Një popull i marrë, që është dashuruar marrëzisht pas marrëzisë

0
382
Rama - Meta - Basha

Mentor Kikia

Mbrëmë, emisionet (debatet) televizive i ishin kushtuar, si gjithmonë, politikës. Rama-Meta-Basha… Përtej sherreve në ekrane, në rrjetet sociale tifozeritë respektive vazhdonin të betejën me “mish e me shpirti”. Kush do fitojë, kush do e hajë, kujt do ia fusim…
E “detyrova” veten dhe lexova një numër të madh komentesh nën disa lajme të tilla, pra me Ramë, Bashë dhe Metë.

Një lukuni njerëzish që shaheshin mes tyre si mbështetës të njërit apo tjetrit.. Sa më shumë më pështiroseshin, aq më shumë nxitesha të lexoja, për të kuptuar se deri ku mund të shkohet. Nuk besoj se ishin të gjithë nga ata komentuesit me pagesë. Kishte aty nga komentet që përpiqeshin të replikonin me një lloj etike me njëri-tjetrin, e të tjerë që fjalën më të kulturuar kishin “këlysh” dhe “lëpirës”.

Pyetja që më shkoi ndërmend ishte: Po mirë, ky është halli më i madh i shqiptarëve, pra të shahen e të pështyhen duke mbështetur secili një politikan?

Faji i parë është i medias që u hedh “qenve” vetëm këto kocka, nga e hëna në të premte, nga emisioni “mirëmëngjes”, deri tek “natën e mirë”. Por fakti ka treguar se kopeja këtë ushqim preferon dhe media gatuan sipas preferencave.

Po vetë njerëzit, a nuk mund t’i shpenzojnë energjitë e tyre për të tjera probleme?

Papunësia, korrupsioni, zhvatja e pasurivë kombëtare, shkatërrimi i mjedisit, niveli i shkollës, edukimi i fëmijëve dhe të rinjve etj. etj. Edhe nëse dikush guxon të ngrejë çështje të tilla në këtë mejhanen e madhe debatuese, diku dikush do të dalë të thotë se ti je këlysh i atij apo këtij, dhe të gjithë sulen pas këlyshërisë.

Duket sikur këtë popull e kanë dehur, e kanë trullosur duke i hedhur ndonjë kimikat natën me dron, për ta transformuar në një qënie pa dinjitet, pa interesa, pa parime e pa objektiva. Duke e shndërruar në një turmë që të nuk merret kurrë me problemet e veta, por të lufton dhe është gati edhe të vritet, sikundër është vrarë në fakt, vetëm për partitë dhe politikanët.

Kush mendon ndryshe nga turma, ja tek e ka kufirin, trastën në kurriz dhe të ikë!

Njerëz, tunduni dhe zbrisni në tokë, kuptoni se jeta dhe problemet tona nuk janë vetëm PD-PS-LSI, apo Rama-Basha-Meta. Nëse mbeshtesni njërin apo tjetrin, shpreheni këtë vullnet kur të vijnë zgjedhjet dhe kaq. Nëse mendoni se zgjedhjet janë vonë, dilni në rrugë e rrëzojeni.

Boll e shqyet njëri-tjetrin për ata që, të gjithë bashkë, na shqyjnë ne të gjithëve sëbashku.