NJË LOJË ME AMBASADORËT: LARGIMI I DONALD LU DHE CIC-MICI POLITIK NË TIRANË

0
575
Shenasi Rama

Shenasi Rama

Në Tiranë ka nisur të bluajë mulliri i thashethemeve lidhur me largimin e pritshëm të ambasadorit Donald Lu. Prijatarët e parisë heshtin. Ndërsa, nga ana e tyre, veglat e tyre mediatike e propagandistike kanë nisur të vënë në punë mullirin e thashethemeve. Argumenti shkon pak a shumë në këtë mënyrë: Lu e mbajtën ca muaj më shumë se e kishte mandatin, thjesht për të ruajtur fytyrën, por tani do ta heqin. Dhe e kanë cuar në Kirgizstan, dhe me gjasë arsyeja është se ky ishte një dështim I tij në Tiranë. Në sytë e tyre, ky ishte edhe një dështim i politikës së SHBA në Tiranë. Dhe natyrisht, për ata që janë në lojë, kjo është një fitore e heshtur e parisë sunduese. Si duhet të kuptojmë këtë?

E para, të mos bëjmë krahasime me shtetet. Kirgizstani është një vend i humbur, në dukje por një pikë shumë strategjike në zemër të Azisë për shumë arsye që nuk po i numëroj këtu. Nuk është një vend I lakmueshëm për të kaluar kohën dhe për të rënë në kurthin e dashnoreve profesioniste të shërbimeve por është një fushë beteje strategjike. Nga ana e vet Donald Lu është profesionist dhe shkon në vende me rëndësi strategjike.

Së dyti, sistemi diplomatik në SHBA punon me parim funksionalist e jo aq shumë me specialistë të vendeve e të kulturave të ndryshme. Zakonisht këto struktura janë pjesë e aparatit që është si akullmali (iceberg) që noton në oqean: 7/8 është nën ujë. Diplomatët kanë detyra afatgjata dhe ndërrohen si shoferët e urbaneve: pra linja e njëjtë, shoferë të ndryshëm. Linja ka rëndësi dhe jo shoferi. Pse Lu fliste shqip, nuk ka aq rëndësi. Ambasadori që vjen do të flasë po të njëjtat gjëra.

Së treti, shteti shqiptar, në këtë pikë është një shtet në të cilin ka interesa jetike të sigurisë kombëtare të SHBA. Është afërmendsh se figura të rëndësishme që përfaqësojnë bashkësinë e sigurisë kombëtare të SHBA, shpesh më me peshë e më me influencë se ambasadori do të vazhdojnë të jenë në detyrë, edhe pse nuk njihen fort në publikun shqiptar.

Së katërti, Lu ishte lajmëtari. Lajmëtari ka ndërruar por lajmi është është po ai, dhe, edhe pse mori një vit për tu qartësuar, duket se do të jetë edhe më intensive dhe më i qartë. Nuk bëhen armiq politikanët kaq hapur, sic ka ndodhur në rastin e parisë së Tiranës, nëse nuk janë vërtetë problem. Dhe nuk besoj se të gjithë këta, pavarësisht lojës së aftë që po luajnë, nuk e dinë pa asnjë ekuivok se janë në listën e të padëshëruarve.

Së pesti, zgjidhjet e bëra këto 28 vjet, kur paria sunduese refuzoi të ruante sovranitetin e shtetit e nderin e kombit do të kushtëzojnë cdo gjë edhe në të ardhmen. Paria që vepron si një sekt oriental ka pasur tre luftëra kryesore që nga 1990 e këndej. Teë parën me popullin që sundon e ka fituar me kohë. Shqiptarët kanë emigruar, janë kthyer në skllevër, dhe tashmë janë në jerm mendor e në marrëzi kolektive. Lufta e dytë ka qënë me ruejtë kohezionin e radhëve dhe kësaj ia ka arritur qartë mbas vitit 2001.

Tani, të gjitheë palët janë bashkë, anipse si qentë që janë zogori por grinden për një kockë. Miliardat e drogës e të krimit iu kanë dhënë shumë siguri për të ardhmen e kontrollin. Lufta e tretë ka qënë për të mbajtur të huajt larg katudnit të tyre. Edhe kësaj lufte ia kanë dalë deri më tani. Tani e mbas të shohim. Të gjithë koncesionet që po bëjnë synojnë ruajtjen e këtij ekuilibri të brishtë.

Ama po luajnë me shumë lojtarë njëherësh dhe poi fusin brenda disa lloje shtetesh që nuk dinë të dalin më jashtë, thjesht sepse janë profesionistë të parazitizmit shtetëror. Sepse ata që vijnë, qoftë nga Perëndimi, qoftë nga Veriu, qoftë nga Lindja e Mesme apo e Largët nuk luajnë cic-mic në fushën tënde. Ata e njohin lojën mirë. Më së pari të blejnë fushën dhe pastaj luajnë me ty në fushën e tyre. Dhe pastaj të blejnë edhe ty për të humbur. kështu e garantojnë arritjen e qëllimit që kanë. Dhe kjo bëhet kaq e lehtë kur nuk ke Atme, Nder, Komb e Atdhe si është rasti me parinë e Tiranës. Shkurt, në këtë rast, ai që të ka blerë ty e fushën vazhdon të luajë me ty, edhe më me qetësi e dashuri.