Marrë nga libri “Rrëfimet e komshiut”
Kisha ditë që nuk e kisha takuar. Më mungonte humori dhe e qeshura e tij, një e qeshur sikur rrjedh nga kroje të thella ujëkristal.
Kishte arsye. Kësaj radhe ishte lidhur pas të vëllait që nuk bënte hap pa të, pa iu ngjit përdore si ngjitet fëmija pas prindit. Athina e kishte befasuar me rrugët, lëvizjet, trafikun, zhurmën. I mësuar në ngushtësinë e shtëpisë së vogël private diku andej nga kodrat e Rrashbullit, me klasën ku jepte mësim dhe grupin muzikor që i jepte gjellë bukës së mësuesit dhe ndonjë tra shtëpisë ende në ndërtim, Athina i dukej e pakapshme, madje e frikshme.
U përqafuam me të dhe me vëllanë, mbasi me të isha njohur në Golem të Kavajës verën e kaluar. Pritëm dritën jeshile të semaforit për të kaluar Patisionin e për tu shtruar në atë mjedis të vjetër lokalesh që mban në vetvete Fokion Negri.
U ulëm dhe porositëm kafenë e zakonshme.
Tek gjerbnim amalgamën e kafenjtë në një cep buzësh kapa fijen e njohur të buzëqeshjes, fije që i shfaqej sa herë kishte ndonjë të re nga “Fronti i kamerierit”, siç thoshim me shaka.
– Mbrëmë kisha mysafir në tavolinë Micotaqin…
– Kë? Micotaqin? Atë të madhin?
– Jo vetëm atë, por edhe me të shoqen, Marikën edhe të bijën, Dorën, edhe djalin, Qirjakon…
– Dhe…?
– Edhe duzinën e rojeve që rrethoi lokalin.
– Kaq?
– Ishim lajmëruar, sigurisht se do të vinte dikush i madh por se kush, pronari nuk ma tha. Ai, për çdo gjë ka besim të plotë tek unë dhe shërbimet e veçanta mi jep vetëm mua. Bëra gati si zakonisht tavolinën duke u kujdesur deri në hollësi. Kur behu në hyrje të lokalit ndjeva njerëzit të luanin vendit, madje të ngrihen në këmbë. Nuk munguan edhe disa përplasje duarsh në shenjë respekti apo tifozëri partiake. Ju e dini se në lokalin tonë vijnë nga të gjitha partitë dh nga të gjitha shkallët e pasurisë.
Në krahun e djathtë, sapo kaloi portën mori Dorën, kurse në të majtën Qirjakon.
Pasi u rehatuan u urova mirëseardhjen dhe i ftova për porosinë.
Më dëgjoi, më mati nga koka tek këmbët, më pa në sy dhe me atë zërin e tij bubullues më pyeti:
– Kritikos ise?
– Ohi!- i përgjigjem prerë duke ngritur kokën lart. – Ime Alvanos!
Priste, ndaj edhe pyeti, ti them se jam Kritikos, Kretas sepse nga Kreta i ka rrënjët megjithëse kretasit asnjëherë nuk ia kanë dhënë votën, as atij kur bëhej e ribëhej kryeministër, dhe as sot partisë së tij “Demokracia e Re”. Përgjigja ime, e prerë, e befasoi.
Të them të drejtën, asnjëherë, në asnjë rast, edhe atëherë kur isha ilegal, nuk e kam mohuar se jam shqiptar. Pse ta mohoj?
Pashë në ato të dhjeta të sekondave se si kërciti kolltuku, si notoi shikimi sa tek e bija tek i biri. Pashë se si buzët ia përshkoi një fill i hollë qeshje. Nuk e mora vesh natyrën e atij filli derisa nga goja e hapur nuk do të dilte një zë i fortë, bubullues…
– Ho, ho, ho! – qeshi ai sa u drodh lokali
– Ha, ha, ha! – qeshi e shoqja
– Ha, ha, ha! – qeshi e bija.
– Ha, ha, ha! – qeshi i biri
Ishte një shpërthim gazi që nuk e kisha dëgjuar e ndjerë ndonjëherë, një bubullimë si pas flakës së rrufesë në qiell me shi, një gaz që vazhdoi për minuta e i dha lokalit tjetër ngjyrë.
Porositën, dhe ndërsa drejtohesha tek kuzhina për të lënë porosinë, ndjeva mbi sup një dorë të rëndë. Kthehem dhe përpara më del fytyra dyngjyrëshe e shoqëruesit.
– Pse qeshi kryeministri? – Më pyeti paksa me arrogancë.
– Më pyeti në se jam nga Kreta, Kritikos.
– Dhe ti si iu përgjigje?
– I thashë se jam nga Shqipëria, Alvanos.
E pashë si ia përshkoi fytyrën një qeshje që nuk mungoi të bëhej e zëshme.
E pashë se si bisedën ua tregoi rojeve të tjera të cilët u shkrinë në gaz.
Kur qesh shefi, qeshin të gjithë.
– Kaq? – i them
– Kaq. Çfarë do tjetër?
– Lanë ndonjë bakshish kur ikën?
– Hëëë!- mërmëriti dhe vazhdoi:
– Të pasurit i mbajnë xhepat qepur me pe dore…
Kohë të reja…
Athinë, 22 mars 2011