Një mik i kahershëm që iku befasisht

0
1004
Ramadan Bigza

Në vend të lamtumirës për gazetarin Ramadan Bigza

Nga Bedri Islami

Në Shkodër, asaj kohe, mes të tjerave kishte edhe dy fusha futbolli, të vogla, por të zhurmshme. Njëra në “Banjën e Vogël” dhe tjetra tek bahçja e Milotëve. Në njerën prej tyre, më shumë se një gjysmë shekulli më parë, pikërisht në moshën e bardhë të asaj rinie ëndërruese, kam njohur Danin, Ramadan Bigzën, që do i thonim për shumë vite thjesht Dan Reshiti. Ajo fushë futbolli do të bëhej pikënisja e një miqësie që zgjati më shumë se 50 vite dhe që dje, krejt befasisht, u ndërpre nga një goditje në zemër.

Në një qytet të huaj, ku jetonte prej më shumë se 20 vitesh dhe ku kishte menduar të ishte edhe pak kohë, për të qenë përsëri në vendlindjen e tij. Kthimin e përmendte shpesh, si gjithë ata që kanë ngutin të kthehen aty, në mos tjetër, me ëndrrën e pashprehur për të vdekur në vendlindje. Por kurrë kaq shpejt, kaq befasisht dhe duke lënë pas brengën e një ikjeje.

Ramadan Bigza ishte njëri ndër gazetarët e njohur shkodranë, që u bë i tillë në sajë të tri gjërave: pasionit për t’i shkuar gjërave deri në fund, talentit për të hulumtuar dhe prirjes për të dashur gjuhën e bukur shqipe. Kanë qenë dy vitet e fundit të gjimnazit, kur ishim të përditshëm tek njëri-tjetri; jo vetëm nga futbolli që luanim në një nga skuadrat e qytetit tonë, e ku më shumë shkoja për hatër të tij sepse nuk e kisha edhe aq pasionin futbollin, por edhe nga pasioni për letërsinë, për miqtë e përbashkët që kishim, sa që, megjithëse nuk ishte në klasën tonë, thuajse të gjithë u bënë miqtë e tij dhe vazhdojnë të jenë edhe sot. Lexova disa nga mesazhet e tyre në këtë ditë dhe dhimbja ishte e pranishme si askund tjetër.

50 vite janë të rralla për një miqësi. E mbaj mend ende sot pamjen e dy prindërve të tij: babait, Selmanit, mekanik në fabrikën e Tisazhit, dhe të nënës, Fetijes, tezgjahiste. I mbaj mend kur niseshin për në punë; ai pak përpara, me ecjen e lehtë që do e merrte më pas edhe i biri, njeri i heshtur, thellësisht i ndershëm; ajo pak më pas, duke mbajtur në duar një çantë të vogël, ku kishte ushqimin e zakonshëm. E imët në trup, gjithë dashuri, ajo do kishte mirësinë e pazakontë të nënave. Ikën para të birit, nuk e di se çfarë do të kishin përjetuar sot, por e di krejt mirë atë që përjetojnë dy motrat e tij, ashtu si e di se çfarë përjetimi të rëndë kanë pasur Rajmonda, gruaja e tij jugore, e ardhur si studente në qytetin tonë që më pas, iu bë si qyteti i saj i lindjes, dhe dy djemtë.

Gazeta “Jeta e re”, atëherë kur Dani filloi të punojë aty, kishte një staf të mrekullueshëm. Isha bashkëpunëtor i rastit, nuk kam punuar kurrë aty, por ishin të gjithë miqtë e mi. Ndonjëri prej tyre si Sandër Mazi, nuk jeton më, e po ashtu edhe të tjerë si humoristët Paulin Selimi dhe Kolec Pepa, anëtarë të kolegjiumit apo bashkëpunëtorë të shkëlqyer; të tjerë, si Ndue Lazri apo Zhaneta Shqepa Lazri, ashtu si Dani, si shumë nga ne, janë në mërgim prej shumë viteve.

Ramadan Bigza duke qenë njëri ndër ish futbollistët e Vllaznisë, e kishte të natyrshme të ishte më shumë një gazetar i pasionuar pas sportit. Ishte njëra ndër mendjet më të mprehta, gjithnjë jo thjesht vëzhgues i zakonshëm, por shumë më tepër se kaq; i hollësishëm deri në detaje, polemist dhe gjithnjë me dëshirën e së mirës ndaj vetes dhe për të tjerët. Ishte polemist i dorës së parë, por në kahun e së mirës. Me ndjenjën e njeriut që kërkon të mirën edhe ku ajo mendohet se nuk mund të gjendet, por edhe duke i bërë ballë debatit. Kalimi i tij si gazetar i njohur tashmë tek Radio Shkodra, më pas tek “Sporti shqiptar” ishte njëra ndër gjërat më të natyrshme, dhe, megjithëse larg, si e thashë, prej dy dekadave jetonte në Athinë, përherë i pranishëm si pjesë e asaj që po ndodhte.

Shumë njerëz kanë shkuar në këto vite jashtë atdheut, mes tyre edhe mjaft gazetarë të njohur, të cilët, më pas, pre e asaj që kanë gjetur, nganjëherë e moshës, e problemeve që kanë takuar, kanë heshtur ose janë bërë thjesht lexues të zakonshëm. Disa kanë heshtur fare, të tjerë janë të pranishëm në atë shpirt që u japin të tjerëve, disa u bënë të zakonshëm, duke pranuar se misioni i tyre mbaroi. Ramadan Bigza është njëri nga përjashtimet: Dhe u bë vetë njëri prej tyre.

Në Greqi ai drejtoi për shumë kohë “Albania Press” media më e ndjekur, më e lexuar në Greqi, dhe përmes saj, duke hequr një pjesë të mallit të Shkodër-loces, ai dërgoi aty edhe pjesë Shqipërie. U bë si një urë lidhëse mes mëmëdheut dhe asaj që kishte ndodhur jashtë vendit; solli tek njerëzit ndjenjën e vendit të tyre si një natyrshmëri, dhe këtë e bëri edhe kur ishte e vështirë financiarisht ta bënte. Kam botuar herë pas here tek “Albania Press” dhe kam pasur në duar disa nga botimet e saj. E rradhë për nga mendimi dhe shprehëse e natyrshme e asaj që kishte mbështjellë jetën e njerëzve në mërgim. Ndaj, edhe largimi i tij nga jeta në pasditen e 28 majit shkaktoi gjithë atë dhimbje në komunitetin shqiptar në Greqi, prej të cilit u largua njëri nga zërat e përditshëm dhe të natyrshëm.

Si e thashë në fillimin e këtij shënimi, kemi qenë krejt të rinj, as 15 vjeçarë, kur ka nisur miqësia jonë. Ishim, si mund të them, një katërshe e përditshme, rrugët e të cilëve herë largoheshin pak e herë ishin rishtas të njëjta. Vetë jeta ishte e tillë dhe këtë nuk mund ta zhbëjë askush tani. Kishte lindur më 21 mars 1952, ditën e pranverës; në të vërtetë dy nga ne kishin lindur në këtë ditë, dhe kësaj pranvere, kur po i uroja ditëlindjen e 64-të, as nuk më kishte shkuar në mendje se do të ishte hera e fundit. Miqtë na duken të përjetshëm. Herën e fundit u takova me të vitin e shkuar, në Shkodër. Kishte në vete mallin e pashuar dhe dëshirën e kthimit.

Mjerisht po kthehet para se ta kishte menduar secili prej nesh. Na dhemb ikja e tij.
Pushofsh në paqe. Ky është mesazhi i një miku gjysmë shekullor dhe i gjithë atyre të këtij brezi, që të kanë dashur me shpirt