NJË POEZI E VEÇANTË DHE KREJT MODERNE

0
1567

Rreth vëllimit poetik “Lora” të poetit Asllan Qyqalla

Nga Nikollë Loka

Vëllimi poetik “Lora”, i poetit Asllan Qyqalla, është i veçantë në llojin e vet dhe na kujton këngët e Laurës së Petrarkës apo Llorën e Ismail Kadaresë. Të tre krijimet janë dedikime kushtuar dashurisë së jetës dhe si të tilla, pavarësisht nga një fill i përbashkët tematik, shprehin veçanësitë e tyre që lidhet me intimitete dhe fate të ndryshme njerëzore. Në librin “Lora”, Asllan Qyqalla jep përjetimet e tij, të shprehura artistikisht me individualitet artistik si një poet i formuar dhe me profil të qartë krijues. Poezitë e tij përcjellin mesazhe që lexuesit i dekodojnë sipas mënyrës së tyre, si vijimësi jete, përpjekje për të mbajtur fillin e dashurisë midis dy njerëzve kur njëri prej tyre nuk jeton, ose si pranim i fatit njerëzor dhe refuzim i tij.

Në vëllimin poetik “Lora”, në funksion të qëllimeve të veta, përmes teknikave poetike të larmishme, Ligjërimi poetik i autorit është idiomatik dhe përtej kuptimit të parë e të drejtpërdrejtë, kemi domethënie dhe interpretime të tjera. Poeti kërkon tri ditë hua për një serenatë, ai s’di t’i përtypë shtigjet e vetmisë, ai është mëkatar i sojit të ri, etj. Poeti bën kapërcime në kohë, bashkon kohën që s’është me të tashmen, duke shkelur në të kaluarën përmes kujtimeve, “i përndjekur nga malli”, siç e shpreh vetë ai.

Dashuria dhe vdekja janë obsesionet kryesore të qënjes njerëzore. Dashuria në të gjitha format e saj na lidh me njerëzit, ndërsa vdekja si fund i pashmangshëm i jetës e proekupton vazhdimisht vetëdijen dhe nënvetëdijen tonë, duke bërë që qënja njerëzore të jetë e dënuar të dashurojë dhe të vdesë. Poeti e kapërcen kohën dhe vdekjen dhe në datëndërrimin e orës së zanave, pra në një kohë jashtëtokësore e takon të dashurën e tij, në tokë, aty te molla në kopësht. Kjo përzierje mjedisesh reale dhe joreale, jetësore dhe qiellore shërben për të lehtësuar komunikimin e poetit me shpirtin e tij binjak, tashmë në amshim.

Ndërkohë, Lora hyjnore, ajo që flet nga qielli, apo që e rikthen në kohë, kthehet shpesh në përditshmërinë e jetës njerëzore dhe vjen për t’i kujtuar poetit vazhdimësinë e jetës dhe bukuritë e saj. Në poezinë e Asllanit shfaqet një realitet i ndërtuar mbi gjurmë që tejkalojnë kohën, me vende nga ka kaluar Lora hyjnore, që poeti i sheh, i ruan në kujtesë,mbi të cilat poeti pikëllohet dhe gjen ngushëllim. Këto vende janë për autorin të shenjta sepse krijojnë me të një marrëdhënie të veçantë, shprehur bukur në poezinë mjaft domethënëse “Letra e vonuar”, ku pëllumbi zbret në adresën e gabuar dhe përshkon tridhjetë vjet kohë. Është koha e çmuar e poetit që ai s’don ta lëshojë e ta braktisë. E për ta rikujtuar ai kalon nga Ura e lirisë, klloçka e lejlekut, Kroj i bardhë, e ulet në sofrën e pashtruar. Këtë ndjesi, lexuesi e provon edhe në poezi të tjera, disa prej të cilave po i përmend: Lora e Prishtinës, Lora pa vello; Për vitet e ikura; Pas Shën Valentinit”; Njohja e ëndërrës; Ik nga unë.

Në të gjitha këto poezi, vendet shërbejnë për të aktualizuar kujtimet dhe për të afruar kohën; për të ruajtur kujtesën dhe pasionet. Shfaqjet e pejsazheve dhe vendeve përdoren si shprehje të trazimeve të brendëshme shpirtërore, që vijnë herë si mall dhe herë si dhimbje.

Dashuria në vargjet e poetit është qiellore, diellore dhe hënore. Kështu në poezinë “Ekspoze romantike” autori shkruan: Hëna përkëdhel dashurinë në tokë/ toka mbrun dashurinë në hënë/ Lora në ylber/ qëndis vashën në orbitë/ hënë mbaje sekret/ këtë ikonë dashurie/ tokë mos e prano/ përkëdheljen e diellit.

Nga toka në qiell është gjithmonë një prag për t’u kapërcyer, që e bën të mundur diçka që duket e pamundur, ruajtjen e dashurisë në jetë dhe lidhjes përmes dashurisë me vdekjen. Në poezinë e këtij libri, gjendet një vend ku poeti ndodhet më shpesh, Është vendin ku ndahet realja me endërrën. Imzhet vizuale të jashtme shërbejnë për të zbuluar të fshehtat dhe poezia flet të njëjtën gjuhë si ëndrra dhe, nëse ka dallim në mes të poezisë dhe ëndërrës, ai bëhet i dukshëm vetëm sepse poezia është e kursyer në fjalë, ndërsa ëndrra e pakursyer. Në këtë rast, ëndrra dhe poezia nuk duhen kuptuar fjalë për fjalë, por duhet të shihen si një përpjekje për të ngjallur emocione dhe ndjenja të forta, ku realiteti herë jepet në mënyrë pothuajse të drejtpërdrejtë, pastaj kalon në fushën e imagjinatës, ku poeti na tërheq në botën e tij. Nga e gjithë kjo, bëhet e qartë se poezia është e ndjeshme në interpretim, me të njëjtën kompaktësi si ëndrra.

Poeti Qyqalla shprehet me gjuhë të kursyer, sikur t’i kishte vënë vetes qëllim që me sa më pak fjalë të shprehë sa më shumë mendime dhe emocione njerëzore. Marrim si shembull poezinë “Sogjetoj ëndërrën” ku poeti shkruan: “Mbrëmë sogjetoja ëndërrën e Lorës/ aty ku vishet e zhvishet jeta/ në trajta horizontale/ puth yjet në ballë/ Lora shtrirë në shtratin e nusërisë/ pa vello/ e këngën e kanës/.
Autori, për ta bërë kohën e tij më të kuptueshme, fut në poezitë e veta elemente poetike ekzemplarë nga prurjet më të mira botërore dhe të traditës sonë, për të na treguar se ndarja, malli dhe dhimbja që vjen prej saj kanë ekzistuar pavarësisht kohës, dje sot dhe nesër. Në libër shprehet fort poetikisht dëshira për ta kapërcyer fatin dhe për të mos iu nënshtruar atij. Në poezinë e autorit ndeshim Mona Lizën, Zhuljeta, Odiseu, Gjergj Elez Alia etj.

Qyqalla i kushton rëndësi fjalës dhe gjuhës figurative të saj, që shpesh luan rol vendimtar në kondensimin dhe zgjerimin e kuptimit. Metafora vjen natyrshëm si mjet komunikimi, kur poetit i duhen dy jetë dhe dy botë, kur dashuria e tij projektohet herë si tokësore dhe herë si qiellore.

Poezia e Qyqallës është e strukturuar mirë dhe e harmonizuar në të gjithë elementet e saj, tregues i pjekurisë së lartë të autorit. Nganjëherë ai përdor të njëjtën bashkëtingëllore për t’i dhënë më shumë forcë mendimit të vet. Kështu në poezinë: Udhëtim pa pasaportë, ai përdor vargun “udhëton në tejhorizont pa itinerar”. Tre “t”-të i japin më shumë forcë vargut. E njëjta gjë duhet thënë edhe në vargun tjetër: Krokama kukuvajkash harlisur në shtatzënë, ku përsëritet “k”-ja. Edhe emri Lorë përsëritet shpesh si referencë sematike dhe poetike, sidomos në dialogjet poetike midis Lanit dhe Lorës.

Poeti Asllan Qyqalla ka guxuar ta trajtojë temën e dashurisë së munguar, mjaft e rrahur nga poetë në të gjithë botën dhe për të cilën poetët më të mirë botërorë kanë shkruar kryevepra. Krijimi i një poezie origjinale në këtë rast duhet vlerësuar si sukses i madh. Përveç pejsazheve poetike të vetat, që poet ii nxjerr nga intimiteti dhe i përdor em mjeshtëri, ai na sjell metafora origjinale mjaft shprehëse si: poet i përndjekur nga malli, rinohem me virgjëri, kukuvajka harlisur në shtazënë, mall i shtrydh në tokë, sorrat qëndisin kurorë, toka mbrunë dashurinë në hënë, në logun e ëndrrave, në besën e yjeve etj.

Poezia e mirë nuk është aftësia për të lidhur së bashku frazat të shprehura bukur, ose për të thënë diçka absurde që tingëllon poetike vetëm për injorantët. Poezia e mirë mund të kuptohet nga kushdo që e lexon atë. Shkrimi i poezisë së mirë do të thotë të kesh aftësinë për të shkruar rreth të zakonshmes në një mënyrë që kurrë nuk është thënë më parë. Poezia e mirë kërkon saktësi që të mund të krijojë një pikturë në mendje dhe një emocion në zemër.

Vëllimi poetik “Lora” e ka imazhin dhe ndjenjën të shprehur sipas mënyrës së poetit, si imazh dhe ndjenjë e poetit Asllan Qyqalla. Dëshmi e cilësisë së lartë të këtij libri poetik është edhe fakti se një poezi e tij, ajo me titullin “Shën Valentin” ka fituar çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Veliero” që u mbajt në maj të këtij viti në Çirò Marine të Italisë, e cila, sipas mendimit tim, nuk është më e mira e këtij vëllimi poetik me lirika të bukura.

Vëllimi poetik “Lora” me origjinalitetin, mjeshtërinë e teknikave poetike, gjuhën e zgjedhur dhe mjaft të kursyer si dhe metaforat e shënuara mendoj se është njëri ndër librat poetikë lirikë më të realizuar të këtyre viteve të fundit në letërsinë shqipe. Pas këtij libri cilësor, i uroj poetit Asllan Qyqalla vepra të tjera cilësore dhe suksese në vijimësi në procesin e tij krijues.

Dërgoi për publikim, Ramiz Lushaj