NJË LIBËR TEPËR I ASHPËR PËR MBRAPSHTITË AKTUALE NË TREVAT SHQIPTARE

0
597
Shpend Rukiqi - Krejt mbrapsht

Nga Prof. Fetah Bahtiri, recension

Shpend Rukiqi: Krejt mbrapsht, 2019, botuar nga Meshari, Prishtinë

Para pak kohësh arsimtari shumë i dalluar i matematikës në Suedi, Shpend Rukiqi, njëherit edhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi, ku e ka dhënë edhe kontributin e tij të dalluar kur e ka kërkuar nevoja, doli para lexuesve me një përmbledhje poezish titulluar ”Krejt mbrapsht”. Libri është i formatit 20 X 13, në të cilat janë shtruar vargjet e 45 vjershave të Shpend Rukiqit.

Në rajonin ku jeton dhe vepron, e edhe në përmasa më të gjëra, Shpend Rukiqi është i njohur si master i matematikës e i pedagogjisë speciale dhe si i tillë gëzon respekt të lartë.

Ai ka botuar disa libra nga fusha e matematikës, të cilat titullohen:
– Mësimdhënie e balancuar,
– Mësimdhënie kreative,
– Matematikë kreative,
– Kreativ Matematik (në gjuhën suedeze) dhe
– Aplikacioni për matematikë kreative për telefona celularë, në tri gjuhë: suedisht, anglisht dhe shqip.

Megjithatë dalja e tij me përmbledhje poezish nuk tingëllon fare si befasi, sepse ai është marrë me shkrime që moti, por gjithnjë ka qenë modest dhe ”i padukshëm” në këtë fushë të krijimtarisë. Vargjet e tij i ka pasur një njohura një rreth i ngushtë miqsh e dashamirësh të tij.

A thua pse i njëjti tani vonë doli para lexuesve me një libër vargjesh të cilat fund e krye janë satira, parodi, ironi, alegori dhe të ngjashme?!

Duke e njohur atë mirë për së afërmi dhe duke u mbështetur në bisedat që shumë herë i kam pasur me te, konstatoj thjeshtë se vargjet i ka shkruar, si e kemi ne zakon të shprehemi – ”nga zemra e plastë”. Burri i botës është tmerruar nga ajo që aktualisht është duke ndodhur në trevat shqiptare dhe thjeshtë ka vendosur t´u fishkullojë këtyre të metave dhe veseve të dobëta të njerëzve e të shoqërisë në të cilën i duket se çdo gjë po ecën mbrapsht. Këtë ai e bën shkurt e shqip në gjuhën e popullit. Edhe pa u koncentruar shumë në vargjet e tij, lexuesi në to i gjen njerëzit dhe institucionet të cilat me satirë të thjeshtë i godet Shpend Rukiqi. Autorit i humb durimin dhe ai kërkon llogaridhënie prej popullit:

A ka dikush që e kupton këtë popull?
Sot mik, nesër armik!
Sot hero, nesër tradhtar!
Sot analfabet, nesër doktor shkence!
Sot ateist, nesër ekstremist!
Sot bythcullak, nesër miljoner!
Sot lum e nesër mjerë!
Sot zotëri nesër zibidi!

Është kjo koha kur ata të cilët ia prangosën babain:

Kan ndrrua petkun dhe shtiren shpëtimtar
Pa fije turpi mbahen atdhetar
(Për ty babë)

Njëkohësisht ”Të pa shkollët plako janë bë miljoner – Të shkolluarit kamerier”. Ata që udhëheqin me shtetin dhe popullin:

Njëzet vite shkatërruan rinin
Njëzet vite e ndalën diellin
Njëzet vite e nxin qiellim
(Ta krypin salepin)

Kush po rren nuk po di
Jemi të rrethuar nga faqezi
Disa shesin e disa blejnë
Disa vjedhin e disa rrejnë
……………………………………..
Deputet e gazetar
Çanaklëpirës e zagar
Faqe zezë e kombit mbarë
Varni popullin në litar
(Bixhozgji e fajdexhi)

Brengoset shumë edhe për gjendjen në Nënën Shqipëri:

Po ku mbete oj e bukura Shqipëri
Djege veten dhe u bëre hi
Vrave shpresën dhe ardhmërinë
Humbe nderin dhe krenarin
(Shqipëri ma dogje shpirtin)

Kjo ndodh në Shqipërinë e dashur për arsye se Shqipërinë e ”ka marrë lumi”:

Eu Shqipëri si të ka marrë lumi
Djemtë e zotë i ka zëne gjumi
Në ballë të kombit po të prin llumi
(Shqipëri të mori lumi)

Gjatë këtyre njëzet vjetëve të fundit në Kosovë ”…tradhtarët po vlojnë nga patriotizmi – Analfabetët janë graduar me tituj shkencor … – Matrapazët vendosin për drejtësi…” Kjo, pra, është ajo që e trondit, e zhgënjen dhe e irrtiton poetin përtej mase. Prandaj ai në vjershën ”Mos fol”, thekson:

Do bërtas për brengën ton
E të çirrem sa edhe djalli të trembet
Edhe hëna të errësohet
Edhe deti të trazohet

Të çirrem që ky popull ta kupton
Se me ëndrra po jeton
Ta kuptojë që këta të marrë
Po vrasin kombin në litar

”Këta të marrë” janë dhënë në këtë përmbledhje poezish me të gjitha karakteristikat negative që i kanë treguar ndaj atdheut dhe kombit. Atyre u mungojnë vetëm emrat e mbiemrat realë, të vërtetë, por, në secilën poezi zbulohen fare lehtë. Në këtë aspekt vargjet janë shumë të tejdukshme. Nga dëshprimi e zhgënjimi tepër i madh i poetit, ai një pjesë të madhe të përgjegjësisë ia hedh vetë popullit, i cili i voton njerëzit e këtillë dhe nuk vepron për t´i kundërshtuar:

E ju hani, pini e bëni qejf
Vjedhni, gënjeni dhe tradhtoni
Sepse populli im i shkretë
Tallavan e pranoj vetë

Edhe në tavolina ju vallëzoni
Hani mish e pini verë
Ndërsa populli yt i shkret
Përcjell fëmijët për gyrbet

Ëndrra e tyre ju do ju mallkojë
Loti i tyre do ju gjykojë
Mos harroni këtë histori
Rrota do shkel edhe mbi ty
(Mos fol)

Dhe kështu, fund e krye trishtim, zemërim e pezmatim! Ky fakt kuptohet, sepse poetit i duket se çdo gjë është duke shkuar mbrapsht dhe kritikon. Prandaj bën thirrje për mëkëmbje, sidomos në vjershat ”Maft vajtove”, ”Do ta bëjmë Shqipërinë”, ”Dhimbje” etj. Autori me vargjet e tij kërkon vetëdijsimin e popullit, kërkon përgjegjësi dhe aftësi analizuese në mënyrë që zhvatësve të shtetit, t´u pamundësohen veprimet e rënda negative të cilat gjykohen në libër.

Shihet se libri nuk është redaktuar dhe nuk është lektoruar nga askush dhe ka gabime drejtshrimore, diçka që vret syrin e gjuhëtarëve dhe timin.

Në bisedë me autorin e këtij libri, Shpend Rukiqin, për moslektorimin e librit ai, i bindur thellësisht, deklaron si vijon: ”Libri me qëllim nuk është lektoruar sepse edhe kjo është pjesë e mbrapshtis ton. Autori deklarohet se të gjitha librat e tijë qe janë lektoruar nga lektor që vetën e quajn profesionist jan lektoruar me shumë gabime. Unë jam drejtu në gjuhën e popullit – rru epa rru si jena qëllu.”

Pastaj vazhdon: ”Nuk ka askundë kriterie për lektorim të librave që nuk jan shkencorë – ne vuajm nga formalitet … në botë botohen libra pa pikë, e presje, pa rreshta, e kryerreshta – pra nuk ka kusht … E keqja është që librat shkollor në Kosovë jan me gabime të pa numërta, ato duhet lektorohen profesinalisht dhe duhet kontroll strikt për gjuhën – Në përmbledhjen time unë kam dashtë të shprehë ndjenjat, dëshprimin dhe mangësit e mija gjuhësore në origjinal dhe kam dashtë ti mbajë si të tilla, ndajë lektorimi mundë të jipet si rekomandim po jo – Nuk duhet të ndodhë.

Përkitazi me gjuhën të cilën e përdor autori, dua të theksoj se ai është shprehur thjesht dhe kuptueshëm. Nuk e di, në praktikën tonë nuk është e preferueshme që të përdoren disa fjalë të cilat i hasim p. sh. në faqet nr. 8, 12, 15, 28, 29, 31 etj., por e konsideroj se autori ka dëshirë që t´i thyejë barrierat dhe këtë e ka bërë qëllimshëm dhe me vendosmëri edhe pse dikujt nuk i pëlqen.

Si përfundim, dua të theksoj se ky libër është i ashpër, tepër i ashpër, me të cilin autori përpiqet t´i luftojë dukuritë negative, të këqia të pushtetarëve e të shoqërisë aktuale kosovare.

Unë e kuptoj poetin, sepse kur kam biseduar me te për ecuritë politike në jetën e përditshme kosovare, nga dhembja për këtë gjendje, atij i kanë rrjedhur lotët e dëshprimit. Prandaj në fillim të këtij recensioni kam pohuar se këto vargje i ka shkruar, për shkak të zhgënjimit – ”nga zemra e plastë”.

Edhe Migjeni ka shkruar pak, por Migjeni është bërë Migjeni – ai të cilin e njohim, vetëm atëherë kur lexuesit dhe kritika e kanë kuptuar mirë, i kanë kuptuar mesazhet e tij.