NJË POET AUTENTIK I QËNDRESËS KOSOVARE

0
627

(Xhemil Bytyçi, Liqeni i lotëve, Përktheu në gjuhën rumune Baki Ymeri, Amanda Edit, Bukuresht 2017)

Daniel Marian

Të mos harrosh – don të thotë të justifikosh domosdoshmërinë e sintagmës të dashurosh. Pse? Sepse dashuria është vepra më e shenjtë e shpirtit, ndërsa harresa nuk bën gjë tjetër veçse shpartallimin e veprës së bekuar. Dashuria është një fuqi e jashtëzakonshme që parakalon në adresë të gruas, fëmijëve, miqve, kombit, atdheut. Kjo ka qenë, është dhe do të jetë mësimi i parë, detyra e parë, obligimi i parë.

Xhemil Bytyçi dëshmon se është një poet autentik i qëndresës kosovare, i cili e mbron ekzistencën nëpërmjet përkatësisë ndaj vlerave fundamentale të trashëguara. Kështusoj, me ardhjen e tij në botë, identiteti i tij ishte i mirëstabilizuar, kurse më tej vetëdijësimi i këtij fakti e bëri të pakthyeshëm. Përndryshe, Liqenii Lotëve përfaqëson pikërisht shprehjen e bindjes së tij të qëndrueshme, sipas së cilës, një lindje dhe një rritje e shëndetshme janë argumentet bazë për një jetë dedikuar mirëqenies dhe oportunitetit.

Vepra respektive karakterizohet përmes unitetit të ekspresionit, respektivisht shprehjes lirike, regjistri duke qenë në një permanencë/përhershmëri objektuale, e koncentruar dhe mirë qëlluar. Kështu, sipas invokimit të parë, ballafaqohemi me vargje të një frymëzimi të lartë: “Toka ime/ Ti je/ Burimi i dritës/ Ku nis jeta ime/ Dhe unë jam rrënja jote/ Që të ushqen shpesh/ Edhe me gjak” (Burimi i dritës). Dhe, konsekuenca: „Rrënjët/ Asnjëherë/ Nuk e gabuan rrugën…/ / Rikthehen prapë/ Nisin rrugën/ Aty ku mbetën/ Në drejtim të origjinës// Oh, rrënjë stërgjyshore…” (Rrënjët).

Po qe se ia përcaktojmë një cilësi të parë poetit, në mënyrë kategorike kjo është qëndresa, guximi, ballafaqimi me stuhitë: “Hyra/ Në brendinë e saj/ I mbeta surprizë/ Në zemër/ Dhe në hapsirën e pafund/ U murosa para stuhive” (Në brendinë e fjalës). Në konkordancë me përforcimin e konceptit të fiksuar si motivacion ekzistencial, poeti shprehet: „Symbyllur kafshoja/ Rrugën e territ// Nuk shihja dritë/ Nën kupolën e këtij qielli/ Derisa i mësova shkronjat e stuhive// Vonë, vonë, shumë vonë/ Në rrënjë u shndërrova// Sy çiklopi për jetë/ Tek bridhja/ Gjeta rrugën e qumështit/ Në universin tim// Ishte kjo aventurë e përgjakur/ Me nuance kaltërsie” (Gjeta rrugën e qumështit).

Rruga ideatike nuk tenton të arrijë në mjaftueshmëri. Përkundrazi, ajo tenton të rivlerësojë kontinuitetin, në një relief natyror apo të ndërtuar në kuadrin e poezisë “Ura mbi muzg”: “Ndez dritën/ Me një qëndrim burrëror/ Mbi supet e një statuje/ Derisa përcillja rilindjen/ Dhe takoja urën mbi muzg…”. Në këtë kontekst e rigjejmë edhe justifikimin e këtij qëndrimi që na bind me një simbolistikë të zgjedhur me kujdes: “Zëri i ndërgjegjes sime/ Buron nga reflektimi/ I kristaleve të ndjesive/ Të vetëmohimit/ Kur e përgjon zërin e shpresës/ Ngase kam parandjenjë për ecje të sigurt/ Shtigjeve të ardhmërise së cunguar/ Shtigjeve që fryn erë e rrëmbyeshme/ Në zemrat e thyera me zë të flijuar” (Zëri i ndërgjegjes).

Në hipostazën e ndritur të të dashuruarit, poeti shqiptar është gjithësesi atipik dhe autentik, duke kombinuar konditën e të natyrshmes me rrethanat e pashmangshme: “Ngrohtësia ime/ Dhe ëndrrat tua/ Për një cope bukë// Unë e ti/ Do të mbetemi/ Te porta e mirësisë// Na mbulon rishtas/ Hija e varfërisë// Jetojmë vetëm/ Nga dashuria// Jetojmë…” (Te porta e mirësisë).

Përfundimisht mund të themi se ndodhemi përballë një shpalosjejej epistolare, e krijuar hap pas hapi nëpërmjet dridhjeve shpirtërore të Xhemil Bytyçit, i ndodhur te “Liqeni i lotëve” si në një breg të bekuar të aspiratave kosovare.

Dërgoi për publikim, Baki Ymeri, publicist