Një pjesë e historisë së ushtarit të UÇK-së Bashkim Shkodra në romanin “Ti” të Ilir Muharremit

0
134
Ilir Muharremi - Ti - Roman

Pasi grindet me të dashurën, një i ri nga shqipëria i bashkohet luftës së fundit në Kosovë. Ai mendon se në luftë do ta harrojë të dashurën e tij, por në fakt ndodh e kundërta. Në romanain e ri “Ti” të shkrimtarit Ilir Muharremi, personazhi kryesor pas përfundimit të luftës, kthehet në Shqipëri në Shkodër dhe ballafaqohet me probleme të mëdha ekonomike dhe jeten e vështirë. Autori i këtij romani frymëzohet nga jeta reale e trishtë e ushtarit të UÇK-së nga Shkodra. Mirëpo jo krejt jeta e Shkodrës paraqitet në këtë roman, vetëm një pjesë e tij.

Për herë të parë pas 21 vitesh në programin “Dua të të bëj të lumtur” mbrëmjen e sotme doli në sipërfaqe një nga mijëra historitë rrënqethëse, historia e Bashkim Shkodrës, ushtarit nga Shkodra, i cili iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në studio kishte ardhur një nga veteranët e UÇK, komandanti Sheremet Jashari, i njohur si Komandant “Klina”, i cili rrëfeu historinë e ushtarit Bashkim Shkodra, por jo vetëm. Komandant “Klina” shumë vite më parë kishte humbur prindërit e tij, pasi ushtria serbe ia kishte vrarë.

Gjithashtu komandanti rrëfeu momentet kur ishte njohur për herë të parë me ushtar Shkodrën dhe tregoi se si ushtarët e policia serbe u kishin ngritur pritë. “Të nesërmen duke shkuar në fshatin Kushtovë, shumë shokë të mi dhe Bashkimi, ranë në pritë të ushtrisë serbe. Akoma nuk e besoj që Bashkimi është i gjallë edhe tani nuk e besoj që jam këtu, këto 21 vite kam ditur vetëm që ai ka vdekur në atë pritë.”, – u shpreh Komandant  “Klina”.

Ushtari Shkodra ishte plagosur rëndë dhe kishte marrë dy plumba, një prej të cilit e ka akoma në trup pasi nxjerrja e tij do t’a paralizonte. Bashkimi e kishte pranuar ftesën për të ardhur në studio dhe u befasua tejmase kur zbuloi se në anën tjetër të ekranit ndodhej komandanti i tij. Ai i përlotur tha: “Nuk u besoj syve, juve po më gënjeni se nuk ka mundësi. E kam ditur të vdekur komandantin deri më tani! Ky për mua ka qenë baba e shkuar babait.

Pasi ishte plagosur, Bashkimin e kishin sjellë në Shqipëri shokët e tij të luftës, që të shërohej, e të rikuperohej. Ai gjatë këtyre 21 viteve kishte pasur një jetë tepër të vështirë, pasi për shkak të plagës nuk mund të punonte dhe problemet ekonomike ishin përkeqësuar.

Në fund, programi “Dua të të bëj të lumtur” në bashkëpunim me Fondacionin Humanitar “Golden Eagle” kishin vendosur që të ndihmonin Bashkimin, duke i lidhur një pension për 1 vit të tërë.

Fragment nga romani:

“Atë ditë pranvere e lashë qytetin tim, Shkodrën, dhe iu bashkova Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Bashkimi nuk ishte aq i lehtë  veçanërisht për famlijarët e mi, babain dhe nënën, të cilët e kishin vetëm një djalë. Mendja më shumë më shkonte te Maria. Vendosa dhe vendosa, koka ime bluante mendime të ndryshme. Por unë tashmë e kisha vendosur të vdes për vendin dhe popullin shqiptar. Mundohesha që në shtëpi këtë gjë ta mbaja fshehtë veçanërisht në prani të mamasë sime, sepse ajo shpesh i zmadhonte gjërat dhe vuante nga zemra.

Atë natë para se të nisesha për Kosovë nuk më zuri menjëherë gjumi. Mundohesha ta bindja veten së paku të flija pak, pasi nesër më priste një rrugë e gjatë. Nata po thyej. Tashmë qielli ishte thuajse i qëruar. U nisa si çdo ditë të zakonshme për në fakultet, e kisha marrë çantën, por kësaj here ishte e mbushur me rroba. Vrapova ta kapja autobusin për në Kukës. Gjithë ai nxitim e ai vrap, ai merak ndaj familjes dhe mërzisë që do t’i kaplonte kur ta ndiejnë mungesën time…”