Shkruan: Isak A H M E T I
Ndjehem i nderuar që m’është dhënë mundësia, që me rastin e botimit dhe të promovimit të librit të mbramë: DIELL PA HIJE, të autorit (shqipëruesit) Ramadan Musliut (Danit), t’i them disa fjalë jo vetëm për librin por edhe për mjeshtrin e rrallë të letrave shqipe.
Para se të flas për librin, që po e promovojmë sot dhe këtu, më lejoni të theksoj në mënyrë të veçantë se poeti dhe studiuesi Ramadan Musliu, miku im i shpisë dhe i jetës, gati gjysmë shekulli, mund të krahasohet lirisht dhe më se miri vetëm me studiuesin dhe estetin Ibrahim Rugova, udhën studimore të të cilit Dani ishte ai që e shpuri më tej deri në grahmat e fundit të jetës së tij, kur papritmas kaloi në dritën e amshuar, por duke na lënë trashëgimi një varg veprash, zhanresh të ndtyshme, siç janë:
I. POEZI
1. Parodia e trupit, 1981,
2. Shqisa e gjashtë, 1983,
3. Pasqyra e të rrëfyerit, 1987,
4. Këngë e Sibilave, 1995,
5. Në zemrën e gjërave, 2004 dhe
6. Gjendje neutrale, 2019
(të cilin sikundër edhe librat e tjerë, gjithmonë, m’i ka dhuruar me dedikim si:
PENG MIQËSIE!
II. STUDIME DHE KRITIKA LETRARE
1. Mbindërtimi poetik, 1990,
2. Konfiguracione narrative, 1998,
3. Estetika e dallueshme, 2005,
4. Eskurs në letërsinë për fëmijë, 2010,
5. Tangjenta letrare, 2012, dhe
6. Domeni i literaritetit, 2018.
III. PUBLICISTIKË
- Vetëripërtëritja e totalitarizmit, 1997.
Në bazë të vlerësimeve të përgjithshme të shkrimeve të autorëve dhe studiuesve të shumtë nga fusha e letësrisë, sikundër edhe në bazë të shkrimeve dhe vlerësimeve të mia për këtë autor, del se ai (Dani), është njëri prej poetëve dhe kritikëve më cilësorë të letrave shqipe. Këtë e ka dëshmuar, veç të tjerëve, edhe shkrimtari dhe studiuesi nga Shqipëria, Petrit Palushi.
* DIELL PA HIJE
Antologji e poezisë ballkanike shek. XXI
Ky libër posthum i Ramadan Musliut prezenton 54 poetë të njohur nga 12 vende (shtete) të Ballkanit. Kjo poezi, sipas përzgjedhësit dhe shqipëruesit mjaft të përkushtuar, ka arritur të kapë frymën e kohës, mendësinë dhe ndjeshmërinë e saj. Prandaj lexuesi shqiptar, të cilit i është dedikuar ky botim, vemendjen e vet, pa dyshim, do ta përqëndrojë te letërsia nacionale, sa është përfaqësuar ajo, si është përfaqësuar dhe a është mbërthyer në korpusin e gjithmbarshëm poetik poezia që bart të gjitha elementet që i shquajnë poezitë e tjera nacionale (Parathënie, fq. 14).
Për shembull, Letërsia Shqipe këtu, është përfaqësuar në tri pjesë, sipas shteteve (Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut), ku është zhvilluar ajo. Vlen të theksohet këtu se përfshirja e një konglomerati të gjerë të poezive nacionale, që nga poezia sllovene e deri te ajo e shtetit më të ri të Ballkanit, Kosovës, ia ka bërë të pamundur përzgjedhësit konceptin konstant estetik.
Pavarësisht nga kjo, një pjesë e kësaj poezie që përfaqësohet këtu mundohet t’u ikë modeleve, duke ofruar kështu tekstin si lëndë, ndjeshmërinë si paradoks, sikundër edhe një distancë të habitshme mes tekstit dhe lexuesit, sepse ajo jepet si një fakt estetik, brendia e të cilës është sajesë në veti, plot paradokse, elemente heterogjene, por gjithnjë në përpjekje për ta dhënë një insert të psikës së njeriut të kohës sonë.
Në këtë libër janë përfshirë edhe 11 poetë shqiptarë siç janë: Zef Zorba,Teki Dervishi, Agim Mala, Shaip Beqiri, Xhevdet Bajraj, Lulëzim Haziri, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Salajdin Salihu, Lindita Ahmeti dhe Arben Idrizi dhe, siç shihet, janë anashkaluar, ta zëmë, Kadare, Agolli dhe Atapi, gjë që, në shikim të parë, jo pa arsye, duket e habitshme.
Mirëpo autori në fjalë, tek Parahënia, “arsyetohet” duke thënë se, citojmë “poezitë e Kadaresë janë prodhim i stereotipeve të njohura ideologjike”, “Agolli shënon stadin që moti të tejkaluar”, ndërsa “poezitë e Arapit dalin si krijime të një subjektiviteti të ngulfatur, edhepse dukshëm është më larg dy poetëve të përmendur” (po aty, fq. 15). Edhe poetët, përkatësisht përfaqësuesit e disidencës letrare siç janë: Martin Camaj, Visar Zhiti, Frederik Reshpja e ndonjë tjetër, i janë nënshtruar këtij gjykimi, që për mua është paksa i papranueshëm dhe i pa kuptueshëm!
Sidoqoftë, megjithëlëtë, poezitë e përzgjedhura, të shqipëruara dhe të përfaqësuara këtu, siç e ka vlerësuar edhe Rexhep Shahu në Pasthënien e librit (fq. 329), janë perla, hymne të jashtëzakonshme dashurie për jetën, për njeriun, janë metafora brilante, por edhe brenga e dhembje therrëse që turbullojnë detet e rrafshojnë maja malesh.
Krejt në fund le të theksojmë se libri: Diell pa hije, është një libër i rrallë dashurie shpirtrash e zemrash të poetëve ballkanas, që vjen në shqip falë poetit, përkthyesit dhe studiuesit elitar të letërsisë, Ramadan Musliut, që do mbetet i pavdekshëm në kulturën dhe letërsinë shqiptare.