NJË POLIFONI MONUMENTALE TEKSTUALE PËR GJERGJ KASTRIOTIN SKËNDERBEUN

0
1097

Mikel GOJANI

(Prend BUZHALA: “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ose modeli heroik nëpër kohë” – Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT. Ese, studime, këndvështrime, – botoi Lena Graphic, Prishtinë 2018, faqe 419)

I njohur në letrat shqipe si studiues i zellshëm i letërsisë, sidomos si kritik letrar, Prend Buzhala ka botuar rreth 55 vëllime me shkrime kritiko-letrare, dokumentare, eseistike, libra me poezi, vëllime me tregime të shkurta dhe një roman.

Sivjet, në shenjë të 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, ai botoi një libër të rëndësishëm e me vlera të mirëfillta studimore e shkrimore me titullin Gjergj Kastrioti – Skënderbeu: arketipi i heroit nëpër kohë” (Nën shenjën e VITIT TË GJERGJ KASTRIOTIT, -Ese, studime, këndvështrime).

Këtij vëllimi i paraprin studimi “Gjergj Kastriotit – Skënderbeu ose modeli heroik nëpër kohë”, kurse në vazhdim vijnë kapitujt “I. SKËNDERBEU: KTHIMI I MADH DHE REFERENCAT E TIJ”, “II. BARLETI: FJALIMET DHE KRYEFJALIMET HISTORIKE”, “III. LETËRSIA PËR SKËNDERBEUN: NGA BARLETI DERI TE FISHTA”, “IV. NGA KODET LETRARE E TEKSTUALE TË KOHËS SË SOTME PËR SKËNDERBEUN”.

1. Vetëdija e sotme moderne për heroin

Në fillim, te studimi “Gjergj Kastriotit – Skënderbeu ose modeli heroik nëpër kohë”, autori, pasi e zbërthen teorikisht e tematikisht konceptin hero, kryeheroin tonë e pikëvështron nëpër shtatë pika të tjera: Përpjesëtimet mitike, të heroizmit tek këngët kreshnike, Nga këngët për Skënderbeun e deri tek UÇK- ja, Modeli i Heroit Koncensual, Modeli evropian i lirisë, Përpjesëtimet mitike të heroizmit, Modeli i idealit antik për heroin te humanistët shqiptarë, Kujtesa e Motit të Madh: modeli i mbiheroit romantik, Modeli kritik dhe heroi si vetëdije historike dhe Modeli arketipor i heroit. Te ky studim hyrës autori thekson:

“Modeli shqiptar i tolerancës ndërfetare, krahinore apo modeli shqiptar i Heroit Koncensual, i Konsensusit Historik Ndërshqiptar, a nuk është një model që i shërben edhe civilizimit modern botëror për zgjidhjen e shumë konflikteve? Ato forca brendakombëtare, që e kanë prishur këtë konsensus, sikundër ndodhi në atë të komunizmit, a nuk e sollën në luhatje vetë qenien tonë nacionale, vlerat e përbashkëta nacionale?”

Duke e shqyrtuar figurën e Skënderbeut që nga epoka e humanistit Barleti e deri te letrat e sotme shqipe, në prerje sinkronike e diakronike, gjithnjë studiuesi ka parasysh vetëdijen e sotme moderne që kemi për të kaluarën dhe heroin. Prandaj, së këndejmi vjen edhe titulli i veprës për heroin si arketip përtëritës nëpër kohë. Skënderbeu është sfidues i secilës kohë, i jep zërin e pamjen e vet secilës kohë, dhe në secilën kohë ai është një personalitet që nxit debate, që përballet me vlerësimet më të skajshme, me mohimet më të skajshme dhe me vlerësimet mitizuese.

Te kapitulli i parë prin shkrimi mjaft domethënës dhe esencial: “Dekalog (shkrimor) për Gjergj Kastriotin- Skënderbeun, Hero Kombëtar”. Për t’iu dhënë përgjigje paraqitjeve mjaft komplekse e problematizuese të kohës së sotme, ai këtë dekalog (a dhjetëpikësh) e dyfishon, duke theksuar: se kujtesa popullore ndër shekuj e ka ruajtur emrin e tij si simbol harmonie, uniteti dhe guximi, si shenjë mbrojtëse të etnisë, të shqiptarisë; se të gjitha dëshmitë e kohës flasin për Familjen Kastrioti (të Gjon Kastriotit), si simbol e shembull të unitetit arbëror-kombëtar (le të themi: etnik, pra), ku fëmijët e pjesëtarët e familjes së tij kishin emra katolikë, ortodoksë, myslimanë.

Kurse ambasadorë në vendet e shtetet katolike, ai dërgonte edhe arbërorë ortodoksë. Si shembull i kësaj harmonie, ai ruajti emrin e krishterë (Gjergj) dhe emrin me prejardhje myslimane (Skënderbe) për ta ruajtur unitetin arbëror të popullit të tij; se emërtimi SHQIPE ishte i kohëve të lashta dhe i ruajtur në FLAMURIN TRADICIONAL ilir-arbëror-shqiptar (trashëguar në vijën Pirro- Konstantini i Madh- Skënderbeu); se për shkak të vizionit të tij UNIK HISTORIK, ai mbetet figura më përfaqësuese shqiptare… para të cilës përkulen kombet, shtetet, personalitetet ushtarake, intelektuale; se vula e Skënderbeut e shkresat zyrtare të tij nuk mbanin simbole fetare; se ai mori titujt më të lartë të kohës: Iskander (Aleksandër i Madh), ishte titulli më i lartë ushtarak e luftarak që u përjetësua nga vetë Perandoria otomane, ashtu sikundër Roma e përjetësoi si Atleta Cristi. Ndryshe, ky Dekalog është një sintezë pothuajse e përkryer e figurës së tij sot e dje. Një program i idealeve etnike shqiptare në secilën kohë.

Ndërkaq, rreth tetëmbëdhjetë shkrime të tjera të këtij kapitulli po ashtu merren me thelbin e përplasjet e kohës sonë. Shkrimi “Vetëdija për përbashkësinë në epokën e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” thekson se “dëshmi që shqiptarët ishin një KOMUNITET A BASHKËSI UNIKE, janë luftërat 35-vjeçare kundër Perandorisë otomane, nga një ushtri e fortë arbërore unike (e të gjithë arbërorëve), se Arbëria e kohës së Skënderbeut e kishte elitën e përbashkët, më të shkolluarën e më të arsimuarën në Evropën juglindore… Vetëdija kombëtare moderne e shek XIX, është e hershme e që i ka rrënjët në vetëdijen kombëtare etnike të atyre shekujve.”

Me vlerë është edhe shkrimi “SKËNDERBEU: KTHIMI I MADH DHE REFERENCAT E TIJ”, në të cilin spikat: “Perandoria otomane, dikur, nëpërmes jeniçerëve (fëmijëve të rrëmbyer nga gjiri familjar, kryesisht i familjeve të krishtera), synonte që FËMIJA TA HARROJË PRINDIN E VET, besimin e vet fetar, kombin e vet dhe gjuhën e vet. Jeniçer dhe i rrëmbyer ishte edhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, por ai kishte MOSPAJTIM SHPIRTËROR, prandaj KTHIMI I TIJ në Atdhe e në vlerat e përparshme, mbeti IDEAL I PËRGJITHMONSHËM.”

Nga shumë aspekte autori merret me doktrinat e mohimit kombëtar të kësaj figure (te një varg shkrimesh, kurse një ese e tërë titullohet “Ese për flamurin e Skënderbeut”. Në serinë e këtyre shkrimeve, po veçojmë: “Shqiptarësia buron nga vetëdija e fortë etnike arbërore”, “Përmendorja e Skënderbeut në metropolet kryesore të botës” dhe “Identiteti ynë dhe Skënderbeu”. Ndryshe, ky kapitull a cikël shkrimesh, shquhet për polemikën e fortë, argumentuese, përballë mohuesve të sotëm të kësaj figure, si dhe me shtjellimet me prirje intelektuale e thelluese të problematikës së ndërliqshme.

2. Retorika klasike e humanistëve arbërorë
ose modeli i idealit antik për heroin

Me vlerë dhe mjaft interesante nga fusha e retorikës letrare dhe të përgjithshme, mbase për herë të parë në letrat tona, janë studimet analitike të kapitullit “Barleti: fjalimet dhe kryefjalimet historike”, ku qasja është ajo e lëndës së retorikës. Kështu, autori sqaron se në kujtesën historike shqiptare, ruhen, nëpërmes Marin Barletit te vepra “Historia e Skënderbeut”, Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga osmanët më 28 nëntor 1443 dhe Fjalimi i Kuvendit të Lezhës, i cili krijoi VETËDIJEN E PËRBASHKËT ARBËRORE, traditat shtetformuese, përfaqësuese, ato demokratike, të pajtimit e të bashkimit etnik.

Këtu përfshihen edhe dy shkrime tjera studimore: Panagjeriku i Pal Engjëllit më 1460 , me rastin e vizitës katërditore të Skënderbeut në Raguzë dhe një vështrim për vëllimin “Fjalime dhe letra të Skënderbeut”, botim i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Popullore, Tiranë, 1967). Dihet se Retorika antike, që nga Aristoteli i moçëm, konsiderohet art i shprehjes, i TË FOLURIT BUKUR, i diskursit, që kishte të bënte me angazhimet e saj në sferën politike, në atë të poezisë, mitit dhe arsimit: për ta bindur,për të ndikuar, motivuar dhe nxitur një publik a masë të caktuar njerëzish. Kësisoj ndodhi deri në shk. XIX. “Barleti ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet, patosi dhe etosi.

Barleti po shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist, zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: “Ju epirotët (arbnorët), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë…”, Ja pra, një tjetër koncept, çlirimtari (liberatori). Përkufizimi i tillë, nxjerr në shesh SHQIPTARIN (ARBËRORIN, ARBNORIN) si karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër… “, thekson autori Prend Buzhala. Autori shqyrton edhe Fjalimin e Skënderbeut në Kuvendin Lezhës: “Që Skënderbeu nuk ka qenë vetëm kryeushtarak, po edhe mendimtar e strateg politik, me vizione largpamëse, e dëshmon pikërisht ngjarja e madhe historike e Lezhës. Secili fjalim i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, është historik, fjalim i ngjarjeve të mëdha, që shënuan një krye-epokë…

Të mbaje Kuvend, do të thoshte se je një popull i pjekur, i organizuar, se ishe në gjendje të merrje vendime demokratike, se ke ditur ta bësh Hapin e Madh Historik për bashkim politik të trojeve etnike arbërore brenda një udhëheqjeje qendrore nën Skënderbeun. Prandaj ai tubim u quajt edhe Besëlidhja e Lezhës, Liga e Princërve Arbërorë, e që u mbajt në Katedralen e Shën Nikollës në Lezhë, në organizim të vetë gjeneralit të posakthyer nga ushtritë osmane. … Ky Kuvend dha traditën e marrjes së vendimeve të shumicës më vonë, ndër shekuj, traditë e Fjalëve të pleqve e të pleqësisë. Është një Besëlidhje jo vetëm ushtarake, por edhe politike. Mbi të gjitha, dha Traditën Proverbiale Shqiptare të Pajtimit (le t’i kujtojmë kuvendet e mëvonshme, deri te Pajtimi i Madh i Gjaqeve më 1990, nën drejtimin e Atnon Çettës).”

Te kapitulli i tretë “Letërsia për Skënderbeun : nga Barleti deri te Fishta”, autori e nis me studimet “Figura e Gjergj Kastriotit në letërsinë e vjetër shqipe”, si dhe me debatin shkrimor “Dëshmia kulturore e letrare arbërore” (me theks në Kosovën dardane me rrethinë gjatë Mesjetës dhe periudhës së Humanizmit e Renesancës), “Qendra arbërore e Novobërdës,” dhe “Çka trashëgojmë nga epoka e Skënderbeut”.

Në vazhdim jepen analiza studimore e kritiko-letrare për Tekstin e Martin Segonit: “TREGIM Mbi Gjergj Kastriotin, nga Turqit, në gjuhën e tyre, i quajtur Skander beg, domethënë Aleksandër i madh”, për veprën e Dhimitër Frangut “Luftërat e turqve kundër Skënderbeut”, si dhe për veprën “Apologji për Skënderbeun” e Frang Bardhit.

Po ashtu, me vlerë edhe informative, edhe analitike, janë shkrimet “Teksti i Kristoforidhit: Kanga e Skënderbegut (Nga »Gjahu i Malësorëvet”, “Fishta, shkrimi satirik (Teksti dramatik ‘Nën hajat të Parrizit’ ”) dhe “Gjeçovi dhe drama për Skënderbeun”.

3. Nga kodet letrare e tekstuale të kohës së sotme për Skënderbeun

Pjesa e katërt dhe e fundit “Nga kodet letrare e tekstuale të kohës së sotme për Skënderbeun”, Buzhala ka një varg shkrimesh analitike për disa autorë bashkëkohorë që kanë shkruar për Skënderbeun. Kështu, studimi kritiko-letrar “Struktura e hapur e romanit: rikrijimi i historisë” analizon romanin „Kështjella” i Ismail Kadaresë), studimi “Satira dhe etnosi” analizon veprën e Rexhep Qosjes “I ringjalluri i penduar”, që është tregim satirik, shkrimi i thellë kritiko-letrar “Brerore poetike për Skënderbeun” shqyrton me kompetencë të shkathtë e të jashtëzakonshme teorike-letrare e studimore veprën poetike të Beqir Musliu: “Skënderbeu”, poemë, botuar më 1968.

Këtu hyjnë edhe analizat kritiko-letrare për romanin për fëmijë të Rifat Kukaj “Gogozheli i Gogozhinës” me tematikë nga epoka e Skënderbeut, si dhe shkrimi me titull “Skënderbeu dhe referenca edukuese-pedagogjike: për të mos u tradhtuar nga harresa” e që e shqyrton një vepër të veçantë të letrave tona, atë të Demë Mulliqit “Skënderbeu – edukator i kombit shqiptar”, i botuar më 1996).

Ndërsa shembujt e një leximi të mirëfilltë komentues e interpretues, që do ta quanim shkollë buzhaliane të leximit, janë disa ese komentues: “Poezia “Portreti i Skënderbeut” e Kadaresë, një lexim”, “Një ese e pëlqyeshme” kushtuar Ragip SYLAJT e esesë së tij “Fara e përlindjes sonë kombëtare”, teksti i bukur komentues ”Mirko Gashi: ‘Kasida për kryetrimin’ (Interpretim)” dhe “Interpretime: Musa Jupolli (Poezi): Në fajësi të Gjergj Kastriotit”.

Shkrime që e paraqesin Skënderbeun në artet figurative e në film, janë “Piktori Idriz Berisha, nëpër dekada në shoqëri me Skënderbeun”, “Filmi ‘Gjergj Kastrioti -Skënderbeu’ “ (recension i shkruar në vitet ’70 për nevoja të nxënësve).
Kurse shkrimet “Figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në letërsinë evropiane”, “De Rada dhe motet e mëdha” dhe “Kodi estetik i këngës historike” janë studime të mirëfillta jo vetëm të karakterit informues, por edhe vlerësues e kategorizues.
Ky kapitull ka edhe disa shkrime eseistike, që janë një dëshmi e shoqërimit të gjatë të autorit me këtë figurë ndër dekada.

4. Përfundime

Në fund do theksuar, pra, se shkrimet janë të zhanreve të ndryshme diskursive, janë studime, ese, analiza, kritika letrare, interpretime, komentime, polemika dhe debate. Ashtu siç thekson autori, janë një përpjekje për ta shënjuar këtë vit jubilar. Nga ana tjetër, do theksuar se disa shkrime, të shkruara që në vitet ’70 e ’80 të shekullit të kaluar, janë shkrua për nevoja të gjimnazistëve (tregues se ç’interesim ka pasur jo vetëm autori, por edhe gjeneratat e reja të atyre viteve).

Do të thoshim, se te kjo vepër është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i kohës sonë, një figurë që shtreson krejt të kaluarën tonë historike, etnike, letrare, historiografike, figurë që prezanton përfaqësuesin më tipik në letrat evropiane për pesë shekuj rresht, siç ligjëron studimi për figurën e Skënderbeut në letërsinë evropiane e botërore, për të përfunduar me konstatimin se Gjergj Kastrioti – Skënderbeu,është figura më përfaqësuese e kombit shqiptar dhe ndër më përfaqësuesit e historisë evropiane. Prandaj autori e sintetizon te sintagma “arketipi i heroit nëpër kohë”. Është shoqëria pesëdekadëshe e autorit, me anë të shkrimit, në shoqëri me këtë kryehero.
Arketip e figurë që na del gjithnjë parasysh, i rikthehemi gjithnjë dhe ecim përpara.
Një personalitet që na sfidon e bashkëbisedon me secilën kohë.
Dhe i dhuron zërin e tij edhe kësaj kohe.

Vepra është një polifoni shkrimesh që e zbërthejnë nga shumë anë epokën e Skënderbeut, në përqasje me kohën tonë.

Gusht 2018