Nga Mero Baze
Shumica e portaleve pro opozitës kanë 24 orë, që paralajmërojnë arrestimin e mundshëm të ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, duke u bazuar tek shpikja, që ambasadori i SHBA, ja ka kërkuar këtë me ngulm prokurorisë aktuale.
Paralajmërim, i cili nuk bazohet në asnjë fakt, por vetëm tek rrjedha normale e hetimeve, e cila nuk është çudi të mbyllet me kërkesën për arrestim, në fakt nuk synon të informojë publikun mbi ecurinë e hetimeve, por faktin që hetimet po bëhen nën presionin e ambasadorit amerikan.
Pra, e gjithë historia tentohet të paraqitet jo thjeshtë si një hetim normal, por një presion mbi drejtësinë, duke tentuar kështu të justifikojnë çdo gjë që mund të dalë nga hetimi.
Askush nuk mund të thotë se çfarë do të vendosë prokuroria për hetimet ndaj Adriatik Llallës, por se paku në publik janë botuar fakte të rënda, që flasin për implikime serioze të kapjes së institucionit të prokurorisë nga elementë kriminalë. Kryeprokurori ka hyrë në raporte biznesi me elementë të inkriminuar dhe ka përdorur pasuritë e tyre për të pastruar të ardhura të padeklaruara të tij. Ai po ashtu në mënyrë të dukshme ka bërë transaksione dhe ka funksionuar si një agjensi “real state” me një numur pasurish të tjera.
Në aspektin profesional, do të mjaftonte dëshmia e tij e rremë për kërkesën për arrestim nga ambasadori i SHBA për Ilir Metën dhe ai për Sali Berishën nga ambasadorja e BE, që të konsiderohet dëshmitar i rremë dhe keqpërdorues i pozitës zyrtare dhe të nisin ndaj tij hetime. Më tej akoma ai është Kryeprokurori që do të hyjë në histori si Kryeprokurori, që u kërkon diplomatëve Perëndimorë llogari pse nuk luftojnë drogën në Shqipëri, ndërkohë që vetë paguhet për atë punë.
Prokuroria e Durrësit po heton veprimtarinë e tij dhe nuk dimë se çfarë mund të prodhojë ajo me atë dosje, por nxitimi për të thënë se ai nuk do të dënohet se është i korruptuar, por se do SHBA, është një përpjekje e shëmtuar për të krijuar një “shenjt” të korrupsionit në Shqipëri.
SHBA-të e kanë dhënë dënimin e tyre për Adriatik Llallën. Ata i kanë ndaluar atij hyrjen në SHBA me dekret të Sekretarit të Shtetit, një gjest i pashembullt në historinë e prokurorëve në botë. Drejtësia shqiptare natyrisht që do të thotë fjalën e saj, por përpjekja për të zhvlerësuar drejtësinë shqiptare, duke tentuar ta paraqesin tani si një drejtësi nën presionin e SHBA është qesharake dhe tregon makthin e vërtetë që kanë zyrtarët e korruptuar politik në Shqipëri.
Duke e konsideruar sistemin e drejtësisë në Shqipëri të kapshëm dhe të komandueshëm politikisht, nga të dy palët, ata në të vërtetë kanë makth se presioni Perëndimor, po mban larg politikën nga drejtësia dhe më këtë rast më shumë se sa duan të mbrojnë Adriatik Llallën, ata duan të sulmojnë garantët e reformës në drejtësi në Shqipëri.
Dhe për këtë janë gati të thonë dhe që Adriatik Llalla është i ndershëm!