
Kush është Artan Broci? Shkollimi dhe karriera e gjyqtarit, katër vitet e ‘shkëlqimit’
Artan Broci ka lindur në Shkodër, më 3 mars të vitit 1973. I martuar dhe me katër fëmijë. Bashkëshortja, Irma Broci, punon si notere. Prej shumë vitesh banues dhe me detyrë në Tiranë. Në periudhën 1991-1996 kryen studimet për Juridik në Tiranë dhe merr titullin Jurist. Gjatë kohës së shkollës punon edhe në KLSH. Në vitet 2004-2006 zhvillon specializim në Nebraska. Më 14 dhjetor 2012 u zgjodh anëtar i KLD-së. Në prill 2013 votohet në parlament me votat e së djathtës si anëtar i Gjykatës së Lartë, ku ende i ushtron detyrat. Zotëron gjuhën e huaj Italisht. Ka punuar në RTSH në 1992-1994, KLSH më 1994-1996, Gjykata e Tiranës 1996-2010, Gjykata e Apelit Tiranë, deri më 2013 dhe në vijim në Gjykatën e Lartë. Këto të dhëna janë të përfshirë në kurikulumin zyrtar të gjyqtarit.
(vijon)