NJË POEMË E NJË TREGIM NGA DY LIBRAT E RINJ

0
808

D Y   L I B R A   T Ë   R I N J   N G A   P O E T I   F A S L L I   H A L I T I

F. HALITI, S. KAMBERI, Artist i Popullit

Nga cikli i punës së detyruar në Kooperativën Bujqësore të Fier Sheganit gjatë dhe pas viteve të konvaleshencës ideologji-politike nëpërmjet punës së detyruar gjatëviteve 1973 – 1996)

BRAKTISJA

( POEME E ILUSTRUAR NGA VETË AUTORI )

NGA
LIBRI I RI POETIK “PARA ARDHJES”

Qenkan mbushur kanalet që hapa dikur këtu me bel
Kanalet i paska veshur bari pothuaj të gjithë.
Parcelat qenkan rrethuar me tel
Arat qenkan thurur me drizë

Fshati Fier-Shegan,
Fshati socialist,
Mjeku
I konvaleshencës sime ideologjike,
Shëruesi i virusit tim borgjez, revizionist.

* * *

Të prita te ara e Sheqit, buzë Semanit Ali,
Shok i brigadës së arave,
Shok i vaditjeve!
S´më erdhe.
S´e di pse s’më erdhe

S’e di pse ?
Ç´u bëre shok i prashitjes së misrit,
Shok i kavalleve të orizit
Ku je?!

Të prita ty Durim, shoku im i vijave kulluese
Dhe ty Qani Bali, bir i kulakut të prita,
S´u takova dot me ju
Ju kishit ikur.
Nuk dihej
Ku…

Të kërkova
Dhe ty Vjollca,

Sa pambuk e pjepra kemi vjelë bashkë.
Të prita
Si s´më erdhe, si ?
Je martuar, më thanë !
Ka kohë që ke ikur nga fshati.
Ka kohë që je bërë edhe nënë.

Të kërkova
Dhe ty Agim Murati,
Kemi hapur kanale bashkë,
Edhe ti paske ikur nga fshati ?
Ti «traktori» i brigadës paske emigruar,
Kjo është e pabesueshme, Agim
Ti të shkoje në Kanada?
Po kjo është shembje,
Kjo është hata…

Po të pres te Arra
Buzë Vjosës
Besnik,
Te arra e Madhe,

Ku kalonim vapën pas prashitjes atje, të dy…
Edhe ti Besnik paske emigruar?!
Ku ?
Në Francë
Në Angli ?!,

Edhe ti Besnik
Paske ”tradhtuar,,
Fshatin tënd socialist,
Edhe ti Besnik u tregove i ” pabesë ,,
Duke ikur me gomone, çave deteve tinëzisht?

Si s’erdhët
Si s’u takuat me mua Izet, Ramazan, Kadri
Shokë të ngarkimi-shkarkimit të qerres

Të paharruarit e mi,
Pa u ndarë
Me
Mua,
Emigruat vërtetë
Pa u ndarë me shokun tuaj të arave
Pa u ndarë me shokun tuaj të belit, shatit shkuat në kurbet !

Po ata që ishin fëmijë të vegjël fare atëherë
Kur unë «shërohesha» mes jush
Ideologjikisht:
Ariani për shembull,
Altini, Indrit, Arbeni, Ermali,
Ku janë?
Kanë ikur për studime
Në Londër, Paris, botës tejembanë ?!

* * *

Klarinetisti Dane ka kohë që ka ikur në Had ?!
Padrejtësi të merrje muzikantin para meje
Padrejtësi Zot, padrejtësi
Padrejtësi e madhe
Perëndi!

Më mbeti
Pa muzikuar poezia,
Gardh pa purteka tingujsh, melodish
Gardh i pa thurur më mbeti!
Ç’e gjeti, klarinetisti Dane
Ç’të gjeti poezia ime
Ç’e gjeti…!

* * *

Qenkësh shpërbërë, pothuaj plotësisht
Fshati i konvaleshencës sime ideologjike
Qenka boshatisur dhembshurisht
Fshati i viteve të mia të rinisë…
Fshati i dikurshëm
Socialist.

Pleqtë paskan vdekur pothuaj të gjithë,
Të rinjtë paskan emigruar,
Të rinjtë
S’i njohim më,
S´na njohin më as ata,
Kjo është e dhimbshme për mua,
Kjo është shkretinë e shkretëtirës, hata…

* * *
Esenin
Edhe mua
Po më ndodh
Siç të ndodhi dikur edhe ty…
Edhe mua sot këtu s´m’i hedh sytë askush…
Edhe unë s’njohkam më këtu asnjeri…
Po ju përqafoj, pra
Ju plepat buzë kanaleve
Ju shelgjishte buzë pellgjeve,
Ju kumbulla,
Ju pjeshkë, ju qershi në lulëzim.
Po shtrihem mbi ty, pra, bar i blertë…
Po shtrihem mbi ty blerim i ri i vendit tim.

2010


F A S L L I   H A L I T I


T R E G I M E
A J T A N G A

B O T I M E T   U E G E N

A J T A N G

.tregim.

nga libri i ri “Ajtanga”

Shoku im i klasës, Kujtim Mati donte një vajzë në gjimnaz, Ajtanga Haskon. Ajtanga ishte si e derdhur në bronz. Edhe kokën si prej bronzi e kishte. Dukej sikur ishin bashkuar gjithë skulptorët e Antikitetit dhe të Rilindjes dhe kishin krijuar Ajtangën. Kujtim Mati e donte atë aq shumë, e donte me zjarrin e luleve të pranverës që shkrijnë dëborën edhe në majat më të larta të maleve…

Unë e vlerësoja shumë Kujtimin. Kujtim Mati ishte tip i shkathët, ekspresiv e impulsiv, kolerik. E çmoja mbi të gjithë. Më dukej si Oleg Kushevoi te filmi ”Garda e re”. Kujtim Mati për mua ishte më i zgjuari, më i shkathëti, më simpatiku nga gjithë shokët e klasës, në mos edhe nga nxënësit e gjithë gjimnazit tonë. Në të dyja maturat nuk gjeje një tjetër më inteligjent e simpatik se ai. Ai, vetëm ai e meritonte Ajtanga Haskon. Edhe Ajtanga e donte Kujtimin me zjarrin e lules së shegës. Aq e donte sa nga dashuria për të, ajo zbukurohej e kullohej çdo ditë në fytyrë, e lëkura i bëhej cipë qepe. Kisha dëgjuar që dashuria i zbukuron të dashuruarit dhe ja këtë po e shihja tek Ajtanga.

Mirëpo Ajtanga Haskon e dashuronte edhe Besi Bega. Ai si të thuash e donte në heshtje, tinëz. Askush nuk e dinte. Ne ishim shokë klase. Edhe me Besin unë shkoja mirë. Më dhimbsej. Ishte jetim. Babai i kishte vdekur në gurore. Duke qenë jetim ne i qëndronim afër. Sidomos vitet e para të gjimnazit. Pastaj Besi u rrit. Bile u bë sekretari i rinisë së gjithë gjimnazit.

Një ditë Besi më futi krahun dhe …
-E di si është puna Miri, më thotë…
-Jo, – i them, nga ta di unë?
-Unë dashuroj një vajzë.
-Shumë mirë, i them, po kush është kjo vajzë, e njoh unë ?
-Ti, jo vetëm e njeh, po ti e ke në dorë që të më ndihmosh.
-Pse pikërisht unë ?
Sepse ti e ke shumë shoqe. Ajo me ty rri çdo çast, mëson me ty.
-Cila qenka kjo?
-Ajtanga!
-Ajtanga?!
-Po !
-Po Ajtanga rri më shumë me Kujtimin. Ti e di këtë.
-S’ka e di s’e di. Po të duash ti… Po t’i thuash ti Ajtangës…Ajo nuk ta prish ty, s’ta bën dysh fjalën…
-Nuk ia them dot, Besi, thuaja vetë më mirë. Më fal, po s´të ndihmoj dot !

Ia thashë Kujtimit bisedën me Besi Begën.
Kujtimi qeshi. Pastaj u zymtësua. M’u duk sikur i hipi një frikë… një xhelozi…Në të vërtetë, Kujtim Mati ishte xheloz… Ajtanga ishte Venusi i gjimnazit. Atë e pëlqenin të gjithë. Gjoksi i Ajtangës zbukurohej, qëndisej me shikime djemsh. Shikimet e tyre ngecnin në gjoksin e saj si brilante të kaltra, të zeza, të larme, sipas ngjyrës së syve. Kujtimi këtë e vinte re dhe para se ai të mbështeste kokën në gjoksin e saj mbi perlat e shikimeve të syve të gjimnazistëve, ia shkundte gjoksin asaj duke ia përkëdhelur, ia pastronte me puplat e përkëdhelive të tij, pastaj mbështeste kokën mbi të i qetë, fare i qetë. Edhe para se t´i puthte buzët, ai ia pastronte ato nga puthjet imagjinare të të tjerëve me anë të shikimeve të tyre, ia pastronte ato me përkëdhelitë e gishtave të vet dhe pastaj i puthte dhe i shijonte ato i qetë, i qetë, me delikatesë, pa epsh …, por vetëm me dashuri.

* * *

Besi Bega e kishte mirë me drejtorin e gjimnazit. Me mësime ishte shumë mirë. Notat i kishte të gjitha shkëlqyeshëm. Sekretar i rinisë së gjimnazit ishte… Flitej se mund të shkonte për studime jashtë shtetit. Thoshin se do ta çonin të studionte diplomaci në Bashkimin Sovjetik, në Moskë.
Pas pak erdhi Ajtanga. Ishte pranverë dhe dielli i marsit po e bronzonte edhe më shumë. Kishte marrë një ngjyrë të bukur kakao. Të bardhën e syve e kishte të kaltër. Erdhi si gjithmonë e gëzuar dhe si gjithmonë u fut midis nesh si puhi, si fllad. Kujtimi u zymtësua më shumë…
-Po ky ç’ka?
-Pyete vetë, i them.
-Ç’ke kështu ti, Kujtim?
-Pyet Mirin…
-E pse të pyes Ermirin, kur të kam ty, këtu ?
-Unë nuk ta them dot, ç’kam !
Ajtanga e preu humorin. Për çfarë s‘i shkoi mendja. Mos… Budallallëqe… Iu dukën budallallëqe ato që mendoi. Kujtimi ishte i ri. Prindërve të tij as që iu shkonte mendja ta fejonin.
-Miri…, të keqen motra, – m’u drejtua mua Ajtanga, më thuaj ç’ka kështu Kujtimi.
-E di si është puna, Ajtanga…
-Si?
-Besi Bega ka rënë në dashuri…
-Në dashuri…?!
-Po !
-Shumë mirë… ç‘ka për t‘u mërzitur këtu?
-Ka, si nuk ka…
-Pse?
-Ai ka rënë në dashuri me ty, Ajtanga.
-Me mua!?
-Po me ty.
Ajtanga ia plasi së qeshurës.
-Oj miu, tha ajo dhe vazhdoi të qeshte.

Mua nuk më erdhi mirë që Ajtanga e quajti mi Besi Begën. Kishte të drejtë ta refuzonte, por jo ta shante, ta përçmonte. Unë, mbi Kujtimin, nuk vija njeri, por edhe Besin shok e kisha… Në dimrin e vitit të parë të gjimnazit unë i dhashë xhaketën time Besit që të kalonte dimrin, pasi unë kisha xhaketë tjetër. Ai kishte vetëm nënën dhe nuk ishte mirë nga gjendja ekonomike. Më kujtohet që u gëzua shumë. E ëma i kishte thënë:

– Më bëhet qejfi që shokët të duan. Mbaji shokët. E more vesh? Mbaji…shokët…!, i kishte thënë ajo.

Ajtanga humbi në përfytyrime. Kur paska rënë në dashuri me mua ky Besi Bega, pyeti veten Ajtanga dhe iu kujtuan ditët kur unë, Besi Bega dhe Ajtanga Hasko studionim të shtrirë në jonxhën e Fermës në periferi të qytetit tonë… Ishte maj dhe ne na pëlqente të dilnim tutje nga periferia. Një rrugë e dy punë, shëtisnim dhe studionim. Ishte kënaqësi të shëtisje dhe të studioje me një vajzë të tillë si vesa, siç ishte Ajtanga Hasko. Po Besi Bega e keqkuptoi këtë shoqërim të Ajtanga Haskos me ne. Duke e parë ashtu të shtrirë midis nesh në jonxhë, lirshëm, fare pa të keq, me atë trup atleteje, Besi Bega kishte hedhur zemra përpjetë e kishte rënë befas në dashuri me Ajtangën e cila ndërkaq dashuronte Kujtimin, shokun tonë të klasës. Po Besi këtë nuk e dinte, s´e kishte kuptuar, kaq kujdesshëm dashuroheshin, Kujtimi dhe Ajtanga…Dhe shoqërimi im dhe i Besit me Ajtangën, studimi ynë në periferi bënte që dashuria e tyre të mos merrej vesh as nga nxënësit, as nga mësuesit, as nga drejtoria. Kështu mendoja unë, kurse Besi nuk ishte në dijeni të dashurisë së Ajtangës me Kujtimin. Ai i gëzohej pranisë së Ajtangës midis nesh, shëtitjes së saj me ne, prandaj dhe ra në dashuri menjëherë me të.

Ajtanga u nda me përfytyrimet e shëtitjeve tona në periferi dhe iu kujtua ajo pasditja e majit kur era i ngriti përparësen e zezë me grykë të bardhë të gjimnazistes aq lart sa iu dukën breçkat. Ajo u mbulua në çast, por kofshët ngjyrë kakao dhe breçkat e saj rozë mbetën të fotografuara flesh në kujtesën e Besi Begës… Atë ditë Ajtanga kuptoi diçka dhe nuk deshi që Besi të vinte të studionte me ne në periferi të qytetit…
Kjo bëri që Besi Bega të më thoshte mua se kishte rënë në dashuri me Venusin, me bijën më të bukur të rilindësve, siç e quanim ne gjimnazistët, Ajtangën…

Të shtunën, në orën e tretë, Kujtimi dhe Ajtanga u larguan nga mësimi për të shkuar në Tiranë. Ajtanga kishte tezen në Tiranë, Kujtimi kishte vëllanë. Unë i përcolla gjer në agjenci. Besi e kuptoi. E kuptoi dhe…
Në fund të orës së pestë mua më thirrën në drejtori.
-Ku ishe ti Ermir në orën e katërt?
-Në shtëpi se…
-Në shtëpi, apo në agjenci.
-Në shtëpi… gënjeva unë.
-Pse nuk thua se zure taksi?
-Ç’ taksi, drejtor?
-Taksi për nusen.
-Çfarë nuse, drejtor?
-Pse, nuk i përcolle ti Ajtangën me Kujtimin, nusen me dhëndrin, për në Tiranë?
-S’është e vërtetë, drejtor…, gënjeva unë përsëri.
-Je i sigurt që s‘është e vërtetë?
-Shumë i sigurt, drejtor!
-Ashtu?
-Po, po, shumë i sigurt…
Nuk po më gënjen?
Jo, nuk po të gënjej !
Ashtu?
Po !

Drejtori ia bëri me kokë nëndrejtorit që ishte i pranishëm, por që nuk fliste. Nëndrejtori hapi derën e drejtorisë dhe…
Hyri Besi Bega.
Besi, a i përcolli Ermiri, Kujtimin me Ajtangën?
-Po, shoku drejtor, po, Ermiri i përcolli…
Gjer ku i përcolli ?
Gjer në agjenci, shoku drejtor!
M’u shpërfytyrua në çast shoku im. Si, ai Besi që kish dashur që unë t’i propozoja Ajtangës për të, që unë të bëhesha ndërmjetës, mestar, shkes i tij, të më denonconte te drejtori ? Nuk m’u durua. E pyeta me inat:
-E ku më pe ti?
-Në agjenci.
-Atëherë nuk paske qenë edhe ti në mësim. Na paske ndjekur… Spiun i mutit!
-Jashtë, jashtë, jashtë, thirri drejtori aq fort sa gati desh u thyen xhamat e dritareve të drejtorisë.
Të nesërmen mua më përjashtuan nga shkolla.

Në shtator të vitit 1960, Besi Bega u nis për në Moskë që të studionte në Universitetin «Lomonsov», për diplomaci…