Një plan kombëtar për betejën afatgjatë kundër përmbytjeve!

0
1566

Nga Mero BazeGazeta TemA, 3 dhjetor 2017

E vetmja vlerë që kanë përmbytjet e përvitshme në Shqipëri nga shtretërit e gjashtë lumenjëve kryesorë të vendit, që nga Drini në Vjosë, është harta e përmbytjeve. Pas gati 15 vitesh që përmbytjet përsëriten, të gjithë kemi para syve, një film që e kemi parë dhjetra herë. Kemi rrethinat e Shkodrës në rrezen e grykëderdhjes së Drinit, ultësirën e Lezhës deri në Milot, mes Drinit e Matit, shtratin e Shkumbinit në Librazhd dhe në grykëderdhje në Rrogozhinë, problemet e Semanit, nga Ura Vajgurore në det dhe natyrisht në vend të parë Vjosa, e cila nga Gryka e Poçemit deri në Novoselë, po del thuajse jashtë kontrollit.

U bënë së paku 15 vite që të gjithë e dimë eksaktësisht cila shtëpi do përmbytet, ku do kalojë uji, sa ditë do të zgjasë etj.

Sistemi i bonifikimit dhe rregullat e hidroteknikës janë prishur dhe vështirë të ngrihen në këmbë, pa një studim shkencor kombëtar, për t’i bërë në kuadrin e një studimi strategjik.

Por të dy palët, pushtet e opozitë, duhet të bien bashkë dakord për një plan kombëtar afatgjatë që duhet të ketë disa faza.

Faza e parë emergjente është shpopullimi nga banorët i hartave të përmbytjes. Në 90 për qind të rasteve këto harta nuk kanë ekzistuar para vitit 1990, por kanë qenë zona bujqësore, të cilat përmbyteshin pa pasoja njerëzore në dimër.

Zaptimet e tokës dhe dalja jashtë kontrollit e ndërtimeve, ka prodhuar një hartë të re problematike, që po i kushton edhe banorëve dhe shtetit shqiptar.

Kjo hartë duhet prishur pa mëshirë. Është një kosto shumë më e lirë si fazë fillestare e një plani afatgjatë kombëtar, kundër përmbytjeve. Fshatarët kanë të drejtë të ruajnë pronësinë mbi tokën në ato zona, por kurrësesi të jenë qendra banimi. Thjeshtë duhen hequr dhe qeveria të përballojë në një afat të shtrirë në kohë spostimin pjesë pjesë të tyre në zona urbane të sigurta.

Paralelisht me këtë, si fazë e dytë duhet të biem dakord për të mbrojtur Shqipërinë nga uji. Nga uji i lumenjve dhe i detit. Shqipërisë po i humbasin çdo vit mijëra hektarë tokë nga erozioni detar dhe ai lumor. Vija jonë bregdetare lëviz me shpejtësi të frikshme nga dekada në dekadë, dhe shumë prona buzë detit janë nën ujë dhe shumë të tjera i janë larguar buzës detit. Kostoja e erozionit në bregdetin shqiptar së paku nga Velipoja në Nartë, është aq e madhe, sa spraps çdo investitor të huaj që tenton të investojë në bregdetin tonë. Ata që nisen me laps në dorë dhe jo me studime fallco për të investuar, sapo përballen me problemin e erozionit dhe pëmbytjeve, i largohen bregdetit tonë.

Pikërisht për këtë duhet të rindërtohet një sistem hidroteknik i ri, që të mbrojë vijën tonë detare dhe lumenjtë brenda shtretërve të tyre, dhe të jenë të qarta vijat e kuqe, që prodhojnë reshjet në Shqipëri.

Sado kosto e madhe të duket se ka ky plan, është shumë më e vogël se ato që kemi harxhuar 15 vjet duke parë shtëpi që përmbyten, njerëz që ankohen, politikanë që pozojnë pranë tyre dhe pastaj një skenë të re pas ca kohësh.

Përmbytjet nga lumenjtë nuk janë vetëm çështje menaxhimi por çështje investimesh strategjike. Çështje menaxhimi janë betejat në qytete. Aty përmbytjet, mund të shmangen me menaxhim të mirë dhe punë.

Tirana është një shembull se, të punuarit në kohë, për të shmangur problematikën e përmbytjes, funksionon. Nga një qytet që përmbytej në vesën e parë të shiut, për herë të parë pas 15 vitesh nuk u përmbyt “Don Bosko”, që përmbytej me shiun e parë, nuk doli Lana tek “Pallati me shigjeta”, dhe nuk u përmbyt Bregu Lumit. Arsyeja ishte se Bashkia u tregua e ashpër me ndërtimet e komunitetit rom në Breg të Lumit, për të cilët u derdhën shumë lot krokodilash, pastroi që në shtator shtratin e Lanës tek “Pallati me shigjeta” dhe hapi kanalet tek “Don Bosko”. Kryeqyteti përballoi 48 orë shi të jashtëzakonshëm pa asnjë problem. Kaq mund ta bëjnë dhe qytetet e tjera, por kjo nuk është betejë e ngjashme me atë që duhet të bëjmë me shtretërit e lumenjve.

Pafuqia e shtetit për të ndalur papërgjshmërinë e njerëzve është zëvendësuar me fuqinë e Natyrës, e cila po e ribën vetë ligjin.

Ndaj nuk duhet ta kthejmë këtë histori, atje ku ka nisur, tek shkelja e ligjeve të natyrës.

Pastrimi i hartës së përmbytjeve nga të qënurit qendra banimi dhe rindërtimi i sistemit hidroteknik që mban nën kontroll bonifikimin dhe disiplinon derdhjet e lumenjve, është e vetmja rrugë që kjo histori dikur të marrë fund. Është më mire të falenderojmë një herë Edi Ramën e Luzlim Bashën që u ulën bashkë për këtë gjë dhe i dhanë zgjidhje afatgjatë, se sa t’i shikojmë si falenderojnë e shajnë njeri tjetrin çdo vit, sa herë përmbytemi.